E marte, 27.10.2020, 06:08 PM (GMT)

Editorial

Mërgim Korça: Kur do të shkruhet historia si dhe njerëzit e përfshirë në të pa zbukurime dhe as pa shëmtime?

E hene, 08.10.2007, 05:03 PM


Me qe eshte bere mjaft aktual problemi i rishkrimit te historise pa ndikime politike, kjo analize e studjuesit te mirnjohur Mergim Korça menduam se ia vlen tu paraqitet lexuesve edhe nje here sepse shquhet per paanshmerine e gjykimeve qe jepen ne te. Eshte shume aktuale dhe e nje rendesie te vecante. (Z.Sh)

Shkruar nga: Mërgim Korça

Mërgim Korça
Dalëngadálë po i vjen mesi edhe dhjetëvjeçarit të dytë të përmbysjes së diktaturës dhe historia e Shqipërisë e shekullit të shkuar akoma qëndron pezull. Them pezull sepse ajo palë, e cila zyrtarisht është ngarkuar t’a shkruajë, është akoma thellësisht e politizuar. Edhe ndonjë t’ashtuquajtur lëshim të vogël  që ka bërë krahasuar me historinë e shkruar prej saj vetë gjatë viteve të diktaturës, e quan si zbulim të madh në saje dokumentash të rinj zbuluar në arkivat e shtetit.   E para e punës, ato nuk janë dokumenta të panjohur, por që qëllimisht mbaheshin për gjysëm shekulli nëpër fonde të ndaluar. Nga ana tjetër, këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me dokumenta, por me mungesën e vullnetit për t’i interpretuar këta dokumenta nga një këndvështrim objektiv i mbështetur në ndershmëri shkencore. Pse e shtroj kësisoji problemin ? Sepse jemi dëshmitarë të faktit që vetë t’ashtuquajturat vepra të Enver Hoxhës janë korrigjuar disa herë. Delte një vepër dhe shpërndahej, duke i detyruar t’a blinin ditën e rrogave të gjithë punonjësit. Mbas një viti pastaj, mbledhje urgjente të organizatave bazë e fillë mbas tyre edhe të kolektivave, dhe porositeshin njerëzit që sapo të shkonin në shtëpi, me stilolapës në dorë dhe me përgjegjësí të plotë, të nxinin emrat e tradhëtarëve si Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, etj. që përgjatë tekstit ishin trajtuar si heronj !(?) Dhe mileti, o burra t’i nxijmë ! Mbas ca kohe vinte kontingjenti i ri i veprave me faktet e ndryshuara dhe me po ato personazhe të trajtuara krejtë ndryshe. Veprat e para si edhe tekstet shkollore të historisë hidheshin në plehra dhe bliheshin të porsaredaktuarit nga Instituti i Marksizëm-Leninizmit si edhe nga Instituti i Historisë. Mirëpo Mehmet Shehrat e Kadri Hazbirat vazhdonin të trajtoheshin si heronj të popullit. Veç kur vinte dallga tjetër dhe i fshinte edhe këta si super e poli-agjentë e Institutet e lartpërmendur, me vrap t’i reviziononin veprat e udhëheqësit të pagabueshëm si edhe tekstet shkollore dhe nga e para, tekstet demodé në plehra e të riredaktuarit, në qarkullim ! Kjo qe rutina së cilës i shërbyen me besnikërí si specialistët e Institutit të Marksizëm-Leninizmit e gjithashtu edhe historianët e Akademisë së Shkencave.
Me njerin syresh, ish punonjës shkencor i njerit prej instituteve, më ka rënë rasti të flas gjer’edhe gjatë si edhe të korrespondoj. Objektiviteti si edhe kërshëría e madhe e tij për t’i qëmtuar të vërtetat historike, më bindën se ai nuk bënte pjesë në shpurën të cilën e instruktoi ish presidenti R.Alia që për t’u bërë të besueshëm, mbas përmbysjes së diktaturës, t’a shanin me rrënjë e me degë komunizmin e kësisoji të vazhdonin t’a mbanin pushtetin politik. Që lexuesi mos t’a paragjykojë këtë studjues, po ia paraqis të zezë mbi të bardhë, ato pjesë bisedash si edhe replikash me shkrim që kam patur dhe vazhdoj të kem me të, (domosdo duke ia marrë lejen që këto t’i bëj publike, ndonëse pa e bërë të njohur emrin, simbas këmbënguljes së tij).
 
Unë : Nuk kam ndërmënd të të paragjykoj nga ana biografike, se po t’a bëja do të bija në gabim-fajin e vijës së luftës klasave. Por e kam të drejtën të të pyes si e ndjeje veten kur detyroheshe të interpretoje fakte edhe rrethana, të cilat ndërgjegja jote jam i bindur se nuk i pranonte se e dinte që nuk ishin të vërteta.
Profesori : Do të përgjigjem duke e parafrazuar pyetjen, pra më gjerë. Duhet të dish se unë rrjedh nga një familje e cila më ka mëkuar me idetë komuniste që kur isha debatikas dhjetë-dymbëdhjetë vjeç, kohë në të cilën shpërndaja traktet e partisë. Kësisoji, derisa u bëra tridhjetë vjeç, unë besoja verbërisht në fjalën e partisë dhe e doja sinqerisht E.Hoxhën. Mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik, të cilin e kisha në zemër po aq sa edhe Shqipërinë, diçka u thye brënda meje. Kjo thyerje u bashkëshoqërua edhe me hapjen e syve. Mirëpo kjo hapje syshë, në mënyrë të pashmangëshme, erdhi dhe u binjakëzua me ndjenjën e frikës. E sa më shumë hapeshin sytë, aq më shumë rritej frika. E duke qenë se n’atë moshë krijova edhe familje, ndërsa hapja e syve ecte në mënyrë lineare, frika rritej në mënyrë kuadratike ! Kësisoji hap mbas hapi e ditë mbas dite, si pa e kuptuar, zvogëlohej para syve të mi edhe personaliteti im dhe unë, idealisti i dikurshëm, erdha dhe u bëra roboti i i programuar nga partia. Besoj se të fola sinqerisht e do të më besosh.
Unë : Jo vetëm që të besoj plotësisht e të falënderoj për këtë çiltërsí, por sa do t’a mirëprisja faktin që këtë pozicionim t’a merrnin të gjithë ish kolegët tuaj. Po t’a çlironin ata ndërgjegjen e tyre siç e bëre ti, me pak fjalë por sinqerisht, sa ndryshe do t’a shkruanin ata historinë e vëndit tonë e posaçërisht periudhën e Mbretërisë, atë të pushtimit italian e gjerman, si edhe periudhën e diktaturës së egër komuniste.
Në këtë drejtim jam shumë i mërzitur sepse nuk shoh asnjë fakt i cili të më japë shpresë se do të bëhet kthesë. Në dy shkrime të mijtë i jam drejtuar drejtoreshës së Institutit të Historisë pranë Akademisë Shkencave, duke ia hequr vrejtjen lidhur me kundërthënje të sajat po të ballafaqosh deklaratat e saja si edhe tekstet e botuar. Mirëpo nuk shoh asnjë ndryshim. Personaliteteve të mëdha kombëtare u është vënë njolla si tradhëtarë, vetëm se qenë antikomunistë e për hir të interesave të atdheut pranuan të bashkëpunonin me pushtuesit, (njollë kjo shum’e diskutueshme veçanërisht e parë veprimtaría e tyre tashti, nga lartësia e viteve 2000), dhe si rrjedhojë atyre nuk u vihen në dukje as merita të shquara të kaluara. Nga ana tjetër, përgjatë L.N.Çl. si edhe periudhës diktatoriale, interesat e Shqipërisë u nëpërkëmbën turpërisht, e as që i analizon kush në mënyrë shkencore si edhe përgjithësuese që të nxirren edhe përgjegjësitë historike lidhur me dëmet kolosale shkaktuar vëndit tonë si veprime tradhëtare dhe antikombëtare. Këtu qëndron edhe thelbi i shqetësimit tim.
Profesori : Shqetësimin tënd e kuptoj plotësisht. Nga njera anë, me sa shoh e nuhas, duke i pasë lexuar me vëmëndje shkrimet tuaja pararendëse, ti e ke fjalën për personalitete të shtatit At Gjergj Fishtës, Mid’hat Frashërit, Mustafa Krujës, Hasan Dostit, Patër Anton Harapit, Lef Nosit si edhe gjithë plejadës së atyre të cilëve, si në veprat e E.Hoxhës, u është shuar emri me stilolapës e vazhdojnë të lihen pré e harresës. Nga ana tjetër, në se të ndoqa dhe të kuptova drejtë, e ke fjalën edhe për luftën përçarëse si edhe vëllavrasëse në të cilën e futi popullin shqiptar udhëheqja e Partisë Komuniste shqiptare e nënshtruar plotësisht urdhërave të Dushan Mugoshës edhe Miladin Popoviçit, duke vazhduar pastaj me shitjen totale të interesave kombëtare së pari Jugosllavisë e pastaj Bashkimit Sovjetik e së fundi gjunjëzimi i marrëzíshëm ndaj Kinës, ku si shëmbull të turpshëm mund të përmëndim “dacibaon” (fletë-rrufenë) e parë shqiptare, nën mësimet e shokut Mao, ku studentët revolucionarë të Universitetit të Tiranës iu qepën profesor Selman Rizës që ishte nderi i profesoratit shqiptar !
Pra, besoj se e kam kuptuar në thelb se ku qëllon ti. Në qoftë se po, do të të them se edhe unë jam thuajse plotësisht i të njajtit mendim me ty, me përjashtimin e ndonjë detaji jo të papërfillshëm, siç është p.sh. bashkëpunimi me okupatorin i një shtrese të gjerë intelektualësh edhe patriotësh të deriatëhershëm. Cilësori kolaboracionist i u bashkangjit shumë emrave, të dëgjuar për bëmat e tyre kombëtare si edhe shkencore pararendëse të 7 prillit të mallkuar. Që t’u mohohen vlerat e tyre, siç është bërë dhe vazhdon të bëhet edhe tashti, në asnjë mënyrë nuk kam se si t’a pranoj, (ndonëse Akademia e Shkencave së fundi ka bërë një veprimtarí lidhur me figurën e prof.Ernest Koliqit). Sa i takon vetë epitetit kolaboracionist, është e vërtetë se nuk jam më aq kategorik dhe i ashpër sa kam qenë deri para përmbysjes së diktaturës, sepse gjatë kësaj periudhe kam patur rastin të lexoj shumë botime si edhe dokumenta për ekzistencën e të cilëve as që e kishim idenë gjatë kohës që punonim në institute. Kjo është e vërtetë. Por prapsrprap, kolaboracionizmin e quaj të gabuar dhe në dëmin e atdheut.
Megjithatë, duke qenë tashti sinqerisht i hapur për diskutime dhe duke mos i patur më sytë e mbuluar nga pengojcat e kuajve, me shumë dashamirësí do të doja të dëgjoj argumenta bindës për të vërtetuar të kundërtën e tezës sime, sepse në parim dua që të mos humbasim asnjë nga vlerat tona kombëtare, gjë e cila veçanërisht viteve të fundit është bërë idé obsesive e shumë studjuesve tanë. Duan të na e shesin Nënë Terezën duke e nxjerrë me prejardhje vllahe; kanë shkelur mbi Ali Pashanë e pa le që i janë qepur edhe Skënderbeut legjendar ! Ku po na çon kjo maní e vetëshkatërrimit ? Këto pseudostudime dhe veprime i quaj thellësisht dhe thelbësisht të gabuara. Ndërsa për korrigjime si edhe drejtime shtrembërimesh si lidhur me figura e gjithashtu edhe me fakte historike në bazë dokumentash të mirëfilltë, jam plotësisht i prirur në këtë drejtim. P.sh. të diskutonim rreth figurave si Mustafa Kruja e Mid’hat Frashëri me shokë në bazë faktesh do të ishte një kënaqësí e madhe për mua, pa lënë jashtë edhe figura si e Bedri Spahiut, p.sh.
Unë : Është thuajse hera e parë që një shkëmbim mendimesh karakteri të tillë po e zhvilloj me kënaqësí të madhe jo vetëm për mirëkuptimin e ndërsjellë, por ç’është themelorja për gatishmërinë tënde që së bashku po e sheshojmë rrugën që duam të përshkojmë ku qëllimi i ne të dyve s’është asgjë tjetër veçse nxjerrja në dritë e së vërtetës.
Për t’a marrë me radhë, mendoj se duhet filluar duke e trajtuar së pari problemin e cilësorit kolaboracionizëm, me që kjo ishte edhe pika ku ti vazhdon dhe je më i shtangët, ndonëse kanë kaluar kaq dhjetëvjeçarë dhe gjykimit objektiv i vijnë në ndihmë faktet e rrjedhimeve të ngjarjeve.
 Për t’a bërë këtë, dhe që t’a sheshoj rrugën e diskutimeve objektive, mendoj t’i referohem një figure shumë të kundrathënë nga historia, Leninit. Duke i sqaruar dhe ballafaquar pozicionet tona të ndërsjella rreth shikimit kësaj figure, besoj se pastaj do t’a gjejmë shtegun e përbashkët për t’i trajtuar me radhë të gjitha problemet si edhe figurat.
Lenini ishte ithtari idésë barazimit në shkallë botërore të klasave dhe, i rrëmbyer pastaj nga kjo idé, u kthye në zbatues me ashk të papërmbajtur të kësaj ëndërre: nivelizimin e të pasurve me të varfërit. Por për fat të keq objektivi nuk qe pasurimi i të varfërve në nivelin e pasanikëve, por ulja e nivelit të të pasurve në shkallë të tillë ku çdo shtetas jetonte sot për nesër dhe i varur deri në dhimbje nga shteti suprem ! Ideja që Lenini propagandoi qe shumë mikluese për shumicën dërrmuese të njerëzimit, ndërkohë që zbatimi idesë u fillua me dhunë të pashëmbulltë e me gjak dhe çoi në një rrugë pa krye ku dhjetra milionët e viktimave nuk e justifikuan udhën e krimit. Mbas thuajse tetëdhjetë vitesh diktature të skajëshme, durimi njerëzor u sos dhe ideja e fryrë dhe e tejfryrë e komunizmit, duke iu nënështruar ligjeve ekonomike objektive të shoqërisë, erdhi e dështoi. Mirë zbatimi praktik që dështoi, po qëndrimi i historisë së shkruar ndaj ideatorit të mundësisë zbatimit të revolucionit jo detyrimisht në të gjithë botën, cili duhet të jetë ? Për t’a pasqyruar paanshmërisht figurën e Leninit, nuk duhen mbivlerësuar pohimet e kundërshtarëve të tij të përbetuar si p.sh. ato të K.Krasnofit, (autori i Nga Shqiponja Mbretërore tek Flamuri i Kuq- shënim i M.K.), e as ato të L.Zilahyt që e analizon biografin’e Leninit me syrin e kundërshtarit të ashpër të Leninit. Por ama të gjitha këto burime, duke ndjekur me vëmëndje edhe se ç’kanë paraqitur me fac-simile grupi i hulumtuesve Courtois-Werth-Panné-Paczkowski-Bartosek-Margolin në vëllimin me titull Libri i Zi i Komunizmit, të bashkuara nën lenten zmadhuese edhe me çka shkruar  M. Eastman, që ishte admirues i Leninit, hedhin dritë të bollëshme dhe të vërtetë mbi personin vetë si edhe bëmat e tija. M.Eastmani bile e botoi në 1925 testamentin e Leninit të cilin ia dha personalisht Krupskaja vetë, (e shoqja e Leninit), sepse Lenini kishte dhënë porosi që testamenti të lexohej në Kongresin e P.K.(b) të B.S. kurse Stalini e lexoi vetëm para K.Qëndror, (se Lenini jepte porosi që Stalini të mos zgjidhej Sekretar i Përgjithshëm i Partisë). Dhe ky admirues i Leninit mundohet t’a mbrojë Leninin deri në atë pikë sa që thotë se : “ . . . pohimi i Leninit në shkurtin e 1917-ës se për çeshtjen e Revolucionit duheshin lënë më një anë normat qesharake borgjeze mbi moralin dhe se ai (Lenini) nuk do të stepej të shkelte mbi kufomat e nënës si edhe motrës së tij për hir të Revolucionit, tregojnë konsekuencën dhe besnikërinë revolucionare të Leninit”.   Po transkriboj tekstualisht thënjen e Leninit me difektin që kompiuteri nuk i ka germat kirilice : Jesli nada, ja perestuplju çerez trupi mojej materi i sestri dlja osushestvlenija Revoljucii.  (Ky pohim i Leninit u publikua edhe nga dy gazetarë anglezë që e kanë intervistuar Leninin vetë, po domosdo merr shumë më shumë besueshmëri nga fakti që M.Eastmani mundohet t’a mbrojë pikërisht për këtë shprehje tamam të përbindëshme). E për të qenë vërtet model qëmtimi të vëmëndshëm dokumentash si edhe situatash për të dhënë gjykim sa më të paanshëm dhe shkencor, i referohemi Gjeneralit Vollkogonov, ish Drejtorit të Drejtorisë Politike të Ushtrisë së Kuqe, i cili qe i pari person të cilit “Gllaznosti” i dha akses në fondet sekrete të arkivave ruse. Fillimisht, siç e thekson ai vetë, vetëm kërshëria për të mësuar të vërtetat e shtyu të hulumtojë. Por ky thellim e çoi dora dorës në zbulimin e të tilla të vërtetave që mbas një pune këmbëngulëse ndërgjegja e tij nuk e la më dhe shkroi e botoi tre libra, (me nga dy vëllime secili) : Lenini, Trocki edhe Stalini. Për të mos u zgjatur më me citate edhe pohime, (se edhe me kaq u zgjata shumë), sintetizimi i dy vëllimeve rreth Leninit përmblidhet me fjalën e vetme : kriminel sadist ! Dhe duhet shtuar se Vollkogonovi që në rininë e tij të herëshme e derisa arriti dhe u bë gjeneral e pastaj edhe Drejtor Drejtorie Politike, ka qenë mbrujtur me dashuri edhe respekt të pakufishëm për Leninin si “gjeni”. Prandaj kuptohet se me sa dhimbje faktet e përmbysën mitin e gjeniut Lenin në sytë e Vollkogonovit që, për hir të së vërtetës, arrin pastaj në përfundimin që citohet më lart !
E ndjeva të nevojëshme, para se t’a trajtoj konkretisht problemin i cili të shqetëson ty, (profesorin-shënim i M.K.), t’a bëj këtë hyrje që të më kuptosh drejtë se nuk jam aspak i prirur t’i shoh personat, faktet si edhe interpretimin e ngjarjeve vetëm bardh edhe zi ! Jo, kurrën e kurrës. Nga ana tjetër shtysë e madhe e imja është që studjuesit e rinj t’a kenë mirë parasysh se shkenca historike nuk pranon politizim, (për të qenë shkencë). Në të kundërtën ajo bëhet përrallë me mbret !    
Vijmë tashti tek thelbi i problemit : kolaboracionizmi si edhe përgjegjësía e kolaboracionistëve. Duke i shikuar tashti nga lartësía e viteve 2000 ngjarjet, rrethanat, veprimet si edhe përfundimet se ku çuan veprime të caktuara gjithmonë lidhur me interesat e vëndit, është e qartë se detyra e jonë është tejet më e thjeshtë se sa të ktheheshim treçerek shekulli pas ... (ndonëse të paisur me përvojën e sotme), e të vepronim. Megjithëse populli ynë e ka shprehjen “... sikur të isha edhe një herë nuse do të dija se si të nusëroja“, megjithatë nuk do t’a kishim shumë të lehtë ! Rikthehemi tek dita e zezë e 7 prillit 1939. Parimisht mundësitë ishin tri :
 
1- Rezistencë me luftë ushtrisë pushtuese italiane, ku mundësia praktike nga ana ushtarake ishte praktikisht e pamundur, (nuk kishim të bënim më me një garnizon ushtarak si në Vlorën e 1920-ës, por me një ushtri pushtuese).
2- Bashkëpunim me Italinë pushtuese duke u munduar të shpëtohej e mundëshmja, pra të tërhiqej peri aq sa mos të këputej, me një fjalë mos t’u lihej italianëve shesh veprimi 100 % i lirë.
3- Të qëndrohej sehirxhi, me të drejtën që i jep vetes ky i fundit të kritikojë këdo, me përjashtimin e vetes së tij. (Domosdo ky qëndrim është edhe moralisht më i dënueshmi sepse oportunist).

Në këto kushte, njera pjesë e intelektualëve dhe patriotëve të shquar u mblodhën dhe themeluan, në shtëpinë e Mid’hat Frashërit, me 13 prill 1939 Organizatën e Ballit Kombëtar. Më 25 gusht 1939, nën vartësinë e Qëndrorit të Tiranës, themelohet në Vlorë Komiteti Qarkor i Vlorës. Nuk kaluan pesë ditë dhe si në Shkodër e gjithashtu edhe në Korçë u themeluan Qarkorët përkatës. E kësisoji Balli Kombëtar u shtri në gjithë Shqipërinë, në një kohë që komunistët e grupeve të ndryshëme rrinin e bënin sehir sepse akoma nuk u kishte ardhur urdhëri nga Moska se ç’duhej të bënin, me që Stalini me Hitlerin kishin nënshkruar pakt mossulmimi !
Balli Kombëtar, pa humbur kohë, mori drejtimin dhe udhëhoqi demonstratat e 28 nëntorit 1939, 1940 si edhe 1941 e me shpejtësí filloi edhe organizimin e çetave të armatosura. Lidhur me luftën e çetave mund t’a diskutojmë herë tjetër, sepse ajo përbën edhe një kapitull tejet të dhimbshëm se lidhet me luftën civile që filluan çetat dhe formacionet e udhëhequra nga Partia Komuniste kundra forcave të Ballit Kombëtar.
Vazhdojmë me kolaboracionistët. Pikëpamja e një pjese tjetër nacionalistësh, ata që nuk u inkuadruan me Ballin Kombëtar, ishte se duke marrë frenat e vëndit do të bënin që ndikimi i qeverisë italiane në drejtimin si edhe administrimin e Shtetit Shqiptar të kufizohej shumë. Me që qeveria e parë e kryesuar nga Shefqet Vërlaci karakterizohej nga pjestarë familjesh aristokratike (simbas Jacomonit – fq.137 Politika e Italisë në Shqipëri) e prandaj, duke mos e gëzuar besimin e popullit, u zëvëndësua nga qeveria e kryesuar nga Mustafa Kruja, ku secili ministër ishte personalitet në fushën e tij dhe nga ana tjetër kishin edhe një të kaluar të shquar nacionaliste dhe e gëzonin besimin e popullit (po aty Jacomoni). Në këtë qeveri pranoi edhe Balli Kombëtar të përfaqësohej me dy ministra. Ministër i Drejtësisë u emërua Hasan Dosti ndërsa ministër i Partisë Fashiste Jup Kazazi, që të dy anëtarë të Qëndrorit të Ballit Kombëtar, por njëkohësisht edhe të njohur si anti-italianë të skajshëm ! Edhe kushtet që shtroi qeveria shqiptare ndaj asaj italiane që t’a pranonte marrjen e qeverisjes së vëndit në dorë ishin skajshmërisht nacionaliste si p.sh. heqja e sëpatave (simbolet e fashizmit) si edhe i nyjes së shtëpisë Savoia nga flamuri ynë kombëtar si edhe lirimi i të gjithë profesorëve shqiptarë të burgosur si edhe të internuar në Itali. Mustafa Kruja kishte kërkuar që regjent i Shqipërisë të ishte një princ i shtëpisë Savoia, kusht i pranuar nga Italia de jure por i pazbatuar. Simbas M.Krujës kjo përkonte me precedentin historik, kur Napoleoni u vetëshpall perandor dhe emëroi mbretër, vëllezër e kunetí. Po kur u përmbys ai vetë, ata pretendonin se ishin sovranë më vete e nuk kishin përse të fundoseshin me anijen e Napoleonit. Nga ky këndvështrim e shihnin Mustafa Kruja me disa shokë të tij provizoritetin e figurës së regjentit të huaj në Shqipëri.
E ngushtojmë tashti rrethin e problemeve dhe mundësive të përballimit me okupatorin. Pavarësisht nga fakti që vetëm kur Gjermania e sulmoi duke i shpallur luftë Bashkimit Sovjetik, komunistët e braktisën qëndrimin oportunist dhe u hodhën në aktivitet edhe luftë kundra fashizmit dhe pa e trajtuar sot fare problemin se si nën maskën e Luftës Nacional Çlirimtare komunistët krijuan iluzionin se objektivi i tyre nuk ishte marrja e pushtetit me objektiv internacionalizimin proletar të vëndit, etj.etj., problemi shtrohet : ose kolaboracionizëm me Italinë okupatore ose pjesëmarrje në L.N.Çl, apo jo ? Me një fjalë ose tradhëtarë (ndjekësit e rrugës së parë), ose heronj (ata të rrugës së dytë). Pavarësisht se atëhere, dhjetëvjeçarë të shkuar, ishte shum’e vështirë të shquhesh perspektiva e largët dhe të saktësohej qëndrimi më i mirë ndaj interesave kombëtare sot, nga lartësitë e shekullit XXI-të, gjykimi mbrapavështrues është shumë më i thjeshtë. I analizojmë ata që mbasi i bënë përzgjedhjet i luajtën rolet e tyre n’atë kohë. Ku përfunduan t’emërtuarit kolaboracionistë? 
Ata që qëndruan dhe nuk u larguan nga vëndi, ose u pushkatuan, si Kolë Tromara, Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Bahri Omari, Beqir Valteri, Reshit Merlika, Javer Hurshiti e Dik Cami me shokë, ose u dënuan me burgime të përjetëshme dhe vdiqën ose u kalbën burgjeve famëkeqe komuniste si Xhevat Korça, Sokrat Dodbiba, Shuk Gurakuqi, Ibrahim Biçaku e Rifat Begolli me shokë, në një kohë që Mustafa Kruja, Ernest Koliqi, Rexhep Krasniqi, Xhelal Mitrovica, Tahir Kolgjini, etj. që u larguan, u dënuan me vdekje në mungesë. Dakord. Me vdekje, por në mungesë, u dënuan edhe Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti, Abaz Ermenji, Vasil Andoni e Zef Pali me shokë që e luftuan okupatorin, (ndonëse “mefshtas”, sepse lufta civile e inspiruar dhe e drejtuar nga organizatorët kriminelë jugosllavë nuk u la rrugë tjetër veprimi të parëve). Dakord edhe për këta.
Po si t’a quajmë pozicionimin e tërë bashkësísë atyre intelektualëve e patriotëve me një të kaluar shumë të shquar lidhur me përpjekjet e tyre për t’i shërbyer Shqipërisë, që nuk u bënë kolaboracionistë e që morën pjesë aktive në L.N.Çl. e që u varën dhe u pushkatuan ose u kalbën burgjeve ? Ç’duhet thënë për Sheh Ibrahim Karbunarën, Riza Danin, prof. Kolë Prelën, Shefqet Bejën, prof.Gjergj Kokoshin, dr.Enver Sazanin, Selim Kokalarin, Islam Radovickën, Kolë Kuqalin, Hasan Reçin, Koço Boshnjakun e Mestan Ujanikun me shokë ? Ose ç’duhet thënë për Zef Malën, Zaj Fundon, Sejfulla Malëshovën e Koço Tashkon me shokë që ishin edhe ideologët e komunizmit në Shqipëri ?
Kësisoji i shikuam fluturimthi të dyja palët e intelektualëve dhe patriotëve të shquar, si ata që mendonin se kolaborimi me kushte me pushtuesin, (duke e konsideruar lëvizjen komuniste të keqen më të madhe ndaj atdheut), ishte në të mirën dhe interesin e atdheut, e gjithashtu edhe ata që dolën maleve me brigadat partizane, u bënë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm Nacional Çlirimtar ose komandante divizionesh etj. e pastaj e pësuan njësoj si edhe të parët, (pa e zgjeruar pastaj rrethin e atyre që bashkëpunuan verbtas me diktatorin e ai pastaj, një e nga një , u a këputi kokat përgjatë viteve të “lulëzimit të Shqipërisë së kuqe”).
Të parëve domosdo duhet t’u japim edhe kredinë e bashkimit të territoreve të Kosovës me Shqipërinë mëmë, përhapjen e arsimit shqip atje duke hapur kudo shkolla fillore si edhe të mesme shqipe. Ata mbrojtën si edhe shpëtuan qindra familie izraelite të sjella nga Kosova në Shqipëri, ku brënda javës me urdhërin e kryeministrit Mustafa Kruja u mobilizua e gjithë Ministria e Punëve të Brëndëshme dhe i paisi izraelitët me pasaporta me emra muslimanë dhe me autobusa i solli në Shqipëri duke i sistemuar. Qëndrimi i qeverisë Mustafa Krujës ishte qëndrim i vendosur dhe intransigjent antikomunist, (duke e pasë njohur teorikisht edhe kuptuar thellësisht teorinë utopike komuniste si edhe aplikimin e saj praktik mashtrues), duke e parashikuar mirëfilli se ku do t’a katandiste vëndin marrja e pushtetit nga ana e komunistëve.
Kurse të dytëve, me shumë keqardhje për ç’pësuan nga mos largpamja e tyre, duhet t’u ngarkojmë si përgjegjësí jo vetëm pranimin që i bënë luftës vëllavrasëse, por edhe fajin se ku e çoi vëndin sundimi diktatorial komunist. Qënja e tyre nga krahu i të ashtuquajturit Front Nacional Çlirimtar, e bëri këtë të fundit të forcohej aq shumë sa që duke qenë për nga forma me Aleatët, por në fakt ishte gur në dorën e sllavokomunizmit që në tabelën e shahut ballkanik vijën e demarkacionit në mes dy sistemeve e vuri tek kufiri ynë jugor. Edhe vetë zhvillimet e menjëherëshme të mbas 1945-ës e treguan se aleatët donin që Shqipëria të mos kish mbetur pjes’e t’ashtuquajturit Kamp Socialist, por tashmë qe vonë : Greqia mori rrugën europiane kurse Shqipëria atë aziatike !
            Me pak fjalë profesor, duke të vënë në dukje se si e shihnin të mirën e Shqipërisë të dyja palët veç e veç, besoj se do t’a rishikosh qëndrimin si edhe gjykimin tënd ndaj palës së emërtuar kolaboracioniste e domosdo do të nxjerrësh përfundime edhe lidhur me palën tjetër e cila u mashtrua më kollaj nga propaganda komuniste.
Profesori : Dhimbjen e sinqertë për ç’pësoi kategoria e atyre që u lidhën me Frontin N.Çl. jo vetëm që vazhdoj dhe e kam edhe sot shumë të mprehtë, por ti ma bëre edhe më të ndjeshme. Ndërsa përgjegjësínë që ti u ngarkon atyre, sinqerisht kurrë nuk e kisha menduar kaq gjatë, dhe duhet t’a pranoj sinqerisht se më ke futur në mendime të thella. Por nga ana tjetër duhet edhe t’a dish se me që ata qenë vetëm pararoja e “armiqve dhe tradhëtarëve të partisë edhe shtetit socialist “ që pasuan nga radhët e ish udhëheqësve dhe drejtuesve të lartë të pushtetit, kalimi i kohës na pati bërë tamam apatikë në dhënjen e gjykimeve ndaj tyre duke mos i diferencuar ata si për nga kalibri i tyre intelektual e domosdo edhe për të kaluarën e tyre patriotike. E vërteta është se u bënë aq shumë, që nga Koçi Xoxja, Nako Spirua, Tuk Jakova, Bedri Spahiu e varg e vistër gjeneralët, intelektualët borgjezë, ekonomistët, etj. deri tek Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, sa që ne robotët e partisë, as që arrinim më të gjykonim me mëndjet tona.
Kurse lidhur me kolaboracionizmin si koncept, pa le me kolaboracionistët si kategori, logjika jote duke i shikuar situatat, rrethanat e domosdo në sintoní me to edhe veprimet e njerëzve që e hiqnin vallen e asaj kohe, padyshim që më ke hapur një optikë të re këndvështrimi.
Vetëm një gjë dua të të them dhe kuptomë drejtë. Mbas bisedave si edhe korrespondencës së ndërsjellë me ty, ku e kam kuptuar se qëndrimi yt aq i drejtpeshuar për të thënë dhe nxjerrë në shesh vetëm të vërtetat historike, e ka një pikë të dobët : ti kërkon shumë nga ne. Unë si edhe ata shokë të mi që qëndrojnë në pozitat pak a shumë të mijat, nuk e shkruajmë dot historinë që duhet shkruar sepse na vjen turp për ç’kemi shkruar thuajse dyzet vite me radhë. Pra e kemi aq vrasje ndërgjegje sa që më mirë e vuajmë ç’kemi thënë e bërë, po nuk kthehemi dot e pa pikë turpi të lëpijmë ç’kemi pështyrë, siç e bëjnë ca pseudo intelektualë që nesër, të ngjallej hipotetikisht së rishmi diktatori, o burra e kthejnë së rishmi me të dhe pa pikë turpi. Në këtë mes dua të shtoj edhe diçka. Ti me shumë të drejtë revoltohesh me qëndrimin e dyzuar të drejtores Institutit të Historisë pranë Akademisë Shkencave, e cila kur vjen në New York dhe e intervistojnë flet ndryshe e kur botohen tekstet, duke qenë ajo vetë recenzente, shkruhet ndryshe. Duhet t’a dijsh se nga grupi i historianëve zonja Ana Lalaj është më e prirura të shkruhen të vërtetat, (ashtu siç shprehet në intervistat e saja), po ti nuk ke se si t’a dish se kur kthehet ajo në bazë hajde e t’i detyrojë ajo prof. Xhelal Gjeçovin me shokë të mendojnë e të veprojnë ndryshe nga ç’kanë menduar, vepruar edhe shkruar gjatë diktaturës. Ai ka qenë me bindje e vazhdon me kokëfortësí të jetë historian i politizuar. Prandaj mos prit që brezi ynë t’a shkruajë historinë e vërtetë dhe t’a analizojë me syrin e ftohtë të shkencëtarit të paanshëm. As me Xhelal Gjeçovët nuk ecet përpara, po as me Alfred Uçët ama. Sa turp më vjen kur e mendoj se unë vetë i takoj plejadës tyre. Alfred Uçi p.sh., ndryshe nga Xhelal Gjeçovi, bën deklarata skajshmërisht antidiktatoriale e thotë se “Mbi Akademinë e Shkencave kanë rënduar fryma e monizmit, izolimi, intoleranca, drejtimi partiak, nepotizmi ... ne e dijmë mirë se ç’deformime burokratike etatiste sillte diktatura edhe monizmi ... “. E unë rri e mendoj : more po a ia dëgjon veshi se ç’i nxjerr goja A.Uçit ? Ky që e kishte si idhull diktatorin e sot do të shitet aq demokrat i flaktë që as për leckë fshirëse këpucësh nuk do t’a përdorte, nesër është gati të shkruajë (po t’ia lypë nevoja) traktat shkencor lidhur me estetikën në veprat e E.Hoxhës.
Përfundimi ? Historia objektivisht shkencore, e mbështetur në bashkësínë dhe gjithështrirjen e dokumentave arkivale në dispozicion, do të shkruhet vetëm atëhere kur zonja Ana Lalaj, më e pozicionuara objektivisht e brezit të historianëve bashkëkohës akoma thellësisht të politizuar, do të tejkalohet në gjykim të paanëshëm nga kolegët e saj më të rinj, shkencëtarë të përgatitur në universitetet perëndimore ku shkenca nuk pranon binjakëzim të sajin me politikën !
Unë : Nuk e beson se sa i gëzuar jam që duke shkëmbyer mendime me një njeri i cili, pavarësisht se dikur ka qenë komunist, e ka kuptuar se nuk mbrohet një çështje duke u mbështetur në dogma. Nga ana tjetër, tek më thua se drejtoresha e Institutit të Historisë ësht’e prirur që historia të shkruhet dhe të analizohet me objektivitet shkencor, por praktikisht pak është në gjëndje të ndikojë mbi rrethin e historianëve akoma të indoktrinuar, ky pohim i yti më gëzon skajshmërisht se më tregon se dikur do të ketë një dritë jeshile për këtë problem. E kjo është gjë e madhe. Sepse tek lexoj shtypin shqiptar dhe shoh se si me një banalizim skajor, për t’i mbajtur akoma gjallë emra që vetë bartësit e tyre duhej t’i kërkonin falje popullit e të tërhiqeshin në hije, botohen thash’e themet e N.Hoxhës, apo deklaratat dhelparake të R.Alisë “nostalgjikut të arësimit”, mbushem me vrer. Prandaj bashkëbisedimi me ty si edhe shkëmbimi i ndërsjellë i korrespondencës më bindin se do të vijë koha kur guri do të rrokulliset dhe do t’a gjejë vëndin e tij. Kjo si për shkencën e gjithashtu edhe për politikën.
Edhe në të ardhmen, gjithmonë me lejen tënde e po nuk pate kundërshtim, jam më se i gatshëm diskutimet si edhe pikëpamjet tona rreth figurash si edhe ngjarjesh historike t’ia paraqesim lexuesit për gjykim e mbase ndonjë ditë edhe të dalësh nga anonimati.  



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora