E premte, 29.03.2024, 03:13 PM (GMT)

Kulturë » Kozeta

Këze Kozeta Zylo: Një pikë hëne (Cikël poetik)

E merkure, 09.12.2009, 07:56 PM


Këze Kozeta Zylo

Një ketrush

Nga dëshira e pritjes së zjarrtë,
Po skuqen gjethet e pemëve,
Në këtë stinë vjeshte!
Një ketrush qëndron në majë,
Për të parë ardhjen tënde!

Më rrëqeth

Dhe shihemi pranë sy më sy,
Të mjaltat fjalë s’i themi dot,
Në puthjet tona çmenduri,
Me afsh frymojmë këtë botë.

Dhe harrojmë ç’kemi pranë,
Ç’kurreshtarë fshihen pas nesh,
Brenda mallit tonë të flaktë,
E ëmbla ndjenjë më rrëqeth.

E s’pyes une nga kurreshtarët,
Aq më pak, s’pyet as ti,
Se dashuria gjithë ç’ka brenda,
Hënë e diell i fsheh, në gji.

Si shkumë qumështi

Pranverë të tillë kurrë s’kishja parë,
Me fluridhe bore si petale,
Një mëngjes papritur erdhi,
Butë, butë si manare…!

Mbi qerpikë më qëndronte,
Buzës shkrinte me nxitim,
Nëpër gushë rrëkezë krijonte,
Si shkumë qumështi gjoksit tim!

Ti pranverëz me fjolla bore,
Tradhëtove dimrin, pakufi,
Zhveshe plakun prej dëbore,
Dhe dy stinë bashkove ti…!

Mars, 2009

Një pikë hëne

Erdhe mbrëmë në kalë shaluar,
Në ca shtigje që s’i di,
Një pikë hëne shtrydhe duarsh,
Si Sadiu re në gji.

Kishja veshur fustan dielli,
Terrin e muzgut more peng,
Brenda buzëve, mjaltë lëshove,
Bilbil prilli që më çmend!

Me lotë shpirti njome shtratin,
Nga dritarja Hëna qeshte,
Të mos mbyteshim të dy,
Unë i piva, gjithë për vehte!

Lot mëngjesi

Ca pikëla vese mbi të njomat gjethe,
M’u duken sot si lot mëngjesi,
Një ëndërr e bukur gjer në magjepsje,
Ishte shtrirë mbi nënkresë ylberi!

Më tej, flutura të kaltra me rreze dielli,
Shpupurrisnin thekët pranë petale lulesh,
Tek i vështroja ato me ëndje,
Të dashurin e mbuloja me afsh puthjesh!

Thyeje heshtjen

E trëmbur ngelem në heshtjen time,
Se mos të lëndoj zemrën ty,
Paçka se imja u bë thërrime,
Dhe lisharëse lotësh varen në shtëpi!

Po fol i dashur, thyeje heshtjen,
Merre për dore, dashurinë,
Se ditët vrapojnë si marroke,
E me heshtje, s’mund t’i arrijmë!

Të pres, të pres si zog pa krah,
Edhe pse nata ulet ngadalë,
Puhizën e lehtë buzëve më la,
Një afsh të ngrohtë, një afsh si zjarr!


(Vota: 13 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora