Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Besnik Dizdari: Përse “nuk ka vlerë” akuza e UEFA-s ndaj Vllaznisë dhe SK Tiranës

| E marte, 08.12.2009, 07:41 PM |


Përse “nuk ka vlerë” akuza e UEFA-s ndaj Vllaznisë dhe SK Tiranës

Nga Besnik Dizdari

Datat “e mëdha”:

2009: UEFA akuzon klubet shqiptare

Si gjithmonë, i frikësuar prej kërcënimeve apo dënimeve që mund të bëjnë ndërkombëtarët, këto dit i gjithë shtypi, pothuajse, doemos së bashku me TV-të dhe radiot, nuk po ndalet për asnjë çast të vetëm prej jehonës që ka shkaktuar njoftimi se UEFA akuzon dy klube shqiptare për trukim nga ana e tyre të ndeshjeve të Kupave të Europës 2009-10, Rapid i Vjenës – Vllaznia e Shkodrës 5-0 dhe 3-0 si dhe Stabaek IF – SK Tirana 4-0. Ashtu si dhe shumë të tjerë, edhe autori i këtushëm nuk është në gjendje kurrsesi të provojë vërtetësinë e kësaj akuze apo hetimi. I mbetet UEFA-s ta bëjë këte, për të cilën mendojmë se do të jetë tejet e vështirë. Mundet që rezultatet e paracaktuara të jenë sendërtuar prej dy skuadrave shqiptare. Mundet edhe të mos jenë. I mbetet UEFA-s. E nëqoftëse gjithçka vërtetohet, mund të mos çuditemi fort, sepse prej vitesh ndeshje të trukuara në futbollin kombëtar dhe ndërkombëtar europian e botëror po ka jo pak.

Por ajo që na bëri të meditojmë edhe një herë rreth këtij problemi a dukurie është publiciteti apo jehona e pandalshme që ka shpërthyer në mjedisin shqiptar, në të cilin, si zakonisht, sa herë që ndërhyjnë të huajt apo ndërkombëtarët, shqiptarët dorëzohen, thuajse e quajnë të vërtetë (edhe pse vetë ndërkombëtarët ende nuk e kanë vërtetuar) dhe papritmas vetvetiu sikur bëhen pjesë e akuzës, ndonëse ende nuk janë të gjendje të vërtetojnë asgjë. Ky lloj nënshtrimi vjen e bëhet krejt i papranueshëm, aq më tepër kur për vite të tana, askush në Shqipëri nuk ka bërë atë që është shumë më e lehtë për t’u bërë: të zbulojë një ndeshje vetme të trukuar mbrenda Kampionatit Shqiptar...

E pra, nëse UEFA vërteton shitjen e rezultatit apo paracaktimit të tyre për Vllazninë e SK Tiranën, përgjegjës nuk janë vetëm dy klubet, por bashkë me ta, madje e para, edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e pse jo, shtypi, e më tej e gjithë Shqipëria sportive. E themi këte se e pakta tash 20 vjet, siç kemi mbititulluar, rezultate të paracaktuara në Kampionatin Kombëtar të Shqipërisë ka jo pak, edhe pse të pavërtetura ligjërisht.

Dhe çka është më rëndësishmja, askush nuk bzan, pakkush ka folur (me përjashtimin tonë) dhe gjithçka është kaluar si me të qeshur. Kësisoji, akuza e UEFA-s për Vllazninë dhe SK Tiranën nuk ka rëndësi përballë paracaktimeve të rezultateve në Kampionatet Komnbëtare të Shqipërisë, që nuk kanë qenë as dy ndeshje dhe as dy skuadra të vetme, por një masë. Dhe që nuk janë zbuluar e dënuar kurrnjiherë.

Madje edhe në takime ndërkombëtare. Nuk mund të harrojmë një rast kur një tifoz duke hyrë në stadium, na thoshte: “Mos u mundoni fort. Ndeshjen e humbasim 4-1”. Dhe ndeshja përfundoi 4-1!

Përsa kohë paracaktimi i rezultateve nuk është luftuar kurrnjiherë në Shqipëri, përçimi deri në qiell i një jehone kësisoji për te ndeshjet ndërkombëtare, në moralin e futbollit në tanësi, “nuk ka dhe aq vlerë“. Çka kurrsesi nuk mund t’i japë kaq vlerë rastit “Vllaznia-SK Tirana”. Sepse përveç të tjerave, të paktën ne, nuk mund të harrojmë kaq shpejt dhe me kaq naivitet se çka ka ndodhur midis nesh.

Të gjithë e kujtojmë ndeshjen Shqipëria – Turqia të 12 tetorit 2005 që përfundoi 0-1, aq sa çfarë kishte nevojë 11-shi turk. E kujtojnë shumë mirë se si gjatë gjithë lojës, publiku shqiptar, atë mbrëmbje tifoz i skuadrës mike, heshti dhe shpërtheu në duartrokitje kur ndeshja përfundoi me fitoren e Turqisë. Ndërsa ne, gazetarët, e kujtojmë po kaq mirë se si gjatë konferencës së shtypit, trajneri i Turqisë Fatih Terim, në mënyrën më të befasishme tha: “Falenderoj Shqipërinë!” Kishim me thënë se ndeshje më rezultat më të paracaktuar se ky i Turqisë, nuk mund të kishte. Tjetër gjë, se ashtu siç u kuptua dhe u pa, ajo nuk do të ketë qenë një ndeshje e blerë me para, por një dhuratë shqiptare shpirtërore, mbase e një solidariteti të tipit ballkanik. Ndonëse lëshimi i rezultatit patjetër që ishte i dënueshëm.

Pa e zgjatur le të shfletojmë edhe një herë dossier-n tonë, duke e aktualizuar, për të shpalosur dukurinë e paracaktimit apo shitjes (këte të fundit nuk duam ta besojmë) të rezultateve në Kampionatin Shqiptar, dukuri që po nuk u luftua, do të vazhdojë të përsëritet, të bëhet një natyrë e dytë (ndoshta është bërë, e ne ende nuk e dimë?) çka vetvetiu mund të çojë edhe te shitjet e ndeshjeve shqiptare për Kupat e Europës. Shqipëria nuk ka dënuar qoftë edhe një ndeshje të vetme të trukuar të Kampionatit të saj. Në një kohë kur shembujt kombëtarë vlojnë në gjithë shtetet e tjera të Europës.

Kulmon madje edhe superfuqia e futbollit botëror, Italia, e cila për kësi dukurie ka mbërritur deri aty sa të çojë në Serie B, Milanin e madh; e tash së fundi edhe Juventusin po aq të madh. Vendime drastike, të pamshirshme të një guximi historik. Për një çast të duket si realizimi i ëndrrës së një thënie që u bë e famshme në Itali, atribuar të majtëve. U tha: “Italia do të rregullohet kur të bjerë Partia Demokristiane dhe kur të zbresë në Serie B Juventusi!” Nuk mund ta perifrazojmë për shkaqe ideologjike të kundërta sikur të thonim se Shqipëria do të rregullohej kur të bjerë Partia e Punës dhe të zbresë Partizani në kategorinë e dytë. Interesantja është se në të dy rastet kjo është realizuar…

Ajo që nuk është realizuar ndër ne, është se ende nuk ka filluar lufta për të ndalë paracaktimin e rezultateve të ndeshjeve në fushat shqiptare!

Datat “e mëdha”:

2003: Besa – Partizani 5-4!

Gjashtë vjet më parë patëm titulluar një shkrim kësisoji: “Të vërteta dhe rréna të Kampionatit të 64-t!”

Kjo histori e re na kujton ndërkaq, se më 10 maj 2003 - Java 23 e Kampionatit të 64 të – SK Tirana duke qenë 12 pikë përpara qe një kampione e parakohshme. Kësisoji, nuk kishte të drejtë ta qortonte askush për ndeshjet "e lehta" që ajo zhvilloi në javë të tana, ku secila prej tyre qe thjesht festim çlodhës më vete. Më e madhja u pa në Elbasan më 24 maj 2003, kur pas humbjes 1 2 me vendasit e rrezikuar, skuadra festoi përmes një ceremonie origjinale, një miniaturë e mjedisit të Ligës së Kampioneve, madje edhe para nja 300 400 të ardhurve të posaçëm nga Tirana, të cilët i dhanë Stadiumit "Ruzhdi Bizhuta" një pamje kryeqytetase.

Mandej? Mandej diçka krejt tjetër, madje duke përfshirë këtu skandalin e përvitshëm të Kampionatit Shqiptar të javës së fundit, ku si zakonisht përfshihen edhe kampionë e nënkampionë. Java 26 veçohej natyrisht, me fitoren 3 2 të Apolonisë së Fierit në Shkodër kur ishte në 0 2 për Vllazninë si dhe me "spektaklin" e rrémë të Partizanit me Besën 5 4 për kavajasit, çka ndikuan pa mëshirë për të krijuar barazpeshën Lushnja Fieri që të çonte te ndeshja plotësuese midis tyre për mosrënie. Nën këte ndikim të panatyrshëm, K64K ashtu si e pakta prej 15 vjetësh me rradhë, la dhe ai shijen tejet të diskutueshme të fundit, për të cilin nuk mund të themi se ishte "i lumtur".

Janë këto episode që përbëjnë rrénat e Kampionateve të Shqipërisë.

Datat “e mëdha”:

1991: Tomori – Traktori 6-5!
1992: Selenica - SK Tirana 4-2!
1993: Pogradeci – Kastrioti 1-6!
1993: Besa – SK Tirana 7-1!

Të duken si vargjet e një poezie.

Kështu ka ecur Kampionati i Shqipërisë: me lënie, të ndershme e të pandershme rezultatesh, me shitje, falje e blerje ndeshjesh përcaktuese. Madje në gjithë historinë e tij. Por ngjaret e 15-20 vjetëve të fundit, kanë një të veçantë: zbulohen shumë lehtë, edhe ngaqë tash, në demokraci, nuk ka më frikë askush!?

Kjo është një histori vërtet fantastike dhe me "fantazinë" e saj ka shkatërruar shumë funde të këtyre kampionateve.

Më 9 qershor 1991, ndeshja Besa - Traktori i Lushnjës përfundon 4-4 thjesht për të shënuar 3 gola Altin Rraklli. Një javë më vonë, në Javën 39, e fundit e këtij kampionati-maratonë në historinë e futbollit tonë, ndeshja Tomori - Traktori përfundon 6-5 thjesht për të shënuar 5 gola Kliton Bozgo i Tomorit, i cili me 29 gola përballë 27 të Rrakllit, hyn në 3 shënuesit më të mire të Europës!

Një kampionat më vonë, atë të stinës 1991-92, ndeshjet e lëna apo të shitura, janë përtej fantastikes. Selenica, një qytezë bri Vlorës, fiton 4-2 mbrenda në Tiranë me SK Tiranën, po megjithate bie! Kastriotit të Krujës i duhen gola dhe fiton 6-1 në Pogradec! Ndërkaq, Kliton Bozgos të Tomorit dhe Edmir Bilalit të Vllaznisë iu duhen gola për rrëmbyer titullin e kryeshënuesit. Vllaznia fiton 6-2 me Apoloninë dhe Bilali shënon 3 gola. Laçi bie në një mendje me Tomorin për barazimin shpëtimtar për te, dhe ky rregullohet bukur e mirë 4-4, për të shënuar Bozgo të katër golat, por për fat pa e mbërritur Bilalin (20 gola të këtij dhe 18 të beratasit).

Ndërkaq, për rënie, Selenicës nuk i mjafton fitorja e falur 2-4 nga SK Tirana, sepse bie për shkak golash (vendi i parafundit, 15). Ai ka qenë një kampionat i rrallë për rëniet: nga vendi i 6 deri te ai i 15-të janë vetëm 2 pikë largësi: Flamurtari 29, Lushnja 29, Tirana 28, Tomori 28, Apolonia 28, Laçi 28, Pogradeci 27, Kastrioti 27, Selenica 27! Asnjëherë tjetër skuadrat nuk qenë përfshirë në më shumë rezultate të paramenduara se sa ky i vitit 1992, i pari në demokraci dhe i fituar nga Vllaznia me meritë të plotë doemos. Veçse atë ditë fituan 5 skuadra mike sepse kështu duhej!

Skenat e ndeshjeve të shitura apo të lëna nuk rreshtin as mbaas një viti, në Kampionatin 1992-93, i fituar nga Partizani për herë të fundit për te në këta 17 vjet, sot skuadër e kategorisë së dytë (ajo që gabimisht quhet “e parë“). Në Javën 30, e fundit, më 9 maj 1993, Kastrioti i Krujës fiton 1-0 me Dinamon, por nuk shpëton. Në Kavajë fiksohet rezultati historik 7-1 për Besën kundër SK Tiranës në garën e kavajasve për vendin e dytë, kur SK Tiranën edhe humbja nuk e nxirrte jashtë kampionatit, simbas një llogarije gati kompjuterike. Dhe përsëri vetëm 2 pikë largësi i rreshtonin midis tyre 7 skuadra në vëndet 7-14: Apolonia 28 pikë, Lushnja 28, Albpetrol 28, Laçi 28, Tirana 27, Sopoti 27, Flamurtari 27 dhe Kastrioti që megjithate bie me 26 pikë! Kur Tomori e Pogradeci me nga 25 e 21 kishin rënë tashmâ!

Datat “e mëdha”:

1994: Laçi – Flamurtari 5-0!
1994: 6 golat e Kateshit!
1994: 5 golat e Çukos!

Në Kampionatin 1993-94, Java 26 e tij, 30 prill 1994, gara për mosrënie përfshin deri në 9 skuadra. Llogaritë e rezultateve të paramenduara nuk rreshtin as në këte ditë. Teuta bie dakord me Besëlidhjen për 0-0 në Lezhë, ndeshje e titullit të siguruar për durrsakët, aq sa i duheshin lezhjanëve për të qëndruar. Dhe po kaq iu duheshin kampionëve të rinj nga Durrësi që portjeri i tyre Kujtim Shtama, të mbetet i paprekur për 927 minuta lojë rresht! Sopoti i rënë para kohe, i fal Apolonisë në Librazhd një 4-3 shpëtimtar për fierakët. Skandali ndërkohë, shpërthen në Laç: Laçi - Flamurtari 5-0! Aq sa i duheshin skuadrës laçjane për të shpëtuar në dëm të KS Lushnjës, të dyja nga 23 pikë, por që lushnjarët rrëzohen për 1 gol më keq se Laçi; të dyja nga 23 pikë dhe golat - 4 për Laçin dhe - 5 për KS Lushnjën. Kjo është "bamirësia" e pangjashme e skuadrës së Vlorës, asokohe e 3-ta e Kampionatit!

Kampionati 1994-95 duket disi më i ndershëm, por Dinamos i duhet 1 pikë për të shpëtuar. Ia fal miku i tij i vjetër dikasterial, Partizani në një 0-0 me veshët te radio. Llogari e përkryer! Ndërkaq, Flamurtari lufton për vendin e dytë, por Besëlidhjes i duhet vetëm 1 pikë. Dhe në Lezhë 2-2 “miqësor” midis tyre.

Mbas një viti, në Kampionatin 1995-96, Shkumbini i falë gola dhe fitore Besëlidhjes qysh dy javë para mbarimit. Eshtë një 5-4 me 3 gola të atij që do të jetë futbollisti-deputet: Shpëtim Kateshi - 3 gola të tij! Endërronte titullin e kryeshënuesit në duel me Albert Çukon e Laçit (21 me 19 në fund).

Mbërrin Java 34, e fundit, e cila ka shitje të përsosura ndeshjesh po për hir të garës së kryeshënuesit. Lënie kësisoji edhe në botë janë të pafalëshme. Eshtë vërtet skandal i papamë. Flamurtari fiton në Librazhd 5-4, duke i lejuar 4 tundje rrjete Brashës së miqve! Apolonia fiton 3-1 në Berat për të shënuar 3 gola një rival tjetër për kryeshënuesin: Zeqo! Mirëpo, Shpëtim Kateshi nuk "përmbahet" me golat e falur: Shkumbini - Olimpik 3-0 dhe natyrisht 3 gola të Kateshit! Mandej dy skandalet e tjera: Elbasani - Laçi 6-5 dhe 5 gola të falur për Çukon e Laçit dhe 3 për Jakupin e Elbasanit. Dhe ja që lufta për kryeshënuesin ka dhe dy emra të tjerë: Zylën e Skenderbeut dhe A.Shehun e Shqiponjës. Dhe Skenderbeu - Shqiponja e Gjirokastrës 5-3 dhe 4 gola të Zylës e 3 të Shehut.

Ky është fundi i një prej lëshimeve më të mëdha në historinë e Kampionateve të Shqipërisë. Golashënuesit më të mirë renditen kështu: Çuko 21 gola, Kateshi 19, A.Shehu 16, A. Zeqo dhe L. Brasha nga 15. Kastriotin dhe Besëlidhjen nuk i shpëtojnë as ndeshjet e falura apo të shitura.

A nuk e shihni përse “nuk ka vlerë” akuza e UEFA-s ndaj Vllaznisë dhe SK Tiranës?...

Dhe dossieri ynë dramatik që vazhdon…
TemA