E premte, 19.04.2024, 09:05 PM (GMT+1)

Editorial

Albert Vataj: Diagnoza dhe terapia e një lëngimi politik

E hene, 07.12.2009, 09:00 PM


Diagnoza dhe terapia e një lëngimi politik

Nga Albert Vataj

Situata politike në vend ka pësuar një ngërç. Palët e përfshira janë pjesë e shtjellës së akuzave dhe kundërakuzave. Caku, ku e sheh vetën politika, duket pa rrigëdalje. Negociatorët e një paqe s’duken gjëkundi. Shumë prej faktorëve që në kësisoj situatash kanë kërkuar dhe gjetur shtegun për të hudhitur përnga normaliteti, duket qartazi se kanë preferuar spektatorin. Çdo ditë që kalon fashin gjasat e gjetjes së një kompromisi. Opozita vijon të mbetet jashtë Kuvendit, vazhdon të bëjë politikë jashtë institucioneve. Pragu ku ka mbërritur kjo kacafytje, qaset për të mbetur më shumë një lojë mediatike se sa vazhdimi i një etape të re zhvillimesh ku situatat e hedhin politikën e ditës. Aktorët hyjnë e dalin nga skena pa i mëshuar kurrnji argumenti të ri dhe vazhde të natyrshme të kësaj stuhije “ndryshimesh”. Ajo që e bën kërcënuese këtë moment, nuk është dhe aq logjika ultimative e opozitës, për të venë mazhorancën me shpatulla pas murit, se sa është zvargia dhe tejshtyrja e binishit. Gjithë kjo në shërbim të interesave, ndoshta jo të një personi të vetëm, por të një grupi, të cilët i bashkon një çështje, ajo e shkatërrimit të imazhit të Shqipërisë, ajo e mbajtjes në tunel ecjen së shqiptarëve përnga e nesërmja.

 “Thembra e Akilit”

Një babëzi me organizëm dhe metabolizëm të keq mund të ushqehet denatyralisht. Kësisoj barimi mbetet aji që tejkalon ligjin, ai që sundon ligjin, ai që i bën ligjin ligjit, mafia. Mafia dhe politika kanë pjellë njëra-tjetrën dhe ushqejnë njëra-tjetrën në kësi kushtesh dhe rrethanash. Trumbetat e kësaj gjëme, dëgjohen më s’shumti në kohët kur shteti ligjor, drejtësia dhe personazhet vendimtare politike, janë drejpërdrejtë të lidhur në këto shpërgenj. Praktika botërore ka përcjellë personazhe të shumtë të kësisoj lidhjeje. Lidhja me mafian, ndonëse i ka shërbyer si shtysë për kacarritje në majat e karrierës dhe pushtetit, i ka parathënë dhe fundin. Nëse vërtetë të duhet të shkelësh ligjin për t’i shërbyer mafies, kjo nuk do thotë se mund të bësh të njëjten gjë me ligjet e saj. Sepse është pikërisht kjo gjë që e mban atë, dhe pikërisht e njëjta gjë që e ushqen atë. Akuzat e ditëve të fundit që kanë shigjetuar Ramën, nuk janë krejtë shashka politike. Vetë politikëbërja dhe shtati i tij prej lideri erdhën e u rritën asisosoj, sa përjashtuan çdo ligj logjik, duke lënë pushtetin dhe paranë si amë të përkushtuar dhe amësi kujdestarie. Akuzat e herëpashershme shënjonin Ramën si të lidhur, kryesisht me mafian e ndërtimit ndoshta ngase ishte pikërisht ajo që përpunonte më shumë mundësi dhe para. Faktet dhe argumentat, fatkeqësisht përdoreshin kundër tij si armë elektorale dhe vetëm aq. E tash si ofensivë për të mbrojtur pushtetin, të cilin ky personazh po yshtet t’ua marrë nga duart. Në këto kushte ato nuk ishin ndikuese te opinionin publik, pasi nuk ishin shtytëse dhe vepruese tek faktori politik, i cili duket se e pranoi këtë realitet dhe bashkëjetoi me të.

Sot Rama gjendet sërish në këtë shënjestër, i përgojuar për implikim me mafian, krimin e organizuar, dhe i kapur nga grupet e interesit. Plazmohet kjo nëse mund ta marrim si të mirëqënë zhargonin e ri të Berishës, për shkulje me dhëmbë e dhëmballë aleancave punisto-mafioze. Apo një deklaratë më e drejtpërdrejtë e Rulit, në Shkodër, që sipas tij, i kanë thënë Ramës, ose merr pushtetin, ose nuk na duhesh asgjë. Nuk ka gjykim tjetër për gjithçka ndodh ne emër të të ashtuquajtures transparencë e zgjedhjeve, njëherazi në emër të antigjithçkaje dhe absurdit ku e ka orientuar kryesocialisti këtë “revolucion”.

Kjo nuk është as e re dhe as shqiptare. Kjo është filozofia e politikës së sundimit, është logjika e organizimit dhe orientimit të vazhdesave politike në një vend ku ligjet janë veçse shkresurina që zbardhen dhe ngrysen nëpër zyrat e administratës shtetërore. E këto ligje, ky vullnet shtetbërje, lind fatkeqësisht vetëm atëherë kur shtetit i kërcënohet karriga. Kjo nuk mund të shugurohet dhe as të marrë bekimin, sikundër nuk duhet lëçitur dhe anatemuar, me idenë se duke e përjashtuar ne mbajmë parimen se kur kjo lëngatë nuk u luftua, pse duhet të ndodhë sot kjo. Jo, kjo është e pafalshme. Më mirë vonë se askurrë.

Sundimi i të pushtetshmëve dhe Shqipëria në zgrip

Një alibi diqysh e besueshme që e përqarkon gjithë këtë zallamahi politike, që përkthehet minimin e hapave të Shqipërisë drejt liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian, është mospranimi i kësaj ditë ëndrrimtare i një grupi njerëzish, fatkeqësisht me para dhe me ndikesa vendimore në politikë. Ata as nuk kanë qënë dhe as nuk janë, sikundër nuk ka gjasa që të jenë, për hapjen e kufijve, për dimensionet e reja të lirisë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Atyre nuk u ka shërbyer dhe nuk do t’u volisë të kenë për të përdorur njerëz me liri të përmasave të këtilla. Ata i kanë trajtuar dhe pafundësisht do të dëshironin të kishin të bënim me skllevër, me individ social të nënshtruar, me qënje inferiore, të cilat dinë vetëm të binden. Ata do ta luftonin “me mish e me shpirt” siç janë gjasat se po e bëjnë që ta mbëjnë këtë “turmë” të mbërthyer pas tasit të supës e kashores së bukës. Ata s’do ta toleronin, siç dhe po përpiqen, që ky popull të ushtrojë të drejtat dhe liritë e gjithseçkasë, të përcaktuara ndërkombëtarisht. Një masë amorfe do të ishte, siç edhe është, një mundësi me e kollajshme për tu tollovitur, e pse jo dhe për t’u zbavitur.

Integrimi evropian është një kapitullim i pushtetit të tyre skllavopronar. Ata do ta kenë jo dhe aq të vështirë, se sa të pamundur të sundojnë më një individ, një grup social, i cili do të jetë i vetëdijshëm si për detyrimet ashtu edhe për të drejtat e tij. Evropianizimi i Shqipërisë është për ta njëherazi dhe shterrim e kënetave të krimit, abuzimit, pastrimit të parave dhe përdorjes së politikës për të përmbushur interesat e tyre dhe për të delimitur llogaritë dhe pasuritë. Në shtetin shqiptar të evropianizuar ata nuk do të mund të bëjnë më ligje për të përmbushur synimet e tyre përfituese dhe dominimit. Do ta kenë të pamundur të imponohen, të sundojnë, të bëjnë ligjin mbi ligjet e shtetit. Fundin e tyre ata do të duhet ta largojnë sa të jetë e mundur. Dhe për t’ia arritur kësaj po luajnë dhe kartën e fundit politikë, që në rastin konkret ka të gjitha gjasat të jetë Edi Rama, sejmenët dhe sajesat e tij. Ndryshe nuk ka se si të përkthehet gjithë kjo përpjekje e ethshme e opozitës për të injoruar çdo reagim ndërkombëtar, i cili i ka patur të përsëritura dhe të drejtpërdrejta sinjalet, si për certifikimin e zgjedhjeve dhe për mbylljen e këtij kapitulli, ashtu dhe për dhënien fund të politikës së rrugës dhe për krijimin e kushteve që Shqipëria dhe shqiptarët të përfitojnë nga politikat integruese. Por ai grup njerëzish që shërbejnë si distributor të furnizimit me para të makinës politike, ka kohë që e ka mbërritur integrimin. Ata zbresin nga një avion për të hypur në tjetrin, dalin ngë një suitë për të hyrë në një kazino, garniturën erotike e ndërrojnë sipas stinëve, e sojsoj krepshkrepje që përplotësojnë babëzinë e tyre jargavitëse. Me thoni ju se çfarë do tu ndreq punë integrimi kësaj race, pretendent për tu bërë zotër të fatit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kurrçka, veç të këqija dhe prishaqejfje. Një shoqëri e hapur, një individ evropian, një brez aspiratash do të jetë për ta një kurth vdekjeprurës.

Politika apo politikanët janë mëkatarët

Treguesit mediatik dhe ato propagandistik, dëshmonin kjartazi se klasa politike shqiptare do ta kishte tepër të vështirë, e pse jo dhe gati të pamundur të shkëputej nga e shkuara. Pavarësisht se lideri moderator, që s’mundi të ishte i tillë veçse në garderobën e tij, edhe ngase i mëshoi fort luftës ndaj politikës së vjetër, ai s’bëri gjë tjetër vetëm dëshmoi shqiptarisht, se kjo nuk mund të ishte vetëm fasadë. Edi Rama, smund të ishte veçse gatesë e politikës shqiptare, përçues dhe perceptues i filozofisë së kahershme, konfliktualitetit, intolerancës, mungesës së vullnetit të dialogut. E mbi tançka tjetër orientimit të shërbesës politike përnga përmbushja e interesave personale, familjare, farefisnore, klienteliste, e s’fundi atyre militantiste. E ndërsa ajo dita pas dite e gjente veten të lidhur pas këtyre vargonjve, do të ishin të vogla gjasat, nëse në një të ardhme ajo do të mund ta kuptonte politikën pa këto zinxhirë. Këtë “Thembër të Akilit”. Kryesocialisti Rama i gjendur tashmë këmbë e duar i lidhur me këto metastaza, do ta kishte të përligjur gjithçka që ysht atë përnga një kryekrisje e pashoqë politike. Hapja e kutive, nuk është asgjë tjetër vetëm artikulimi që ai i ka bërë planit të tij politik për të shkatërruar gjithçka të derisotme, gjithçka që dhëntë Zoti hulliti që ëndrrat e shqiptarëve të bëheshin realitet. Hapja e kutive të votimit, është alibia e Edi Ramës për të provokuar konfliktualitet politik, për të minuar të gjitha rrugët që të shpien në Bruksel a Strasburg. Kutitë e Edit janë dëshmia më tipike e shprehjes së antishqiptarizmit. Të lobosh kundër interesave të Shqipërisë, gjë për të cilën është akuzuar Edi Rama, kjo është e pafalshme, është një atentat që ky lider i bën interesave më të epërme të këtij vendi të martirizuar nëpër zgjedha komunizmash të llojllojshme. Është fatkeq ai popull që armikun e ka drejtues, siç është e destinuar të mos përfundojë askurrë në port ajo anije që kapiteni i saj e përplas atë shkëmbinjve. Por jo më pak fatal e ka fatin edhe vetë ky skllav i vargonjve që e kanë ngjitur dhe e mbajnë në politikë. Edi Rama e çfarë mund të sajonte tjetërçka kaq të pamundur dhe njëkohësisht kaq të ndjeshme. Natyrisht duhet që kauza e tij të ushqehej, i duheshin mbështetës, promotor njerëzor, që do ta bënin atë të ecte. Anipse ajo nuk ishte dhe nuk mund kurrsesi të ishte një kauz. Ishte dhe është përpjekja e fundit e Edi Ramës para kapitullimit të tij politik, pas gjithë asaj që përndoqi synimet dhe përfitimet e tij prej një sunduesi në tentativë. Ai bëri çmosin të ndryshonte kodin zgjedhor, me të cilin do të lante hesapet me të gjithë njëheresh, politikën e vjetër e të re, komunizmin dhe demokracinë, legalizimin e nacionalizmin, moralistët e idealistët, dhe të bëhej despot i fateve të këtij vendi. Vullneti i Zotit u bë që ai të binte brenda në gropën që hapi vetë me thonj.

Dykohësia e një Shqipërie

Është i paprecedent. E padëgjuar dhe pagjasa të shugurohet si normalitet i një realiteti në një shoqëri, pikë së pari e shëndetshme psiqikisht. Dy Shqipëri në një. Ajo e Edi Ramës dhe ajo e pjesës së mbetur të shqiptarëve. Do të jetë ndërmëndja me e veçme në memorien e shumë qëmtesave që ndjekin dinamikën e zhvillimeve politike në Shqipëri, dykohësia e një realiteti. Për korrektësi mund ta dëshmojmë se zhvillimet e kësokohëshme kanë patur një impuls të lartë. Nga njëra anë faktori ndërkombëtar, mediat e huaja, bilancet monitoruese, dëshmojnë për një progres të admirueshëm të Shqipërisë, që finalizohet me pranimin e vendit tonë si kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian. Nga ana tjetër një opozitë e ç’terezitur. Një opozitë që nxjerr helm nga goja, e tym nga koka. Një opozitë që vë në dyshim gjithçka dhe çdo gjë. Ndoshta për faktin se fati i ëndrrave që bëhen realitet, i buzëqeshi dikujt tjetër. E pse jo dhe për atë zemëratë që mundohen ta fshehin, për realizimin e dëshirës së kahershmë të shqiptarëve për të qenë pjesë e vetvetes, pjesë e Evropës. Takimeve dhe vizitave të ndërkombëtarëve, që nuk fshehin superlativat e arritjeve të Shqipërisë, u bëjnë karshillëk trumbetat që buçasi nga selia rozë e nga sheshvërshimet tollovi të kontestit zgjedhor. Nga institucionet rikonfirmohet dita-ditës afatet e përcaktuara për lëvizjen e lirë të shqiptarëve. Nga gjysëmshqipëria tjetër aludohet për një realitet të zymtë, shpresëvrarë dhe shanse të humbura.

Tash 20 vjet ky dualitet kaq kokfortë nuk ka bërë vaki. Të paktën faktori ndërkombëtar nuk ka qenë pjesë e kësaj panorame, edhe asohere kur mazhoranca i binte thumbit, opozita patkoit. Natyrisht atbotë, tjetër kohë ishte ndër shqiptar. E ne shqiptarët krejt tjetërçka ishim. Tjetërqysh e çmonin, të huajt Shqipërinë dhe shqiptarët vetvedin. Tash jemi ne. Por është dhe ajo pjesë e paranojave që ka mbetur e lidhur në shpërgënjt e së kaluares. Janë ata në në tashmën e kohës tjetër. E kësisoj e sodit shqipfolëse qaset me ken e dykohëshme.

Kemi apo jo dy realitete. Asht një pyetje kjo, që rri nderur në tymnajën tellallbritëse të mendësive të shkalafituna të së shkuemes. Asht ai realitet i prekshëm e i kthjellët i qeverisë, i ndërkombëtarëve, i medieve të huaja, i faktorizimit të Shqipërisë në arenë. Dhe Shqipëria e penelatave të vrazhda të Edi Ramës. Shqipëria ogurzez e pëllitjeve të turli lloj robsh, të cilëve u është prishur rehatia, e o burra tu biem. Në fakt ne kemi vetëm një Shqipëri që përpushet në një tjetër, si kurrherë më premtues dhe më jetëdhënës. Një Shqipëri që e njohin dhe e pranojnë të gjithë. Anipse tjetërqysh po don me kumtu e me kungu filozofia despotike e Edi Ramës dhe taborrëve të tij me mercenar.

Mrumja e të tashmes në maxhën e kokave të nxehta

Trumbetat e anatemës politike kanë kushtruar që heret, qysh kur beteja zgjedhore rrokte shkulmet e saja më gurgullitëse. Opozita e asokohshmë dhe kjo e kësokohëshme, kishte kumtu kjartë, se do të njihte vetëm atë vullnet elektoral, që do ta kurorëzonte atë fitues në zgjedhjet e 28 qershorit. Siç ishte e parathënë dhe e perceptuar, trofeu i triumfit përqasej rreth shumë gjasash se do të vijonte të ngelte në të njëjtat duar. Pas një rrapëllime të pritshme që ziente jo shumë larg kontestit të mundshëm përfundimtar të zgjedhjeve, Berisha do të rimandatohej kryerendës i ardhmërisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve. Për fatin e mirë, zgjedhjet e 28 qershorit morën certifikim ndërkombëtar, si më të mirat e deritashmet dhe si shprehje e vullnetit të lirë të shqiptarëve, për të rendur në rrugën e integrimit evropian.

Për humbësit kjo panoramë do të shndërrohej në një alibi padrejtësie. Ata në një situatë të garrametshme gjykimi, priren të besojnë se u ishte grabitur fitorja. Pasionet i vendosin mbi vullnetin e zgjedhësve, egon mbi interesat e epërme të kombit. Pavarësisht se e majta hynte në zgjedhje e shkërmoqur politikisht dhe numerikisht, ata do tu besonin më shumë inskenimeve të ndyra se sa përfundimtares që buronte nga institucionet legjitime. Rama edhe pse hynte në betejë më njëren këmbë, ai donte të rrëmbente të pamerituaren me dy duar. Në këto kushte, asohere, kur humbja ishte më e përkorë se çdo kurorëzim tjetër, nuk lanë makjavelizëm pa bekura si mjeti që justifikon qëllimin. Vetëm e vetëm për të errësuar ditën më të kthjellët zgjedhore, që kishte parë jeta politike shqiptare. Ajo plagë që është majisur sot në të ashtuquajturen: “Dua të shoh votën time”, ishte ngjizuar që në ditët pafund të numërimit të votave. Njëfar Gramoz Ruçi, kishte predikuar i pari se mjeti më “demokratik” për të minuar procesin dhe për të shtënë gurë nën rrota ecjes përpara të fateve të këtij vendi, ishte anarshia. Pikënis ky paradoks që në Fier, kur fatin e zgjedhjeve do ta përcaktonin turmat e eksituara të mercenarëve. Kjo paranoj do të kërkonte prehër të ngrohtë përnjiherësh në Tiranë, kur mjetet antiligjore dhe alibitë duhet të ishin ata që do të vendosinin, se nga do të hullitej ceremoniali i kurorëzimit të fitores. Ky personazh i errët do të bënte çmos, që skenat e tij të protagonistit të zhvendoseshin me domosdo në qoftëlargun e vitit ogurzi, motit të 1997. Me pak ndryshime, trupa e tragjizmit shqiptar ishte pothuajse ajo e asokohshme. Aktorët do të kishin të njëjtin tekst. Protagonistët do të përpunonin në fondament, të njëjten substancë qëllimore që yshtte në vetvedi finalen e një tragjizmi absurd. Pjesë e këtij tragjizmi do të luante një nga aktet më dinamike të kësaj tragjedie në skenën e hapjes së kutive.

Të bindur se kjo dëshirë tejkalonte çdo shans të konvertimit në mundësi, ata vijonte të pompojnë pareshtur në emër të fundit të një sundimi.

Politika e rrugës pa krye

Shtresimi, në të cilin ka shkuar përpunimi tektonik i krizës politike, duket se nuk do të ketë zgjidhje. Së paku këtë gjasë të shtron përpara e tashmja. Deklaratat dhe kundërdeklaratat kanë shndërruar në një fushlojë të tensionuar, e cila ditë pas dite nuk pret të sjell ndryshime pozitive. Presidenti i Republikës si personi garant i Kushtetutës, duke heshtur, lejon që fjalën e fundit nuk ka pse ta japë drejtësia, siç do të ishte e udhës në një shtet ligjor, por anarshia e dirigjuar nga Edi Rama. Kryeministri, vazhdon të qëndrojë i palëkundur në bastionin e tij, se nuk do të tejkalojë shtetin ligjor dhe kushtetutshmërinë, për të përmbushur tekat e Ramës, për hapjen e e kutive apo gjithseçka tjetër që ai sajon për të plazmuar më fort tonalitetet e errëta në panoramën shqiptare. Edi Rama, kërkon jo pa shkak, ngultas gjithnjë të pamunduren. Ai është i bindur se po kërkon diçka që më shumë do ta dëmtonte se sa do t’i çelte një perspektivë të re jetës politike. Ai ka hyrë në një betejë i humbur, dhe pavarësisht se si do të jetë finalja, ai nuk ka tjetër ç’të humbasë. Tash ai po luan me të gjitha kartat që i kanë mbetur, anipse shumë prej tyre janë tashmë karta të djegura. Praktikisht ai është i kapitulluar. Kjo për shumë arsye, por ndër më të rëndësishmet mbetet shkatërrimi i tij politik, si zanafilla e shkërmoçjes gurë pas guri të perandorisë së tij. Në parti ai po qëndron i kapur fort pas fijeve të interesave, mbi filozofinë e së cilës riformatoi këtë subjekt politik. Ndërkohë që këto fije sa vijnë e dobësohen përballë një lufte inatçore dhe fushatizmi që ka shpallur Berisha, aferave abuzive dhe klientelizmit të Edvinit. Në momentin që ata do të mbeten si peshku pa ujë, ata do të jenë të parët që do ta braktisin Ramën. Ja ku nis dhe shpërbëhen seksionet më solide të PS. Si për ironi të fatit, kryesocialistit tash e më pas do t’i duhet të lërë dhe lopën e majme, Bashkinë e Tiranës. Aleanca Berisha-Meta, denatyrale siç e quajnë një palë, integruese siç u pëlqen veshi i tyre ta dëgjojnë, është një varr i hapur për fundin e Edvin Ramës. Kurrë më të përbetuar Edi Rama nuk i ka patur dhe nuk do t’i ketë armiqt. Ka Sali Berishën, të cilit po bën çmosin t’i marrë pushtetin, më gjasa për të rikthyer 1997. Ka Ilir Metën, që me kodin e ri zgjedhor desh të lante hesapet një herë e mirë me të. Dhe kush do të ishte rezultati i parashikuar i zgjedhjeve vendore, të cilat janë jo shumë larg. Një humbje fatale e asaj pjese të shkalafitun të Partisë Socialiste dhe grupinteresave që mrujnë këtë fenomen politik.

Në këto kushte, Edi Rama ka të drejtë të jetë i paparashikueshëm. Të qenit një egoist patologjik, ka yshtur ta bëjë veten personi, i cili mund të bëjë me fatet e të tashmes dhe të ardhmes së këtij vendi, të këtij populli, çfarë të dojë. Kjo sepse ai çmon më të shtrënjtë lëkurën e tij se fatin e një populli. Ai nuk ndalet para pranimit të çfarëdo lloj skenari ogurzi, që do të hedh mbi tavolinë skilja e vjetër e politikës së re, Gramoz Ruçi. Ai nuk ka pranuar dhe nuk do të pranojë asnjë zhbllokim të situatës së agravuar politike, të cilën e ndezi vetë e tan gjasat i ka, vetë të digjet brenda. Duke mos ditur tamam se çfarë kërkon, ai ngurtëson qëllimisht gjetjen e zgjidhjeve politike, dhe hedh trutë e bullarit, opinionit publik.

Mercenarizmi i shoqërisë

Ajo që ka pompuar optimizmin në rrugën theqafëse të Edi Ramës, tash për tash është pjesëmarrja premtuese e mitingut të 20 nëntorit. Narcizmi nga njëra anë dhe kompleksi i euforisë nga ana tjetër, vijojnë ta yshtin më me turr përpara përnga gremina politike, kryesocilistin dhe njiherit, kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Kjo për sa i përket pjesës së dukshme të panoramës që përshfaqet në sytë e të gjithëve. Por ka dhe një tjetër realitet që do të bënte që të shëmbeshin si kështjella prej rëre gjithë keto pretendime besueshmërie dhe mbështetje, mbi të cilat ngrihet adrenalina Ramës. Nëse ai sot pretendon dhe mbahet fort pas, 100 mijë, të numrit të pjesëmarrjes, nuk duhet të gënjejë veten. Ata nuk janë potencial që do t’i shërbejë ecjes përpara të kauzës së Ramës. Natyrisht nëse ai ka ende para për të blerë dhe rekrutuar këtë ushtri mercenarësh. Ashtu siç u bleu votën më 28 qershor, tani u blen vullnetin për destabilitet më 20 nëntor. Për këdo që ka një shkas të perceptimit politik, e di mjaft mirë, se këto pikëmbështetje janë të paqëndrueshme dhe në to nuk ka asnjë shans të mund të lëvizësh diçka. Nuk ka gjasa që kjo mbështetje të jetë tjetërçka se sa dëshmoj pas 20 nëntorit. Ndryshimet e pretenduara politike dhe revolucionet, nuk mund të jetë forcë lëvizëse nëse atyre më parë u ke hequr shpirtin, duke i kthyer në plaçkë tregu. Ata të vetmin motiv që i beh aty, në shesh apo ku të dojë Rama, kanë shpërblimin dhe përfitimet. Pasioni politik ka vdekur tek ata, ose e thënë më saktë, Rama e vrau atë, duke ekzekutuar njëherazi dhe Partinë Socialiste. Të mos harrojmë se një formacion i tillë politik kishte ekzistuar dhe faktorizohej në jetën politike shqiptare me principin e pasionit politik, militantizmit. Rama vrau këtë jetë dhe ngjizi atë të lidhjes së drejtpërdrejtë të interesave. Bëri një parti fijesh, ku në qendër rri ai.

Vendosmëria e Berishës

Ajo për të cilën, Berisha meriton një respekt të veçantë është vendosmëria për të mos rënë në grackën e Edi Ramës. Hapja e kutive të votimit është jashtëligjore, absurde dhe pa baza. Berisha ka konfirmuar dhe ka vijuar të jetë gjithnjë e më i palëkundur për moshapjen e kutive. Pse? Është kjo pyetja që shtrojnë të gjithë ata që janë personazhe dhe spektatorë të kësaj skene politike. Respektimi i shtetit ligjor, vendimeve të gjykatave dhe bekimit të ndërkombëtarëve është një domosdoshmëri. Berisha e di, dhe ia thotë vazhdimisht vetvetes këtë. Me mospërbushjen e tekave të Ramës, Berisha jo vetëm do të mbrojë karrierën e tij politike nga një ngërç me pasoja, por dhe synimin final të abicjes finale, liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Një kontest zgjedhor, siç do të dëshironte Rama, do të kthente gjithçka përmbys. Hapat e deritashëm do të viheshin në pikëpyetje. Faktori ndërkombëtar, i cili certifikoi zgjedhjet e 28 qershorit, si brenda standardeve, do të pësonte krisje serioze. Politika shqiptare dhe fatet e Shqipërisë do të viheshin në dyshim. E pse? Vetëm se kështu i shkrepet Edi Ramës. Vetëm se këtë “perspektivë” dhe vetëm këtë njeh ai njeri, filozofia e të cilit është: “Pas meje bota të shembet”. Kjo është fatale. Kjo është një nga lajthitjet e shumta që hera-herës kanë vënë në dyshim të drejtën e Shqipërisë për aspiratën evropiane. Berisha i sotëm, në këtë pikë nuk ndryshon nga Berisha i djeshëm, por është koha ajo që vendosmërinë e Kryeministrit për të njohur të pakthyeshme vendimin e drejtësisë e sheh të motivuar. Pikërisht vendosmëria e Berishës për të mos hapur kutitë, pra për të mos injoruar vendimmarrjet e institucioneve ligjvënëse, e turit më tepër kryesocialistin Rama, i cili vazhdon të besojë në rikthimin e fantazmave të 1997-ës, si mundësi për të arritur vetveten e ligë të veshur me petka parimesh.

Solidariteti dhe marionetat

Ajo që e fundos më në llum revolucionin bolshevik të Edi Ramës, duke ia paradhënë dështimin e turpshëm të kësaj “kauze” është solidariteti i foltoreve të tollovive ndërqytetase. Ata që Rama ka sot në krah, janë ato që vullneti i 28 qershorit përjashtoi. Janë ata personazhe të sforcuara politike dhe aksidentale. Janë ato tipe dhe karaktere, loja e së cilëve ka dëshmuar mediokritet dhe paaftësi, plëngprishje dhe bishtkrehje, anatemë dhe përdalje, pështirësi dhe nervacingëritje. Tjetërqysh, solidariteti i Ramës është i mbështetur mbi disa figura politike, të tejkaluara, anakronike, nihiliste, snobe, antikombëtare e mbi gjithseçka, marioneta. Rama nuk mund dhe nuk kishte se si të linte jashtë tragjikomedisë edhe marionetat e tipit Ngjela, Ndoka, Gjinushi, Veliaj, Milo dhe maskat e tyre qesharake. Gjithseçkaja që i shtron në një sofër gjithë këtë batërdi politike është jo aq anti-Berishizmi se sa antishqiptarizmi. Mundësia e tyre për t’i shërbyer “kauzës” së Ramës nuk është çmimi që ata i kanë vënë lëkurës së tij, por synimeve të tyre. Edhe Edi Rama, nuk ka çmuar këtë solidaritet si më garantin e sfidave të tij, por në pamundësi për të bërë për vete njerëz të besueshëm, parimor dhe të devotshëm, ka marrë çka mbetur rrugëve dhe u ka vënë nga një foltore përpara, duke i dhënë njëherazi dhe të drejtën të ligjërojnë çmendurira dhe të lajthisin, më keq se vetë ai.

“U mbars mali, polli një mi”

Nuk ka pikë dyshimi se gjithë kjo përpjekje “titanike” për të ashtuemnuemen, aspiratat e lirisë së votës, do të përfundojë në një flluskë sapuni. Paniku, se do të ketë këtë përfundim deshifrohet në kuvendimin e gjithë galerisë së tam-tameve alla-Rama. Konkretisht, asnjëri syresh nuk e lë mënjanë, por e orienton si epiqendrën e lëkundjeve sizmikë ligjëruese, faktin e 100 mijë vetëve të mitingut të 20 nëntorit. Edi Rama e di mjaft mirë, nëse jo mjer për të, se në atë shesh nuk ishin 100 mijë njerëz. E di gjithashtu ai dhe gjesekush që ka në ndërmëndjen e tij politike masën e panumërt të tubimeve, se kurrë nuk ka vendosur kurrgjë pjesëmarrja. Ajo ka mbetur vetëm një shifër, pas të cilës mbështetej shtati, shpeshherë në lëkundje e sipër i politikës. Ishte një impuls besueshmërienë opinionin publik. Të mbahesh pas këtij argumenti ndoshta do të ishte jo diçka më shumë shpresëdhënëse së sa një shkurre në breg për një që po mbytet. Sot shumëçka ka ndryshuar në jetën e gjithsecilit. Dhe politika nuk ka pse të bëjë përjashtim. Logjika e vjetër e politikbërjes, duke kenë e vendosur keq në kohë dhe në hapsirë, ka gjasat të kthehet në bumerang. Ti sot mund të blesh një, dy apo gjahtedhjetë deputetë, apo të mercenarizosh një turmë tre mije apo njëqind mijë vetësh. Por mos harro se ata kur të ndërmenden se janë trajtuar si tufë dhensh në tregun e gjësë së gjallë...


(Vota: 14 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora