E enjte, 26.11.2020, 12:28 AM (GMT)

Editorial

Mërgim Korça: Kryengritja e Malësisë së Madhe

E premte, 05.10.2007, 05:12 PM


Fakte dhe Konsiderata

Nga Mërgim Korça

Mërgim Korça
24 janari i vitit 1944 shënon njerën nga ngjarjet nga më të shënuarat të historisë kombit tonë, fillimin e Kryengritjes Armatosur të Malësisë Madhe, e cila piksynonte ta ndalonte vërshimin sllavo-komunist në zonën e veriut. 

Me atë rast dhanë jetën në luftime qindra heronj të cilët, e ftoj lexuesin, t’i përkujtojmë me respekt!
E rëndë, tejet e rëndë ishte situata e Atdheut tonë n’atë prag fund viti 1944! Këmba e ushtarit gjerman ende e mbante të shkelur truallin tonë Arbëror.   Kalimtarë ishin ata, është e vërtetë, por ushtri e huaj ishte !   Nga ana  tjetër, brigadat partizane të drejtuara nga  shtabi i  tyre komunist i përbërë nga pinjoj të Dushan Mugoshës e Miladin Popoviçit, hap pas hapi, sa kohë që gjermanët tërhiqeshin,  po e pushtonin të tërë vëndin tonë !    Vëndi ynë ishte pikërisht në prag të asaj që parashikonte poeti i madh e i pashok Patër Gjergji : 

Shka t’lâjnë kta katër ujq
Q’i kërcnohen shoqishojt,
Thonë do t’dali nji djall’i kuq
Qi fort rrebtë do t’ia ngjisë thojt!

Po rrezikohej Bratila, Bastilla e shqiptarëve, maja ku malësorët trima të mbi  Shkodrës, të  prirë  më 6 prill  1911 nga legjendari Ded Gjoluli, e ngritën flamurin tonë kombëtar e iu kundërvunë serbit, hasmit tonë legjendar !   E tashti, mbas 33 vitesh, po vinte së rishmi serbi, por i mbërthyer këtë herë në lëkurë qingji, i shoqëruar nga internacionalistët partizanë me  në krye  të  brigadës  majorin  Gjin Marku, të kërcenin kollon   ( vallen e tyne sllave ) duke kënduar nëpër rrugët e Shkodrës :   Ide druzhe Tito preko Albanije … preko Albanije !   Po rrugëve të Shkodrës, një pjesë shkjeshë, këndonin në kupë të qiellit :     

Ot Bregmata do Kotora eta zemla Cernagora!
(Nga Bregu i  Matit e në Kotor, kjo është tokë malazeze)
 
Por ç’po ngjiste në Shkodër ato ditë, duke mos i shpëtuar syrit vrojtues të malësorëve tanë të mbi Shkodrës, u dëshmoi atyre se historia po përsëritej por me ndryshimin se serbi po e merrte kalanë pikërisht nga brënda !  

U dha kushtrimi!   Në këmbë u ngrit Malësia e Madhe.   Prenk Cali legjendar, trimi i luftrave të fillim shekullit, u printe qindra kelmendasve.   Me vërtik u mblodhën edhe shkrelsit  e hije u kish se të prirë ishin nga Luket Marash Grishaj, (nxënësit të Patër Fishtës), Pjetër  Gjokës  e  Nikoll  Prenkës.    Në  krye    të hotjanëve printe kapiten Gjelosh Luli, pinjoll i Lulve që qenë vrarë e helmuar nga shkjetë pa ia ndá !   Nuk mbeti prapa as Kastrati. Besëlidhje  u  bë në konak të Gjokë Tomë Kokajt në Ivanaj të Bajzës me 27 dhjetor 1944 ku ajka e nderit të burrave të Kastratit u betuan t’a luftonin deri në vdekje të tyre kuçedrën komuniste !   Udhëhiqeshin këta burra nga Gjon Martini e Mirot Paloka.  
Nga ana tjetër, komandanti trim Llesh Marashi, nga Zagora e Shkreli ngjitet në Brojë e takohet me parín’e asaj zone, me burrat e urtë e të besës Kolë Gjon Bajraktarin, Fran Gjergj Ucin, Gjergj Lulin, Gjekë Marashin, etj.   Vendosën këtu tre bajraqet, ai i Selcës, Nikshit e Vuklit t’ia prisnin rrugën Brigadës Irë.  
Por edhe forcat e ndjekjes të postkomandës Bajzës, nuk është se ishin pa spiunë.   Ata e ndiqnin situatën e prandaj edhe goditën e qëlluan ashpër :   Arrestuan e pa asnjë lloj gjyqi pushkatuan Tomë Lekë Dakën, Mark Gjonin, Gjokë Nikollën, Luigj Kastratin, Mark Nikoll Malajn, Kolë Llesh Malajn, Shtjefën Gjok Lulatin, Luc Gjeto Lakajn si edhe Gjokë Tomë Kokajn !   E gjë e dytë e pa parë dhe as e dëgjuar ndër ato troje, atyre trimave që asgjë më shumë s’donin veç mos t’u dhunoheshin trojet e të parëve, u a dogjën kullat e familjarët e tyre të ndjekur porsi bishat e egra, morën arratinë pyjeve e shpellave  të dhunuar po nga shqiptarët, miqtë e shkjaut mizor ! 

Ku e kur ish dëgjuar një gjëmë e tillë?  
Po kush ish truri i këtyre krimeve?
  
Çun Januzi e kish emrin ai i mallkuar që ndër 200 komunistat e parë të Shqipërisë ish në listë.   Pikërisht ai Çun, që të helmuar duket se e kish patur gjín’ e s’ëmës, duke lexuar veprat e  Leninit desh me serbin kufijt t’i hiqte e pikërisht për këtë edhe Malësinë t’a  përflakte !
Atëbotë kelmendasit nuk pritën më e me 1 të janarit  të vitit 1945, kur forcat komuniste të ndjekjes sulmuan, nisi beteja e Urës Tamarës.   Ish i fortë dimri edhe acari.   Po si u bashkuan nga Vukli, Nikshi edhe Broja rreth 200 burra, luftuan me të madhe trimëri për një muaj rrjesht ata.  Në dokumenta arkivale vjelë hetuesive nga ish pjesëmarrës në betejë  e pastaj të dënuar burgjeve si Fran Zef  Pëllumi, Kolë Zhuka, Fran Gjergj Uci e të tjerë, ata kanë pasë pohuar se jo vetëm që ishte brigada komuniste që i sulmoi, por me urdhërin e Prenk Calit, robve të zënë ua merrnin armët, u tregonin se sa keq ishte të luftonte vëllai me vëllanë shqiptar edhe i lironin të iknin e të ktheheshin në shtëpitë e tyre !  Historia e shkruar nga lakejtë e diktaturës pa le Betejën e Tamarës që kurrë s’e zunë në gojë, por edhe gjithë Kryengritjen e Malësisë Madhe e quajnë shkurt si lëvizje antikomuniste.   Por Kelmendi s’ka si t’a harrojë e as dëshmitarët e saj akoma të gjallë.   E bashkë me ta nuk e harron as rapsodi popullor me lahutë të tijën e do t’a përçojë heroizmin e saj e të kelmendasve brez pas brezi, sa kohë që n’ ato troje të flitet gjuha e jonë e bukur shqipe !   E në këngë të tijën lahutari do t’u tregojë brezave veç trimërisë kelmendasve e të prijësve të tyre, edhe faktin se nuk qenë ata që sulmuan, ata veç trojet s’deshën t’u shkeleshin, por forcat partizane qenë ato që zjarr e gjak deshën n’ato vënde ! 
Mbas betejës Tamarës forcat kelmendase u grumbulluan në Brojë.   Atje folën trimi i mënçur Prenk Cali edhe Gjok Marashi si të  forcohej rezistenca, por informatorët i kishin hetuar e brigada me mortaja i sulmoi që nga Rrapshi.   Nuk patën përzgjedhje dhe u detyruan të shpërndaheshin për tu rimbledhur pastaj në Kozhnje.   Atje, gjithmonë simbas dokumentave të arkivave por edhe dëshmive të njerëzve të pranishëm, del se Prenk Cali u ka thënë :
Na kem me luftue kundra partizanve veç n’paçin n’flamur shêjat e Rusis.   Ndryshe na nuk kem si gjuejm n’vllazën tonë, n’shqyptarë. 
E njofton Prenkën po atë ditë Fran Palë Leka që kish ardhur  nga Vermoshi, se nga krahu i Jugosllavisë po vinin forcat e Brigadës 23të t’i fusnin mes dy zjarresh.   Trimi i pashok që kurrë syri nuk i qe trembur, se vdekjen për vëndin e tij ai e quante si me lé, u gjet ngusht.   A kish ai se si të pranonte të bëhej masakër duke luftuar shqiptari me vëllanë e tij shqiptar ?   Jo.  Kurrë s’e pranonte dot ai këtë gjë. 
Të njejtën gjë s’e pranoi dot as trimi Safet Butka, një vit më parë, kur thosh ai për komunistët :  T’i vrasësh, janë shqiptarë, por t’i lesh të lirë, e vrasin Shqipërinë !   Ata do të sjellin diktaturën si edhe krimin.   Do të marrin pronat e do sjellin varfërimin.   Do t’i përçajnë njerëzit e do të sjellin vëllavrasjen.   Do të sjellin shënjat ruse në flamurin tonë :  drapërin me çekan si edhe yllin e kuq.   Kjo e shtyri Safet Butkën që në Melçan të Korçës, më  19 shtator 1943, për t’ iu shmangur vëllavrasjes … vret veten !    
Para së njejtës mëdyshje u gjënd një vit mbas tij edhe kreshniku Prenk Cali !   Ai urdhëroi mos të shtinin mbi vëllezërit shqiptarë për t’a mënjanuar kasaphanen, dhe t’i braktisnin llogoret.   Vetë Prenk Cali, së bashku me 15 burra edhe nji murgeshë konaku, u ngujuan në shpellën që u bë e famëshme, përmbi Vukël.   Ai e dinte se  nuk rezistonin dot gjatë në shpellë, por e bëri këtë të fitonte kohë që forcat e tija të  shpërndaheshin e nga ana tjetër të vinte si kusht dorëzimi të tijin në besë, shpëtimin e shokëve të ngujuar.  Por ai nuk e merrte dot me mënd se deri në cilën masë rrethuesit ishin bërë mish e thua me  sllavët e druzhe Titos që pikërisht ato virtyte të Kanunit donin t’i përdhosnin !   I ngujuari Mark Luka, mbas dorëzimit, tregonte se të tetën ditë Prenka kërkoi të vinin që t’u dorëzoheshin në besë e mos t’i  dhunonin, Frati i Vuklit si edhe Kryetari i Këshillit.  
Në dokumenta arkivi figuron replika në Rrapsh të Hotit në mes të prangosurit Prenk Calit  edhe Mehmet Shehut, po ajo kurrë nuk u erdhi për mbarë historianëve lakej të diktaturës t’a zinin në gojë.  I tha Mehmeti:  E more Prenk Cali, të pat ardhur dita t’a mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t’ishe bërë me ne !   Pse bëre kështu ?
Zotni, faji bjen mbi ju se ju u bâtë aleatë me anmikun tonë shekullor, me Serbin, iu përgjigj burrërisht Prenk Cali !   
Ky qëndrim e ndezi edhe më keq komandantin partizan që në vazhdim veç me plumb e me zjarr e dhunoi Malësinë. Raportin ndëshkimor e harton nji tjetër kriminel i përbindëshëm, Zoj Themeli, që gjakftohtë përshkruan se si në Kelmend u vrane 44 malësorë e pastaj shton se në  mënyrë konspirative u vranë edhe tre të tjerë, u dogjën si ndëshkim 44 kulla në Kelmend ku në zjarr u dogjën Vukli, Nikçi e Selca !  Dedë Gjon Bajraktarin e sollën të plagosur në kullë të Gjonit ku e ëma po ia mjekote plagët.  Me ta marrë vesh komunistët e rrethuan kullën, e nxorën zvarrë t’ ëmën e Dedës e  në sy të saj e dogjën kullën me gjithë Dedën si edhe Luc Tomën brënda ! A ka kob më  të madh se sa ai i pinjojve të kullës Rapukajve në Vukël ?   E pati djegur së pari turku e pastaj shkjau që vranë njera palë Pjetrin e tjetra Lulin.  Por u desh të vinte Brigada e Mehmet Shehut që t’a digjte së treti me 10 shkurt 1945 e t’i vriste Nduen, Lucin, Zefin edhe më të voglin Rrokun !  
Po dorëzimit në besë  të Prenk Calit si iu përgjigjën komunistët ?   Simbas raportit të Zoj Themelit, e vranë menjëherë Ded Lulash Smajlin që ra duke thirrur Rrnoftë Shqypnija si edhe Ded Gjon Dedën qi ia kishin coptuar mishin me spata para se t’a vrisnin !  Tek e shihte kullën e tij duke u djegur, i a nxorën sytë me bajonetë edhe e varrosën të gjallë Fran Zef Bajraktarin, kurse Luc Gjon Bajraktarin e çanë me bajoneta edhe e flakën në greminë !  Që të mbillnin tmerr edhe kob në popull të mbledhur të Vermoshit, e pushkatuan në mes tij Marash Vat Lumajn !  Në mes kelmendasve e pushkatuan veç të mbillnin terror edhe Dedë Prenk Nikën e po ashtu e pushkatuan mes Brojës Uk Mark Bikun !   Tri javë e mbajtën të varur në Koplik Nik Mark Rezajn e pastaj pa gjyq e pushkatuan edhe atë !    Edhe në Niksh shtatë ishin kullat që dogjën veç të përhapnin tmerr.   Fran Zefit të parit ia dogjën se strehuar kish Prenk Calin e pastaj edhe të tjerët në plumb i kaluan e të gjithëve u morën bagëtinë e bletët t’i  dergjnin për kafshatën e gojës !   Në Koplik pa gjyq u pushkatuan edhe Gjergj Lul Toma me gjithë Gjek Selcën.   E pse? Veç  tmerr e panik të mbillnin në popull !
Si sot e kam parasysh kur e sollën duar lidhur në qytet të Shkodrës kreshnikun Prenk Cali! Ecte  kryelartë e ish me mjekër të dëndur ai, si të kish qenë ngadhënjyes !  Po serbiani, brateja i partizanëve fitimtarë, ia kish në vesh të varur trimit inatin.   E ndaluan mes Fushë Çelës, (rruga kryesore e Shkodrës), e ulën në gjunjë dhe një partizane e egzaltuar ia rrojti mjekrën pa lagur atij.   Mes gishtrinjëve të duarve të mija, me të cilat e kisha mbuluar fytyrën, kureshtja  më bënte të shikoja  si i shkonin lotët kreshnikut që zë nuk xirrte nga dhimbja !   Kjo është pamja e fundit që ruaj në kujtesë të kreshnikut të maleve që i pati thyer shkjetë në luftimet e 1911ës e të 1913ës.  Mbas kësaj veç kur mësova se e kishin dënuar me vdekje dhe me 25 mars 1945 e kishin pushkatuar Prenk Calin.   Kësisoji komunistat shqiptarë e vranë armikun e betuar të serbit dhe e hapën rrugën që t’u shkonte uji në mullirin e tyne ! 
Mirëpo Malësia e Madhe nuk thyhej kollaj.   Më 18 janar 1945 në Poícë u mblodhën burrat trima të Hotit, Kastratit, Shkrelit e Lohjes.   E quajtën Kuvëndi i Maleve atë kuvënd të Poícës.   Këtyre burrave trima të maleve iu bashkua edhe dijetari Dom Nikoll Gazulli.   E kish në gjak patriotizmin Dom Nikolli se i vëllai i Dom Gjonit ish ai, i atij trimi shok i Luigj Gurakuqit e Fan Nolit, që me 5 të marsit 1927 qeveria e vari në litar.   Bashkë me Dom Nikollin ish në Kuvënd edhe Nikoll Dedaj, Kryetari i Komunës Dedaj-Shkrelit.   Miq ishin ata me trimin e urtë e  të mençëm Luket Marashin e Grishajve që në krah të Ded Gjolulit e patën ngritur flamurin në Deçiq.   Gjatë Kuvëndit i drejtohet Bajraktari Pjetër Gjoka trimit   të Hotit Gjelosh Lulit :  Fol o trim i Hotit se të takon fjala edhe primja e Kuvêndit sepse t’ kem prej derës Ded Gjolulit !   Dhe Gjeloshi trim e i mençëm siç ishte, që nderin e derës nuk e turpëronte, foli e tha :  Burra, erdh koha ta lidhim besën, t’ rrokim armët e lirisë e ta bâjmë dekën si me lé! Vendimin e morën: Më 28 janar 1945 të fillonte kryengritja!  
Trimi Llesh Marashi kish zënë vënd në konakun e Luket Marash Grishajt prej nga priste të vinte dita e sulmit. E kish zgjedhur atë konak  se çerdhe burrërije e bese ish ai me emër në Malësi të Madhe !   Po dita nuk priti të vinte, sepse Batalioni i Ndjekjes, i informuar prej informatorëve të Çun Januzit e zagarëve të tij për datën e vendosur që të  fillonte Kryengritja, e sulmuan Kullën e besës e të burrërisë të Luket Grishajt me të pabesë në agun e ditës 24 janarit.  Grishajt i shpartalluan  të pabesët e i thyen me të madh vërtik e u bashkuan me 400 burrat e Shkrelit të prirë nga Pjetër Gjoka, që kishin pushtuar postkomandën e Dedajt, e në të perënduar të diellit e pushtuan edhe postkomandën e Bajzës.  Gjatë përpjekjes ranë në fushë të betejës prijësit Pjetër Gjoka, oficeri Zef Toma si edhe Lulash Cuku.   Me t’u pushtuar Bajza, në kishë të saj frati Ciril Cani u ra këmbanave që t’a përhapte kushtrimin që nga Bajza !  Të prirë nga Llesh Marashi, me trimëri të pashoqe në luftime të ashpra, kryengritësit e pushtuan gjithë qytetin e Koplikut.  Karakteristik dhe shumë kuptimplotë është fakti se Komandant Llesh Marashi urdhëronte që të gjithë ushtarëve të ndjekjes të zënë rob ose që dorëzoheshin vullnetarisht, t’u merreshin armët e të liroheshin të shkonin  nëpër shtëpitë e tyre se në fund të fundit ishin vëllezër shqiptarë !
 Tek Ura e Rrjollit Mirot Paloka e Gjon Martini me forcat e tyre, së bashku me dukagjinasit Kapiten Palë Thani edhe të vëllanë Dedën, i pari mbi urë dhe i dyti poshtë saj, fillimisht i gozhduan e pastaj i thyen forcat e ndjekjes.    Mirëpo nga jugu erdhën përforcime të mëdhá se e kishin kuptuar komunistët se mbas Koplikut po i vinte radha Shkodrës t’u dilte nga dora, ndërsa forcave të Mirot Palokës e Gjon Martinit asnjeri  nuk po u vinte për përforcim nga krahinat e tjera e këta mbetën t’ izoluar ato katër ditë që u detyruan ta  fillonin para kohe betejën.  Duke luftuar në këmbë u vranë trimat Mirot Paloka edhe Gjon Martini, ashtu siç ua kërkonte nderi i konaqeve të tyre.   Kurse Rrok Kanti, për të mos rënë i gjallë në dorë, i bije vetë zêmrës me nagant, po i Madhi Zot nuk ia kish prerë ditën e vdekjes me atë rrufé !  Në mal e gjeti vdekja edhe trimin Luket Grishaj që i plagosur u tërhoq zvarrë në pyllë veç mos t’a zinin të gjallë komunistët që pastaj me tradhëtí e vranë në përpjekje !    Tek Kisha ra trimërisht në luftim me forcat e ndjekjes edhe Marash Tom Gjeloshi e në muzg të mbrëmjes u vranë edhe Luigj Kol Shetaj së bashku me sokolat Mirash Gjoni e Pjetër Kola.   Duke parë se nuk kish më rrugëdalje, dorëzohet Llesh Marashi me kusht bese në fé të mos ia vrisnin trimat e tij.   Mirëpo s’ kishin besë e as fé komunistët e prangat ia vunë Lleshit e kërdinë bënë ndër ata që zunë të gjallë.   Tamam mjer ai që u ra në dorë atyne !  
Me pushkatimin e Prenk Calit si edhe me varjen në litar të Llesh Marashit, këtyre dy sokolave e trimave të rrallë, vërtet mori fund dhe u shtyp me zjarr e me gjak Kryengritja e Malësisë Madhe, por nuk u shua lëvizja për përmbysjen e zgjedhës komuniste e cila vazhdoi ku e organizuar e ku sporadike përgjatë dhjetë viteve që do të pasonin !  Pra, Kryengritja e Malësisë Madhe, qe parathënja e një rezistence aktive të popullit shqiptar i cili nuk pranonte t’i nenështrohej dhunës komuniste.  Nga ky këndvështrim ajo merr rëndësi të veçantë ndër të gjitha vëndet e ish Kampit Socialist sepse së pari edhe më kuptimploti, është fakti se kjo kryengritje është e para edhe e vetmja ndër të gjitha këto vënde qi iu kundërvu me armë në dorë bishës komuniste që në hapat e parë të sajë !   Së dyti, Kryengritja e Malësisë Madhe ësht fillimi i asaj lufte                     t’ organizuar të rezistencës kundra komunizmit që vetëm në Shqipëri mundi të zgjasë jo pak por dhjetë vite !   
Revolucioni Hungarez i 1956-ës vërtet duhet admiruar se rinia studentore që e filloi e mbas saj e gjithë fshatarësia, iu kundërvunë sistemit komunist, e luftuan edhe e ndaluan luftimin vetëm kur u çfarosën me themel nga tanket ruse të Hrushovit, por e gjitha kjo nuk zgjati as dy vite e megjithatë njihet si Revolucioni Hungarez i 1956-ës !  Kurse rezistenca e armatosur antikomuniste shqiptare që zgjati dhjetë vite, as ka emër edhe e keqja më e madhe është se u punua nga komunistat duke e shtrembëruar historinë që ta linin në harresë vetë atê, pa le pastaj martirët e saj !   
E tashti, mbasi i përkujtuam fluturimthi ndodhítë si edhe një pjesë të martirëve, e duke u përulur me respekt ndaj idealit të tyre kombëtar e antikomunist, e quaj me vënd të ndaloj e të hedh sadopak dritë e bashkë me të të ve  në dukje se si dita që kalon e ndër shqiptarë të ndershëm sa vjen e po rritet :

Pézmi për si po shkruhet historia!
Ç’lind nga macja gjuan mínj, kanë thënë të parët tonë!   Edhe në fushë të historisë e njejta gjë po ngjet si në politikë.   Ndërruan emrin ish komunistat e ranë të flinin të tillë e në agim na u zgjuan socialista !   E desh bota frazeologjinë e ré e ata me vrap flasin e shprehen me ulërima në kupë të qiellit se sa e duan demokracinë, Amerikën, integrimin europian  e  më  the e të thashë.   Po vëndit  e  popullit nga dita në ditë e  më zí po ia marrin frymën !  
Edhe historianët të njajtën maskë paraqesin ! Shprehet Drejtoresha e Institutit të Historisë zonja Ana Lalaj në intervistën e saj në New York në gusht të vitit 2002 :  “Nuk ka shoqëri të hapur pa arkiva të hapura … Në kohën  kur  vetëm  shteti komunist kishte kompetencën për  t’ u siguruar shkollën, punën, shtëpinë, ashtu si të gjithë nëpunësit e tjerë shtetërorë, edhe historianët ishin të komanduar në veprimtarinë e tyre krijuese … dhe PPSh vendosi monopolin e saj edhe mbi historiografinë shqiptare … Teksti i parë i rishkruar i Historisë së Popullit Shqiptar ishte ai për shkollat e mesme, që doli nga botimi në vitin 1994 …”
Tek e lexon këtë intervistë të kësaj zonje të nderuar edhe gjoja të reformuar, të bëhet zemra mal e kujton se fjalët e saja janë të sinqerta.  E unë e ftoj tani lexuesin t’a lexojmë anën e mbrapme, (atë të padukëshmen), të fjalëve e deklaratave të saja.   Në tekstin e Historisë të botuar në vitin 1994, (tekst i rishikuar me frymën e re të së vërtetës simbas asaj drejtoreshe), në faqet 217-218 autori Dilaver Sadikaj e paraqet Kryengritjen e Malësisë Madhe si një lëvizje antikomuniste, duke mos i zënë në gojë udhëheqësit e kësaj lëvizje.   Kurse në botimin e vitit 1999, po autori Dilaver Sadikaj, (tashmë i vdekur), pra i njejti autor i tekstit për këtë pjesë e për më tepër duke qenë vetë zonja Ana Lalaj, Drejtoresha e Institutit të Historisë kryeredaktore, dalin me studim më të thelluar e në faqen 285 shkruajnë për Kryengritjen e Malësisë Madhe : …lëvizje që u zhvillua në forma të dhunshme kundërligjore e kundërkushtetuese dhe më vonë vazhdojnë u dënuan shumë persona si bashkëpunëtorë të fashizmit dhe kriminelë lufte.  Edhe këtu nuk përmenden emra udhëheqësish.  Edhe në vitin 2000 po me këtë  këndvështrim trajtohet kjo e quajtur lëvizje antikomuniste. 
Shtroj tashti natyrshëm pyetjen :  A ka se si shprehjet e bukura të kësaj shkencëtareje të reformuar, (simbas sajë), të krahasuara me veprat në fakt që ajo kryen, të mos bëhen për mua si edhe për juve, të nderuar lexues, pézmi ynë se si po shkruhet historia ?       
Zonja Lalaj pranon të pohohet se lëvizja u zhvillua në forma të dhunshme kundërligjore e kundërkushtetuese.   Marr përvujtësisht leje   prej saj e ta pyes shkencëtaren tonë të nderuar :   a di ajo të më tregojë një shëmbull kryengritjeje revolucionare në botë, e cila të jetë zhvilluar pa dhunë e konform ligjeve si edhe kushtetutave ?  
Gjithashtu ajo zonja pohon se u dënuan shumë  persona si bashkëpunëtorë të fashizmit dhe kriminelë lufte.   Së pari, kjo frazeologji e përdorur më çon me kujtesë 57 vite prapa e më duket se i dëgjoj tek u ulërinin viktimave Zoi Themeli apo Naun Bezhani me shokë, (të thellohet profesoresha se kush ishin ata), e pézmi nuk ka se si të mos ma kapërthejë  zemrën e të ma dridhë mishin !
Po marr tashti si shëmbull më tipikun e fashistave, të dënuarin më rëndë e të varurin në litar, Llesh Marashin.  
Që nga dita që shkeli këmba e ushtarit fashist në Shqipëri, Llesh Marashi doli në mal kundra fashizmit.   Strehë pati konaqet e Luket Marash Grishajt me shokë.   Mbas kapitullimit të Italisë fashiste, aty rreth muajive mars ose prill të vitit 1944, të dërguarit e Frontit Nacional Çlirimtar Riza Dani si edhe profesor Mark Prela, organizuan një takim me Llesh Marashin në Barbullush tek mulliri i Dan Hasanit, (vëllait të Riza Danit).   Të dërguarit e Frontit e ftuan Llesh Marashin, si antifashist që ish, të bashkohej me Lëvizjen.   Lleshi ua priti shkurt e u tha … kjo âsht punë  qi  s’ bâhet  more  burra.   Po  ju  a  nuk i keni  sytë n’ ballë  e s’ e  shifni se si komunistat janë tue luejtë teatër me ju ?  Nuk e shifni  ju  se  ata  udhëhiqen  prej  serbve ?   Mlidheni mênden e kthejuni n’ rrugë t’ komtarisë se internacionalistat juve kanë me ua pré krenat !   Ju asgjâ s’ ju lidhë me ta.  Rizaja atëherë i kish thënë … mirë qi ti e luftove fashizmin, po prej gjermanve ç’ pret ?   Pse s’i lufton ?   E Lleshi qe përgjigjur … ushtria gjermane  âsht  kalimtare  e  ne  s’ na  hinë  gjêm n’kâmbë prej saj. Po sllavin kjo ushtri po e lufton e na prej saj kem se shka me përfitue … Këtë bisedë ma ka pasë treguar vite më vonë, mbas pushkatimit Rizait, e shoqja e tij (tezja ime) e cila i jepte të drejtë gjykimit të situatës nga ana e Llesh Marashit.  Pra e ftoj profesoreshën e nderuar Ana Lalaj t’i studjojë dosjet e arkivave jo me slogane po me fakte e me thellim e të mos nxjerrë përfundime shabllone prej atyne që përdornin Zoj Themelët me shokë !
Përsa i takon pohimit në tekst të zonjës Lalaj se ata që morën pjesë në Kryengritje të Malësisë ishin kriminelë lufte, marr së rishmi leje prej saj e t’ia sqaroj pak idetë kësaj shkencëtareje e t’a ul nga retë e në realitet.  Përgjatë kësaj kumtese kam përmendur se si Prenk Cali e gjithashtu edhe Llesh Marashi, asnjë ushtar të forcave të ndjekjes të kapur gjallë ose të vetdorëzuar nuk e pushkatuan :   i ç’ armatosën dhe i lanë të lirë të largoheshin.  E këto pohime janë të tëra në dokumenta Arkivi Shtetror ose të Rendit, pohuar nga njerëzit nëpër hetuesíra.   Mjafton veç vullnet i mirë të studjohen këto dokumenta e të gjykohen gjërat me drejtësí !  
Kriminel e quajnë edhe trimin Mark Gjomarkajn.  Po kur ai kaloi nëpër Malësi të Madhe me forcat e tija e shkoi pastaj nëpër Dukagjin, Nikaj Merturë, Qafë Kolshi e deri në Has, secilit nga forcat  e ndjekjes që dorëzohej ai ia merrte armët edhe e linte të lirë.   Me 11 dhjetor 1944, në Tregtan të Hasit, forcat e Markagjonit bien në përpjekje me forcat partizane me komisar Ismail Pogën, i thyejnë e në mes të zënëve robër ishte edhe komisari partizan.   Mark Gjomarkaj jo që nuk e pushkatoi, po si atij ashtu edhe partizanëve të tjerë, u shpjegoi se ata i kishin mashtruar e në fakt luftonin për pansllavizëm, kurse forcat e Kapidanit të Mirditës luftonin për shqiptarizëm … edhe i lëshoi.
E për ta mbyllur edhe me këtë pikë me shkencëtaren tonë zonjën Lalaj, nuk kam se si t’a kaloj në heshtje edhe një fakt të fundit.
Le të kontrollojë zonja e nderuar në dokumenta Arkivi të Rendit e do të gjejë një telegram tepër urgjent që i ka drejtuar Mehmet Shehu me datën 9 shkurt 1945 Komandantit të Përgjithshëm, Gjeneral Kolonel Enver Hoxhës, ku i propozon që prej atyre që sulmuan Koplikun të pushkatoheshin si fillim 12 vetë e pastaj mund të pushkatoheshin edhe 20 kryengritës të tjerë.   Brênda ditës E.Hoxha ia kthen përgjigjen :
Gjegje radiogramit Nr.Extra datë 9 fruer 1945
Aprovohen ndëshkimet me vdekje të 12 vetëve dhe ndëshkimi i të tjerëve me dënime të ndryshëme propozue me të sipërmin.  Na njoftoni datën e ekzekutimit.
Enver Hoxha
Firma

Tri radhë të akullta e përbëjnë këtë radiogram, po 12 jetë morën ato radhë !  Secili rrjesht në të thellë vaj e kob futi katër familje ! Do të doja t’a pyesja shkencëtaren tonë historiane se këta dënime edhe aprovime dënimesh në çfarë formash ligjore edhe kushtetuese kishin për t’u  kataloguar sipas  saj ?   
I mendëshmi edhe i dituri Patër Gjon Shllaku pati thënë :  
Nji komb qi lindet ka nevojë për fatosa qi t’ desin, por fatosat qi desin nuk kanë se shka bâjnë në nji komb qi i përbuz’e i harron !  N’ shtete tjera njerzt’ e idealit ne u mbytshin për  s’ gjalli nderohen për  s’ dekuni, ndër ne ata mbyten dy herë – edhe harrohen !  
E unë, skajshmërisht i dëshpëruar se si Instituti i Historisë e ka trajtuar dhe interpretuar ndër tekste shkollore Kryengritjen e Malësisë Madhe e domosdo edhe të gjitha zhvillimet e vëndit tonë përgjatë shekullit të kaluar, i bëj thirrje Drejtoreshës atij Instituti  zonjës Ana Lalaj duke i kujtuar asaj se si secilin që e ka sjellur në jetë, Zoti i ka  caktuar një detyrë.   T’ a kryejë ajo detyrën që ka me dije e ndershmërí.   Në mos dijtë ajo si t’a kryejë kësisoji, të japë dorëheqjen.   Po kurrsesi mos të vazhdojë ajo e t’i bëjë hyzmet postit, pavarësisht se brezave të tërë njerëzish të ndershëm kësisoji u cakton fatin për të cilin flet Patër Gjon Shllaku, kurse të padenjëve ajo krijon mundësi t’u jepen titujt Nderi i Kombit!  



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora