Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pashko Vasa “Meteor” i kulturës dhe atdhetarizmit

| E diele, 03.06.2007, 09:24 PM |


Pashko Vasa

Pashko Vasë Shkodrani është njëri nga figurat më të ndritura të kulturës dhe të Atdhedashurisë, të periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare. Ai, u lind në Shkodër më 17 shtator 1825, në një familje borgjeze me prejardhje nga Mirdita. I rritur në kushte mjaft komode (për kohën), ai imbaroi studimet e mesme në Venedik. Zgjuarsia dhe talenti i tij i rrallë shpalosen që në moshë të re, kur, vetëm 18 vjeçar, ai kryen me sukses detyrën e Sekretarit në Konsullatën Britanike në Shkodër. Mbas katër vitesh dhe pikërisht në vitin 1847, ai braktis këtë detyrë “për të ndarë me të mirët lavdinë e shpëtimit të Italisë”, siç e pohon vetë. Në luftimet e ashpra në Romë, Bolonjë e Venedik, idealisti i ri shqiptar, shquhet për trimëri të rrallë, dhe në veçanti për përgatitjen e tij të shkëlqyer ushtarake, duke marrë gradën e oficerit të “Kalorësisë Qytetare të Romës”. Për ecurinë e vrullshme të djaloshit shkodran drejt majave më të larta të karrierës, nuk e shikonin me sy të mirë disa qarqe egoistësh dhe dashakeqësh. Kjo ecje “maratonë” e Pashko Vasës, nxiti smirën dhe xhelozinë tek italianët, të cilët me paturpësinë më të madhe, thurën akuza dhe intriga, derisa arritën dhe ta burgosin, (si “shpërblim”) i vetmohimit të tij në luftën që po bënte për çlirimin e Italisë, nga pushtuesit austriakë! Këtë madhështi arbërore, Pashko Vasa e trashëgonte nga gjaku i kulluar i gurrës kastriotike që pulsonte në çdo enë gjaku e kapilarë. A nuk ishte i madhi Gjergj Kastrioti, ai që i shkoi në ndihmë mbretit të Napolit? A nuk ishte shpata dhe krahu i tij i fuqishëm, që i doli në mbrojtje krishtërimit dhe qytetërimit europian? A nuk ishte garda arbëreshe, që shoqëronte Garibaldin në fitoret e njëpasnjëshme, deri në çlirimin e plotë dhe bashkimin e Italisë? Për këtë, besoj se Italia dhe Europa, tashmë janë të ndërgjegjësuar, dhe këtë reflektim (ndonëse të vonuar) e kemi parë në “kryqëzatën” e fuqishme - Euro-Atlantike, kur ndëshkoi Serbinë shoveniste të Millosheviçit dhe çliroi vëllezërit kosovarë. Tashmë është në dorën e tyre, “administrimi” me korrektësi i kësaj mirënjohje, e cila do t’i shërbejë pavarësisë së Kosovës në një kohë sa më të favorshme. Që të mos i largohemi temës së shkrimit, siç e theksuam më lart, Pashko Vasa, si viktimë e këtyre ambicjeve, kaloi disa kohë në burg. Këto të dhëna janë marrë nga letrat që ai i ka dërguar më 1848 shkrimtarit italian, Nikollë Tamazeut, udhëheqësit kryesor të qëndresës së Venedikut kundër pushtuesve austriakë. Duhet theksuar se Tamazeu do të lidhej më vonë në miqësi me poetin e shquar arbëresh - De Radën. Pashko Vasa ka shkruar dhe kujtimet e tij të luftës në Itali, botuar nën titullin “Burgu im” (La mia prigione) 1850. Pas kësaj drame të dhimbshme, Pashko Vasa u vendos në Stambollë, ku përballoi vështirësi të mëdha jetësore, derisa u vendos në Ministrinë e Jashtme. Falë aftësive dhe talentit të tij të rrallë, ai më pas u ngrit në sferat më të larta të Perandorisë Otomane, si në Bosnjë e në vende të tjera. Nga viti 1883 e deri sa vdiq në Beirut (1892), ishte “Guvernator i Përgjithshëm” i Libanit.

Vlen t’i kujtojmë ndonjë “pseudo” intelektuali ambicioz e dashakeq, (i cili e ka quajtur Pashko Vasën “diktator”), se ai vërtetë i shërbeu Perandorisë Osmane, por as emrin, as shpirtin e pastër kristian, asnjëherë nuk i nxori në “ankand”, siç bënë shumë pashallarë të tjerë... Ai, gjatë gjithë kohës që shërbeu në Liban, u shqua si politikan dhe diplomat me diapazon të gjërë, duke u kthyer në një “arkitekt” të vërtetë dhe në një “simbol” për vendosjen e harmonisë mes dy besimeve: muhamedanëve e kristianëve. “Një akt për t’u pasur zili edhe në ditët tona” (M.B). Ai, si njohës i thellë i të gjitha “fushave” dhe i shumë kulturave, iu mësoi libanezëve dhe kultivimin e ullirit, (si një ushqim i frutshëm) dhe simbol i Paqes.

Është mjaft domethënës dhe kuptimplotë fakti që kur shkuan për të marrë eshtrat e këtij Atdhetari të Madh, qeveritarët libanezë (pas një hezitimi), u shprehën: “Pashko Vasa është i juaji dhe ne do t’jua japim eshtrat e tij. Por njëkohësisht, do t’ju kujtojmë, se burra të tillë i bëjnë nder kësaj toke, për sa kohë gjenden në gjirin e saj”.

Krejt ndryshe ndodhi me ideologun e shquar Sami Frashëri. Turqia nuk e lejoi zhvarrosjen e tij, dhe përgjigja ishte (afërsisht) kështu: “Ndonëse është me origjinë shqiptare, ai është më turk se ne turqit, përveç 55 veprave që ka shkruar për ne, ai ka bërë edhe “Fjalorin Enciklopedik Turk”, pra na ka mësuar të flasim turqisht”. Pashko Vasa (zëdhënës i borgjezisë), ishte prej vetiu antifeudal dhe kundër despotizmit. Historia e kohëve të fundit kishte provuar se, vendi ynë nuk mund të arrinte çlirimin për të cilin aspironte, nën një udhëheqje feudale.

Mbi përpjekjet e Bushatlinjve dhe të Ali Pashë Tepelenës, Pashko Vasa shkruan se: “Ata kishin “guxuar” të “synonin” shndërrime me rëndësi të madhe, por rivaliteti që ishte shfaqur midis tyre, i solli deri në humbje, ata ishin bërë tiranë dhe e administronin vendin me një despotizëm të shfrenuar dhe pikërisht për këtë arsye, populi i braktisi kur Sulltani i ndëshkoi”. Këto fakte historike i kemi trajtuar edhe në shkrime të tjera por reagimi në shtyp, nga ana e simpatizantëve të pashallëqeve ka qenë i ashpër... “Historia nuk duhet të “ndëshkohet” me antihistori” (M.B). Citimi i Pashko Vasës është mjaft sinjifikativ dhe koha eka vërtetuar “katërcipërisht”. Mjafton t’i referohemi Ali Pashë Tepelenës dhe veprave të tij mizore, mbi suliotët e Çamërisë dhe mbi himariotët. Nuk mund të ketë akt më të turpshëm dhe më çnjerëzor se sa vrasja e 705 shqiptarëve, të cilët mbasi i ishin dorëzuar në besë, bashkë me armët e tyre, ai i theri si bagëtinë!... Për të gjithë kohën që “pashëroi” ky kriminel, vendosi taksa të dyfishta mbi popullsinë duke “sfiduar” edhe sulltanët turq!... Me taksa të rënda dhe me grabitje në fushatat e tij të turpshme, Pashai i Janinës u bë një nga njerëzit më të pasur të Perandorisë Osmane. Veprat e turpshme dhe të shëmtuara të Ali Pashait, i ka përshkruar me mjaft korrektësi historiani i shquar (dhe i paanshëm), Tajar Zavalani në historinë e tij: “Historia e Shqipërisë”, bot. i vitit 1998. Zavalani e konsideron Ali Pashë Tepelenën si kriminel tipik i shekujve XVIII-XIX. Dhe duke bërë analogji me Gjergj Kastriotin, konstaton:

“Shikoni sa poshtë kishte rënë morali i shqiptarëve gjatë tre shekujve të pushtimit osman!...” Nuk e di nëse i njeh këto fakte Abdi Baleta?... Të dy pashallarët e lartpërmendur që citon Pashko Vasa, i lanë tokat njëri në Stamboll dhe tjetri në Cetinë, si dëshmi e mercerarizmit dhe padrejtësive që u “joshi” karrierizmi dhe despotizmi.

Ata, të cilët nuk i “preferojnë” këto fakte historike, mundohen ti quajnë si “shpifje” të komunizmit! Këta, pa dyshim, edhe Pashko Vasën do ta konsiderojnë si një “bashkëpunëtor” i komunizmit, ndonëse komunizmi në atë kohë nuk ekzistonte, asnuk njihej si “nocion”... Si anëtar i Komitetit të Stambollit, Pashko Vasa bashkë me Sami Frashërin, patën shkruar “Memorandumin” që iu drejtua Ministrit të Punëve të Jashtme të Austro-Hungarisë në tetor 1878. Në këtë dokument dhe në relacionin e po atij viti, janë parashtruar qartë kërkesat kryesore të “Lidhjes së Prizrenit” dhe aspiratat e popullit shqiptar të asaj kohe: “Shqiptarët janë të vendosur t’i këpusin të gjitha lidhjet që i bashkojnë me Turqinë”, - thuhet në Memorandum. “Ata kërkojnë një administratë të veçantë, që t’u përgjigjet më shumë nevojave dhe traditave të tyre. Shqiptarët kërkojnë të drejtën të hyjnë në gjirin e familjes së madhe Europiane e së cilës i përkasin”. Mendoj se këtu ka vend për aludim: “Cilit shekull i përkasin ata “shqipfolësa” që çdo ditë “vjellin” helm kundër Europës së qytetëruar?... Vallë a do ta ketë lexuar këtë “Memorandum” Abdi Baleta?... Me siguri, sipas logjikës së “shëndetëshme” të Baletës, edhe i Madhi Pashko Vasa, i cili Europën e konsideronte si shtëpinë tonë të përbashkët, duhet të ketë qenë “Katoliko-Centrist” ose “agjent” i Vatikanit, si Nanë Tereza, apo si “Elektropensionisti” M. Bregu!... Këto dokumenta, si dhe Proklamata e “Komitetit të Stambollës” e majit 1878, ku është dora e Pashko Vasës, shtronin dhe çështje të tjera me rëndësi: “dëshirën për të jetuar në paqe e miqësi me fqinjët”, vendosmërinë për të “mbrojtur me këmbëngulje çdo gjë që është e jona”. Aty lexojmë: Çdo kryetar që do të vepronte për të cënuar ose për të ndryshuar ndjenjat kombëtare, do të pësonte fatin e Abdulla Pashës, dhe të tjerëve që u vranë tok me Mehmet Ali Pashën. “Përsëri vlen t’i kujtojmë Abdisë / nga fryjnë erërat e tradhëtisë!...” (M.B).

Mbi bazën e kësaj pune të madhe dhe veprimtarie patriotike, u hartua traktati i tij i famshëm: “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”. Kjo vepër, vërtetë madhore dhe me sens të theksuar patriotik, e shkruar në frëngjisht, u përkthye në të njëjtën kohë edhe në turqisht e gjermanisht. Dhe, natyrisht kjo kishte vlera të veçanta për të zgjuar ndërgjegjen e fuqive europiane, dhe për të dëshmuar para botës se shqiptarët, ndonëse nën pushtimin e egër osman, janë një nacionalitet Iliro-Alban dhe ndër më të vjetrit në Kontinentin Europian. Në të njëjtën kohë, kjo vepër vinte si një goditje e rrufeshme mbi kokat “boshe” të atyre pseudo-shqiptarëve “kolaboracionistë”, të cilëve, gradat dhe ofiqet (që ju “dhuroi” pushtuesi), kaq shumë ia kishin errësuar arsyen, saqë e quanin veten “turq” dhe Shqipërinë “Turqi e vogël”!...

“A ka dhimbje më të madhe, kur (me keqardhje) konstaton, se truri dhe zemra e shqiptarëve më të shquar, vihej në “efiçencë” dhe “konsumohej” më shumë në shërbim të të tjerëve se sa në shërbim të Atdheut, dhe kjo, jo aq nga dëshira, por më shumë nga rrethanat, vërtetë “jemi popull fatkeq”. (M.B). Gjithsesi gjatë gjithë veprimtarisë së Pashko Vasës, ajo që të bie në sy është dëshira e tij e zjarrtë për ta parë Shqipërinë të lirë dhe të përparuar, ose siç e thoshte ai vetë, - Zonjë.

Vlen t’i kujtojmë lexuesit se, Pashko Vasa, bashkë me Zef Jubanin, në vitin 1862, morën pjesë aktive në organizimin e një kryengritje në Mirditë, kundër autoriteteve pushtuese osmane. Por, edhe kohën e lirë të jetës së tij politike e shfrytëzoi edhe si njeri i pendës. Kështu shkroi frëngjisht librat: “Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut”, (1865), dhe “Skicë historike mbi Malin e Zi, sipas traditave të Shqipërisë”, (1872). Veprimtarinë patriotike e zhvilloi sidomos në Stambollë, ku u njoh me Kostandin Kristoforidhin dhe Hasan Tasinin etj. Pashko Vasa ishte njohës dhe zotërues i disa gjuhëve të huaja. Si njeri me përgatitje të shëndosha, historike, gjuhësore e letrare, ishte njohës i posaçëm i popujve të Ballkanit e të Lindjes. Përveç italishtes, frëngjishtes, anglishtes, në të cilat shkroi disa vepra, ai njihte gjuhët klasike - greqisht, latinisht, njihte mirë sllavishten, turqishten dhe arabishten.

Nuk gabojmë aspak nëse e klasifikojmë njërin ndër intelektualët më të mëdhenj të kohës së tij. Ai ka shkruar edhe Romanin “Bardha e Temalit” (1890), “Gramatika e shqipes”, për të huaj (1878), vjershën e famshme “O moj Shqypni”, (1880).

Si përfundim: Pashko Vasa, mbetet njëri ndër viganët e letrave shqipe, dhe ndër më të shquarit e “Rilindjes Kombëtare”.

Mark Bregu