Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nuri Dragoj: Roli i familjes në parandalimin e shthurjes morale

| E premte, 05.10.2007, 05:28 PM |


Nga Nuri Dragoj
nuridragoi@hotmail.com

Nuri Dragoj
Prostitucioni në vendin tonë ka marrë rrugët dhe po shkakton një plagë, e cila do të kërkojë kohë për t’u mjekuar. Janë hapur qindra motele, të cilat mbahen me paratë e fituara nga marrëdhëniet seksuale në rrugë jashtëmartesore. Motelet kanë sekserë që merren me gjetjen e gjahut. Dikë e mashtrojnë për 5 lekë që i japin shpërblim për “punën” që kryen, tjetrën e dërgon në këto labirinte i dashuri i saj, i cili një “punë” të tillë e bën kundrejt një përfitimi, shoqja që prostituon merr një tjetër me vete dhe kështu numri i femrave që ushtrojnë këtë profesion sa të vjetër aq dhe të rrezikshëm për një shoqëri njerëzore vjen përditë duke u rritur. Në këto objekte shkojnë çifte që kanë rënë në ujdi paraprakisht. Një çift ngjitet dhe tjetri zbret. Por ka dhe nga ato motele që mbajnë dy-tri vajza a nuse në dispozicion dhe u ofrojnë klientë të rastit apo të tjerë që vijnë me ndërmjetësi të sekserëve. Motelet mbushen përditë me vajza të reja, nxënëse, studente, vajza të tjera të pamartuara, por dhe nuse që prostituojnë ditën dhe në mbrëmje presin në shtrat burrin e tyre, pas një “përvoje” jo të vogël gjatë ditës dhe ditëve të tëra. Ka dhe hotele që mbajnë mbi supe emra të rëndë, në dukje seriozë, por që në fakt janë kthyer në çerdhe prostitucioni. Vajza 14 deri 16 vjeçe, maksimumi 18 vjeçe janë klientët e tyre në shërbim të të huajve që paguajnë mirë apo biznesmenëve që e kanë kthyer në hob seksin me minorene.
Habitë janë kthyer në ngjarje të zakonshme. Emisionet televizive e këshillojnë seksin si një domosdoshmëri, njëlloj sikur bëjnë fjalë për 3 vaktet e bukës. Psikologë e sociologë u përgjigjen të rinjve se “mund të bëjnë seks edhe në moshën e adoleshencës, vetëm të jenë të mbrojtur”. Mjafton të kenë profilaktor dhe mund të bëjnë seks, pavarësisht nga mosha. Ua këshillojnë një gjë të tillë adoleshenteve 16-vjeçare, një rekomandim për të gjithë. Nuk dimë se çfarë emri t’i vëmë këtij këshillimi. Civilizim i tejskajshëm apo një shkatërrim i tejskajshëm i shoqërisë. Vajza dhe djem gjimnazistë tregojnë pa të keq eksperiencat e tyre në seks. Dikush tregon se e ka filluar aktivitetin seksual në vitin e parë të gjimnazit, shumica dy vitet e fundit të shkollës së mesme dhe nuk mungojnë vajzat që pohojnë se kanë kryer marrëdhënie seksuale qysh në vitet e fundit të shkollës 8-vjeçare.

Ku është roli i familjes?

Diskot dhe pabet gumëzhijnë deri në orët e para të mëngjesit. Brenda tyre ndihet një muzikë e çartur dhe shihen në vallëzim vajza gati të zhveshura. Vet të rinjtë tregojnë çudira. Vajzat dalin nga shtëpitë e tyre me veshje të rregullta dhe diku heqin pantallonat për t’i zëvendësuar me minifundin që mbajnë në çantën e dorës. Të njëjtin rit bëjnë dhe para se të hyjnë në shtëpitë e tyre në orët e pasmesnatës.
Dhe përderisa familjarët e lenë vajzën e tyre të rrijë klubeve deri në orët e para të mëngjesit, nuk duhet të tronditen kur të dëgjojnë se ajo ka mbetur shtatzënë. Për më tepër, prindit nuk duhet t’i vijë dhe aq shumë keq kur mëson se “i dashuri” e ka trajtuar si prostitutë në Shqipëri apo në ndonjë vend fqinj. Qëndrimi liberal në familje është shkaku bazë i rritjes së numrit të vajzave që prostituojnë në vendet fqinjë e më gjerë. Këtu e kanë burimin dhe fatkeqësi të tjera, humbje të vajzave dhe djemve që nuk u dihet adresa me vite. Ka raste kur vajzat zhduken për shkak se nuk i binden tutorit, djali vritet a zhduket në mënyrë misterioze diku për shkak se ka abuzuar me motrën e një tjetri, gjetkë mbase dhe për para.
- Duhet forcuar kërkesa në familje, - thotë një mësues i vjetër në profesion, por jo dhe aq i vjetër në moshë. Unë vajzën nuk e lë të rrijë gjatë jashtë. Më quajnë fanatik. Punë e madhe. Unë jam i bindur se kërkesa e llogarisë nuk është fanatizëm. Kur bie kërkesa, rreziku i daljes së fëmijës nga kontrolli është më i madh. Kjo provohet në praktikë. Një ditë vajza i kishte thënë së ëmës se do të shkonte te tezja e saj dhe se do të vonohej pak. Kur erdha në shtëpi, vajza nuk ishte, por dhe unë nuk pyeta. Ishte ende herët. Në ora 20, i thashë gruas:
- Ku është Elsa?
- Bëri mësimet dhe më kërkoi të shkonte deri te tezja e vet, - më tha e shkujdesur ajo.
- Do të shkoj të shoh nëse është te tezja, - i thashë sime shoqeje.
- Ahu, dhe ti tërë dyshime, - ma ktheu ajo. Nuk është mirë të dyshosh për çdo gjë.
U bëra merak. Unë them se dyshimi nuk është gjë e keqe, pasi ka lidhje me kontrollin.
Të kontrollosh nuk do të thotë të mos besosh, por të shohësh në sy të vërtetën. Dhe u nisa për te tezja e vajzës, pasi ata nuk kanë telefon në shtëpi. Vajzën nuk e gjeta aty. Ajo erdhi në shtëpi në ora 11 të natës.
- Ku ishe,- e pyeta.
- Te tezja, - m’u përgjigj ajo, pa e ngritur kokën.
- Te tezja erdha dhe nuk ishe, po më thuaj ku ke qenë, - ia ktheva me ton të lartë.
- Ahu, dhe ti babi tërë dyshime. Isha te tezja dhe pastaj dola me një shoqe. Edhe unë e re jam. Shoqet e mia rrinë deri në ora 3 lokaleve, - ma ktheu ajo dhe u shkreh në të qarë. Gruaja më mbyti me fjalë. Unë nuk u tërhoqa. Vazhdova ta pyes.
Doli që na e ngacmonte një djalë. Bëra sherr, por në fakt besoj se e kam ndihmuar dhe vajzën, pasi nuk ka moshë për dashuri. Djemtë atë duan, të kalojnë kohën dhe pastaj të thonë ‘ku të kam parë’. Ndahen me një dhe vihen në kërkim të një tjetre. Dua të them që familja duhet të ketë kontroll. Po nuk di se ku shkon fëmija, djalë apo vajzë qoftë, doemos që do të rrëshqasë. Këtë e provon vet jeta. Kam një komshi. Burrë i mirë deri te ai. Po është pak liberal. Djali i kthehej vonë përherë. I thosha, ore Nazo, mos e lër djalin kaq vonë. Ai ma kthente: He mo se djalë është. Boll kemi qenë ne të lidhur, le të jetojnë të paktën këta të lirë.
Këto ditë mora vesh se e ka shtruar djalin në spitalin e rehabilitimit të drogës. Fëmija po të rrijë rrugës, do të merret me një gjë. Në mos me drogë, do të merret me bixhoz, në mos me bixhoz, do të merret me femra. Po mund të bëjë pjesë dhe në ndonjë grup të rrezikshëm, ashtu si pa dashur. Duke lenë fëmijën jashtë kontrollit prindëror, ndodhin dhe veprime të dhunshme, siç janë rrëmbimet dhe përdhunimet. Kemi të dhëna tronditëse në këtë fushë. Numri i vajzave të rrëmbyera me qëllim prostitucioni është rritur ndjeshëm. E keqja është se mbrojtja institucionale e tyre është shumë e dobët. Mjaft prej vajzave të futura me forcë në rrugën e prostitucionit, edhe pasi kanë bërë padinë, një pjesë e tyre detyrohen ta tërheqin atë, pasi vihen përballë kërcënimeve dhe e shohin se mungon mbrojtja nga institucionet e shtetit. Një tjetër rrezik është ai i përdhunimeve. Rreth këtij fenomeni nuk ka të dhëna të sakta, pasi shumica e rasteve fshihen nën presion. Kryesisht përdhunimet ndodhin në vajzat e moshave nga 11 deri në 24 vjeçe. Duhet pranuar që mbi 50 për qind e tyre i takojnë moshës së adoleshencës. Ka burime informacioni që thonë se vetëm 30 për qind e rasteve të përdhunimeve bëhen objekt i policisë. Pjesa tjetër mbetet e fshehur, diku për të shmangur turpin, gjë që lidhet me nivelin tonë të ulët kulturor, por dhe me dobësinë e shtetit.

Jemi duke shkuar në Evropë. Sahati juaj ka mbetur prapa

Konfliktet midis prindërve dhe fëmijëve konsiderohen si konflikte brezash edhe kur është fjala për moralin. “Jemi duke shkuar në Evropë”, thonë të rinjtë, pa ditur fare se si është Evropa. Pak ditë më parë, një prind na tregonte se kishte pasur mysafire në shtëpinë e tij një qytetare angleze. Anglezja ishte nuse e djalit të tij. Kishin ardhur disa ditë me pushime. Djali kishte marrë me vete edhe nusen për ta njohur me prindërit e tij, por dhe me vendlindjen. Ditën e dytë të mbërritjes, ai e mori anglezen dhe e nxori në shëtitje për ta njohur me kryeqytetin. E çoi në institucione të kultit, muzeume dhe parqe. Shkuan dhe në një kafe te Blloku. Nusja angleze e kishte qortuar:
- Ç’na solle këtu te rruga e prostitutave, more Beni!
- Jo, - ishte përpjekur ta sqaronte djali. Nuk është rrugë e prostitutave, po vajzat në Shqipëri kështu vishen.
Anglezja kishte shprehur habi. Këtë ua kishte thënë dhe prindërve të djalit. Ata i kishin dhënë të drejtë, por duke ulur kokën, pasi bëhej fjalë për vajza shqiptare.
Të njëjtin opinion kishin shprehur dhe dy gazetarë anglezë, të cilët shkruanin në një të përditshme të tyre se “..në Tiranë ndihej varfëria në çdo hap, por te “Blloku” shihje vajza të reja me minifunde, me kërthizë jashtë dhe taka shumë të larta… me veshje prostitutash, ndonëse thoshin se nuk ishin të tilla..”.
Edhe një gjermane, martuar me një djalë shqiptar nga Berati, ishte shprehur në të njëjtën mënyrë. Djali u kishte blerë prindërve një apartament pranë qendrës së Bllokut, pak metra tej vilës së Enver Hoxhës. Dhe e solli nusen aty, pasi në Berat jetonin në një apartament të vjetër, rrethuar nga mjedise jo fort komode dhe ndihej i fyer ta fuste në ato ambiente.
- Bobo!, - kishte shprehur habinë vajza gjermane. E paske shtëpinë te rruga e prostitutave!...
Sqarimet e djemve tanë nuk kanë mundur të largojnë nga mendja e nuseve të tyre shijen e hidhur që u lanë veshjet e vajzave tona. A nuk është kjo një fatkeqësi? Tërë këto vajza të bukura dhe të mira, zhvishen kaq shumë duke mos lënë asgjë të fshehtë për atë që duhet ta kenë bukurinë. Hiret e trupit nuk duhet të ekspozohen tërësisht në rrugë. Por kjo pamje vërehet edhe në shkolla. 
Shkollat tona nuk respektojnë as normat më elementare të disiplinës. Të paktën të disiplinës së veshjes. Nuk duhet të pranohen në shkollë vajzat me minifunde apo me pjesën e kërthizës së zbuluar. Qoftë edhe në Fakultete të Universitetit. Shkolla është institucion edukimi. Madje do të ishte shumë mirë të vendosej me detyrim uniforma në të gjitha shkollat. Kështu veprohet në të gjithë botën. Ministria e Arsimit dhe Shkencës do të bënte mirë që propozimet e deritanishme për pranimin e nxënësve vetëm me uniformë t’i kthejë në rregull, në detyrim. Uniforma shmang dhe efektet psikologjike të diferencës së veshjes midis një nxënësi nga familje e pasur me një tjetër nga familje e varfër, shmang veshjet ekstravagante, rrit cilësinë e mësimit. Me uniformë dhe mësuesit nuk i shkon syri te kërthiza e nxënëses apo studentes, por dhe nxënësit midis tyre përqendrohen më tepër në mësim. Uniforma do të shmangte dhe “sherret” midis prindërve dhe fëmijëve për mënyrën dhe llojin e veshjeve.
- Kam filluar sherrin me vajzën, - më thoshte një shok i vjetër. Është nxënëse shumë e mirë. Merr vetëm dhjeta. Të paktën deri tani. Sa ishte e vogël na bindej. Ndonëse me pak presion dhe me pak bindje, ruante veshje normale. Tani i ulëret nënës së vet. “Më tallin shoqet me këtë veshje. Më thonë fshatare”, - ankohet vajza.
- Është turp, - i thashë një ditë. Në shkollë nuk shkohet kështu. Nuk është mirë në radhë të parë për ty se je vajzë dhe një vajzë e mirë ruan seriozitetin edhe në veshje.
- Po more babi, të kuptoj. Dhe në fakt as unë nuk kam qejf të vishem kështu. Po hajde në shkollë dhe do të shohësh si janë veshur shoqet e mia. Më vjen turp se të gjithë më shohin mua. Madje dhe më ngacmojnë. Kur je ndryshe nga të tjerët tërheq vëmendjen.
Nuk dija çfarë t’i thosha. Fola me drejtoreshën e shkollës dhe ajo më tha se i kemi qortuar dhe se u kemi thënë të vijnë të veshura me pantallona të paktën. Sa për zbulimin e belit, duhet të punojnë gjithë familjet pasi kjo mënyrë veshjeje është kthyer në një epidemi, gati është bërë rregull.
 
Nusen time nuk e lë kurrë të vishet kështu

Ngacmova qëllimisht një djalë përmetar. Ka kryer masterin në fushën e Shkencave Sociale dhe para pak kohësh bëri fejesën. E njoh dhe vajzën me të cilën ai është fejuar. Një studente e shkëlqyer në mësime, por që edhe ajo vishej si gjithë vajzat e tjera, ose gati si ato. E ruajti atë veshje dhe pak ditë pas njohjes me Ladin. Tani e shoh me veshje tjetër. Ndaj një ditë i takova të dy dhe e pyeta Ladin, duke qeshur:
- Pse nuk e lejon Dianën të vishet si shoqet. Më duket sikur e ke ngrirë fare në veshje.
- Kështu vishem vet, - nxitoi të thoshte Diana.
- E ke gabim, - ma ktheu Ladi seriozisht. Ajo është veshje normale. Unë kam qenë në disa vende të botës dhe nuk kam parë në rrugë vajza me veshje si te ne. Një ditë shoqëroja disa amerikane dhe më erdhi turp kur më tha: Shqipëria ka vajza shumë të bukura, por i shëmton zhveshja.
- Të them sinqerisht që nuk më pëlqen të vishem ashtu, shtoi Diana. Nuk më detyron Ladi. Më vjen mirë që dhe Ladi ishte i këtij mendimi. Tani kam dhe arsye dhe shoqet pajtohen me qëndrimin tim. “Kur te fejohemi edhe ne do të vishemi serioze”,- thonë duke qeshur.
- Ti mendon seriozisht se kjo veshje e vajzave është vetëm te ne, jo te fqinjët, - e pyeta sërish unë.
- Tek ne është shumë e theksuar. Shko në Greqi apo Itali dhe do të shohësh se vajzat nuk janë kaq të zhveshura. Kudo gjen të tilla, po te ne është masive. Madje sheh vajza me minifunde aq të shkurtër sa mund të shihen lehtësisht dhe të brendshmet. Bëhet fjalë për vajza të vogla, gjimnaziste, jo prostituta. Natyrisht, prostitutat kanë vende të caktuara dhe ato mbajnë veshje seksi, gati si të vajzave tona.
- Sidoqoftë, djemve u pëlqejnë veshje të tilla, ndaj dhe ato vishen kështu, - e ngacmova sërish.
- Kjo është relative. U pëlqejnë për seks. Por nëse vjen fjala për të lidhur jetën me një vajzë, askush nuk e sheh dot kaq të zhveshur. Unë kam shumë shok, të cilët kur ka qenë fjala për lidhje serioze, i kanë kërkuar të fejuarës seriozitet duke filluar nga veshja. Këtë e dinë dhe vet vajzat. Unë për vete nuk do ta lejoja kurrë nusen time me veshje ekstravagante. Të njëjtën gjë do të bëja edhe me motrën apo vajzën.

Ty nuk ta varin djemtë, ndaj ankohesh

Po të jesh e ndershme, përballesh me sulmin e shoqeve që e kanë kthyer në rit të zakonshëm seksin. Në qytetin “Studenti” vërehet një shthurje në atë masë sa të vjen turp të thuash “jam studente”. Na duket sikur e dinë të gjithë se çfarë bëhet në atë që ne e quajmë qytet “Studenti”. Sidomos vajzat e ardhura nga rrethet e përjetojnë më shumë këtë katrahurë. Ka vajza që mendojnë se në Tiranë, të dashurosh e bësh seks, është vetëm një eksperiencë dhe asgjë më shumë. Të tjera bëjnë seks në këmbim të ndonjë shpërblimi, pra për nevoja ekonomike. Ka prej tyre që e shohin si një gjë të zakonshme, si një “lojë” midis shokësh. “Bashkëjetojnë” djem dhe vajza bashkë. Hyjnë në godinën e vajzave shumë djem. Mjafton të jetë marrë vesh me vajzën dhe t’i japin rojës 100 a 200 lekë nën dorë dhe djemtë mund të ngjiten në cilin kat të duan.
- Ka raste,- tregon një studente, kur përballemi edhe në banjë me djem të panjohur. Dhe nuk mund të hapësh gojën, pasi nuk dihet ç’të gjen. Shoqja fut të dashurin në dhomë pa pyetur fare për shoqen e saj. E njëjta studente vijon: Ka pasur shumë raste kur shkoja në dhomë dhe nuk mund të hyja brenda, pasi dera ishte e mbyllur, për shkak se shoqja kishte futur të dashurin në dhomën tonë. Kam protestuar disa herë, por dy shoqet e mia bëhen bashkë dhe më mbysin me fjalë pa kuptim.
- “Ankohesh se nuk ke të dashur. Nuk ta kemi ne fajin pse s’ta varin djemtë ty”, - më thonë. Sipas tyre, nëse nuk ke të dashur, je jashtë mode, je fshatare a provinciale. Dashnori dhe cigarja shihen si elementë të civilizimit.
- Pse nuk i diskutoni këto fenomene edhe me drejtorinë e qytetit “Studenti”?
- Drejtoria i di, por hesht. Po t’u shtrosh probleme të tilla, ata të thonë: Dakord, na jep ndonjë emër konkret. Dhe po dhe emrin e djalit që hyn apo të vajzës që e sjell brenda, personi e merr vesh menjëherë, pasi ata nuk mbajnë konspiracion. “Nuk kemi ç’të bëjmë, - i thonë djalit që shkel rregullat duke hyrë në godinë. Është ankuar x vajzë”.
Kjo më ka detyruar të ndërroj dhomë dy herë. Nëse doni ta vërtetoni sa qëndron një fakt i tillë, shkoni një ditë me organet kompetente dhe bllokoni hyrjen e godinës. Pas kësaj, bëni kontroll dhe keni për të parë që do të shokoheni nga pamjet që do t’u dalin përpara.

Në motel, një ballafaqim me një skenë të dhimbshme
 
Por ka edhe më keq.
- Më ftoi një shok për drekë, - më tregonte disa muaj më parë një i njohur, nëpunës në një institucion. Shoku im kishte ditëlindjen. Në mbrëmje do të festonte familjarisht, ndaj mua dhe një shokun e vet, i cili ishte njëkohësisht dhe shoku im, na ftoi për drekë. Për një moment kaluam nëpër mend disa lokale, në të cilat mund të drekonim. Dhe morëm vendim për një lokal në zonën e Tiranës së Re. Kaluam shumë mirë. Lokali na serviri një verë të shijshme dhe gatimi për hir të së vërtetës nuk ishte i keq. Më në fund, dhe një pjatancë mikse me fruta. Ora po shkonte 16.30
Kamerieri e vuri re që ne u kënaqëm, por pyeti formalisht:
- U kënaqët apo jo?
- Po, iu përgjigjëm tërë entuziazëm.
- Dëshironi ndonjë gjë tjetër?
- Çfarë tjetër?, - i thamë gati njëzëri. Fruta na sollët dhuratë nga lokali, ëmbëlsira ishte pjesë urimit të shokut, aq sa u lamë dhe juve…
- Pas kësaj vere nuk do të ishte keq dhe ndonjë vajzë, - ndërhyri djali fare pa droje. Kemi vajza shumë të ëmbla, - shtoi me zë të ulët kamerieri, duke iu drejtuar shokut të ditëlindjes me të cilin komunikonte për çdo porosi.
- Ku t’i gjejmë vajzat, pa mirë thua ti, – tha kolegu me të qeshur.
- Unë po u pyes a doni?,- përsëriti kamerieri.
- Jo, në asnjë mënyrë, - thash prerë unë. Nuk merremi me budallallëqe ne.
- Hë mo dhe ti, - ma ktheu shoku. Na vdiqe me këtë seriozitet. Sikur po mashtrojmë ndonjë vajzë, epo hajde. Ato kanë ardhur vet me dëshirë kundrejt interesit të tyre, nuk i sollëm ne.
- Nuk është ndonjë qamet, njëmijë lekë kërkojnë, - vijoi kamerieri çapkën. Njëmijë lekë për një vajzë të njomë i jap edhe unë që marr 20 mijë lekë rrogë dhe jo ju.
- Dakord, - tha shoku i ditëlindjes. Po ua paguaj unë edhe minutat e qejfit. Dhe instinktivisht ngjitëm shkallët e brendshme. Na printe kamerieri.
-Këto janë tri dhomat tuaja, - tha ai duke na i treguar me gisht. Janë të tria njëlloj. Vajzat janë brenda dhe të tria janë si yje. Nuk ka nevojë të zgjidhni.
Hymë secili në një prej dhomave. Kur ç’të shoh. Para meje u shfaq gjysmë e zhveshur nusja e vëllait. Kishte 6 muaj nuse në familjen tonë. Zura fytyrën me duar dhe më vinte të ulërija.
- Si është e mundur?, - belbëzova si i zënë në faj.
- Shëëët! Të dy njëlloj jemi, - më tha kunata, ndaj mbylle gojën.
Nuk mund të qëndroja më. As mund të flisja dhe as ta shihja në sy. Hapa derën dhe dola jashtë. Ajo lëshoi një “kujdes!” dhe mbylli derën.Kam kohë që më mundon kjo ngjarje. Mallkoj veten për atë ditë. Nuk di ç’të bëj, t’i them vëllait apo jo? Se në një farë mase, edhe unë kam kryer një veprim të pamoralshëm.
Kjo ishte ngjarja. Natyrisht, e rrallë. Por brenda saj ka një mesazh, ndonëse të hidhur. Meshkujt flirtojnë me femra. Ato mund të jenë vajza beqare, por mund të jenë dhe nuse. Mund të jetë vajza tënde, por mund të jetë dhe kunata, diku pse jo dhe gruaja. Kështu bëjnë në telenovela. Gratë shohin dhe kopjojnë. Hapni gazetën “Intervista”, por dhe të tjera dhe do të lexoni. “Jam një mami 34 vjeçe. Kërkoj lidhje me një djalë të pamartuar, nga 20 në 35 vjeç, të jetë i pashëm, seksi dhe të dijë të ruaj sekretin”. Kështu shkruan mami. Më tej lexojmë: “Jam djalë energjik, 25 vjeç. Kërkoj të kem një lidhje dashurore me një mami në moshën 25 deri në 35 vjeç. Të jetë e mirë, me ekonomi dhe të dijë të ruaj të fshehtat e dashurisë”. “Jam një mami e pashme, me trup të derdhur, kam makinë dhe dua të kem një lidhje me një djalë energjik që di të ruaj sekretin.…”.

Secili di ta ndërtojë vet jetën, nuk duhet ndërhyrë në intimitete

Hasim shpesh shprehjen: “Secili e ndërton vet jetën si e mendon. Nuk duhet ndërhyrë në intimitete”. Mirë, ashtu është, por kur këto intimitete sjellin shqetësime të tjera në shoqëri, duhet parë mundësia e kufizimit të tyre, pasi diku cënohen dhe interesa të të tjerëve. Vërtet secili ka jetën e vet, por kjo jetë ndikon dhe ndikohet nga jeta e atyre me të cilët bashkëjeton, që të lidhin interesa shpirtërore e morale, por dhe ekonomike e sociale. Shoqëria njerëzore dallon nga jeta e pyllit, pikërisht për disa norma dhe rregulla të cilat duhen zbatuar, në të kundërt amullia del nga kontrolli.
Më lart folëm për disa njoftime në gazeta të cilat shërbejnë për të krijuar lidhje jashtëmartesore. Bëjmë lidhje të tilla dhe nuk e vrasim mendjen se çfarë bëjmë. Në to vërehet se si 40-vjeçarë dhe 40 vjeçare sillen si adoleshentë. “Një jetë kemi”, thonë si pa të keq. Duhet ta jetojmë. Kështu, tradhtitë bashkëshortore kanë marrë rrugët. Divorcet janë shtuar. Në këtë situatë të krijuar nuk mund të themi se “secili ka jetën e vet”, pasi për shkak të ngacmimeve seksuale, të tradhtive bashkëshortore, ndërhyjmë si padashur në jetën e tjetrit. Kjo ka bërë që krimi në familje të rritet dukshëm. Shumë vajza mbeten të vetmuara me fëmijën, produkt i bashkëjetesës dhe mbart mbi supe një barrë të rëndë. Jo vetëm barrë morale, por edhe sociale e ekonomike.
Gjetkë divorcet janë shumë më të shtuara, - thotë dikush dhe të përmend SHBA-të, Holandën, Francën e ndonjë vend tjetër. Vërtet ka vende të zhvilluara që kanë nivel të lartë të divorceve krahasuar me ne, por plagët sociale që krijohen në këto vende janë më pak të ndjeshme. Kjo sepse niveli ekonomik i tyre është i madh. Nuk duhet harruar se ekonomia është përcaktuese. Por edhe në këto vende, si p.sh në SHBA, studiuesit e sociologjisë dhe psikologjisë kanë dhënë sinjalin e alarmit për mangësitë në zhvillimin mendor dhe social të fëmijëve që rriten me mungesën e një prindi, e cila shoqërohet me mungesën e dashurisë prindërore dhe kujdesit të tyre në të gjitha aspektet e jetës. Këtu nuk bëhet fjalë për të mbajtur të lidhur familjen me dhunë, port ë shpëtojmë nga prishja e kësaj çerdheje atë që mund të ruhet.
Gati 13 vjet më parë, kur punoja si emigrant në Greqi, pyeta pronarin se ç’i duheshin tërë ato ndërtime, kur kishte vetëm dy fëmijë. Jorgo m’u përgjigj:
- Dua që secili prej fëmijëve të ketë shtëpinë e vet, tokën e vet, dyqanin e vet.
- Mirë djali, - ia ktheva, po vajza që do të martohet, përse i duhen këto?
- I duhen, i duhen, - shtoi ai. I duhen se mund t’i godasë një fat i keq dhe po të mos ketë prona, atëherë do të detyrohet të jetë rob i burrit. Kur i ka mundësitë ekonomike, i thotë shih punën tënde se unë do të kthehem sërish në shtëpinë time. Pas kësaj sheh mundësinë e krijimit të një lidhjeje të re.
M’u kujtua kjo thënie e Jorgo Krifos nga qyteti i Pilosit, në fund të Peloponezit, i cili duhet të ishte me origjinë arvanitase, pasi sillej mjaft ngrohtë me ne. M’u kujtua ky dialog me të, kur bisedoja me një mikun tim, i cili ishte mjaft i shqetësuar. Vajza e tij kishte mbaruar një fakultet dhe punonte në një firmë private në Tiranë. Bashkëjetonte me një djalë, njëlloj si perëndimorët. Disa i shihnin me zili, disa me sy kritikë, pasi kjo formë e re martese a paramartese që emërtohet “bashkëjetesë” ishte pak e njohur për ne. Po ata bashkëjetonin dhe ndiheshin të lumtur. Madje dhe u këshillonin të tjerëve lidhje të kësaj natyre, pasi kështu njihesh më mirë me partnerin dhe familja bëhet më e konsoliduar. Mirëpo, pas 5 viteve kjo bashkëjetesë u trondit dhe ata nuk bashkëjetuan më. Më e keqja qëndronte në faktin se vajza ishte bërë me fëmijë dhe partneri i saj kishte shkuar përtej kufijve pa lënë asnjë adresë. Vet nuk kishte as shtëpi dhe as punë, pasi duke qenë me fëmijë të vogël, firma private mori një tjetër që nuk kishte preokupacione.
Vajza u vu para dilemës. Ta linte fëmijën për ta birësuar ndonjë më i aftë se ajo, apo t’i bënte ballë vet. Duket se dashuria për të voglin ishte rritur, pasi kishte disa muaj që bashkëjetonin nënë e bir, ndaj e çoi fëmijën te prindërit. Nëna e saj e kishte paralajmëruar për rrezikun e bashkëjetesës. Madje e kishte kërcënuar se po t’i ndodhte ndonjë gjë e keqe, ndonjë prishje e lidhjes me djalin që donte, shtëpinë e tyre nuk do ta shihte me sy. Edhe pasi ndodhi, rreth dy muaj, nuk e pranonte vajzën në shtëpi. Por më në fund e pranoi vajzën dhe fëmijën. I ati tregonte se i kishte mbyllur sy, gojë e duar me atë fëmijë.
Mbase kjo bashkëjetesë e dështuar nuk do të përjetohej kaq dhimbshëm nëse vajza do të kishte një shtëpi të vetën dhe ca para mënjanë për të ushqyer fëmijën apo paguar një dado. Raste të tilla dimë të gjithë. Kemi dëgjuar për braktisje të fëmijëve në maternitete. Për fëmijë të gjetur në koshin e plehrave apo të tjerë në lulishte. Çfarë s’kemi dëgjuar!
Ky është një rast që përjeton mundim e dhimbje të lehtë shpirtërore. Po kemi dhe raste të tjera kur djalin e kanë vrarë, pasi u ka turpëruar vajzën. Kemi raste kur vajza është vrarë për shkak se djali ka dyshuar për lidhje jashtëmartesore apo ka qenë xheloz i lindur dhe ka ushqyer tragjedinë. Ka lloj-lloj rastesh të dhimbshme. Dhe kur jemi përballë ngjarjeve të tilla nuk mund të themi që “secili ka jetën e tij”, por duhet të ndërhyjmë nga pak në këto jetë, për t’i kanalizuar si duhet, për të shmangur tragjeditë.

Divorcet tronditin shoqërinë

Në Tiranë bëhen rreth 4 zgjidhje martese në ditë. Janë shtuar shumë çiftet që bashkëjetojnë dhe jo pak ato që kanë ndërprerë lidhjet duke pasur dhe fëmijë me vete. Dhe ndër shkaqet kryesore, krahas problemeve ekonomike, janë ato të tradhtisë bashkëshortore. Duket sikur po shkojmë drejt dëmtimit të dukshëm të vlerave njerëzore. Jemi përballë një krize për shkatërrimin e qelizës së shoqërisë, pra familjes. Shoqëria po shkatërrohet. E keqja është se nuk po bëhet asgjë për përmirësimin e kësaj gjendjeje.
Statistikat e Gjykatës së Tiranës tregojnë se vetëm për gjashtë muajt e parë të këtij viti, në duart e gjyqtarëve u kaluan plot 700 çështje të tilla, ose afërsisht katër çështje të reja për çdo ditë. Një numër që nuk është parë historikisht në këtë gjykatë. Për rrjedhojë janë shtuar fëmijët e mbetur jetimë dhe jashtë kontrollit të dy prindërve. Në krahasim me një vit më parë kjo shifër ka ardhur duke u rritur. Nëse në vitin 2003, në duart e gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës ndodheshin dosjet për zgjidhje martese për 623 çifte, këtë vit, vetëm për gjashtë muajt e parë, në gjykatë ndodhet një shifër edhe më e lartë. Pra, divorcet janë dyfishuar. Gjykatësit e çështjeve familjare tregojnë se rrallëherë u kërkojnë palëve në gjyq të tregojnë arsyet, pasi një gjë të tillë nuk e parashikon ligji. Një fenomen që ndikon për keq në ndarjet, pasi procedura e pajtimit është formalizuar. Sipas njerëzve të ligjit, problemi kryesor që çon në divorc është niveli i ulët ekonomik në të cilin jetojnë kryeqytetasit, të cilët detyrohen të largohen në emigracion dhe të braktisin bashkëshorten dhe fëmijët e tyre. Këto probleme sjellin më pas grindje të vazhdueshme midis bashkëshortëve dhe pasoja të tjera, që i çojnë ata drejt divorcit të pashmangshëm.
Problemet kryesore që çojnë çiftet shqiptare drejt divorcit lindin prej mospërputhjes së karaktereve, e cila sipas tij mund të sjellë xhelozinë, ftohjen e përgjithshme të marrëdhënieve midis bashkëshortëve, stimulojnë një lidhje tjetër, grindjet e vazhdueshme në çift dhe deri te keqtrajtimi i gruas nga burri. Këto probleme lindin kryesisht në çiftet e lidhura pas viteve '90 dhe më rrallë haset në çiftet që janë lidhur para ndërrimit të sistemit.
Rastet e divorceve po shtohen dhe në rrethe. Madje duke i parë në raport me popullsinë, përballemi me të njëjtën tablo si në Tiranë. Koha e gjatë e qëndrimit në emigracion ka bërë që midis çifteve krijohen ftohje bashkëshortore dhe më pas “çarjet” përfundojnë në divorce. Papunësia dhe varfëria si produkt i saj ka sjellë jo vetëm divorce në mes të çifteve por edhe raste më ekstreme ku njëri prej bashkëshortëve në pamundësi për të përballuar gjendjen e vështirë ekonomike e psikologjike shkaktojnë tragjedi familjare. Ka pasur shumë raste kur njëri nga bashkëshortët ka tentuar t’i jap fund jetës, diku duke përdorur lëndë helmuese, gjetkë me varje në litar, mbytje në lum, det a ujëmbledhës. Vitin e kaluar numërohen më shumë se 137 raste në gjithë vendin. Vetëm në Berat, për vitin e kaluar janë regjistruar 39 raste, duke bërë që fëmijëve t’u mungojë përjetë njëri nga prindërit. Pjesa më e madhe e çifteve që kërkojnë divorcin janë me nivel të ulët arsimor. Në Durrës numri i rasteve që janë paraqitur në gjykatë për “zgjidhje martese” gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti ka qenë 102. Në Berat, gjatë vitit të kaluar numri i çështjeve të gjykuara në gjykatën e faktit për “zgjidhje martese” ka qenë 118, nga të cilët 78 i përkasin qytetit dhe 40 çifteve me banim në fshat. Për 6-mujorin e parë të vitit 2007, rezulton se nga 189 çështje të regjistruara për divorc në gjykatën e faktit të këtij rrethi, vetëm 12 % e tyre janë zgjidhur me pajtim. Duket se shkaku kryesor i divorceve është varfëria, dhe xhelozia që lind mes çifteve që hera - herës shkon deri në vrasjen e njërit prej bashkëshortëve. Ka pranë burri gruan dhe gruaja burrin diku me pushkë dhe gjetkë me sëpatë. Janë mbi 74 raste të tilla për vitin e kaluar, kur vetëm Berati regjistron 5 vrasjes brenda çiftit bashkëshortor.

HIV/AIDS rrëmben jetë njerëzish

Sipas studimit më të fundit të Institutit të Shëndetit Publik, lidhur me sjelljet e rrezikshme tek adoleshentët ka rezultuar se 1 në 6 gjimnazistë ka një jetë aktive seksuale. 20 % e tyre kanë pranuar se gjatë shkollës së mesme kanë pasur më shumë se dy të dashur. 5 për qind e vajzave pranojnë se e kanë filluar aktivitetin seksual në 8-vjeçare, 15% tregojnë se kanë kryer marrëdhënie seksuale për herë të parë në vitin e parë të shkollës së mesme, ndërsa rreth 30% thonë se kjo gjë ka ndodhur në vitin e fundit të gjimnazit. Shumica e të rinjve kryejnë marrëdhënie pa mbrojtje, për pasojë numri i rasteve të shtatzënisë në moshat e reja është rritur. Gati 50 për qind e aborteve bëhen nga vajzat nën moshën 24 vjeçe dhe 35 për qind e këtyre aborteve u takojnë adoleshenteve. Askush nuk mund të thotë saktë numrin e aborteve, pasi nuk mbahen evidenca. Ato nuk kryhen në maternitete, por në të shumtin e rasteve në klinika private, kundrejt shumave që luhaten nga 15 deri në 40 mijë lekë të reja, sipas rastit dhe moshës së shtatzënisë. Shpeshtësia e aborteve në këtë moshë mund të bëhet shkas edhe për humbjen e të drejtës riprodhuese për femrat, pa folur pastaj për rrezikun që mbartin sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
Krahas rrezikut që mbart për degjenerimin e shoqërisë prostitucioni i pakontrolluar po përhap me ritme të shpejta sëmundjen e rrezikshme të SIDËS. Të paktën 20 persona janë prekur në Shqipëri nga sëmundja e HIV/AIDS gjatë gjashtëmujorit të parë të 2007, mes të cilëve është dhe një fëmijë nën 5 vjeç. Të prekurit kryesisht mendohet ta kenë marrë virusin në rrugë seksuale, ndërsa rasti i evidentimit të fëmijës ka të bëjë me transmetimin e sëmundjes përmes nënës mbartëse të HIV/AIDS. Të dhënat zyrtare tregojnë se 20 rastet e reja të evidentuara, i përkasin moshave nga 25 deri në 45 vjeç. Nëse më parë sëmundja kishte tendencë të eksportohej, gjatë pesë viteve të fundit, vihet re qarkullimi i virusit brenda Shqipërisë. Nga 231 të infektuar deri tani, 95 prej tyre e kanë marrë sëmundjen brenda vendit. Fakti që po shtohen rastet me HIV/AIDS te femrat dhe një pjesë e mirë e rasteve diagnostikohen në çift, flet për një qarkullim të brendshëm të këtij virusi. Nuk duhet të harrojmë se këto shifra nuk janë reale. Ka shumë të sëmurë që nuk i janë nënshtruar kontrollit mjekësor dhe për pasojë nuk janë diagnostikuar. Pak vite më parë një vajzë e infektuar pranoi se ka bërë marrëdhënie me shumë djem, me idenë e sëmurë se përderisa do të vdiste ajo, le të shuhej bota. “Doja që të përhapej sa më shumë infeksioni”, deklaroi ajo. Rritja e numrit të prekurve po rrit njëkohësisht dhe rrezikun e përhapjes së HIV/AIDS me anë të transfuzionit të gjakut, siç ishte rasti i pak ditëve më parë, pa përmendur këtu mundësinë e përhapjes së virusit me anë të shiringave të drogës apo ndërhyrjeve dentare kur nuk respektohen rregullat teknike.
Duket qartë se njohuritë për sëmundjen e SIDA-s në vendin tonë janë të larta, por niveli i ndërgjegjësimit mbetet ende i ulët. Numri i testimeve vullnetare për këtë vit, deri muajin e kaluar ka qenë 140 nga 1000 testime të kryera gjithsej, gjë që flet për një rritje të ndjeshme, por niveli i ndërgjegjësimit për këshillimin vazhdon të jetë i ulët.