E enjte, 25.04.2024, 08:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Mihai Antonescu: Zjarre dhe kambana

E diele, 06.12.2009, 08:32 PM


Qasje kritike për vlerat lirike të një poeti shqiptar


ZJARRE DHE KAMBANA


(Nuri Plaku, Lacrima lunii-Loti i hënës, Bukuresht, 2009)


Nga Mihai Antonescu


Me kalimin e kohës, dheu zhvendoset mbi njerëzit, duke i bindur ta dëgjojnë zërin e tij në heshtje. Ndërsa e presin këtë kohë, sa të zgjohet nga topitja e saj nën lule, ata pëshpërisin lutje të pafundme, të cilat askush dhe asnjëherë nuk i ka shkruar për lumturimin e syrit,  por vetëm për t’i “shijuar” ato të kthyera në murmurimë. Janë  lutje, nëpërmjet të cilave, qenja jonë, e drejton lotin kah tingulli, për ta ruajtur atë brenda tij, ashtu si një kambanë, ruan gjurmën e dorës së kishtarit, si peng malli për kumbim të pafundëm. Kështu ndodh edhe me poezinë e Nuri Plakut. Ajo të lë gjurmë në shpirt, si pengje rileximi.

          Me këtë poet, kam patur rastin të takohem nëpër gazeta, revista dhe antologji. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje te poezia e tij është ndjeshmëria e saj e lartë, por që unë ende, nuk arrija ta skalisja dot me fjalë.  Zë i shquar në lirikën bashkëkohore shqipe, i përmendur edhe nga komentatorë të tjerë të veprës së tij, në të gjitha kronikat e arritura deri te unë, Nuri Plaku lëviz në shprehje dhe ngjyra, me zhdërvjelltësinë e një mjellme në ujërat e kristalta të rrjedhës, duke projektuar deri në thellësitë e tyre, hijen dhe dukjen e saj elegante: “Vështroj një lindje të largët/ Brenda një perëndimi të ri./ Dhe kërkoj/ Një degëz të çelur trëndafili,/ T’i bie/ Kambanës së rëndë të mugut,/ Që ende e fjetur,/ Para meje rri./ (Kambana e fjetur). Poeti mbështetet mbi tinguj në të njëjtën mënyrë siç mbështetet edhe nata, mbi supin e yjeve, duke i mbështjellë ata me fërgëllimën e saj shpirtërore, për t’i bërë, dëshmitarë të lindjes së mallit, si gjurmë e një fotografije të çastit: “Do të shkoj/ Te kisha e vjetër e fshatit,/ Ta var emrin tënd/ Në gjuhëzën e vogël të kambanës./ Kur tingujt të rrahin/ Mbrëmjen e kaltër,/ Të çahet hëna/ Xheloze për ty./ Nga çarjet e saj/ Të rrjedhë/ Pikë, pikë/ Djersa e Kuazimodos së ri.”/(Kuazimodo)

          Duke e lexuar Nuri Plakun në vëllimin “Loti i hënës”, botuar në bashkëpunim me Bashkësinë Kulturore të Shqiptarëve të Rumanisë, në përkthim të Baki Ymeri, poet që e ka prurë Zoti nga Dardania historike në trojet e gjuhës rumune, nuk dua të radhis vlerësime, thjesht, për ta inkuadruar atë në ndonjë vend të veçantë, krahas sivëllezërve të vet. Por mua, më mbetet në mend timbri, respektivisht tingulli i thellë i tërësisë së lëndës së tij poetike, mbushur plot me kuptime, plot me zhuritje malli dhe plot me fëshfërima të heshtura shpirtërore: “Sot do të bëhem kishë!/ Në vend të qirinjve/ Do të djeg brenda vetes/ Degët e vrara të ullinjve./ E diela do të bëhet kukuvajkë/ E do të këndojë/ Mbi trungjet e mbetura në korie.” (Ullinjtë e vrarë). Apo: “Më ikin përditë pjesë nga vetja./ Vijnë e m’i marrin dy engjëj të bardhë,/ Vijnë të heshtur e ikin të heshtur,/ Sikur mbartin mbi vete,/ Një Krisht të vrarë.” (Ikjet e bukura).

Nëpërmjet emocionit që trasmeton fjala e tij dhe shtresimeve të saj të shumfishta, poeti mobilizon përkufizimet e dhuntisë me një mendim joshës, që nuk mund ta konsumojë substancën veçse, mbi djegje dhe tingull, mbi zjarre dhe këmbana. Ajo që më impresionon më shumë në këto poema, është mënyra me të cilën, Nuri Plaku, di ta dëgjojë tingullin, ta interpretojë dhe ta transmetojë atë tek lexuesi, me mjeshtri artistike, në rendin e tij, edhe përtejë fjalëve: “Kërkoj një adresë të kaltër ikjesh/ Fshehur nën krahët e zogjve,/ Të më çojë/ Në një shtrat të zjarrtë vetëtimash./ Do të shqyej brinjën time nga trupi/ Ta mbjell atje,/ Të mbijë prej saj/ Një bisk i bukur gruaje./ E do të pres,/ I përgjëruar mbi të,/ Deri sa të çeli/ Trëndafili i kuq/ I vdekjes sime.” (Brinja e mbjellë)

          Dashuria është motivi kryesor që zotëron në këtë vëllim, zambaku i përgjakur i këtyre poemave që zhuriten së bashku me zemrën e atij që i lind, në një hi fjalësh shpëtimtare për të arritur deri tek ne: “Do të vizatojmë/ Sërish e sërish/ Hieroglifet tona të pathëna/ Në hirin e fjetur të një vatre./ Pastaj do të na ndizen vetiu/ Dy zjarre të vegjël në buzë./ Tek zjarri im/ Do të ngrohesh ti./ Tek zjarri yt/ Do të ngrohem unë./ Veç përmidis/ Do digjet një lumë.” (Gjëagjëza e puthjes). Poezia e Nuri Plakut është një poezi që lind poezi. Ajo, ka të njëjtin tingull për të gjithë, ashtu si dhe këmbanat. Por jo edhe të njëjtin kuptim. Kështu, syri dhe loti në heshtje murosen, për t’i dëgjuar përmes tyre avujt e nxehtë të gurit, që fshihen “Në dhera burrash të tretur”. Teksa “Plakat ruajnë, të lidhur/ Në cepat e shamive,/ Një grusht vajzërie të djegur.” (Gratë e plakura). P. S.: Mihai Antonescu është poet, eseist dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë. Reçensionin e shqipëroi nga rumanishtja: A. Voka

 

FURTUNA BLU

 

Poezia e Nuri Plakut dallon për prirjen elegante të një lirizmi meditativ. Animizimi i botës sendore, atmosferës, peisazheve të brendshme e të jashtme, krijojnë një harmoni psikospektive, një vështrim të kthjelltë të dukurisë së përshkënditur nga vetëdija artistike. Metafizika e përfytyrimit përcillet me detaje dhe metafora elegante, të pa rënduara, duke i hapur udhë gjendjes emocionale, të ngjashme me bojërat e freskëta në një telajo. Vetë korniza e poezisë së Nuri Plakut, synon të ngërthejë në vetvete lëndën e papeshë e të pezullt të materies poetike, të ngjashme me konturet befasuese të muzgjeve dhe agimeve. Transparenca e kontrasteve të kësaj poezie e bën të dallueshëm objektin e përjetimit, duke i dhënë një aftësi magjike për të hyrë në lidhje referenciale me idetë. Botëra të tëra asociative tkurren dhe shpërthejnë prej një detaji të brishtë. Këto janë këllëfë mikroskopikë të mbarsur me makrobotëra, me kohën, historinë dhe hapësirat shtegëtare të përmasës së shpirtit njerëzor, i cili gjendet në metamorfozë të përjetshme, në mahni e pikëllim të përjetshëm nga një stad embrional, gjer në një baticë magmatike të përbotshme. Nuri Plaku ka arritur me këtë libër të na lërë një sistem shenjash vetjake – vektorë që orientojnë shpirtin njerëzor midis kaosit të kohës, historisë dhe civilizimeve. Është një shenjë autentike në poezinë shqipe, e cila do të lërë gjurmën e saj në qelqet e bashkëkohësisë sonë, një ideogramë, një hieroglif tepër intim në peisazhin tonë poetik. (Agron Tufa)  

 

PESHA E FJALËS POET

 

Vjen një poet. Është fjalë me peshë të rëndë emri poet. Por Nuri Plaku e mban mbi supet e tij që me librin e parë. Ai nuk ka shpejtuar të botojë shpejt e shpejt libra me vjersha, që ta quanin të tjetët “poet”, pasi ia njihte peshën kësaj fjale. Dhe tani, si ai që stërvitet për të ngritur pesha, erdhi me librin e tij pas shumë fletoreve të shkruara me vargje, të grisura dhe të rishkruara. Ndaj para nesh del një poet i vërtetë me zërin e vet në poezi, sjell njerëzit dhe natyrën ku jeton, sjell buzëqeshjet dhe rënkimet e tyre në këtë shoqëri plot shpresa, dëshpërime dhe ankthe. i sjell përmes një figuracioni konkret me kontraste idesh dhe mendimesh, që në përplasje e sipër nxjerrin tinguj të papritur deri në paradoks. Dhe këta tinguj nuk vijnë nga libri prej letre, por nga libri prej bari dhe dheu, nga libri i natyrës, që lexohet pa syze. Mik i një poeti tjetër me origjinalitet të veçantë i njohur me emrin Sherif BALI, ai kërkon me këmbëngulje të formojë dhe të përsosë fytyrën e tij për t’u thënë njerëzve: “jam unë”. Dhe këtë “unë” do ta gjeni: Çajeni mes për mes ulurimën time/ Si një boçe pishe,/ Do të gjeni brenda teje/ Bërthamat e ngrohta të jetës/ Tek buisin/ Tek plasariten/ Tek mbijnë. (Dritëro Agolli, Fragment nga pasthënia e vëllimit të parë poetik të Nuri Plakut, “Brezi i humbur”, Tiranë, 1999)  

 

JETA DHE KUJTESA POETIKE SI RIKRIJIM I SAJ

 

Lirika është poezia e poezisë, është intimiteti dhe delikatesa, shpirtëzimi i paskajshëm i botës, është vetëdija e krijimit dhe afirmimit të personalitetit. Të duket si një paradoks, por poezia moderne e vërtetë mund të jetë e tillë kryesisht nga lirika. Formalizmi modernist e ka shmangur lirikën nga graviteti qendror letrar duke krijuar shfaqjen e përjashtimit të poezisë nga vet poezia. Në botimet e sotme të rrëmujshme dhe hiperbolike ku epigonizmi me imitimin bëjnë kërdinë, shtegu i lirikës është i vetmi që krijon ndjesinë e hapësirave të mëdha kohore dhe gjeografike. Kështu lirika është provë për poezinë ashtu si e vërteta është e kundërta e alibisë. Pikërisht ky është shtegu që kalon lirshëm Nuri Plaku. Parabola e lirikave të këtij vëllimi është njëherazi konceptim real dhe refleks i estetikës së krijimit. Kjo duket tek motivet e trajtuara të cilat burojnë nga jeta dhe vijnë nëpërmjet kujtesës poetike si rikrijim i saj... Nga gjithë denduria e imazheve të ditës, nga intensiteti i ngjarjeve dhe i njerëzve protagonistë, në jetën e vet Nuri Plaku kërkon të shohë më qartë kuptimin, të perëndishmen e “mëkateve të bardha”, eufemizmën që përdor për vijën e dhimbjes që lë dashuria lundruese e ujrave të ëmbla apo kripësisë së deteve të paanë. Nuri Plaku bën një poezi të organizuar, ashtu si vet sintaksa është riorganizim i gjuhës. E ndjen që autori artikulon jetën për ta pasqyruar atë nëpërmjet një figuracioni konkret dhe funksional. Vargjet dhe madje edhe rimat kanë një liri të natyrshme të të shprehurit dhe një ngjizje të vetëdijshme të krijimit. Vetë libri është autografi më i mirë i Nuriut. Dhe ky sukses i merituar mua më gëzon sinqerisht. (Dr. Moikom Zeqo, 2008)

 

MENDIME DHE EMOCIONE  FISNIKE

                                                                               

Të kam lexuar herë pas here në shtyp, jo vetëm si një zë që vije nga anët tona, por sepse më tërhiqte poezia jote për vlerat e saj të mirëfillta. Nuk të bëj kompliment në qoftë se të them se nga brezat e rinj të krijuesve të Myzeqesë ti je poeti më përfaqësues dhe kjo s’ka si të mos më gëzoi e mos më bëjë të të përgëzoj për këtë kuotë në të cilën ke arritur me vargun tënd të bukur. Leximi i vëllimit ishte sa verifikim i mbresave të kaluara, aq dhe konsolidim i bindjes, se je poet i vërtetë. Dhe të jesh i tillë, s’është gjë e vogël e aq më tepër e zakonshme. Është pra përtej të zakonshmes, përtej faktit të rëndomtë, kur në kohën tonë, shkruajnë me mijra, por të pakët janë ata që ju këndon shpirti siç je ti. Këngët e tua janë të ndjera, të natyrshme, në të shumtën e rasteve të vetvetishme, pa poza, gurgullima të një zemre të trazuar që e kthyer në fjalë, i përcjell lexuesit mendime dhe emocione fisnike. Ke një perceptim të freskët të botës, të njerëzve, të sendeve, një perceptim poetik të situatave, një përfytyrim me figura origjinale dhe here/herë befasuese. Uni yt lirik, që i kalon caqet e veta, bart një botë të pasur shpirtërore. Në rastin më të mirë poezia jote përshkohet nga dashuria, nga malli, nga nostalgjia që zakonisht t’i ndjell fëmijëria dhe rinia e parë. Është fusha e Myzeqesë, janë hapsirat e saj, sidomos ud hët, që i ke kthyer në leitmotiv, që e bëjnë poezinë tënde të ketë një sekret të gjallë jetësor. Ndoshta ky është djepi i vërtetë i poezisë sate, prej të cilit ti nuk duhet të lëvizësh, në udhën e gjatë të jetës që ke përpara Mosha ime është e prirur të japë këshilla, por nga gjithë sa lexova, kuptova se ti e ke fituar pjekurinë e vërtete të artit. (Prof. dr. Nasho Jorgaqi, 10 janar 2009)

 

BIBLIOGRAFI

 

Nuri Plaku njihet si poet, eseist dhe muzeograf. Është një ndër poetët e njohur të brezit të vet shqiptar. U lind më 10 dhjetor të vitit 1954 në Marinez të Fierit. Arsimin 8 vjeçar e kreu në fshatin e lindjes, atë të mesmin në gjimnazin e Patosit, për të kryer më vonë perfeksionimet profesionale në fushë të prodhimeve të naftës dhe gazit. Arsimin e lartë e kreu në Fakultetin e Shkencave Humane, në degët Gjuhë/ Letërsi Shqipe dhe Histori/Gjeografi, në Universitetin e Elbasanit. Ka punuar për një kohë të gjatë gjeolog në kantjeret e nxjerjes së naftës dhe gazit në Marinez, Cakran dhe Patos. Eshtë i martuar dhe ka 2 fëmijë. Nga viti 1981 jeton dhe krijon qytetin e Fierit, duke ushtruar profesionin specialist i pavjonit të historisë në Muzeun Historik të qytetit. Me krijimtari letrare është marrë që në bangat e shkollës së mesme. Eshtë prezantuar në organe të ndryshme të shtypit publicistik dhe letrar të kohës, si dhe në antologjinë poetike Tempulli i fjalës (Bukuresht, 2009). Bibliografi letrare: Brezi i humbur (poezi, Shtëpia Botuese Dritëro, Tiranë, 1999), Prangat e zogjve (poezi, Shtëpia Botuese Dritëro, Tiranë, 1999), Dhimbja e lisave (poezi, Shtëpia Botuese  Toena,  Tiranë, 2002), Kuajt mbretërorë (poemë për fëmijë, Shtëpia Botuese  GlobusR, Tiranë, 2003), Qyteti pa statuja (ese, Shtëpia Botuese GlobusR, Tiranë, 2004), Furtuna blu (poezi, Shtëpia Botuese GlobusR, Tiranë, 2006), Jaka prej bryme (poezi, Shtëpia Botuese GlobusR, Tiranë, 2008, Gjeometria poetike (studim për poezinë e Moikom Zeqos, Tiranë, 2009), Lacrima lunii/ Loti i hënës (vëllim bilingv, Bukuresht, 2009), Kujtesa e humbur (kritika dhe studime letrare, Tiranë, 2009).



(Vota: 5 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora