E enjte, 28.03.2024, 10:02 AM (GMT)

Kulturë

Shefqet Dibrani - Poezia e Sevdije Rexhepit (2)

E diele, 06.12.2009, 07:28 PM


IMAZH IMPRESIV I POEZISË LIRIKE

Sevdije Rexhepi “ORËT E MUNGESËS”, poezi, botoi “URA”, Gjilan 2004, faqe 104.

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Vetëm pak kohë pas librit të parë “Simfoni e heshtur”, dhe atij në gjuhën angleze “The Sounds of Waterfalls – Tinguj ujëvarash”, Sevdije Rexhepi ka botuar edhe librin e tretë me poezi “Orët e mungesës”. Ndonëse për ne që jemi larg atdheut, këto evenimente kulturore na bien hise pak me vonesë, përmbledhja poetike “Orët e mungesës” në masë të madhe i ka avancuar vlerat e poezisë së kësaj poeteje karshi librit të parë. Dhe kjo është mirë pasi Sevdije Rexhepi poezinë e shkruan më shumë si impresion, si ndjenjë dhe si përjetim personal. Ajo me kujdes i ka regjistruar mbresat e përditshmërisë si vrojtime, me syrin e një poeteshe që mëton përmes lirikave poetike të shprehë ndjenjën e saj. Po ashtu ka shprehur botëkuptimin filozofik me një imazh impresiv, si një lloj bashkëbisedimi siç e ndeshim te poezia “Deti i pafund”:

A thua

Sa tregime dashurish

Përkund në djepin tënd

Ti det i pafund.

Faqe 11.

Komunikimi figurativ për poezinë lirike është mjaftë esencial, kjo mënyrë  jo vetëm si vlerë estetike por edhe si meditim psiko-filozofik është mjaftë i rëndësishëm pasi shprehë një botëkuptim dhe një preokupim, por që është ilustruar me mjete sforcuese duke e bërë poezinë më me vlerë letrare. Sevdije Rexhepi zakonisht poezinë lirike e ndërton me mjete të thjeshta nga gjërat e rëndomta në përditshmërinë e saj. Kjo mënyrë kaq e thjesht e pa sforcime të shumta figurative ka krijuar një lirizëm të rrjedhshëm dhe të komunikueshëm.

 

NË SYTË E TU

Zgjuar si nga ankthi

Kthej kokën andej

Në sytë e tu të pushoj

Puthje të të fal

Në këtë agim

Edhe sot...

Kishe ikur ngadalë

Pa më trazuar

E dëshpëruar

Dorën zgjata tek jastëku yt

Kujtova çastet

Kur të shprishja flokun.

 

                                                Faqe 12.

 

Rëndomtësia e kësaj poezie, përkatësisht thjeshtësia e vargut të këtyre poezive, struktura dhe paraqitja organike sikur imponon një lloj vazhdimësie të krijimit poetik që autorja me mjaftë xhelozi e ka ruajtur nga libri pararendës. Gjithsesi verbi poetik dhe përgjithësisht poezia e Sevdijes nuk ka pësuar ndonjë modifikim, as ndonjë strukturalizëm, qoftë në ide e qoftë në përmbajtje, por një vëmendësim poetik, edhe në planin estetik sikur është më i pranishëm, dhe kjo ka bërë që në këtë libër të kemi një varg poezish mjaftë të realizuar, kurse një cikël i tërë ka një tematikë tjetër që nuk e kemi pasur te libri i parë. Ky lloj zhvillimi na shtynë për të besuar se kjo poete me këtë libër nis për të krijuar një lloj identiteti krijues, qoftë me stilin po me shumë me vlerat ideo estetike, si një krijim lirik që e dallon poezinë e saj.

 

NË PRISHTINË

 

Po të vish

Sërish në Prishtinë

Të premtoj

Se nuk do të pendohesh

Kur të shohësh

Si gëzon jeta

Ajo e vërteta

Me këto rreze dielli

Që koha fali

Zërat gumëzhijnë

Si hoje blete

Ëndrrat rriten kudo

Edhe në krahët e fluturës

Asaj më të bukurës

 

Nëse...

Vjen këtë stinë

Këtu në Prishtinë.

Veç kafes që do të pimë

Të premtoj dashurinë...

 

                                         Faqe 13.


Poezia që cituam është ndër krijimet më ta mira që gjenden jo vetëm brenda këtij libri por përgjithësisht njëra nga poezitë më të bukura që ka shkruar deri më tani Sevdije Rexhepi. Ky tip i poezisë me një dramë përplot jetë e gjallëri, i jep poezisë së saj kuptimin më lirik, kurse poetes epitetin e femrës që me afsh i krijon poezi qytetit në të cilin u shkollua dhe edukua ndër ditët më të zymta të historisë së tij. Sigurisht fryma kaq lirike që e përcjell këtë poezi lidhet drejtpërdrejt me vitet e para të çlirimit të Prishtinës, ku jeta kishte marrë hov, tamam siç e përshkruan ajo përplot gjallëri, me ëndrra për një të ardhme më të mirë. Kjo poezi do të mbetej si një klishe po sikur të mos mbyllej me ftesën “Eja në Prishtinë”, ku e tërë drama jetësore kurorëzohet me aktin më sublimë që shpreh poezia pa druajtje, pa frikë, e çliruar nga kompleksi, madje hapur e me bujari i ka premtuar njeriut që e fton edhe “dashurinë” si një akt sublim që justifikon ardhjen a shkuarjen në Prishtinë si kurorëzimi më fatlum i jetës dhe ardhmërisë.

Vëllimi me poezi “Orët e mungesës” është një libër që në shumicën e poezive shquhet për një përjetim të thellë, duke qitur në pah vlerën si tipar dominues të kësaj poezie e cila imponohet me mënyrën e ekspresionit dhe të përjetimit edhe te poezitë: “Kafe mëngjesi”, “Peng Dashurie”, “Humb(ik)je”, “Piano e heshtur”,”Akull”, “5+1”, “Lot i fshehur”, “Dhuratë e premtuar” e disa të tjera.

Poezia e Sevdije Rexhepit i përket tipit të poezisë urbane, (të pakten për problemet moderne që i shtjellon ajo?!), ku ka regjistruar momentet konfliktuoze të njohjes dhe braktisjes si pasojë e civilizimeve dhe trendit të ri qytetar, ku feshitizimet lokalizojnë veprimin e pakontrolluar në mes harmonisë dhe dashurisë reale si dy komponenta që formojnë botëkuptimin qytetar të familjes dhe shoqërisë në përgjithësi me të gjitha dëshpërimet e saj:

 

SA SHPEJT

 

Ike shpejt

Pa ardhur fare

Mbylle sytë

Pa më falë shikimin

Prita bardhësi

Më solle trishtimin

Pa fillim

Dhuratë më le mbarimin

 

Sa shpejt

Edhe unë të harrova.

 

                             Faqe 32.

 

Kur këto komponente fillojnë të dekompozohen, patjetër që do të zbehen marrëdhëniet si tipare klasike, si marrëdhënie të shprishura të shoqërisë a partnerëve në përgjithësi, e bashkë me këto edhe fenomenet e deformuara siç është ta zëmë divorci, jo vetëm si rezultat i koncepteve moderniste, por si një fenomen në rritje e sipër, ku dashuria shpejt mund të braktiset, prandaj mendojmë se as si element erotik më nuk e ka atë tiparin klasik të lidhjes së ngushtë shpirtërore, si akte normative të një lloj bashkëdyzimi në mes të aventurës moderne si akt dhe të braktisjes si një përplasje që shkakton dhembje e melankoli, ku gjejmë një shpërputhje si dekompozim i lidhjeve reale e të pandashme të asaj që e quajtëm tipar klasik. Këtë modalitet që shprehëm më parë po e ilustrojmë me dy strofat e poezisë “Peng dashurie” në të cilën pak a shumë shprehet një gjendje e zymtë e raporteve që kanë lënë peng dashurin:  “Kur nuk më je afër/ Gjithçka është larg/ Edhe ëndrra/ që ne thurim/ Netëve të bardha”, në rastin tjetër e gjejmë peshën e mungesës: “Pse...?/ pas çdo ikje/ më ik edhe imazhi yt/ Shpirti qetësohet pak/ Pastaj/ jam peng dashurie”, (faqe 16).

Ndonëse as në këtë libër elementi historik nuk shquhet si një modalitet specifik i poezisë së Sevdije Rexhepit, por ky tipar në këtë libër sforcohet më shumë si nënvetëdije e poezisë, si një mjet figurative përmes të të cilit zhvillohen proceset e tjera që janë pjesë e historisë siç dëshmojnë edhe këto vargje: “Do te vijnë gjithmonë/ I dhanë gjak/ Ne do t’i japim jetë/ E njomën këtë tokë/ Të lulëzoj/ Të tharë nga baroti/ Të rilindur përsëri/.../ Ndër shekuj/ Do të fluturojmë të lirë”, (faqe 45), ose vargjet: “Nëpër shekujt mëkatarë/ Askush s’mund ta shkulë/ Këtë trung/ Të vjetër sa bota vet”, (faqe 57).

Imazhi i këtyre vargjeve riprodhon realitetin lirik që bashkërendon me të gjitha zhvillimet e poezisë së sotme shqipe, si zhvillime perceptuese të atdhedashurisë apo si imazhe impresive të figurave njerëzore që kjo autore u ka kushtuar poezi, ta zëmë: “Për (pa) ty – Babokit”, “Fjalëbardha – Lokes”, “Ti zgjatje dorën” dhe poezia “Diell i dashurisë – Nënës Tereze”, “Luleborë e bukurisë – Zyrijes”,  etj.

Ndër poezitë më të mira brenda këtij tipi të poezive është poezia që ia kushton këngëtares kosovare Nexhmije Pagarushës, poezi kjo që mbërthen tërë dallgën emocionale të poetes e cila me mjaftë sukses ia del ta përjetëson në poezinë e saj “Mbretëreshën” e këngës kosovare Nexhmije Pagarushën:

 

MBRETËRESHË E KOSOVËS

(Nexhmije Pagarushës)

 

Bashkë me ty

Udhëtuam nëpër vite

Na freskove zemrat

Me këngët e tua mite

 

Ashtu si zbardhnin agimet

Lindnin meloditë

Vargjet mirrnin rrugën

Puthnin Prishtinën

Përqafonin Strugën

 

Me ushtimë tupanesh

Dasma fillonte

Zëri yt magjik

Shpirtrat e fjetur zgjonte

 

Seç ngacmoje

Poetin poeteshën

Kur me atë zë të ëmbël

Këndoje Bareshën

 

E madhërishmja Jonë

Motër e Teutës

Mbretëreshë e Kosovës

 

                                         Faqe 90.

 

Sido qoftë, Sevdije Rexhepi më shumë është vrojtuese e fenomeneve se sa objekt i këtyre imazheve. Kundrimi i imazhit nga distanca duke mos u bërë pjesë e procesit rrit produktivitetin e mendimit sa impresionist po aq edhe përjetues, kurse lirikave të saja u jep një dimension më të gjerë: “Malli që nuk matet/ As me ar/ E di/ Mysafiri juaj për çdo stinë/ Në dimër borën shkrin/ Në verë zemrën mërdhin/ Por ju jeni mërgimtarë/ Thesar i atdheut tim/ .../ Një fjalë e juaj/ Ngjallë një shpresë/ Vargjet që nga ju lindin/ Nuk e lënë shpresën të vdes/ Ju jeni lumturia vetë/ Keni dashuri sa një planet”, (faqe 97).

Poezia e Sevdijes ka shënuar trendë pozitive ngase edhe metafora ka një rritje qoftë si ndjeshmëri e qoftë si fikësion artistik, ku subjekti real bëhet si një figurë surrealiste duke sforcuar temën dhe stilin e kësaj poezie: “Nga taktet e zemrës/ Nëpër vija pentagramesh”, “Shpresa rri zgjuar/ Në ditët e heshtura”, “Më fal/ Nëse mundohem shumë/ Të marr pak shkëlqim/ Nga një yll i largët/ Që nuk fle/ E ta sjell në atdheun tim”, “Këngëve të pa zë/ U fal melodinë/ Të jehojnë/ Atje.../ Ku vargu nuk më ik/ Por çan stuhinë”, etj. etj.

Leksiku i këtyre lirikave ripërsërit jo vetëm fjalët por edhe imazhet e njohura nga libri i parë duke iu bërë poetes tipar shprehës dhe përjetues që përmes, shiut, vjeshtës, erërave të ftohta, natës, vetmisë, drithërimave e pritjeve të gjata ka sendërtuar në hollësi imazhin impresionist të përditshmërisë, të përjetimit dhe të komunikimit, por i rishfaqur si identitet dhe letërnjoftimi më i mirë krijues i kësaj poeteshe.

Gjithsesi përmes kësaj poezie e kuptojmë rolin e poetes që bënë përpjekje për të përfaqësuar tipin e femrës shqiptare të çliruar nga komplekset e së kaluarës patriarkale e cila çanë ardhmërinë e saj edhe përmes poezisë lirike që pak a shumë nuancon kah “elementi erotik”, të cilat vetëm sa e sforcojnë botëkuptimin logjik dhe etik të kësaj poezie. Pa dyshim kjo poezi ngjall emocione të fuqishme të jetës e mbijetesës, të përpjekjeve dhe ngadhënjimit që jo rrallë duket si një misionare e cila me shkop në dorë çanë furtunat me re sterrë nëpër shiun e ftohtë a dallgët e detit që janë bërë simbolikë në poezinë e saj.

 

Më beko, o zot

Të lundroj ngadalë

Nëpër valë jete

Si një pulëbardhë

E patrembur

 

                             Faqe 53.

 

Sevdije Rexhepi është bërë si regjistruese e dalluar e vëzhgimit, përjetimit dhe e perceptimit të fenomeneve duke i artikuluar ato si esenca jetësore dhe mbase ekzistenciale përplot me shenja e simbole kuptimore që i japin kuptim jetës dhe sharmin lirk kësaj poezie.

 

TINGUJ KITAREJE

Sa më ka marrë malli

Prishtinës t’ia puth ballin

Në mëngjeset e bardha

Si atëherë

Kur shkruanim

Nëpër gjethe lulesh

Vargje dashurie

...

Sa më ka marrë malli

Prishtinën ta pushtoj

Si dikur!

 

                                         Faqe 95.

Sevdije Rexhepi me vëllimin poetik “Orët e mungesës” edhe më shumë vërteton se është regjistruese besnike e ndjenjave të përjetuar. Kjo sprovë poetike është një përpjekje për t’i dhënë emër lirik poezisë shqipe që krijohet në Kosovë, e cila edhe kështu siç është, dëshmon se autorja është në kërkim të vazhdueshëm të identitetit artistik, që ia vlen të lexohet dhe komentohet!

St. Gallen / Zvicër, tetor 2009.

Vijo leximin e poezive: http://letersia.zemrashqiptare.net/article/AutoreSSH/SevdijeRexhepi/6207/



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora