E enjte, 28.03.2024, 02:13 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Gani Geci paditet për vrasjen e Sandokanit

E diele, 06.12.2009, 06:56 PM


Sanije Rexha (Foto: Jetmir Idrizi)
Sanije Rexha (Foto: Jetmir Idrizi)
Gruaja e ish-komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani, e ka paditur në EULEX, Gani Gecin, për vrasjen e burrit të saj. Deputeti i LDD-së, Geci, mohon akuzat, por thotë se ka shtënë disa herë me kallashnikov në drejtim të Sandokanit. Thotë se është i gatshëm të përballet me gjyqësinë vendore e ndërkombëtare


Nga Nebih Maxhuni, Express

Gruaja e ish-komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha, i njohur me nofkën Sandokani, Sanije Rexha, ka ngritur padi në Prokurorinë e EULEX-it kundër deputetit të LDD-së, Gani Geci.

Në padinë që është bërë më 30 nëntor 2009, Gani Geci akuzohet për vrasjen e Sandokanit më 8 tetor 1998 gjatë luftës në Kosovë.

“Dy herë ka tentuar Gani Geci ta vret, herën e parë kam qenë edhe unë në veturë ku na është djeg vetura. Rastin e dytë Abedini i ka shpëtuar konfiktit me të, mu atë ditë që ka tentuar ta vret në mbrëmje, i ka zënë pusinë dhe e ka vra. Këtë e dinë të gjithë”, ka thënë bashkëshortja e Sandokanit.

Sanije Rexha ka akuzuar drejtpërdrejt deputetin e LDD, Gani Geci, se ka vrarë bashkëshortin e saj gjatë kohës së luftës në Kosovë, duke rrëfyer se Geci pas vrasjes së kryer ka dërguar disa burra në familjen e Abedinit Rexhës për të kërkuar besë.

“Kam bërë një padi pranë EULEX për rastin e bashkëshortit tim që këtë akt kriminal e ka krye Gani Geci. Është dëshmia e gjallë që edhe vetë e ka pranuar dhe mbarë masa shqiptare e din edhe kush e ka krye këtë akt edhe vetë e ka pranuar publikisht pas vrasjes së tij. Gani Geci e ka pranuar. Kam fakte pas vrasjes së tij i ka çuar në familjen e Abedinit disa burra që kanë kërkuar besë. Ne ju kemi kundërpërgjigj që ai njeri i familjes nuk ka qenë, nuk është vrarë privatisht. Ai duhet t’i japë llogari shtabit të përgjithshëm dhe drejtësisë së Kosovës”, ka thënë Rexha.

E pyetur se pse nuk ka ngritur padinë deri më tash, Rexha ka thënë se ka pasur për qëllim që vet personalisht ta vrasë Gani Gecin në mënyrë që të nxjerrë hakun për burrin e vrarë.

“Deri vonë e kam pas qëllimin që t’ia jap dënimin vetë, ta vrasë publikisht. Këtë e them shumë hapur, por me ndërhyrjen e familjes dhe shoqërisë nuk e kam bërë dhe kam vendosur të ngre padi “, ka shtuar më tej ajo.

Gruaja e Abedin Rexhës, Sanija është motra e Sabit Gecit dhe se me Gani Gecin janë në lidhje farefisnore.

“Me keqardhje ju them se kam lidhje familjare, por sikurse të kishte qenë edhe vëllai im një krim nuk do ta mbuloja. Unë mendoj që në gjykatë këto mund të thuhen”, ka thënë Rexha.

Sanije Rexha ka thënë se nuk ka pasur asnjë presion nga askush për të ngre padi kundër Gani Gecit siç thuhet nga jo për vrasjen e burrit të saj Sandokanit.

Ajo ka treguar se fëmija e saj janë të shqetësuar kur shohin Gani Gecin, siç e ka quajtur ajo, një kriminel në Kuvendin e Kosovës.

“Fëmija po më shqetësohen kur e shohin në televizor , asnjëherë s’e ndez televizorin. Absolutisht, absolutisht, asnjëherë nuk jam nxitur nga dikush për të bërë padi, jam një njeri i vetëdijshëm. Jam e arsimuar dhe nuk mundet askush me ndikimin të ketë në dorën fatin e Abedin Rexhës, kjo më përket mua”, ka thënë Rexha.

Duke mohuar të ketë pasur ndonjë konflikt të mëhershëm, Rexha ka thënë se, sipas saj, arsyeja e vetme e vrasjes së bashkëshortit ka qenë se Gani Geci ka qenë kundër UÇK-së.
“Se Gani Geci ka qenë kundër UÇK-së, kundër strukturave të UÇK-së, kjo është arsyeja”, ka thënë ajo.

Rexha ka kërkuar nga liderët e institucioneve të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, kryekuvendari Jakup Krasniqi që ta zbardhin këtë rast dhe të mos lejojnë, siç u shpreh ajo, që një kriminel të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
Pas konferencës për media të Sanije Rexhës ka reaguar deputeti i LDD, Gani Geci.

Ai ka hedhur poshtë akuzat se ka vrarë Abedin Rexhën, por nuk ka mohuar se ka shtënë mbi to me kallashnikov.

“Qysh nuk kom shti, kur dy duar janë për një krye! Kam shti sa kam mund, bile unë kam qenë në makinë, kam gjuajt nga brenda, e kam ul kallashnikovin që e kam pas mbi timon dhe kam gjuajt nga brenda. Të gjithë dëshmitarët e pohojnë këtë”, ka thënë Geci.

Për më tepër, Geci ka thënë se rastin e ka paraqitur në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa pas luftës gjithë dokumentacionin që ai e posedon ia ka dorëzuar Sylejman Selimit dhe Sami Lushtakut.

“Unë këtë rast e kam paraqit në rend të parë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, menjëherë pas luftës të gjithë këtë dokumentacion që e kam, ia kam dhënë komandantit Sylejman Selimi, të gjithë këtë dokumentacion ia kam dhënë komandantit të zonës Sami Lushtaku dhe këto janë dokumentacione që kanë ndodhur në po atë ditë”, ka thënë Geci.

Deputeti Geci është shprehur i gatshëm të përgjigjet para çdo gjykate ndërkombëtare në lidhje me rastin, qoftë edhe në atë të Hagës.

“Unë jam i gatshëm të dal para secilit gjyq, qoftë gjyqit të Hagës ndërkombëtar, nëse Hagë ka shpërngul ndonjë prokurori këtu për shkaqe të luftës unë jam i gatshëm që të përgjigjem edhe përpara çdo prokurorie ndërkombëtare që punon në Kosovë”, tha Geci.

Sipas tij, akuzat për vrasjen e Abedin Rexhës-Sandokanit janë si kundërpërgjigje e asaj që ditëve të fundit ka qenë i përfshirë në publikimin e CD-së, ku Nazim Bllaca pretendon të ketë kryer një vrasje dhe bashkëpjesëmarrje në 16 raste të tjera gjatë periudhës së pasluftës.


(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora