Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Skënder R. Hoxha: Një historik i familjes Demaliaj, të fisit Bytyç, nga Breg Paci i Malësisë së Gjakovës (II)

| E diele, 06.12.2009, 08:56 PM |


Një historik i familjes Demaliaj, të fisit Bytyç, nga Breg Paci i Malësisë së Gjakovës (II)

   

SHKRUAN PROF. SKËNDER R. HOXHA

    

     Në një shkrim të mëhershëm, botuar te “Zemrashqiptare”, në faqe të internetit, me titull: Një historik i familjes Hoxha (Demaliaj) të fisit Bytyç, të Shqiponjës (ish-Jabllanicës) së Dushkajës, komuna e Gjakovës, kemi hedhur, sadopak, dritë për shtegtimet e Ukë Demaliajt (pastaj Hoxha) dhe familjes së tij në Kosovë. Ndërkaq, patëm thënë se do të vazhdojmë me të dhëna të tjera rreth familjes Demaliaj, gjegjësisht do të flasim për kushërinjtë e Ukës.

     Për punë kontinuiteti, duhet të ndërlidhemi me shkrimin paraprak, përkatësisht me rrethanat e krijuara në Bregpac pas ardhjes së Ukë (Isuf) Demaliajt me nënën dhe motrat në Kosovë, kah fundi i shekullit XIX, (nuk dihet saktësisht, veç thuhet se ishte 23 apo 24 vjeç), te dajët e tij, në Turjakë (rrethinë e Pejës).

     Pas ardhjen e tij në Turjakë, Ukës i kishin mbetur në Bregpac kushërinjtë e tij të afërt: SMAJL HALILI, REXHEP HALILI dhe ZEQIR HALILI (vëllezër) me familjet e tyre. Edhe këtyre që mbetën në Bytyç, thuhet se iu prish rregulli i jetesës atje. Në ato rrethana të krijuara, ata kishin shkuar te Begu (dera e Gani Begut), si shokë të fisit që ishin, për të kërkuar mbështetje. Begu ua kishte dhënë do sipërfaqe tokash në Dubravë (komuna e Deçanit), t’i punojnë (si çifçinj), ku edhe ishin vendosur t?ë tre vëllezërit e sipërpërmendur. Thuhet se pas një kohe e kishin lëshuar Dubravën, sepse kishin pasur ngatërresë (rreth asaj toke) me një Veli Turkun (?) e atëhershëm.

     Pasi që braktisin Dubravën, të tre vëllezërit kishin shkuar të jetojnë në Gjakovë dhe ishin vendosur në Mëhallë të Mulla Isufit. Atje, pas pak kohe, Rexhepi ishte ndarë nga bashkësia familjare me vëllezërit.

 

1.SMAJLI (ishte vëllai i madh). Ishte i martuar me Shkurte Mushken e Mushk Jakupit (Informatori nuk di prej nga ishte Mushk jakupi), por mban mend se ajo ishte teze e Ukë Isufit. Gjithashtu tregon se Shkurta kishte dy motra: njëra quhej Hyrije dhe ishte e martuar me Ragip Pozhegun nga Gjakova, ndërsa motra tjetër quhej Zymë dhe ishte e martuar me Metush Tarakun nga Kodralia (Dushkajë - komuna e Gjakovës). Smajli la pas vetes dy vajza: Fatimen dhe Xufen. Fatimja ishte e martuar me Mehmet Ramën e Kurmehajve të Strellcit të Epër (komuna e Deçanit). Fatimja la dy vajza: Mejremen dhe Fatmushen. Ndërkaq, Xufa, e martuam me Demush Fazlinë e Malazllanve, po ashtu nga Strellci i Epër, nuk ka lënë fëmijë. 

 

2. REXHEPI – ishte i martuar dy herë. Gruaja e parë (?) i kishte vdekur dhe i kishte lënë një djalë e katër vajza. Djali quhej Bajram, kurse vajzat: Mana - e martuar me Demë Lufin nga Strellci i Ulët; Ajshja – e martuar me Metë Fazlinë e Qelajve nga Strellci i Ulët; Gjyla – e martuar me Shaban Babanin nga Prapaqani (komuna e Deçanit) dhe Mejremi – e martuar me Xheladin Mustafën, në shtëpinë e Zenel Mustafës, mbajnë llagapin Halilaj, nga Lypaveci (Has – komuna e Gjakovës).

     Pasi që i kishte vdekur gruaja e parë, Rexhepi u martua së dyti herë me Nurinë nga Gjakova (?).

 

3. ZEQIRI .-  Ishte i martuar me Nepën e Asman Ramës  nga Dujaka (komuna e Gjakovës). Zeqiri kishte lënë pas vetes vetëm dy vajza: Myzaqetin dhe Nushën. Myzaqeti ishte martuar në Gllogjan (komuna e De (komuna e Deçanit) me Smajl (Xhemajl) Haradinajn, ndërsa Nusha u martua me Sylë (Izlam) Shalën nga Cërmjani i Dushkajës (komuna e Gjakovës).

     Pas vdekjes së Zeqirit, Nepa u martua me Haxhi Avdylin e Hoxhajve të Cërmjanit, ku kishte lindur një djalë – Avdylin.

     Kështu ishte degdisja dhe fati jetësor edhe i këtyre tre vëllezërve nga Breg Paci i Bytyçit të Malësisë së Gjakovës, të cilët ishin kushërinj të afërt të Ukë (Isuf) Demaliajt, i cili, siç kemi shkruar edhe në pjesën e parë, pasi erdhi te dajët, e mori mbiemrin (llagapin) Hoxha.


(PS: Të dhënat janë nga Ramiz (Ukë) Hoxha (1924), dhënë autorit më 7 dhe 8 gusht 2004, në Pejë.)