E shtune, 20.04.2024, 01:39 PM (GMT+1)

Kulturë

Arif Molliqi: Estetikë gjaku

E shtune, 05.12.2009, 07:36 PM


Arif Molliqi

ESTETIKË GJAKU

(Poezi biografike)


(1. Nëpër damarët e gjakut)

Ja ku e ke merre!
Merre këtë kohën e padurueshme
Ta fali

Këtu s´ka tregti me gjërat sakate
Gjithçka e re shitet n´ketë treg
Edhe unë kosovari jam riparua
Në punëtorinë e Dr. Blesse në Hamburg

Ty çka të solli në perandorinë time
(Dr. Ariallano nga Argjentina?!
A veç kërthizën t´ua presësh lehjeve të mesnatës
Që ma prishin gjumin në skaj të Evropës.

(2. Lidhëm bast)

Sa herë që kthehen harrojnë diçka
Ma marrin gjakun me gjilpëra më therin
-Je me Zotin a me Ne m´thonë!
Pastaj një nga një fillojnë
N´zemër t´mi ndezin kandilat
N´thellësi të shpirtit i varrosin vetëtimat
Vendlindjen ngushëlluese djerrinat
Nëpër damarët e gjakut m´i fusin
Verrishtën Lummirin Kosovën ...
Medikamentet qetësuese.

Në mëngjes tek më lëshon nata
(pasi nuk lëviza as majtas as djathtas)
Kallëzimi i ëndrrës nuk mbaroi
Buzët e thara pika të shiut presin
Mbi shtëpinë time uji rrëke shkon
Plagët më lagen nën çati kur rri
lidhëm bast me baltën pranë shtëpisë
Se do të kthehem nga shtegtimet e gjata.

(3. Porosia e kohës)

Tri herë radhazi në rëntgen mos hy
Mushkëritë nuk e durojnë mallëngjimin
Gjuha m´u zgjidh i luta
Grupin e gjakut mos ma ndërroni
Ata u qeshen me mua
Kjo nuk ndodh kaq lehtë
Ku je mësuar?

Merr frymë! Ndal frymë!...Lëshoje frymën!
Ngutu doktor se tingëlloi zilja
Tensioni i gjakut po na trazon
Pritni nesër do të jetë më mirë
Me rroba festive do të shkojmë
N´dhomën 212 kati i tretë intensiv
Me vete e marr lojën ilirishte
Të Luaj nëpër Verrishtë, Dolla e Kojshtile
Të luja fushave të Dukagjinit

(Loja e Aortës I)

Dashurinë dimërore e vura në panair
Muzikë të zhurmshme dëgjoj
Pjesët e organeve i konservojnë për eksport
Blerësit i prekin n´kallo

I bëj veshët çicërr kur dëgjoi;
Arif Vladin që pyet;
- Jakup Ferri, mor ku je
T´thërrasin malet me ushtimë...

Po unë ku jam?!

(Loja e Aortës II)

U mësova ti pres mbrëmjet me lutje
Në mëngjes as shi as borë
Dielli s´di çfarë rreze do të ketë

Kafen ka kohë që ma kanë sjellë te krevati
Gruaja e fëmijët kanë ardhur për vizitë
Shokët më detyrojnë me qeshë

Janë kthye mjekët e bisedojnë
Kontrollojnë gjakun si lëviz në mesditë
Prejardhje e qëllimtë kjo e imja

Qe besa në lojë është venë A o r t a
Ndryshe kjo s´ka ndodhur ndër Ne
Me vdekur me krye në jastëk

(Nga përmbledhja “Psherëtima e zareve”)
(8 shkurt 1998, në spitalin „Albertina" në Hamburg)


(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora