E enjte, 18.04.2024, 01:41 PM (GMT+1)

Kulturë

Edmond Shallvari: Ali Babaj me 40 hajdutët dhe mbretëria ime

E shtune, 05.12.2009, 08:38 PM


Rrëfim humoristiko-satirik

Nga Edmond Shallvari

Ali Babaj me 40 hajdutët dhe mbretëria ime

Para ca kohësh vjen të më ritakojë ish kapoja i hajdutëve, që unë ja kisha vënë nofkën Ali BABA, si ai me 40 hajdutët e përrallës.

E kishte humbur fare toruan i gjori.

Pse?

Ja u rrëfej unë shpejt e shpejt, se s'kam kohë për llafe shumë.

Erdhën një natë këtu ku jam roje(secyritu) hajdutët e Aliut. Po pse, i lashë të vinin dorë mbi pronën socialiste, ooh, më falni, kapitaliste?

Mo po na kaq e na aq e na lerë të vjedhim, as të trazojmë e as të lëndojmë. Po unë ju thashë, që kokën e le e pronën social., më falni kapitaliste, s'e le të cënohet.

Lajmërojnë në çast kapon e tyre. Sa hap e mbyll sytë, të vjen Aliu me helikopter.

Jep e merr me mua. Asgjë!

"Sa paguhesh?", më pyet serbes.

"Kaq", i them shifrën në evro.

Çakëriti sytë.

"Më pak se puroja që tymos unë", ma kthen me tallje e vazhdon, "Të jap sa paqeta të duash, veç leri hajdutët e mi të lirë të vjedhin".

"Ç'thua more!? Asnjë qime s'ju le, vetëm po kaluat mbi trupin tim!"

Më afroi një tufë me evro, po unë më keq se purot, ja ktheva mbrapsht.

Se ç'bëri pastaj ca llogaritje me ment, i ndritën sytë, u kthye nga hajdutët e tij dhe i urdhëroi të ktheheshin nga erdhën.

Më ra me dorë në sup sikur të ishim miq prej kohësh, hipi helikopterin dhe u zhduk qiellit.

Kthehemi tani në ardhjen e tij të dytë, por këtë rradhë jo me mjetin qiellor, por atë tokësor, urbanin e zonës. E kush, Ali Babaj i tmerrshëm!

"Ç'pate?", e pyes i habitur.

"Nga ty më ra Kartagjena!"

"Lere Kartën e Gjenës, shkoqitmi më mirë llafet".

"Ke një cigare, se m'u ça hunda?"

"Ku mbaj unë puro, o i uruar?"

"Po ç'të kesh o, kush të kërkoi puro?"

Nxjerr qeskën me duhan, copkën e bardhë të letrës dhe t'ja thurr e ngjit me pështymë, sa e lashë gojë hapur nga habia.

Pastaj filloi të më rrëfejë për atë Kartën e  Gjenës, si e kishte humbur. Si, do thoni ju?

Nisur nga shembulli im në punë për lënien e kokës në ruajtjen e pronës soc., më falni, kapitaliste, Aliu ja u kishte bërë rrogat sa mua që të nesërmen e asaj dite, 40 hajdutëve të tij.

Deshte i gjori, që dhe ata të linin kokën e tyre për pasurinë e tij, si unë për pasurinë e tjetrit.

Tjetrit thashë? Shyqyr s'e ngatërrova këtë rradhë.

Kur u gdhi një mëngjes, Karta e Gjenës ishte zhdukur, bashkë me 40 hajdutët e Aliut. Vetëm kutia bosh e purove kishte mbetur.

Me ankesë e qarje, ngriti zërin.

"Ç'më bëre, më shkatërrove jetën me atë shembullin tënd heroik për pronën!"

Keq më erdhi, por edhe vura buzën në gaz.

"S'ta kam unë fajin, jooo!"

"Ti ma ke! Unë njëlloj veprova me ta, si afendikoi tënd me ty, për t'i bërë të të ngjanin".

"Ha, ha, haaa, po mua o Ali, s'më bënë të tillë në moshë të rritur. I tillë u bëra që në bark të mëmës. Që në bark, o Ali, u mësova me pak unë. Ja dëgjo ca vargje të miat, të bindesh më shumë:

 

Me Pak-un


Me pak-un embrionin na lidhën
Oksigjenuar me frymën e paktë
Me pak-un një epokë na rritën
"Sa e shumtë kjo qenka!", thamë.

Zhdrejtësisht triumfalë ecëm
Jeta na pakohej më pak
Veç prapë besnikë të pak-ut mbetëm
Ç'ti bëjmë, embrionit të pafaj?


E more vesh tani, që s'ta kam unë fajin?"

"Ptuu, racë e çuditshme! Dhe ndjehesh i lumtur kështu, o i paktë?", m'u shkarkua Aliu.

"Dëgjo Ali Baba!", ja kthej këtë rradhë me ton më të lartë se ai.

"Unë krijoj mbretërinë time, mes varfërisë reale".

Iku pa vazhduar më drejt urbanit, duke mërmëritur fjalën "mbretëri" disa herë e ku ta di se çfarë tjetër nëpër dhëmbë.

Mora vesh që ishte punësuar si mua roje(secyritu) dhe priste e priste, e pret e pret, për të krijuar atë, mbretërinë e tij.

E paska marë sagllam atë thënien për mbretërinë time, i gjori Ali, pa ditur ama, që vetëm unë di dhe mund ta krijoj atë.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora