Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Engjëll Koliqi: Shqiptarë, ta ndërtojmë të plotë Shqipërinë

| E shtune, 05.12.2009, 08:59 PM |


SHQIPTARË TA NDËRTOJMË TË PLOTË SHQIPËRINË

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Duke folur për shqiptarizmën – ditë më parë, kemi theksuar se intereset e ngushta partiake, klanore, grupore e individuale po e dëmtojnë dhe po e rrezikojnë haptas qenësinë tonë – kombin tonë dhe mbarë Shqipërinë tonë. Më shumë se gjithçka tjetër Shqipërinë tonë – në mbarë trojet shqiptare, ende vazhdojnë ta rrezikojnë fërkimet për motive të ndryshme- zgjedhore, qeverisëse, ekonomike, përfituese dhe për motive të tjera të karrierës politike e publike. Këso fërkimesh, mjerisht, vërehen kudo në Shqipërinë tonë – në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, në Ulqin, në Preshevë, në Shkodër, në Tetovë, në Bujanoc, në Tivar, në Gostivar, në Vlorë, në Mitrovicë, në Prizren e në çdo vend – anekënd trojeve tona. Madje fërkimet e këtyre ditëve në Prishtinë, në lidhje me krime të organizuara, për të vrarë e për të terrorizuar kundërshtarë politikë, po ngjyrosen me lloj-lloj ngjyrash mafioze, saqë n’atë proces po tentojnë të përziejnë e të implikojnë edhe qarqe të armiqëve tanë të përbetuar, nga Beogradi.

O shqiptarë, ora është dymbëdhjetë pa pesë dhe në këto çaste shumë të ndërlikuara e shumë të rëndësishme historike, duhet të mendojmë shumë seriozisht e të shmangemi nga të gjitha fërkimet për interese grupore e klanore, në mënyrë që të kemi fuqi e moral të lartë për të kontribuuar në detyrën madhore që historia na e ka ngarkuar – ta rindërtojmë dhe ta restaurojmë bukur e qëndrueshëm mbarë Shqipërinë. Duke e rindërtuar Shqipërinë, duhet t’i lëmë pak të shmangura intereset individuale e grupore, përfshirë edhe ato partiake e ideologjike, dhe ta shohim vetëm interesin mbarëkombëtar – ta shohim vetëm Shqipërinë dhe shqiptarinë. Sigurisht që kur e kemi shqiptarinë të fortë dhe stabile, jemi të fortë dhe të pasur të gjithë ne.

Kur ta bëjmë Shqipërinë të fortë dhe të lulëzuar, atëherë do të jemi të fortë, të pasur dhe të lumtur – të gjithë shqiptarët. Në Europë dhe kudo në botë do të flasim vetëm me një zë. Vetëm kështu do të përfitojmë të gjithë. Vetëm atëherë mund t’i ndajmë intereset dhe të angazhohemi për realizim interesesh klanore-grupore e individuale – politike, qeverisëse, ekonomike... Vetëm atëherë kemi të drejtë edhe të “zihemi” mes veti, për këso interesesh. Kur nuk kemi Shqipëri, asnjë shqiptar nuk mund të ketë interese individuale apo grupore, për të cilat duhet punuar dhe angazhuar. Prandaj, ta bëjmë njëherë Shqipërinë e ta lulëzojmë shqiptarinë, që të mund të paraqesim edhe qëllime të tjera – klanore-grupore e individuale.

Mos hezitoni o shqiptarë të bekuar! Eni – të gjithë, ta hedhim nga një guri të amshuar në Murin historik të Shqipërisë sonë! Ai mur do të ngritet dhe do të jetë i amshuar vetëm nëse të gjithë sjellim e hedhim në te gurë bese, gurë kushtrimi, gurë dashurie! Eni pra të gjithë me nga një guri të fortë të besës, me nga një guri të fortë të dashurisë!

Nëse Shqipëria jonë e bekuar funksionon si Shqipëri e fortë dhe besnike mbi të gjitha trojet shqiptare, atëherë u garantoj të gjithëve se historia do të na fal të gjithë neve mrekulli, fuqi e profesionalitet, që të mund të punojmë mrekullueshëm edhe në realizimin e intereseve klanore-grupore e individuale dhe kështu të gjithë do të jemi argatë të devotshëm, të dashur, të hareshëm e të lumtur të Nënëlokes Shqipëri.

Zoti e bekoftë mbarë Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve! Zoti na kthjelloftë të gjithëve! Ashtu qoftë!