E merkure, 24.04.2024, 07:22 PM (GMT+1)

Kulturë

Manuel Montobio: Kadare, magjik dhe realist

E premte, 04.12.2009, 08:27 PM


Kadare, magjik dhe realist

Nga Manuel Montobio

Më lejoni të ndaj me ju, prej perspektivës sime të dyfishtë si ambasador i Spanjës në Shqipëri dhe lexues i Ismail Kadaresë, një reflektim mbi kuptimin e dhënies së çmimit "Princi i Asturias për Letërsinë 2009". Nëse ndërsa hedhim shikimin pas dhe shohim atë tetor të largët të vitit 1980 në të cilën një Princi i Asturias, i ri në moshë, kurorëzonte për herë të parë një ceremoni prestigjioze, të cilën me këmbënguljen e ritualeve u mësuam ta shohim çdo vit, rezultonte deri diku e paimagjinueshme që në një pasdite të largët për atë kohë, si ky i 24 nëntorit 2009, të kremtohej në këtë Akademi të Shkencave në Shqipëri, një akt përkujtimi mbi dhënien e çmimit "Princi i Asturias për Letërsinë" Ismail Kadaresë, si një prej vlerësimeve letrare më të mëdha që mund të marrë universalisht vepra e një shkrimtari. Ende tingëllonin në atë Spanjë të një demokracie rishtare e me një të ardhme për të ndërtuar, vargjet e Jaime Gil de Biedma që thotë "Nga të gjitha historitë e historisë, më e trishta është pa dyshim ajo e Spanjës, ngaqë përfundon keq si gjithnjë, sepse është historia e njeriut që nuk di të çlirohet prej demonëve të vet". Dhe ajo histori e Spanjës që 29 vjet më vonë jep me krenari çmimet "Princi i Asturias", si një prej certifikatave më prestigjioze të të përveçmes së Olimpit global, nuk është veçse një prej historive të mundshme, ajo që përfundon mirë, si gjithmonë; është ajo histori e spanjollëve që kanë gjetur vetveten dhe janë projektuar në botën drejt së cilës kanë ditur të ndërtojnë çmimet "Princi i Asturias" si referentë globalë. Meqenëse qenia njerëzore, siç na thoshte Kanti, është e vetmja që trashendeton vetveten, një prej aspiratave të saj është të kërkojë arketipa, referentë, shembuj prej të cilëve të mund të arrijmë në të gjitha sferat ku realizojmë esencën tonë. Në botën e sotme të globalizuar, i tillë është kuptimi i fundmë i çmimeve me prirje vlerësimi universale, siç janë çmimet "Princi i Asturias" kuptimi i dhënies së shembujve dhe krijimit të referentëve më të mirë që mund të nxjerrim në dritë ne qeniet njerëzore nga vetja jonë dhe bota në letërsi, arte, shkenca, shkenca humane, shkenca të komunikimit apo harmoni. Në këtë botë të globalizuar, në të cilën ne jemi në mënyrë të paevitueshme, të gjithë kemi nevojë për zgjidhje teknike globale për problemet tona, por njëkohësisht dhe për legjitimitet dhe autoritet, për referente frymëzuese. Dhe pikërisht në këtë këndvështrim, ndërtimi në më pak se tri dekada i një prej referentëve mbarëbotërorë të mishëruar në çmimet "Princi i Asturias" duke u nisur nga ajo Spanjë e izoluar që kishte kaluar një natë të errët të historisë së saj, ka një vlerë simbolike të veçantë për Spanjën dhe spanjollët sot, duke qenë njëkohësisht objekt kënaqësie dhe krenarie.
Nëse e tillë është për Spanjën, i takon Shqipërisë së shqiptarëve të reflektojnë mbi vlerën simbolike që mund të ketë për ta dhënia e këtij çmimi.
Çfarë është ajo që vlerësohet? Në thelb, lëvrimi i një letërsie normale në një shoqëri anormale dhe shndërrimi i saj në shprehjen e një prej aspiratave universale të qenieve njerëzore.
Në qoftë se do të lexoheshin nën dritën e përvojës së tij krijuese, nën thundrën e totalitarizmit të Enver Hoxhës, në kuptimin se u përpoq që të lëvronte një letërsi normale nën trysninë e një regjimi anormal, pohimet e Ismail Kadaresë me fort gjasa, e përftojnë dimensionin e tyre të vërtetë sipas perspektivës që parashtruam më lart. Të lëvrosh letërsi normale nën trysninë e një regjimi që, sikundërse Ismail Kadare na e shpalos në mënyrë metaforike te romani "Spiritus" apo te "Pallati i ëndrrave", synon të vendosë nën kontroll jo vetëm veprimet e qytetarëve të vet, por edhe tërë mendimet, vetëdijen, përfshirë deri edhe vetë ëndrrat e tyre, për t‘i shtyrë këta të ndihen një hiçgjë përballë shtetit dhe pushtetit të tij mbi gjithçka, përbën në vetvete, nën thundrën e çdolloj diktature, një tërheqje në vetvete, apo një lloj stepjeje, ndonjëherë e vetmja e mundshme, përballë totalitarizmit të saj. Arsyeja është më se e rrokshme, kujtojmë: pavarësisht se gjendet brenda hapësirës së kufizuar të faqes së bardhë, njeriu lëvron pamësi dhe krijon personazhe dhe botë që nuk diktohen nga Udhëheqësi i Madh që po shkruan faqet e ndritura të historisë në popull dhe në jetët e çdo qytetari; më pas, pavarësisht se gjallon në faqen e bardhë që gjendet poshtë pendës së shkrimtarit që po mëton të lëvrojë një letërsi normale, liria arrin që të gjejë diçka që shfaqet si streha e saj e fundit. Dhe kjo ndodh për arsyen e thjeshtë se të lëvrosh letërsi normale, përkon, përpara së gjithash, me lëvrimin në suazat a lirisë vetë urinë për të lëvruar.
Krahas gjithë sa më sipër, sa herë që fjala është për një lëvrim në një gjuhë që në suazat e historisë është shpërfaqur në mënyrë të qenësishme si element përbashkues, përnjesues dhe vetë-paraqitës i një populli, atëherë, të lëvrosh letërsi normale dhe, për më tepër, një letërsi të mbarëbotshme, përkon, në të njëjtën kohë, me sipërmarrjen për të kristalizuar kombësinë, për t‘i dhënë shtysa zhvillimit mbarëshoqëror nën dritën e të tërë elementeve përbërëse të saj, sikundërse edhe nën dritën e tjetrit, e pjesës tjetër të botës; po ashtu, kjo përkon me kontributin, përmes krijimtarisë sonë letrare, të bashkëjetesës së veçantësisë sonë me tërë qeniet e tjera njerëzore, të kulturës sonë me kulturën e mbarëbotshme, të botës sonë me botën, çka mund të ndihmojë jo pak që bota jonë të bëhet gjithnjë edhe më tepër botë dhe bota të bëhet gjithnjë edhe më tepër e jona.
Ky ka qenë dhe është rasti i letërsisë së lëvruar nga Ismail Kadare, dhe kjo vlen, më së tepërmi, për përmbajtjen e saj. Historinë e shkruajnë gjithnjë fitimtarët, dhe, në rastin e Shqipërisë, që gjendej nën sundimin e atyre perandorive me qendrën e pushtetit shumë larg saj, kjo histori vështirë se është shkruar lirisht dhe qashtërsisht, aq më tepër kur dihet se dokumentet dhe dëshmitë e pushteteve sunduese rrallëherë mund të ndodhë të pasqyrojnë perspektivat dhe mënyrën e jetesës së të sunduarve. Nga kjo këndqasje, përgjatë kohës kur u krijua si një shtet i pavarur, Shqipëria nuk u gjend thjesht dhe vetëm përpara përgjegjësisë dhe sfidës përballë vetes dhe botës për të shkruar historinë e saj mbi faqet e bardha të së ardhmes; përkundrazi, dhe në të njëjtën kohë, edhe përpara përgjegjësisë dhe sfidës për ta nxjerrë në dritë dhe për ta shkruar këtë histori nga gjiri i tërë ngjarjeve dhe peripecive të historisë së saj të shkuar. Natyrisht, fjala është për një lëvrim të saj, në faqet e librave të asaj historie që shpalosin përmes gjurmëve dhe dëshmive vetë ngjarjet e së shkuarës; por edhe në faqet e romaneve, leximi i të cilëve simbolizon, mishëron apo shpjegon, duke e veshur me përmasën dhe me ndjeshmërinë tonë njerëzore të sotme dhe të mbarëkohshme, një epokë apo një personazh historik. Kjo është gjithë sa i brendashkruhet pjesës dërmuese të veprave të Ismail Kadaresë.
Porse, përpos zbulimit apo rebelimit ndaj historisë, zakoneve, traditave dhe miteve të një populli, a ka ndonjë gjë tjetër që e bën një vepër letrare që të shfaqet grishëse përpara syve tanë? Ndonjëherë, lidhja e saj me shpirtrat - ndaj të cilëve, sipas Platonit, jetët tona nuk janë tjetër përpos se pasqyrime të zbehta -, me thelbin e shqetësimeve, të dramave dhe të maktheve që kanë trazuar qeniet dhe shoqëritë njerëzore përtej apo përmes kohës dhe hapësirës, në fund të fundit, me disa arsye që vetë arsyeja nuk arrin t‘i rrokë, por që letërsia ka raste që ia del mbanë. Letërsia ka raste që ia del mbanë, por jo çdo lloj letërsie; më së pari, ajo letërsi që shfaqet e aftë që t‘i hyjë udhës së mundimshme të shqetësimeve dhe të trazimeve njerëzore, të pamësive botëkuptimore dhe të miteve që shpalosin thelbin e mbarëkohshëm të qenies njerëzore dhe të përmasave kohë-hapësinore të botës që shkrimtari ngërthen në veprën e tij përmes personazheve dhe pamësive që parashtron, duke u dhënë këtyre çelësin e fshehtë, që të na zgjojë, përmes leximit, atë shpirt të fjetur që gjallon nga brenda nesh dhe, duke na përafruar dhe përnjësuar me vetë personazhet dhe situatat që përshkruan, na shtyn të zbulojmë se si jetët që gjallojnë imagjinatën, trazimet, përjetimet dhe ëndrrat e tij janë të njëjta me të gjithë sa gjallon brenda nesh, duke zgjuar kësisoj nga gjumi të gjithë sa gjendej e përgjumur në thellësi të qenies sonë, për të na e shpalosur të dukshmen si diçka që gjendej gjithnjë aty, përpara syve tanë, duke jetuar jetën me një shije tjetër, më të qartë dhe ngandonjëherë më të mirë; një shije të një jete më të gjallë.
Nëse filozofia, siç ka thënë dikush, nuk është tjetër përpos së një grusht shënimesh në këmbët e teksteve të Platonit, në rastin e letërsisë mund të thuhet se, me fort gjasa, nuk përbëhet veçse nga një gjerdan i pafundmë rishkrimesh dhe rilëvrimesh të epopeve homerike dhe të tragjedive greke, kjo të paktën, sikundërse vëren edhe Milan Kundera në faqet e "Arti i romanit", deri në çastin kur Servantes hodhi një vështrim të ri mbi botën dhe jetën përmes Don Kishotit, duke hedhur, në të njëjtën kohë, edhe themelet e romanit modern. Parë nga ky këndvështrim, vepra e Ismail Kadaresë nuk del jashtë këtij rregulli. Sikundërse lexojmë edhe në motivacionin e jurisë që e vlerësoi me çmimin "Princi i Asturias për Letërsinë 2009" "vepra e Ismail Kadaresë rrëfen, përmes një gjuhe të përditshme, porse plot me lirizëm, tragjedinë e vendit të tij, i kthyer në shesh betejash të herëpashershme. Duke u dhënë jetë miteve të hershme përmes fjalësh të reja, (kjo vepër) përshkruan tërë peshën dhe ngarkesën dramatike të ndërgjegjes. Kompromisi i tij i ka hedhur rrënjët thellë në traditën e madhe letrare të botës së lashtë greke, duke u shpalosur në skenën bashkëkohore si kallëzim kundër çdo forme të totalitarizmit dhe si mbrojtëse e arsyes".
Kështu siç vë në dukje dhe Juria, duke nxjerrë në pah tiparin e universalitetit me të cilin është mbrujtur kjo vepër, është e vërtetë se, më së pari, ky tipar boshtohet rreth dhe shpaloset si i këtillë tek aftësia e shkrimtarit për të interpretuar të sotmen dhe të djeshmen nën dritën e miteve të mbarëkohshme, duke u dhënë syresh jetë përmes fjalëve të reja; mitet klasike të botës helene, të cilat frymëzojnë një pjesë të mirë të çështjeve dhe tematikave të veprës së tij, sikundërse edhe mbijetesa dhe ruajtja e tyre, si pjesë e thelbit të përbashkët të popujve ballkanike me të cilin u mëkuan krijuesit e hershëm grekë, në zonat më të thella malore të Shqipërisë dhe në kodet, doket dhe ritet e tyre zakonore, përbën edhe shtresën e thellë mbi të cilin është ndërtuar e tërë vepra e tij.
Krahas këtyre, kemi mitet e Trojës së rrethuar, të Uliksit që kthehet në shtëpi, të Orestit pashmangshmërisht të fatshenjuar për t‘u bërë pre e hakmarrjes për gjakun që lypte kori i Erinive në pallatin e Atridëve, të Efigjenisë së sakrifikuar nga i ati në një botë ku të gjallët bashkëbisedojnë me të vdekurit dhe ku këta të fundit kthehen në këtë botë për të përmbushur një mision apo për të vënë në jetë një amanet, të cilat shkrihen me legjendat popullore shqiptare dhe mishërohen në faqet e romanit "Kështjella", "Dimri i vetmisë së madhe", "Prilli i thyer", "Spiritus" apo "Vajza e Agamemnonit".
E gjithë kjo i brendashkruhet veprës së Ismail Kadaresë; por nuk është gjithçka. Ajo është, pa dyshim, një paraqitje e qashtërt e çasteve dhe ngjarjeve më të mbamendshme të Historisë së Shqipërisë dhe të formësimit të saj kombëtar; një portretizim poetikisht i letrarizuar i ligjeve dhe dokeve që gjallojnë jetën kolektive të shqiptarëve dhe botën e tyre simbolike; një përsiatje mbi thelbin e kulturës klasike dhe një risjellje në kujtesë e rrënjëve klasike të imagjinatës kolektive dhe të kulturës së shqiptarëve dhe i mbijetesës së botës së lashtë helene në mitet që udhëheqin veprimtarinë dhe jetën e saj kolektive, duke përfshirë, ndërkaq, edhe sjelljen dhe përtëritjen në shkrimësi të miteve klasike me fjalë dhe me situata të reja. Porse, përpos kësaj, dhe më së pari, është portretizim i një regjimi totalitar, i mekanizmave të pushtetit totalitar për të kontrolluar trupin dhe mendjen, veprimet, ndërgjegjen dhe vullnetin e burrave dhe grave, sikundërse edhe degradimin e pashmangshëm dhe mizor të qenieve njerëzore. Dhe pikërisht këtu hasemi me atë "kompromis që i ka hedhur rrënjët thellë në traditën e madhe letrare të botës së lashtë greke, duke u shpalosur në skenën bashkëkohore si kallëzim kundër çdo forme të totalitarizmit dhe si mbrojtëse e arsyes", për të cilin shprehet edhe Juria e çmimit "Princi i Asturias"; porse, krahas kësaj, në këtë kallëzim hasemi edhe me gjurmën e Kafkës dhe të Borgesit. Dhe kjo për një arsye më se të rrokshme: kjo vepër nuk mbështetet në një kronikë të letrarizuar të realitetit totalitar, por sipas një trilli letrar që stiset për të pasqyruar përvojën totalitariste, një përfytyrim që e pasqyron realitetin shumë më me besnikëri sesa një paraqitje e tij fotografike. Ndër veprat e tij, një nga përftesat thelbësore të aftësisë për të krijuar një simbol të mbarëkohshëm duke u pikënisur nga një përvojë historike dhe vetjake, një përftesë që është fatshënjuar që të mbetet si një nga emblemat e pazhbëshme të letërsisë së mbarëkohshme, një klasik që do të mëkojë jo pak shkrimtarët modernë, është edhe "Pallati i ëndrrave", i cili na shpalos një prej atyre skenarëve dhe argumenteve që vështirë se mund të harrohen ndonjëherë. Fjala është për ëndrrën e pushtetit për të kontrolluar qytetarët e vet jo vetëm në ndërgjegje, por edhe në pandërgjegje, sipas një pamjeje të përmbysur. Pushtet gjithëpërfshirës që kapërcen kufijtë e ëndrrës, por edhe ato të jetës dhe vdekjes, ndërsa rend të mbledhë mikrofonat e varrosur së bashku me të vdekurit në faqet e "Spiritus" apo se i pangopuni kërkon akoma edhe më tepër jetë, madje, në mënyrë të paparashikueshme dhe të verbër, njëlloj si zhgaba e tmerrshme mishngrënëse te "Vajza e Agamemnonit", simbol i Shqipërisë që gëlltit bijtë e vet. Pushtet gjithëpërfshirës, arbitrar, i paparashikueshëm, absurd dhe i pakuptimtë, apo pa një element që të përligjte ekzistencën e tij si i këtillë; një pushtet që meriton të kallëzohet; një pushtet që kërkon ndërgjegjësimin për natyrën dhe mënyrat me të cilat vepron; një pushtet që lyp qëndresë dhe kujtesë, por edhe lëvrimin e një letërsie normale nën trysninë e një regjimi anormal. Një letërsi që sjell në jetë një botë, një gjithësi të mëvetësishme që disa kritikë e kanë quajtur me të drejtë si Kadareani. Një botë e populluar nga personazhet dhe tematikat e tij, nga mitet, legjendat dhe motivet që mishërohen dhe lëvrohen si kristalet e të njëjtit kaleidoskop, apo si vijëzime dhe kthesa të të njëjtit kuadër kubist shumë herë më i aftë që të ngërthejë në thelbin e vet realitetin nga sa mund ta bëjë një paraqitje e tij fotografike dhe një përshkrim racional. Një Kadareani që mund ta brendashkruajmë në radhën e atyre botëve të realizmit magjik që solli në dritë letërsia bashkëkohore. Magjik, e megjithëkëtë realizëm. Ashtu sikundër kushdo që ka lexuar më parë të mëdhenjtë e boom-it letrar latinomaerikan dhe zhvendoset për të jetuar në Amerikën Latine kupton ndërsa përballet përditë me realitetin e tij, se sa shumë që ka nga ai përshkrim i magjisë në realitetin e tij, po ashtu kushdo qoftë që ka lexuar a lexon Kadarenë kupton që në fund të fundit ai përshkruan më së shumti magjinë e realitetit të tij parë me sytë që kanë ditur të zbulojnë në të elementët e saj të fshehtë, që nga pasionet dhe mitet që banojnë në të e njëkohësisht në çdo burrë dhe grua e duke u nisur prej tyre të ndërtojë një botë që mund të jetë vetë bota; bota e gjithsecilit dhe ndërmjet tyre dhe e jona teksa shëtitim sytë tanë faqeve të tij. Realizëm e megjithëkëtë magjik. Jo aq sa për përmbajtjen apo magjinë që mund të mbarte realiteti që rrëfen përtej imagjinatës apo ëndrrës; sesa për magjinë në mënyrën e rrëfimit, e transmetimit, e konstruksionit letrar duke marrë fill nga gojëdhënat, legjendat apo faktet që fshihen në të. Përfundimisht për aftësinë e tij për të krijuar duke marrë pikënisje nga realiteti një univers letrar të vetin që lidhet me universalen. Na thotë Sokrati në dialogët e Platonit- apo Platoni në gojën e Sokratit- se poezia është një nga format e çmendurisë, i kapjes së reminishencave të shpirtit përpara se ky të binte: e për këtë letërsia e vërtetë na komunikon me universalen, me esencën që fshihet pas maskave dhe personave të çdo qenieje njerëzore, kohë jashtë kohe që shfaqet në faqet, leximi apo shkrimi së cilave mund të na ndihmojë për të qenë më njerëzore, për të trashendentuar më shumë vetveten sipas përcaktimit kantian. E për këtë të hysh në Kadareani, të udhëtosh në të nëpërmjet faqeve të shkruara nga Ismail Kadare do të thotë të udhëtosh në Shqipëri, por edhe në vetvete dhe drejt saj. Për këtë Shqipëria nuk mund të jetë më e njëjta për kë ka udhëtuar nëpër të në Kadareani; as mund të jetë plotësisht vetvetja pa Ismail Kadarenë. Për këtë nuk mundet veçse të jetë përgjithmonë e përtej Kadareanisë për këdo që e ka njohur prej saj. Për këtë bota jonë dhe bota mund të jenë një tjetër botë, pasi të kemi shëtitur sytë tanë në faqet e shkruara nga Ismail Kadare.

-------------------------------------
Fjala e ambasadorit të Spanjës në Shqipëri, z. Manuel Montobio, në ceremoninë e zhvilluar në Akademinë e Shkencave, me rastin e dhënies së çmimit ndërkombëtar "Princi i Asturias për Letërsinë 2009", Ismail Kadaresë


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora