E premte, 29.03.2024, 09:32 AM (GMT)

Shtesë » Lajme

Akuzë për terrorizëm

E enjte, 03.12.2009, 07:56 PM


Krenar Lusha, një kosovar tjetër, gjykohet në Britani të Madhe për terrorizëm. Në banesë i janë gjetur xhirime për ndërtim bombash artizanale, material për ndërtim të tyre, udhëzues për vendosje bombash në veturë dhe manualë të Hezbollahut. Lusha gjykohet së bashku me katër pakistanezë me nënshtetësi britanike. Autoritetet në Prishtinë nuk dinë asgjë për këtë person.

Nga Jeton Musliu, Express

Krenar Lusha është shqiptari i dytë nga Kosova, që akuzohet nga një shtet perëndimor, se ka lidhje me celula terroriste.

Pas Hysen Sherifit nga Gjilani, i burgosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si i dyshuar për lidhje të tilla, kundër Krenar Lushës, në Britaninë e Madhe, nga e hëna ka filluar procesi gjyqësor.

Policia britanike nuk tregon qytetin e Kosovës prej nga është me origjinë i dyshuari Lusha, i cili akuzohet për dhjetë vepra penale që kanë të bëjnë me terrorizëm.

Zyrtarë të Policisë në Kosovë thonë të mos kenë asnjë informacion në lidhje me këtë person, se nga është apo kush është.

Ata mohojnë të kenë marrë ndonjë letër nga policia britanike me kërkesë për dhënie informacionesh për këtë të arrestuar.

Në këtë rast edhe zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë thonë se nuk kanë asnjë informacion për këtë person.

“Ju informoj se në Ministrinë e Drejtësisë nuk kemi pranuar asnjë shkrese ne lidhje me z. Krenar Lusha, andaj edhe nuk jemi ne gjendje për te konfirmuar nëse ky person është shtetas kosovar apo jo”, thotë Lirodonë Kozmaqi, zyrtare për informim në Ministrinë e Drejtësisë.

Pavarësisht kësaj, procesi gjyqësor i nisur javën e kaluar, ka vazhduar edhe gjatë kësaj jave, ku vetë i akuzuari Lusha është përgjigjur në pyetjet e prokurorit të çështjes.

Në bankën e të akuzuarit, në gjykatën e qytetit Preston në Veri të Anglisë, Krenar Lusha ka pranuar se përmes internetit ka kontaktuar disa gra myslimane.

Sipas tij, këtyre grave u është prezantuar si një snajperist që ka detyrë të vrasë marincat dhe kontraktuesit privatë, të montonte bomba dhe mortaja për të kryer akte të tilla.

“Unë vetëm doja të pretendoja se isha hero për të fituar zemrat e grave me të cilat flisja. Nganjëherë gratë janë të dhëna ndaj një njeriu që ngjan si një Rambo”, është shprehur Lusha para trupit gjykues.

Por Prokuroria ka paraqitur provat materiale që janë disa incizime të bisedave që Lusha ka pasur me disa persona.

Në një rast, 30-vjeçari nga Kosova i ka thënë një femre nga Libani se do të donte të dërgonte raketa mbi kokat e popullit hebre.

“Ndjehem emocionalisht i trishtuar dhe i tërbuar, duke parë pamjet e ushtarëve amerikanë në Irak që përdorin Kur’anin si shënjestër”, është dyshuar Lusha në thotë në telefon.

Krenar Lusha nuk është i vetmi, që akuzohet në këtë proces gjyqësor. Për të njëjtat vepra penale, bashkë me të ngarkohen edhe katër pakistanezë me nënshtetësi britanike.

Seanca e parë gjyqësore kundër Lushës, për të cilin mendohet se nuk ka nënshtetësi britanike, ka filluar javën e kaluar.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari Krenar Lusha, 30-vjeç, akuzohet për tërheqjen nga interneti të materialeve audiovizuale që tregonin se si mund të ndërtohet një bombë që përdoret në sulmet kamikaze.

Ndër provat që disponon Prokuroria britanike kundër Lushës, është edhe një bisedë e përgjuar në një chat, ku shqiptari është shprehur se ai ishte shumë i lumtur të shikonte të vrarë sa më shumë amerikanë dhe izraelitë.

Gjithashtu, si provë materiale e gjetur në shtëpinë e shqiptarit nga Kosova është edhe një sasi prej dy kilogramësh të nitratit të kaliumit.

Sipas ekspertëve të sigurisë që kanë dëshmuar në gjykatë, me këto lëndë mund të ndërtohet një bombë në kushte artizanale.

Por Krenar Lusha i ka mohuar të gjitha akuzat, duke thënë se disa veprime i ka kryer pa dijeni, e disa të tjera, si lëndët e gjetura, i takojnë vëllait të tij.
Arrestimi i Krenar Lushës është bërë nga skuadra e antiterrorit në Scotland Yard, më 26 gusht 2008, në shtëpinë ku ai banonte në zonën Derby.

Mediet britanike e komentojnë arrestimin e Lushës, së bashku me katër personat e tjerë si shkatërrim të një celule terroriste, që po përgatiste eliminimin fizik të kryeministrit britanik, Gordon Brown.

Provat kundër Lushës
-Oficerët e antiterrorizmit kanë gjetur 71,8 litra naftë në një bodrum.
-2.5 kilogramë nitrat kaliumi - një përbërëse e barutit
-Në kompjuterin e kosovarit janë gjetur dokumente, duke përfshirë ato me titull ushtarak të Hezbollahut, udhëzime për bomba veturash, hartë.
-Një film video mbi montimin e detonatorëve u gjet në telefonin e Lushës.
-14 celularë.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora