E enjte, 28.03.2024, 12:24 PM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Para ligjit

E enjte, 03.12.2009, 07:59 PM


Para ligjit

Nga Ndue Ukaj

Titulli i këtij shkrimi shëmbëllen dukshëm me titullin e tregimit të mirënjohur të shkrimtarit Franc Kafka, “Në derën e Ligjit”. Brenda një konteksti të zymtë politikë, ku trishtimi i jetës politike shqiptare është në kulmin e absurdit të mundshëm, kudo hapësirave shqiptare, ky tregim me fuqinë stigmatizuese që ka dhe mesazhin e fuqishëm që përcjell, ravijëzohet para nesh si një margaritar i fuqishëm, shenjat e së cilit lënë për të kuptuar shumëçka lidhur me të vërtetën e portës së ligjit dhe njeriut që kërkon të hyjë në të. Tregimi është një metaforë e fuqishme për njeriun që kërkon te sendërtoi aspiratat për drejtësi, për liri, për mirëqenie. Kanë kaluar shekuj, dekada e janë shuar jetë të tëra të njeriut shqiptar, tek pret, i penguar si është më keq, i manipuluar dhe abuzuar, para derës së Ligjit.

Prandaj është koha që ajo të hapet.

Në tregimin e Kafkës, kemi dy personazh me tipare krejtësisht kontradiktore, rojtarin, i cili bënë roje të porta kryesore e Ligjit dhe një fshatar, në dukje të parë naiv, i cili kërkon të hyjë në të. Synimet e fshatarit janë të çiltra, qartësisht të motivueshme, ndërsa pengesat e rojtarit të pakuptueshme dhe intencionalisht sabotuese e absurde. Në një dialog të shkurtër mes fshatarit e rojtarit, kuptohet se fshatari i epur për të hyrë në derën e ligjit, e ka të pamundur të realizoi qëllimin e tij. Ai pret aty, deri një ditë kur edhe pleshtat e gëzofit të rojtarit i njeh dhe të njëjtëve ju lutet që t’ia mundësojnë të hyjë te Ligji. Fshatari është në çastin e vdekjes, shikimi i tij është dobësuar shumë, ndërsa veshët i janë mbyllur dhe e kupton se ai nuk do të hyjë kurrë brenda dhe fundi i tregimit është kështu:

Rojtari e sheh se burri është nga mbarimi i jetës dhe, që ai të mund ta kuptojë, i ulërin në veshin tashmë të mbyllur:
“Këtu nuk mund të hynte askush, se kjo derë ishte caktuar për ty. Tani po largohem dhe po e mbyll”.

Dera mbyllet, ndërsa në mënyrë implicite na thuhet se fshatari vdes pa hyrë te Ligji. Vdekja e tij, kësisoj është një sinjifikativ i fuqishëm për gjithë ata që bëjnë ligjin dhe interpretojnë atë.

 Trishtimi i jetës politike shqiptare t’i gërryen sytë, ndërkohë që brendapërbrenda saj lulëzon oligarkia politike, e cila ka pushtuar gjitha sferat e rëndësishme të jetës, ka ndrydhur si është më keq inteligjencën dhe është bërë diga më e fuqishme që pengon transformimet e nevojshme brenda një kombi të stërvuajtur, i cili pret të përjetoi shkëndijat e ligjit dhe ato të rrezatojnë mbi të. Në këso momentesh e krizash të shumëfishta politike, rikthimi i klasikëve të mendimit botëror dhe leximi i tyre, të ngushëllon, jo për ndonjë arsye madhore, por sepse tek ta, njeriu sadopak gjënë prehje shpirtërore. Kam lexuar sa e sa herë këtë tregim të Kafkës dhe çdo herë e më shumë jam bindur se brenda një tregimi të shkurt, çuditërisht del e ravijëzuar tërësisht jeta shqiptare, sfida e njeriut shqiptar me Ligjin, me politikën, trokitjet e tij të pareshtura para ligjit, para një porte që për të vazhdon të jetë e rrethuar me gjemba të pakalueshëm, para një vendi që është mbërthyer nga injorantë, njerëz që kombin e idealet e përbashkëta i kanë shndërruar në interesa krejtësisht gjepi. Te porta qytetari sheh rojtarët paranojak të politikës shqiptare, të cilët, në vend se të ndihmojnë atë për të arritur të Ligji, tek e Drejta, tek Liria, e pengojnë, në mënyrën më barbare të mundshme. Sikur Fshatari para Rojtarit tek porta e Ligjit, nga subjekti i tregimit të Kafkës, ashtu ndodhet qytetari shqiptar para politikës tmerrësisht të vrazhdë shqiptare, duke pritur që nga brendia e saj të shfaqën njëherë shkëndija drite. Mirëpo, sa duken shenja shpresëdhënëse, pëlcet diçka dhe vendnumërimi ynë sforcohet. Ndërsa qytetarit, i duhet të pres. Teksa, pritjet e tij, çdo ditë e më tepër marrin karakter thellësisht absurd, sepse e tillë është politika shqiptare, në Tiranë e Prishtinë, me një fjalë, kudo hapësirave shqiptare. Ndryshe, nuk ka sesi njeriu me një mendje sadopak racionale të arsyetoi budallaqet e pafundme të Tiranës politike dhe Prishtinës politike. Nga dyja qendrat vërshojnë lajme më të pazakonta për Europën dhe botën e qytetëruar. Zbulime enigmash, tamam sikur në tregimet fantastike ndodhin në Prishtinë. Gjuhë vulgare nga më të pazakontën, dëgjojmë nga pozita e opozita në Tiranë. Brenda tyre gulçon një trishtim, një trishtim që nuk ka të ndalur. Ndërsa qytetari sodit i tmerruar skenën më absurde të panumërta të jetës shqiptare, një politike që vazhdon te jetoi për vete, për komoditet e saj, për interesat e saj, për inatet e saj, për qejfet e saj, duke e shtypur dhe ndrydhur si është më zi njeriun, atë që pret para politikës, para ligjit.

Në Kosovë, vendin ku bërlloku të zë frymën, ku ka mungesë uji e rryme, ka shërbimet komunale janë minimale, ndodhin çudirat të gjithfarshme, sikur nëpër tregime odash primitive, rrëzohen e formohen qeveritë. Dhe askush nuk jep përgjegjësi, për këtë cirke politik. Po në këtë Kosovë, ku papunësia është në shifra alarmante, korrupsioni shkëlqen, krimi i organizuar lulëzon dhe askush nuk ndjehet fajtorë, mbase fajtori gjithmonë gjendet diku tjetër. Po të shihet se si flasin politikanët tanë, vërtetë të duken engjëj, mirëpo realiteti është krejtësisht tjetër. Prandaj, qoftë apologjetët e së keqes dhe denoncuesit, te ne janë bërë një simbiozë e rrezikshme, së cilës askush fare nuk i beson.

Ndërkaq në Tiranë, njeriu tmerrohet kur dëgjon me çfarë retorike të vrazhdë, aspak humane, e thellësisht jo politike sulmohen kundërshtarët politikë. Vendi është i katandisur në varfëri, ndërsa në gjitha sondazhet ndërkombëtare radhitët ndër të fundit, madje edhe pas Maqedonisë, një shteti të sapoformuar e të brishtë. Ndërkohë që politika në Tiranë vetëkënaqet paturpësisht dhe bënë lojërat më të ndyta.   

Dhe pra, këta janë rojtarët e politikës shqiptare, ata që pengojnë synimet e shëndosha për të hyrë në portën e Ligjit, metaforë kjo për shtetin e të gjithëve, shtetin e mirëqenies e prosperimit, ku idealet e përbashkëta e vlerat e përbashkëta janë për të gjithë, ku nuk ka selektime qytetare nga më të çuditshmit. Është koha që synimet për të hapur derën e Ligjit të kuptohen drejt, të motivohen fuqishëm. Para saj nuk duhet vetëm soditur. Atë duhet hapur. Koha nuk punon gjithmonë për ne.   


(Vota: 8 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora