Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vetëm të rinjtë? Po të moshuarit?

| E merkure, 03.10.2007, 05:44 PM |


Nga Gëzim Tushi

Janë shumë fenomene sociale të jetës moderne në Shqipëri që po disfavorizojnë dukshëm të moshuarit. Kjo dukuri sociale e margjinalizimit të njeriut në moshën e pleqërisë, pikërisht në momentin që ai më shumë se kurrë ka nevojë të veçantë për mbështetje të familjes dhe shoqërisë, nuk është dukuri vetëm nacionale, nuk shfaqet vetëm në realitetin tonë social. Problemet e të moshuarve tashmë janë dukuri globale, sidomos momentalisht kur pesha demografike e tyre rritet si rezultat i shtimit të jetëgjatësisë mesatare. Braktisja e të moshuarve, duket në mënyrë evidente në shoqërinë shqiptare në shumë drejtime. Për të argumentuar këtë të vërtetë ka shumë fakte, që po shtohen gjithnjë e më shumë në mënyrë artificiale, vështirësitë sociale, krahas atyre moshore, që janë të natyrshme. Po rritet çdo ditë e më tepër “pragu” i pengesave të akomodimit të tyre me “familjen moderne”, e cila tashmë pa asnjë dyshim, nga pikëpamja tipologjike, po shfaq prirjen e pakthyeshme të “strukturës sociale”, që gjithnjë e më shumë po tenton të bëhet “një bërthamore”, sa më e lehtë me sa më pak pjesëtarë. Kjo tendencë po i shton vështirësitë e të moshuarve, të cilët e kanë të vështirë të kuptojnë se çfarë po ndodh me ta, se çfarë janë duke bërë disa fëmijë me prindërit e tyre. “Eksperimentet” që po bëhen me të moshuarit në disa familje janë absurde, të përçudnueshme, asociale. “Tabuja” e familjes moderne me çdo kusht dhe “para kohe” është “haraçi”, që po e paguajnë të moshuarit padrejtësisht dhe pikërisht në periudhën më të vështirë e më të pafavorshme të jetës personale. Pikërisht në atë moment kur ata kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetjen e të rinjve. Këtë realitet “të ri” duhet ta gjykojmë me gjakftohtësi, humanizëm e solidaritet social të gjithë në çdo kohë. Por meqenëse 1 tetori është dita botërore e tyre, duhet të reflektojmë ca më thellë edhe si bij të tyre, por dhe si pjesëtarë të shoqërisë, e cila pa qenë sociale nuk mund të jetë moderne.

Në këtë kontekst, shoqëria jonë ka nevojë të ndalë ca vrapin e modernizimit të parakohshëm të familjes duke e frakturuar atë në dëm të të moshuarve, tendencën ekzibicioniste, imitative të shndrimit automatik, me urgjencë të panevojshme të familjes shqiptare, në mënyrë të nxituar në familje me “një bërthamë”, me prindër e fëmijë, por pa të moshuar. Koha po i përplas të moshuarit me një “realitet të ri” social, i cili është ndërkaq i papërgatitur për të qenë i mjaftueshëm për të përballuar nevojat e veçanta që kanë shpërthyer me një intensitet për “moshën e tretë” dhe “moshën e katërt”. Shoqëria jonë nuk është e përgatitur as e aftë për të përballuar valët e braktisjes artificiale të të moshuarve, në emër të “modeleve sociale” të shoqërisë moderne. Në këtë realitet ka shumë faktorë biologjikë e socialë që kanë ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në situatën e të moshuarve. Një nga “plagët” që ka prekur thellë të moshuarit tanë është largimi i fëmijëve në emigracion, “braktisja e detyruar” për “hatër” të tregut të punës. Një situatë e tillë e detyruar bashkë me përpjekjet për të legalizuar modelin e jetës së ndarë me çdo kusht nga prindërit, si “tregues dhe kusht” i “modernitetit, e kanë bërë situatën e të moshuarve edhe më të rëndë kohët e fundit. Tani nuk mund të mohohet, nuk mund të “mbulohet me gjethe fiku” realiteti i vështirë social i të moshuarve. Shoqëria jonë ka në brendësi të saj një problem social, që tenton të përkeqësohet lidhur me raportin e të rinjve me të moshuarit ose atë që mund të quhet “bashkëjetesë e brezave” në familje. Nuk është normal “kursi” që po shfaq shoqëria jonë. Nuk është qëndrim social, por “deformim asocial”, diskriminues nga pikëpamja moshore, ideja se “shoqëria ju takon të rinjve”. Po sigurisht të rinjtë kanë të ardhmen, vrullin, energjitë, ambicien për të ecur shpejt në jetën e ndërtuar si garë e pandërprerë për sukses.

Por, kjo nuk do të thotë se “bota është vetëm e të rinjve”. Në të vërtetë ne kemi një traditë të mirë sociale, pse jo të trashëguar nga e kaluara, që përbën “vlerë konstante”, që duhet ruajtur dhe trashëguar kujdesin për të moshuarit. Natyrisht, kjo ndjenjë do të ndryshonte bashkë me ndryshimin e “aksit të jetës moderne” dhe ajo do të “ridimensionohej” duke u fokusuar në kontekste të reja socialo-ekonomike. Do të ishte paradoksale, që të pretendohet që sot të krijohet dhe të funksionojë si më parë “atmosfera” e familjes patriarkale, në të cilën “pushteti i të moshuarve”, ishte i veçantë. Kohët kanë ndryshuar, kanë ndryshuar dhe mentalitetet bashkë me rrethanat socialo-ekonomike që disfavorizojnë, që kanë zbehur pozitën, kujdesin dhe qëndrimin e familjes ndaj të moshuarve. Por, kjo nuk duhet perceptuar “in extremis” dhe as të përdoret si argument, që të rinjtë t’i “mbushin” mendjen vetes, se “bota e jetës” u takon vetëm atyre. Në të vërtetë shoqëria jonë ka nevojë të ndalet ca, të rivlerësojë disa nga vlerat e shoqërisë sonë të së kaluarës, të marrë diçka nga tradicionalizmi, si mekanizëm me të cilin shoqëria jonë është kujdesur për të moshuarit. Të paktën kjo do të kërkonte të kemi një “shoqëri moshore” të ekuilibruar e jo të njëanshme. Qëllimet rinore nuk duhet të realizohen duke shkelur të drejtat e të moshuarve. Qëllimet ekzibicioniste rinore nuk mund të quhen të plotësuara humaniste, duke neglizhuar të drejtat e të moshuarve për të jetuar me dinjitet. Jeta e të moshuarit në gjirin e familjes biologjike është “çmim i merituar” i jetës së tyre. Vetëm në rastin kur kjo është e pamundur, kur nuk ka mundësi biologjike për shkaqe rastësore që i moshuari të jetojë i sigurt, i mbështetur, i përkrahur në familjen e tij, është e justifikuar kërkesa për mbrojtje në ambiente sociale të sigurta. Siç duket nga kurba që ka marrë shoqëria shqiptare, do të jetë e vështirë për të ndryshuar drejtimin në “favor të pleqve”. Ky realitet kërkon kuota të reja shtesë të kujdesit social për të moshuarit në të dy drejtimet, edhe nga “familja biologjike” edhe nga “shoqëria sociale”. Ne nuk duhet të kënaqemi që po shtohen “plagët sociale” të prindërve tanë, të të moshuarve në tërësi, për shkak se qytetërimi padrejtësisht është i dhënë pas motiveve pragmatiste e racionaliste. Shoqëria dhe familjet gjithnjë e më pak po udhëhiqen nga motive morale dhe fetare, për të qenë të kujdesshëm me prindërit e moshuar. Ndërtimi i jetës moderne vetëm sipas “shijes” dhe “masës” së të rinjve është i drejtë, i natyrshëm, rezultat i zhvillimit progresiv. Por, “masa” dhe “shija” e të rinjve, nuk duhet të cenojë të “drejtën” e të moshuarve për të qenë të mbrojtur, të mbështetur, në moshën e pleqërisë që është natyrisht periudha më e vështirë e jetës. Një psikiatër bashkëkohor ka thënë se “në skenën hedonistike (të kënaqësive), më shumë vend ka për ata që janë aktivë dhe këta janë të rinjtë dhe të fortët”.

Nuk është normale që shoqëria t’i vlerësojë njerëzit, vlerën e tyre personale, vetëm nga aftësia fizike dhe seksuale. Pikërisht sepse shoqëria moderne po shfaqet e deformuar në këto dy principe, ka filluar të ushqejë “tabunë” e mbivlerësimit të të rinjve dhe të mosvlerësimit të të moshuarve. Në të vërtetë nëse cenojmë parimin e madh të shoqërisë sonë, humanizmin, kujdesin dhe nderimin pa kusht, për “flokët e thinjura”, do të thotë se kemi cenuar thelbin social të shoqërisë, kemi deformuar “themelin” mbi të cilin ngrihet ajo. Nuk ka shoqëri pa një “shkallë vlerash”, midis të cilave dhe mosha e njeriut, të cilat duhet të pranohen dhe respektohen prej saj. Nëse shoqëria shqiptare do të vazhdojë të ecë në rrugën e zbehjes së frymës njerëzore, të humanizmit të familjes, atëherë të moshuarit do të bëhen gjithnjë e më shumë “të tepërt”.

Ne kemi një sistem institucionesh sociale, shtëpi për të moshuar, që fati e ka sjellë që të jenë të vetmuar, pa përkrahje. Por, ato janë tepër pak për të përballuar kërkesat dhe nevojat gjithnjë në rritje, që kërkojnë të moshuarit nga shteti. Është ligj social i njohur, sa më shumë të dobësohet familja, sa më shumë të zbehet kohezioni, lidhjet sociale dhe humane brenda saj, aq më të mëdha do të jenë rreziqet për të moshuarit. Aq më i madh do të bëhet pastaj, presioni i pamerituar i të moshuarve mbi shtetin për të ngritur institucione me “funksione komplementare” për të “kompensuar boshllëqet” që krijon familja. Institucionet për të moshuarit nuk duhen konsideruar si mburrje për shoqërinë tonë. Ato janë një e “keqe e domosdoshme”, sidomos kur në to, përveç të moshuarve, me të cilët fati është treguar i padrejtë duke i lënë të vetmuar, ka jo pak të moshuar, që braktisen padrejtësisht dhe në mënyrë tejet të turpshme nga “bijtë e tyre”, që kanë humbur humanizmin e detyruar duke u bërë “bastardë”. Ndoshta duke u nisur nga profesioni, jam i detyruar të them se, kurba sociale që ka impakt margjinalizues për të moshuarit, duke rritur numrin e atyre që kanë nevojë për përkrahje ka tendencë të rritet. “Teleskopi social” po dikton në horizont një situatë që mund të rëndohet më shumë në të ardhmen jo shumë të largët, sepse lidhjet sociale në familjen tonë kanë tendencë të zbehen akoma më shumë.

Edhe të moshuarit kanë “të ardhmen” e tyre, e cila duhet njohur dhe parashikuar që sot, në mënyrë që të jemi të përgatitur për nesër. Natyrisht forcimi i humanizmit të familjes do të ishte rruga më e mirë, kryesore, normale. Por krahas saj, shteti po mendon edhe për zgjidhje alternative, duke shtuar kuotat e “shërbimit komunitar” për të moshuarit, duke plotësuar nevojat dhe kërkesat e atyre që braktisen me shërbime sociale në komunitet, aty ku ata jetojnë. Vitet e fundit janë ndërmarrë iniciativa të fuqishme sociale, janë ngritur struktura të shërbimit për të moshuarit, qendra ditore e polivalente në të cilat ata, “shoqërizohen”, të paktën me “komunitetin moshor” specifik.