E premte, 19.04.2024, 08:18 PM (GMT+1)

Mendime

Premiera e një shfaqje

E marte, 02.10.2007, 07:26 PM


Nga Halil  Haxhosaj

METAFORA E NJË INTERPRETIMI TË ARRIRË ARTISTIK

“Metafora”, koreodramë me tekst dhe regji të Adem Kicajt, interpretoi Produkcioni internacional për film dhe teatër në Zug të Zvicrës

Halil Haxhosaj
Janë disa herë që ky produksion shfaq drama dhe filma në Zvicër me aktorët e vet, të cilët nuk janë vetëm shqiptarë dhe zviceranë, por ka në mesin e tyre edhe polakë, gjermanë, çekë, etj. Aktori dhe regjisori i njohur nga Kosova, Adem Kicaj, prej ardhjes në Zvicër, nuk u nda nga profesioni i tij prej aktori dhe regjisori. Madje ai këtë profesion e ushtron me dashuri dhe sinqeritet e vullnet të çeliktë edhe këtu. Kështu, duke u mobilizuar jo vetëm që punon qe 15 vite si aktor në teatrot zvicerane(Maralam teater dhe Forum teater), por Kicaj ka themeluar edhe Produkcionin internacional për film dhe teatër në Zug të Zvicrës.

FIGURACIONI I TEKSTIT DRAMATIK

Koreodrama me titullin “Metafora” është premiera që u dha në qytetin Romanshorn, në një sallë të bukur dhe adekuate për shfaqje teatrore. Edhe pse nuk kishte numër të madh shikuesish, edhe ata që erdhën panë një shfaqje e cila kishte gjithçka: interpretim të mirë të aktorëve, koordinim të koreografisë dhe interpretimit, koordinimin të ansamblit artistik, regjisorit, muzikës, të skenografisë dhe kostumeve. Të gjithë këta elementë funksiononin dhe frymonin për një “gabzher” duke krijuar kështu një shfaqje të arrirë dhe të këndshme. Trupa artistike e IFTP e përbërë nga aktor të vendeve të ndryshme, madje disa prej tyre, e pse jo shumica nga ta, me akademi të kryera për film e teatër, funksionoi për bukuri. Puna e madhe dhe me përkushtim e regjisorit Adem Kicaj u kurorëzua me sukses në  natën e premierës. Kicaj, madje këtu u paraqit me tri role: si autor i tekstit dramatik, si regjisor i shfaqjes dhe si aktor. Duhet pranuar se të tri detyrat i kreu me sukses, edhe pse më tepër u dallua si regjisor dhe si aktor. Por, edhe teksti i dramës kishte vlerë, sepse e përmbushi parimin se drama nuk shkruhet për t`u lexuar, po ajo shkruhet për t’u shfaqur në skenë dhe aty e merr shpirtin. Ky parim u përmbush edhe në koreodramën “Metafora” të Adem Kicajt.
Në qendër të dramës është sundimi i egër i sistemeve shfarosëse të njerëzimit siç ishin fashizmi, nazizmi, socializmi dogmatik, etj. Por, kjo mund të nënkuptohej edhe si figurë dhe  metaforë e funksionalizuar edhe me elementë të tjerë figurativë. Shkallëzimi dhe mozaiku i kësaj rrjedhe shtrihet nëpër të gjitha fazat e kompozicionit dramatik në shfaqje. Mu kështu, me këtë shtrirje, figuracion dhe domethënie, funksionalizohet qëllimi artistik i shfaqjes si projekt dramatik.

Drama fillon me një dasmë rome në një fshat piktoresk të globit. Idilin e fshatit e prishin ushtarët, të cilët jo veç që sjellin robërinë, por ata sjellin edhe varfërinë, mjerimin, zhdukjen, gjenocidin dhe shkatërrimin e njerëzimit. Ata janë të identifikuar në shfaqje si ushtarë të nazizmit gjerman. Madje, Diktatori (Adem Kicaj) karakterizohet me Hitlerin. Kjo fiksohet edhe nga paraqitja e figurave të kryqit të thyer të nazizmit gjerman në skenë. Pastaj fillojnë maltretimet, zhdukjet, sakatimet, madje edhe zhbërjet e romëve dhe të tjerëve. Krijohet një kamp i përqendrimit dhe fillojnë reprezaljet naziste mbi të burgosurit. Prishet dasma, përdhunohet Nusja (Nora Muçaj) dhe Rebeka, motra e Roccos (Michaela Zimmermann), vrahet dhëndri Rocco (Mehmet Haxhosaj). Dhe konflikti dramatik në shfaqje e arrin kulminacionin. Atëherë shfaqen figurat artistike që e shpëtojnë rrjedhën e saj. Regjisori Adem Kicaj di ta përdorë mjeshtërinë dhe aftësinë koreografike, duke inkuadruar grupin e koreografisë që simbolikisht shfaq ringjalljen e njerëzimit. Nusja bëhet mbretëreshë, Dhëndri bëhet mbret, kurse të tjerët të lumtur. Në skenë vallëzojnë Engjëlli, Pëllumbesha, Shenjtërorja dhe të tjera valltare, që simbolizojnë jetën, gëzimin, harenë dhe kuptimin e saj. Në këtë rast lindin edhe sisteme të tjera që janë të mira për njerëzimin në përgjithësi pa marrë parasysh ngjyrën, racën, religjionin, vendin, kontinentin, shtetin, etj. Vallet me kolorite të kombinuara nga të gjitha anët, kontinentet, shtetet, kombet dhe popujt e karakterizojnë këtë pjesë të shfaqjes duke e skalitur me sukses.

AKTORËT, ROLET DHE INTERPRETIMI

Aktorët e shfaqjes “Metafora” janë nyja më interesante e saj. Grupin e tyre e përbëjnë persona të meseve, shkollave, stileve dhe përvojave të ndryshme. Ka në mesin e tyre aktor me përvojë aktrimi, me shkollë aktrimi të kryera në mese dhe vende të ndryshme, me ngjyrë, komb dhe religjione të ndryshme. Por, kjo kalohet me lehtësi nga ata, dhe mund të konstatohet se të gjithë veprojnë si një trup i koordinuar. Madje edhe pse ndonjëri prej tyre dallohet për ndonjë nuancë, apo për diçka tjetër, prapë ata veprojnë mirë dhe koordinueshëm. Këtu mund të vërehet dallimi i interpretimit të roleve nga Adem Kicaj, Nora Muçaj, Mehmet Haxhosaj, Shpend Gashi, Mihaila Zimmermann, etj. Por, nuk mbesin pas tyre as Ilmi Hajzeri, Elda Gashi, Enver Zuka dhe Uschi Gonella. Duhet konstatuar se edhe pse drama u shfaq në gjuhën gjermane, nuk paraqiti kurrfarë vështirësie për asnjërin prej tyre, madje as për aktorët shqiptarë, gjermanë, zviceran, sllovak ose polakë.

Roli i Diktatorit, interpretuar nga Adem Kicaj, kishte një elasticitet e lehtësi interpretimi dhe kuptimi. Gjuha skenike, loja dhe intonacioni ishin të koordinuara dhe përbënin një lojë ngjyrimesh të mrekullueshme të këtij aktori. Ndërsa Nusja (Nora Muçaj) kishte disa funksione skenike që dilnin si fiksim i interpretimit. Kjo aktore ka një potencial interpretimi, por duhet të përjetojë atë që e luan. Roli i dhëndrit Rocco, i interpretuar nga aktori Mehmet Haxhosaj, ishte një mishërim i personazhit dhe i subjektit dramatik. Ky mishërim nuk dilte i vrazhdë, madje as i ngurtë dhe i rëndë, por ai rridhte ëmbël, lirshëm dhe pse jo edhe me ndjenjë lirizmi. Kështu, Haxhosaj, me rolin e tij krijoi një personazh lirik, të ndjeshëm, suptil dhe që lë mbresa edhe tek shikuesi. Edhe Shpend Gashi dha një kreacion të mirë në rolin e Judeut. Kurse, roli i Rebekës, interpretuar nga Michaella Zimmermann, shfaqi nuanca që tregojnë përvojën dhe zellin e kësaj aktoreje për të luajtur. Ajo aktore, edhe kur vallëzonte, krijonte figura që flisnin, kurse kur interpretonte ishte në nivel me rolin.
Në nivelin e interpretimit dhe të roleve të tyre ishin edhe aktorët Elda Gashi, Enver Zuka, Ilmi Hajzeri, Ekrem Zymeri dhe Uschi Gonella.

Koreografia e Raschanda Gonellës dhe e Lusi Geiser i dha shfaqjes epitetin e koreodramës. Por, edhe pa këtë epitet, ajo do të kuptohej, madje, edhe më mirë nga shikuesit. Ky epitet duket se nuk ka fare funksion sepse në dramat e sotme moderne, gërshetohen të gjitha zhanret pa i përcaktuar ato në vende të ngurta. Por, koreografia e saj as nuk ia prishi, madje as nuk ia përcaktoi rolin. Vallet e interpretuara nga valltaret shprehnin lëvizjet e koordinuara të tyre. Ndonjëherë ato dilnin nga imazhi dhe tema e saj, por në përgjithësi ishin në rolin dhe kërkesën e regjisorit Adem Kicaj. Skenat më të mira koreografike ishin vallëzimet e katërshes së valltareve: Ndihmësja, Engjëlli, Pëllumbesha dhe Shenjtërorja që paraqitnin një kolorit ngjyrash, kostumesh dhe ritmesh. Me koreografinë u inkuadrua mirë edhe muzika e zgjedhur dhe e kompozuar nga George Getenjac.

Ndërsa kostumet dhe grimi i Aneta Karolonek ishin një mozaik i veçantë i shfaqjes. Kostumet përbënin anën më të suksesshme të saj. Kombinimi i tyre i lehtë, i efektshëm dhe domethënës ia shtuan edhe më shumë nivelin artistik shfaqjes në natën e premierës. Pothuajse të gjitha kostumet e aktorëve frymonin lehtë dhe përshtatshëm me personazhet e roleve të tyre. Kjo mjeshtre e kostumografisë atë natë nuk e kishte tepruar me asnjë element të tepërt, madje as të mbingarkuar. Në të njëjtën vijë qëndronte edhe grimi i aktorëve dhe kështu inkuadrohej mirë me karakteret, pamjet, racën dhe rolin e tyre.

Edhe skenografia e Cimi Bakollit ka meritat e veta për suksesin e shfaqjes në natën e premierës. Ajo ishte një skenografi e lehtë, moderne, por shumë funksionale dhe domethënëse. Paraqitja e një zyre të diktatorëve, e cila shndërrohej edhe në vend hetimi, maltretimi dhe persekutimi, me një pasqyrë rrumbullake të varur në mes të skenës, shprehte shumë, madje e përmbushte kërkesën regjisoriale. Funksionale ishte edhe qerrja e ndëshkimeve që qarkullonte lehtë nëpër skenë. Nuk paraqiste fare vështirësi edhe kur luante rolin e ndëshkimit, të gëzimit si qerre e nuses dhe dhëndrit, madje as si qerre morti e varri për diktatorët dhe ndëshkuesit. Këtu dallohet skena e tërheqjes së qerres ndëshkuese, e cila është ndër skenat më të suksesshme të shfaqjes interpretuar nga aktori i talentuar Ekrem Zymeri. Pra, kjo  skenografi mjaft e qëlluar dhe funksionale e ndihmoi shumë suksesin e kësaj shfaqje natën e premierës së saj në Romanshorn. 
Dhe më në fund mund të thuhet, madje edhe të konstatohet, se shfaqja “Metafora” me tekst dhe regji të Adem Kicajt, ishte një eveniment i arrirë kulturor në premierën e saj në qytetin Romanshorn të Zvicrës. Kjo shfaqje jo vetëm që do të mbahet në mend, por edhe do të korrë suksese të tjera kudo që shfaqet. Pra, drama nuk duhet të mbetet vetëm me shfaqjen e natës së premierës. Reprizat do ta qesin në dritë edhe më shumë vlerën e saj. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora