E marte, 23.04.2024, 01:57 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Rrëfehet Nazim Bllaca: Kam kryer vrasje me urdhër të SHIK-ut

E diele, 29.11.2009, 10:23 PM


Nga Lirie Hajdari - Shqipe Osmani, Bota Sot

Emrat e apostrofuar nga Nazim Bllaca: Azem Syla, Xhavit Haliti, Fatmir Xhelili, Fatmir Limaj, Ekrem Jashari, Sadik Abazi, Faruk Gashi, Shpresim Uka, Driton Hajdari, Kadri Veseli, Ferat Shala, Bekim Syla.

Kosova është tronditur nga rrëfimet rrëqethëse për vrasjet e kryera në Kosovë. Për të gjitha vrasjet dhe tentim vrasjet e kryera në Kosovën e pas luftës, ka filluar të zbardhet misteri, të paktën për 17 prej tyre, gjithë[ka është zbardhur nga vetë dorasi, apo pjesëmarrësi në ekzekutime, Nazim Bllaca.

Vetë njëri nga autorët e vrasjeve makabre të pas luftës në Kosovë, ish-luftëtari i UÇK-së, pjesëtar i SHIK-ut, që nga periudha 1999-2003, Nazim Bllaca, ka pranuar të dielën të dal me fytyrë, pa maskë dhe pa asnjë mbrojtje, të rrëfej publikisht për të gjitha vrasjet dhe tentim vrasjet të kryera në Kosovë, për të cilat di ai dhe në të cilat ka marrë pjesë, i urdhëruar nga strukturat udhëheqëse të SHIK-ut, kryesisht nga Azem Syla dhe burri i mbesës së tij, Shpresim Uka, ky i fundit epror i Bllacës.

I lindur më 01.04.1972 në Ribar të Madh, komuna e Lipjanit, Nazim Bllaca, me profesion arsimtar, thotë se është kyçur në UÇK nga qershori i vitit 1998 deri më 12 qershor 1999, në Zonën e Pashtrikut. Pas lufte ai është inkuadruar në strukturat e SHIK-ut, si njeri i besueshëm dhe i bindur se në këtë mënyrë do t’i kontribuonte atdheut, derisa një ditë ai ka kuptuar se personat e etiketuar si shërbyes të UDB-së nuk kanë qenë të tillë, prandaj edhe kishte marrë vendim që në 2003-ën të braktisë strukturat e SHIK-ut.

Lista më ka ardhur nga eprori im Shpresim Uka

Në konferencë shtypi të dielën në Prishtinë, në pushimoren ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe të Prishtinës, e njohur si trerremëshi, ai ka deklaruar se në asnjë mënyrë nuk do të tërhiqet nga deklaratat e bëra në një rrëfim më shumë se gjysmë ore në DVD, (material ky që gazeta e boton të plotë në faqet 6-7), në të cilat ai drejtpërdrejt akuzon udhëheqësit e SHIK-ut dhe njerëz të strukturave qeveritare. Ndonëse nuk flet me emra se cilët janë personat që ai personalisht i ka vrarë, thotë se ka marrë pjesë në 17 raste, përfshirë këtu vrasje, plagosje, tentim-vrasje, kërcënime, rrahje brutale. Për vrasjet, thotë se për personat që ai i ka vrarë do të dëshmoj në Prokurorinë e EULEX-it. “CD që është dorëzuar në Parlamentin e Kosovës nuk ka të bëjë me periudhën e luftës, por për aktivitete që janë zhvilluar pas luftës. Kam qenë pjesë e strukturave të SHIK-ut dhe ajo CD i qartëson disa gjëra që janë manipuluar në adresën time. Epror kryesor në SHIK e kam pasur Azem Sylën, dhe aty kam shërbyer 4 vite, nga 1999-2003. gjatë asaj kohe i kemi pasur strukturat tona dhe veprimtaria është zhvilluar në shumë fusha. Është e vërtet se bëhet fjalë për vrasje në nivel Kosove. Ato që i ka përmendur Gani Geci ato janë të vërteta. Flitet për vrasjen e Agim Veliut e shumë të tjerëve”, nis rrëfimin e tij z. Bllaca. I pyetur se a ka vrarë ai Xhemajl Mustafën, Tahir Zemajn, Bllaca thotë se nuk ka qenë i përfshirë në këto vrasje, por si strukturë e këtij shërbimi thotë se është autor i një vrasje, por ajo mbetet të dëshmohet në Prokurorinë e EULEX-it. Ai thotë se prokuroria e EULEX-it është ë njohur për vrasjet që ai i ka kryer. “Shefi mbi mua ka qenë Shpresim Uka, dhëndër i Azem Sylës dhe kemi punuar në një strukturë vijë vertikale ashtu siç duhet. Nuk kemi qenë shumë, në rrethin tonë kemi qenë 3 persona, të gjithë tashmë të njohur për Prokurorinë”, thonë ai, ndërsa shton se lista për të eliminuar njerëz të caktuar i ka ardhur nga eprori i tij. “Mua lista më ka ardhur nga eprori im Shpresim Uka. Kam dëshmi për të gjitha, posedoj edhe audio dhe video incizime që janë marramendëse, incizime duke marrë pjesë në aksione. Të gjitha i janë dorëzuar Prokurorisë. Unë kam punuar nën koordinatën e Azem Sylës. Kam qenë pjesëmarrës në 17 raste. Bëhet fjalë për vrasje, plagosje, kërcënime, shantazhe, rrahje brutale etj”, ndërsa nuk ka precizuar se kush është personi që ai personalisht e ka varë, duke thënë se këtë informatë e ka Prokuroria e EULEX-it. Bllaca thtoë se ka qenë i pa vetëdijshëm për atë që ka bërë, duke menduar se në këtë formë po i shërben atdheut. “Kam menduar se jam duke punuar mirë për atdheun, por ajo kishte qenë krejt diçka tjetër, që është bërë nga individë dhe klane të ndryshme të cilat nuk ia kanë dashur të mirën tjetrit. Kanë thënë se ata njerëz të caktuar i kanë shërbyer UDB-së. Por në fund doli e kundërta e asaj që është thënë. Po e marr shembull kanë thënë se Ali Sadriu shërben për Shërbimet e fshehta të Beogradit apo dikujt tjetër, apo Adem Saljhai dhe këta i kemi futur me një ‘thes’ me Selim Broshën dhe Ibush Kllokoqin”, thotë Bllaca.

Jam penduar për punën që kam bërë

Ai nuk di nëse për këto raste kanë qenë të njoftuar udhëheqësit e shtetit. “Këtu nuk mund të implikoj kryeministrin. Unë nuk kam të bëjë asgjë me Hashim Thaçin, Fatmir Limaj apo Presidentin”, thotë ai. Bllaca ka rrëfyer edhe për takimet që Azem Syla i ka mbajtur me strukturat e SHIK-ut në vitin 2007, ku ishin ofruar 100 mijë euro për të likuidimin e tij. “Më 20 gusht 2007 nga i njëjti grup kriminal është përgatitur likuidimi im, ku edhe janë dhënë 100 mijë euro dhe për këtë është e njohur edhe Prokuroria e EULEX-it. Kam dhënë një deklaratë në stacionin numër 2, por ajo deklaratë imja pas 20 minutash ka dalë nga stacioni. Tash kam vendosur të flas sepse është koha. Siç po shihet edhe Prokurorët e EULEX-it janë të interesuar t’i dalin kësaj çështje deri në fund”, thotë ai, ndërsa thekson se të njëjtën gjë ka dashur ta bëjë edhe në vitin 2007. “Kam dashur të dëshmoj për të gjitha ato që janë bërë duke u bazuar në organet e mirëfillta të EULEX-it. Fillimisht në gusht të vitit 2007 kam dashur të flas, por duke u bazuar në të kohë që UNMIK-u ishte jo stabil jam detyruar të largohem nga Kosova”.

Ai, ka pohuar se urdhërdhënësit për vrasje janë ministra dhe zv.ministra, por nuk ka precizuar asnjë nga ata emra, duke thënë se emrat janë të njohur për EULEX-in.

Duke qenë personi i parë që del hapur për të dëshmuar për krimet e bëra, ai thotë se në asnjë moment nuk do të tërhiqet nga deklarimet e bëra dhe se është i gatshëm të paguaj me çmim gjithë atë që ka bërë, ndërsa për të gjitha të bërat e tij, ai thotë se ka qenë në dijeni edhe familja. “Jo absolut nuk tërhiqem. Unë jam personi i parë në Kosovë që pas luftës dal haptas. Po normal se unë jam penduar për punën që kam bërë nga viti 1999. Barra ime sa më bien jam i interesuar ta paguaj. Kam tre fëmijë dhe gruan, jetojmë të gjithë në Kosovë. Edhe po të vritem nga ky vend njerëzit do të kapen, dhe për këtë do të marr vesh edhe Brukseli sepse janë çështje madhore. Unë ua njoh strukturën e vrasjeve dhe mua nuk e kanë lehtë të më qesin në kurth”, shprehet Bllaca. Ai thotë se Azem Syla dhe njerëzie tij i kanë ofruar edhe të holla për të tërhequr dëshmitë. “Më 13 tetot 2009 nuk kemi mund të arrijmë kompromis me Azem Sylën rreth këtyre çështjeve. Në takimin që kam pasur me grupin kriminal të Azem Sylës nuk kemi arritur të gjejmë kompromis. Jam takuar me Azem Sylën që ata të mi japin disa të holla dhe unë të tërhiqem nga të gjitha. Fillimisht më kanë ofruar 400, pastaj 600 mijë euro, nëse unë largohem nga mediat, EULEX dhe partitë opozitare. Njerëz të Azem, Sylës më kanë thënë se nëse tërhiqem nga deklarimet do të më ndihmojnë me miliona dhe ky takim është mbajtur në Drenicë”, thotë ai, ndërsa shton se për mos pranimin e tërheqjes së tij pas publikimit të CD-së në Parlamentin e Kosovës të premten më 27 nëntor në orën 19:00 ndaj tij është përgatitur atentati i dytë.

Ai thotë se ka zgjedhur Gani Gecin për t’ia rrëfyer të bërat e tij, nisur nga fakti se Geci është anëtarë i komisionit për siguri në Parlament, dhe jo se ka qenë ithtar i LDD-së.

Geci: Dëshmitari tregon se kush e ka gjakosur Kosovën

Deputeti Gani Geci, shpjegon se si ka ardhur deri të kontakti me dëshmitarin, duke thënë se fillimisht kanë biseduar në telefon e pastaj e ka ftuar z. Bllaca që të takohen në Skenderaj. “Ka filluar të rrëfejë dëshmi aq rrëqethëse sa që unë s’kam besuar, sepse më është dukur si nëpër filma. Pastaj kemi shkuar të Adem Salihaj dhe jemi takuar në një kafiteri në Ferizaj dhe gjatë rrëfimit dëshmitari ka shprehur gatishmërinë për t’u incizuar në CD. Ky dëshmitarë tregon se kush është para politika dhe kush e ka gjakosur Kosovën. Nuk është patriotizëm me dhanë urdhër dhe me vra axhën e vet që ka punuar në arsim. Urdhërdhënësit janë në hierarkinë e institucioneve”, thotë Geci.

Edhe Adem Salihaj, thotë se në nuk është strukturë që ka zhvilluar ndonjë hetim, por se ka qenë një viktime e krimit të organizuar në Kosovë. “Jam munduar me vite të zbardhë të vërtetën lidhur me tentim-vrasjen dhe dëshmia që ka ardhur te unë që ka rrëfyer edhe për rastin tim, ka ardhur nga një peron që kurrë se kam njohur. Jemi marrë vesh që ta filmojmë me kamera atë dëshmi. Në këtë CD janë shumë përgjigje për shumë vrasje në Kosovë. Janë përgjigje për një krim të organizuar për sektorin e organizuar të SHIK-ut dhe flitet për një person që ka qenë pjesë e sektorit të vrasjeve që ka rrëfyer për atë pjesën që e di ai. Janë përgjigje jo vetëm për rastet që janë përmendur konkretisht, por edhe për rastet që nuk janë përmendur, sepse urdhërdhënësi është i njëjti për të gjitha vrasjet në Kosovë. Këtu janë përgjigjet për tentim-vrasje ndaj Agim Veliut, Ejup Visokës, Gani Gecit, dhe ndaj meje. Këtu janë përgjigjet për vrasjen e Xhemajl Mustafës, Enver Malokut, Ukë Bytyçit, Shaban Manajt, Tahir Zemajt, Besim Dajakut, Bekim Kastratit, Sebahate Tolaj, etj”, thotë ai. Salihaj është i bindur se Kosova nuk mund të ecë përpara me këta njerëz dhe këto institucione, ndërsa kërkon nga mekanizmat përkatës që të gjejnë mënyrën që mos të sundojë krimi dhe mafia politike. Sa i përket Sigurimit të Atdheut, Salihaj mohon të ketë qenë ndonjëherë pjesë e kësaj strukture ilegale. “SHIK dhe PDK kanë tentuar të konstruktojnë një akuzë kinse unë kam lidhje me Sigurimin Atdheut, por them se s’kam asnjë lidhje. Ndoshta ekziston Sigurimi i Atdheut dhe besoj se e njëjta strukturë qëndron prapa këtij shërbimi dhe s’kam asnjë lidhje me këtë. E ardhmja do të tregoj se kush është i lidhur me krim e kush jo dhe shumë gjëra do të dalin në shesh. Ne sot ndjemi të rrezikuar, por megjithatë kemi vendosur që të plasojmë të vërtetën”, thotë ai, ndërsa thekson se tashmë edhe EULEX-i ka dëshmi konkretet që flitet me emra dhe mbiemra.


(Vota: 9 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora