E enjte, 28.03.2024, 08:27 PM (GMT)

Sport

Spartaku i Moskës, Stalini, Beria dhe Shqipëria…

E hene, 01.10.2007, 11:04 PM


Nga Besnik Dizdari

Siç kam shkruar në shkrimin “Letër editorit të “TemA”-s për historinë”, më ka bërë përshtypje kohët e fundit botimi në Itali i një libri për Spartakun e Moskës prej autorit italian, Mario Alessandro Curletto.

E mora librin, e lexova dhe u trondita, kur mësova se si ishte sjellë regjimi stalinian me protagonistë të kësaj skuadre futbolli që u bë legjendare. Kësisoji, shtyhem te botimi i këtij cikli nga libri, sepse shumë ngjarje spartakase drejtpërdrejt apo jo, kanë të bëjnë edhe me Shqipërinë. U lidha me autorin. I thashë se Shqipëria ka zhvilluar 11 ndeshje me Spartakun e Moskës – një rekord evropian mbase për vetë historinë e Spartakut. Autori i librit me sinqeritetin e historianit të ndershëm dhe kërkues, u bë shumë kureshtar për të ditur për këto ndeshje, dhe për marrëdhëniet kaq të pazakonta të Spartakut me Shqipërinë. Ndonëse ai e kishte shkruar këte libër më tepër me synimin për t’iu treguar italianëve të tij se deri ku kishte mbërritur regjimi stalinian dhe se çka ka ngjarë me sportin dhe futbollin në vendet komuniste. Për të kujtuar kështu edhe qytetarët perëndimorë, se çka ka ndodhë. Jo për të harruar. Edhe pse kjo ka ndodhur në një vend tjetër.

Qé pra, tek vijmë te libri i autorit Mario Alessandro Curletto me titullin e thjeshtë: “Spartak Mosca”, që për mjedisin sportiv dhe jo sportiv të Shqipërisë, mendoj se paraqet interes të veçantë. Sigurisht, nëse të gjithë sot kërkojmë të dijmë gjithmonë të vërtetën, vetëm të vërtetën, një pjesë e mirë së cilës ndër ne vazhdon të fshihet, ose “të harrohet”.

XXX

Me Spartakun e Moskës, Shqipëria Komuniste ka pasë një lidhje vërtet të çuditshme. Ose e thënë më ndryshe, në vitet ’40-’50, Spartaku i Moskës ka hyrë në historinë tonë më fort se dikush tjetër. Mbi të gjitha për faktin historik se Kombëtarja e Shqipërisë, ndeshjen e saj të parë zyrtare ndërkombëtare, e ka zhvilluar mu me Spartakun e Moskës. Kam nënvizuar në librat e botuar se Adem Karapici është njeriu, i cili i pari e nxori në fushë këte Kombëtare përballë një skuadre të huaj, që për fat qe pra një klub: Spartak i Moskës.

Propaganda e Tiranës ka shfaqur ndërkaq, tone të papërmbajtshme për mbërritjen e Spartakut në Tiranë, në prillin e vitit 1946, madje me tone “luftarake” dhe politike, natyrisht. Spartaku kishte të bënte jo pak me luftën e sapofituar kundër nazizmit. Portjeri Zmelkov, më i miri portjer i Paraluftës në BRSS, kishte gjashtë Medalje të Trimërisë dhe ishte një vullnetar heroik i Luftës së Dytë, duke ndjekur frontin deri në marrjen e Berlinit. Po ashtu edhe trajneri i skuadrës, Albert Henrikovic Volerat, i cili ishte nga Estonia, apo presidenti i Spartakut, Genadi Trofimoviç, gjithashtu me nga dy Medalje të Trimërisë për Luftën. Në shoqërinë e tyre në këte udhëtim të Tiranës bënte pjesë edhe gjyqtari Nikolai Latishev, ndër më të mëdhenjtë në Evropë, i cili vetëm para pak kohësh kishte gjykuar në Londër ndeshjen më të madhe të gjeopolitikës së Mbasluftës, atë Arsenal – Dinamo e Moskës.

Tonet e një patetizmi partiako-politik nuk pushonin ato dit në Shqipëri.

“Skuadra jonë kombëtare, - shkruan shtypi shqiptar, - e lot matchin e saj të parë kundër skuadrës Spartak të Moskës, kundër njerës prej skuadrave më të forta të Rinisë heroike të Bashkimit Sovjetik, flamurtares së luftës së përbashkët kundër fashizmit, pikërisht në ditën e 1 majit, që është festa më e madhe e gjithë punëtorëve të botës liridashëse. Me qindra sportistë nga viset më të ndryshme kanë ardhur në kryeqytet që të shijojnë për së afërmi evenimentin tonë sportiv më të shquar.”

Ndeshja e parë e Spartakut të Moskës është me skuadrën e së ardhmes të futbollit shqiptar, Partizanin e Ushtrisë Kombëtare më 21 prill 1946 në Tiranë. Eshtë një 5-2 spektakolar i sovjetikëve të famshëm në prani të gjithë autoriteteve të qeverisë shqiptare. Shkëlqejnë vetëm dy golat e Telitit të papërmbajtshëm edhe përpara rusëve të shquar. Eshtë një madhështi jo vetëm sportive. Ata janë futbollistë të rrallë dhe përballë forcës së tyre, futbollistët shqiptarë ndjehen në vështirësi. Në Shkodër, Spartaku fiton 3-0 ndaj një formacioni të çuditshëm shqiptar që emërtohet Përfaqësuesja e Sportklubeve të Veriut. Mandej 2-0 në Vlorë për Spartakun kundër Përfaqësueses së Sportklubeve të Jugut.

Por ndeshja e madhe është një tjetër: Shqipëria - Spartak 1-2. Kjo është ndeshja e parë ndërkombëtare e Kombëtares së Shqipërisë. Eshtë 1 maj 1946. Dita historike e Kombëtares së lindur mu më 1936, vit kur mijëra kilometra larg Shqipërisë, Spartaku i Moskës në Rusinë e largët do të merrte emrin e tij dhe do të fillonte marshimin drejt apogjeut të suksesit, siç e thotë Curleto në librin e tij. Po pa mundur kjo Shqipëri të zhvillojë për dhjetë vjet asnjë ndeshje ndërkombëtare. Për fat, edhe kjo e para e mbas dhjetë vjetëve, është kundër një klubi, jo kundër një përfaqësueseje shteti.

Dhe as kjo ndeshje nuk do të bëjë përjashtim prej tri të parave të Spartakut, sepse po ky shënon golin e parë në të 25' me Malinin dhe pa kaluar 60 sekonda, të dytin nga Smislov: 2-0 kur ndeshja kishte qenë thuajse në baraspeshë. Mbas një hutimi që do të zgjasë rreth dhjetë minuta, Kombëtarja e Shqipërisë gradualisht nis e merr veten dhe thuajse për gjithë pjesën e dytë e drejton ajo ndeshjen. Deri sa vjen minuta e 74-t me golin e Telitit me 11-metërsh. 1-2 ishte sukses i madh kur merret me mend se kush ishte Spartaku i Moskës, ndonëse në këte 1946 kishte zënë vendin e gjashtë në Kampionatin e BS, midis 12 skuadrave.

Skeda e ndeshjes historike e saktësuar ditët e fundit më mirë se asnjëherë, çka përbën ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare të Kombëtares së Shqipërisë, paraqitej kështu:

01.05.1946, Tiranë, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”: SHQIPERIA – SPARTAK I MOSKES 1-2

SHQIPERIA: Poselli, Llambi, F.Janku, Dibra, B.Fagu, Spahiu, Parapani, Teliti, Mirashi, Biçaku (Met Vasija), Begeja.

TRAJNER: Ludovik Jakova.

SPARTAK MOSKE: Zmelkov, Vik. Sokolov, Vas. Sokolov, Malinin, V. Guliaiev, N. Guliaiev, Smislov, Klimov, Siemionov, Konov, Salnikov. TRAJNER: Albert Volorat.

GOLAT: Malinin 25’ (11-m), Smislov 26’, Teliti 74’ (11-m).

GJYQTARE: N.Latischev (BRSS), A.Karapici, E.Hoxha (Shqipëri).

SHIKUES: 25.000

Dhe në tanësi katër ndeshjet e para të Spartakut të Moskës me futbollin shqiptar përmblidhen kësisoji:

1.

21.04.1946, Tiranë, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:

PARTIZANI – SPARTAK I MOSKES 2-5

GOLAT: Teliti 5’, Konov 7’, Siemionov 11’, Smislov 35’, Simeonov 57’, 82’, Teliti 85’.

2.

24.04.1946, Shkodër, Fusha e Vjetër e Shkodrës:

SKUADRA PERFAQESUESE E KLUBEVE TE VERIUT – SPARTAK I MOSKES 0-3

GOLAT: Klimov 4’, Siemionov 6’, Ale. Sokolov 79’.

3.

28.04.1946, Vlorë, Fusha Sportive e Qytetit:

SKUADRA PERFAQESUESE E KLUBEVE TE JUGUT – SPARTAK I MOSKES 0-2

GOLAT: Smislov 28’, A. Sokolov 56’.

4.

01.05.1946, Tiranë, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”:

SHQIPERIA – SPARTAK I MOSKES 1-2

GOLAT: Malinin 25’ (11-m), Smislov 26’, Teliti 74’ (11-m).

Nuk është e lehtë të marrësh me mend ndërkaq, atmosferën sportive shqiptare për këte turne të Spartakut të Moskës, udhëtimi i së cilës për në Tiranë, shndërrohet në vetë përurimin e linjës ajrore Moskë– Tiranë. Dhe Shqipëria e cila kishte vetëm 18 muaj që kishte vendosë themelet e një prej regjimeve më të egër në Evropën e mbas Luftës së Dytë Botërore.

Nga ana sportive, e rëndësishme ishte se Shqipëria kishte përuruar Kombëtaren e vet denjësisht. Eshtë një humbje e cila ashtu si ajo me Barin më 1938, provonte rritjen e madhe, kësaj rradhe në përmasa të tjera. Spartaku papritmas ndesh në një pengesë të cilën e kalon me shumë vështirësi dhe befasohet. Ing. Granatkin, drejtuesi i Spartakut, pohon: "Takimet në të kaluarën me skuadrat italiane dhe jugosllave natyrisht kanë influencuar te skuadrat tueja. Parashikimet tona u vërtetuan sepse ne gjetëm tek ju sportistë seriozë dhe çdo pjestar i skuadrës është një teknik i mirë."

Eshtë shumë interesante kjo deklaratë e shkurtër prej një përfaqësuesi të Bashkimit Sovjetik stalinian, siç ishte përgjegjësi i Spartakut, Ing. Granatkin. Kishte marrë tri medalje trimërie për mbrojtjen e Moskës gjatë Luftës së Dytë. Dhe “guxon” e çmon përvojën e ndeshjeve shqiptaro- italiane, të cilat Partia Komuniste Shqiptare as që lejonte të komentoheshin e të përmendeshin. Mirpo, Ing. Granatkin, më fort se një përgjegjës politik është një njeri i vërtetë i futbollit. Përmbi 25 vjet (1954-79) do të jetë zëvendëspresident i FIFA-s, dhe për nder të tij qysh me ndarjen nga jeta më 1981, ka një turne: “Turneu Granatkin”.


XXX

Do ta fillojmë me kapitullin që bën fjalë për ndeshjen demostrative të Spartakut për nder të Stalinit në Sheshin e Kuq, në themelet e Kremlinit. I vetmi shesh qendror i një kryeqyteti apo dhe i një qyteti në historinë e njerëzimit, që për hir të një prej diktatorëve më të pamshirshëm, një ditë e vetme e shndërroi në stadium, si të thuash, duke u bartë në krahë vetë fusha e futbollit! Krejt rastësisht më ndodhi që ta përjetoj me sytë e mi gjatë një transmetimi televiziv këte ngjarje të vjetër përmes televizionit rus “Planeta Sport”. Skena sensacionale për vetë historinë e futbollit botëror, ishte filmuar në atë 1936. Për histori…

Duket e pabesueshme, por ka ndodhë. Stalini dhe gjithë Politbyroja e PK të BRSS në tribunën e mauzoleut Lenin të shtangur, para një ndeshje futbolli, ndërsa udhëheqësi i çuditur teksa përkulej i mbështetur dhe “buzagaz” me vështrimin e habitshëm mbi Sheshin e Kuq që ishte shndërruar në stadium…

Le t’ia lëmë fjalën librit të Curletto-s.

 


Sheshi i Kuq

 


MARIO ALESSANDRO CURLETTO

Nga libri ”Spartak Mosca”

… I lindur vetëm para një viti, papritmas Spartaku mbërrin te një sukses i bujshëm në planin e prestigjit dhe të paraqitjes, siç mund të thuhet për sot. Më 6 korrik 1936 me një paradë në Sheshin e Kuq, festohej dita e kulturës fizike. Aleksandër Kosarev-it, president i komisionit qeveritar për manifestimin në fjalë, përveçse sekretar i Komsomolit, i lind ideja për të përfshirë në program një ndeshje demonstrative futbolli, me të cilën duhej të merrej Spartaku, shoqëria e lidhur pikërisht me Komsomolin.

Propozimi ngjalli një farë ironie dhe vërejtje midis krerëve të partisë në qytet. Si mund të luhej futboll mbi rrasat e Sheshit të Kuq? Po sikur topi të godiste ndonjë spektator të nderuar? Po, sepse në tribunën e mauzoleut Lenin mund të vijnë për festimet krerët e kombit, përfshi edhe ate, shokun Stalin personalisht.

Çështja më serioze dhe konkrete ishte krijimi i një terreni të përshtatshëm për të luajtur futboll. Dhe mbas diskutimeve të gjata vendoset të fabrikohet një tapet shumë i madh prej plisash lëkure dhe fije leshi nga sipër (10.000 metra katrorë), aq sa për të mbuluar krejt Sheshin e Kuq, nga kisha e Shën Bazilios deri te Muzeu Historik, nga tribuna e rezervuar për miqtë nën muret e Kremlinit, e deri te magazinat e GUM-it. Nis kështu ajo që Nikolaj Starostin e ka përcaktuar si epopeja e tapetit: “Gjatë natës, kur sheshi lirohej prej trafikut të automjeteve, rreth treqind sportistë të Spartakut, prej fëmijëve e deri tek personazhet më të shquar të tij, armatoseshin me gjilpëra qepjeje lëkure dhe me dhjetra metra spango rezistuese, për secilin, ndërsa ashtu të ulur mbi gjunjë, ata qepnin së bashku pjesët e lëkurës, njërën mbas tjetrës. Simbas urdhërit të autoriteteve, pak para mëngjezit, duhej të mblidhej tapeti për të mos penguar kalimin e automjeteve. Dalëngadalë dhe me vështirësi, megjithate, puna po ecte”.

Por copat e tapetit që qepeshin, njëra mbas tjetrës duheshin lyer me ngjyrë të blertë, në mënyrë që terreni i lojës të merrte pamjen natyrale; por ja që ndërhynë zjarrëfiksit, të cilët do të bllokonin të gjithë operacionin për të ndalë rrezikun, sepse gjatë orëve të nxehta të ditës mbrenda tapetit temperatura të larta mund të shkaktonin diegien e menjëhershme të shtresave të vernikut të përdorur.

Në prag të ditës së shumëpritur, ndërsa sportistët e Spartakut ishin duke mbaruar tashmâ vizimin e fushës, dhe Nikolaj Starostin, po drejtonte punimet, afrohet Aleksandër Kosarev (sekretari i Komsomolit) i shoqëruar prej dy ushtarakëve të panjohur, që ishin zyrtarë të NKVD (shërbimi i sigurimit të komisariatit të punëve të mbrendshme): “Shoku Starostin, - flet njeri prej të dyve – nuk keni parashikuar që lojtarët mund të rrëzohen, dhe mund të dëmtohen rëndë, çka mund të ndodhë para syve të shokut Stalin. Ky tapet nuk të shpëton prej kontuzioneve. Prej këpucëve, unë ndjej si gurë nën copat e tapetit, kështu që tapeti juaj nuk siguron besimin e mjaftueshëm. Futbolli nuk do të përfshihet në program”.

Zyrtari i dytë, pohonte të parin, ndërsa Kosarevi me një shprehje të humbur dhe të dhimbëshme në fytyrë, heshtte i tronditur, pa dashur të besojë se mund të shuheshin në çast shumë shpresa dhe gjithë ai mund. Nikolaj Starostin vështroi instinktivisht përreth, si për të dashtë me gjetë ndonjë mundësi mbështetjeje. Pak më larg, Aleksej Sidorov, lojtar i skuadrës rezervë, ishte duke shénjue me kujdes pikën e bardhë të 11-metërshit. Nikolaj e thërret me zë të lartë, pa e ditur ende se çka do t’i thoshte, po ndërsa ai po afrohej, i lind papritmas një mendim tek e urdhëron:

- Hidhu për tokë!

Se çka mendonte në këte çast Sidorovi, nuk mund të merrej me mend, por fakti është se duke ndjekur urdhërin e dhënë ai kërceu dhe u hodh dy herë si një sustë.

- U vrave?

- Po çfarë thua, Nikollaj Petrovic! A dëshëroni të thidhem përsëri?

Në këte çast ndërhyn Kosarevi:

- E përse? Tashmâ është e qartë që tapeti nuk është i rrezikshëm. Mund të luhet.

Simbas Nikolaj Starostinit, i cili e ka treguar këte episod në kujtimet e tij, papritmas, një ditë mbas këtij kërcimi në tapetin e improvizuar, Sidorovit iu shkaktua një ematomë e rëndë në njërën kofshë!

Përpjekja e fundit e “sabotimit” kishte të paktën meritën sepse lejonte për të kuptuar se kush qëndronte mbrapa gjithë këtyre pengesave të rregullit burokratik që Spartaku kishte ndeshur në organizimin e ngjarjes së shumëdëshiruar: kuptohej se gjithçka vinte prej krerëve të NKVD, ku bënte pjesë Dinamo, klub që në trembëdhjetë vjet jetë ishte rrethuar prej sukseseve, por që nuk ia kishte arritur kurrnjiherë që prej partisë-shtet të ndërmerrte një rol të tillë publik kaq joshës.

Më 1936 pozicioni i Kosarevit, mbështetës i Spartakut, ishte kaq i qartë, saqë as NKVD nuk po mund ta sulmonte më ballë përballë. Por baraspeshimet e pushtetit do të ndërronin shpejt. Në këte rast ishte krejt e qartë se kundërshtimi midis Dinamos dhe Spartakut i kishte kaluar në mënyrë të pakthyeshme caqet e garës sportive.

Pavarësisht nga shqetësimi për problemet e vështira të përgatitjes, më 6 korrik ndeshja demonstrative në Sheshin e Kuq, zbriti në skenë. Përballë njëra- tjetrës do të ishin skuadra e parë dhe e dytë e Spartakut. Publiku pati përshtypjen se ishte i pranishëm në një ndeshje miqësore, e diskutuar përmes një skenari të jashtëzakonshëm. Në të vërtetë ishte fjala për një paraqitje futbollistike ku saktësisht çdo minutë loje i korrespondonte një kthimi mbrapa tejet të studjuar. Numri dhe modaliteti i shënimit të golave ishin programuar me kujdes, që t’i trasnsmetonin spektatorëve dhe në mënyrë të veçantë kryetarit më të lartë, aksionet më spektakolare, si shembuj të një loje futbolli: u shënuan gola me goditje dënimi, me 11-metërsh, me krye, me gjuajtje nga larg e të tjerë. Pjesa e dytë duhej të luhej saktësisht 30 minuta, por nëse Stalini mund të jipte shéja mërzie, atëherë Kosarevi, i cili ndodhej në krah të “mikut më të mirë të sportistëve” në tribunën e mauzoleumit Lenin, do ta njoftonte para kohe Nikolaj Starostinin duke nxjerrë një shami të bardhë: dhe kështu spektakli do të ndalej menjëherë. Mu për këte gjatë gjysmë orës së paracaktuar, Nikolaj fiksonte me plot vëmendje shikimin nga tribuna, në fillim shumë i shqetësuar, mandej shumë i sigurtë, sepse minutat po kalonin pa u dukë kund shamija fatale. Ndodhi megjithate një fakt që organizimi i përpiktë nuk e kishte parashikuar: Stalini shfaqi një interes kaq të madh ndonëse kishte mbërritur minuta 43, duke i detyruar aktorët- futbollistë në 13 minuta të tepërta të interpretonin si në teatër, përveç të tjerave të duartrokitur prej publikut entuziast dhe disi naiv për të gjithë prapaskenat.

Për detyrën e regjizorit të ngjarjes ishte zgjedhur përshtatshmërisht një profesionist, Valentin Plucek, i cili më mbas do të drejtojë Teatrin e famshëm të Satirës, por që në këte kohë e kalonte shumë keq. Për gjithë jetën Plucek, sa herë që takohej me Nikolaj Starostin, nuk mungoi kurr së falenderuari publikisht që i kishte ndërruar jetën, duke u përkujdesur për një kontratë të çmueshme dhe të një shpërblimi relativisht të lartë të 5000 rublave. Po prej përsëritjeve të kësaj mirënjohjeje të vazhdueshme, Nikolaj Starostin ndjehej gjithnjë keq.

Gjashtëmujori i dytë i vitit 1936 iu solli lojtarëve të Spartakut suksesin më të madh që mund të merrnin në fushën e lojës: medaljen e artë të kampionit të BRSS. Në këte turne vjeshtor hyri në legjendat e futbollit rus ndeshja e javës së fundit CDKA – Spartak, e luajtur në Sokolniki, në stadiumin e vogël të klubit të Ushtrisë së Kuqe të mbushur plot me të 10.000 spektatorët e tij. Terreni i lojës qe rrethuar nga çdo anë prej një muri spektatorësh të cilët herëmbas-here vërshonin, duke kaluar edhe përtej vijave të bardha, derisa gjatë pjesës së dytë të lojës, do të thyenin madje edhe një portë; ndeshja qe ndalë për të kaluar këte situatë, mbas së cilës gjithçka rifilloi pa çrregullime dhe me një fund të lumtur: Spartaku kishte fituar 3-1.

Duke përdorur një shprehje të paparagjykime, duhet nënvizuar se marshimi i Spartakut, i sapo nisur, shpejt do të bëhej sinonim i suksesit që i përshtatej një pjese të publikut të një hapësire thuajse të pangjashme: nga njëra anë ai kishte tërhequr vemendjen e Stalinit me futbollin, çka e lumtura Dinamo nuk ia kishte arritur gjatë gjithë 13 vjetëve të një “shërbimi të nderuar”, e nga ana tjetër, Spartaku e kishte bërë për vete klasën punëtore moskovite (dhe jo vetëm ate) e cila qëndronte larg aparateve shtypës të pushtetit; dhe së fundi, kishte arritur plotësimin e rrethit të vet, duke gjetur tifozë të vërtetë, thellësisht të dashtun, nga bota e kulturës, artit dhe të spektaklit. “Në këto vite kafeneja “Nacional”, një lloj klubi i “inteligjencija-s” krijuese, përditë priste shkrimtarë, artistë, piktorë, sportistë; ata merrnin një kafe, flisnin për një libër të sapo botuar, për shfaqjen e fundit të vënë në skenë”, siç kujton Andrej Starostin, i cili citon disa prej shokëve dhe miqve të tij të bisedave, të ulur së bashku në një tryezë pranë dritares: shkrimtari Jurij Karlovic Olesa, aktori i Teatrit të Artit, Michail Jansine, regjizori Arnold d’Arnold.

Andrej kishte famën e një “eruditi” dhe për te qarkullonin tregime krejtësisht të ndryshme nga portreti tipik i një futbollisti. Tregohej përshembull, se me rastin e një ndeshjeje të Spartakut në Tbilis, ai kishte blerë në një librari antikuaresh disa vëllime të fjalorit enciklopedik të para Revolucionit, atë Brokgaus– Efron, dhe gjatë gjithë kohës së udhëtimit duke u kthyer për në Moskë (rreth katër ditë me tren), qe zhytur në lexim me një shpejtësi absolute, si të kishte ndër duar një nga romanet më gjakuese (pasionante). Gjithmonë ishte një bashkëbisedues i shkëlqyeshëm, përsosmërisht i shkrirë si i barabartë në mjediset intelektuale dhe artistike. Një miqësi e vjetër e lidhte me aktorin e Teatrit të Artit, Michail Jansin: të dy njiheshin dhe ishin shokë qysh në vitet e fëmijërisë, por për delikatesë i flisnin njeri tjetrit me “ju”. Vëllait Nikolaj i flisnin me dëshirë të madhe dhe me ngrohtësi duke mbrojtur mendimet e tyre.

Krejt tjetër ishte karakteri i Aleksandr-it, i durueshëm, i qeshur, shumë i zoti për të gjetur batutën e drejtë për të çdramatizuar çdo situatë; shkrimtari Lev Kassil, një tjetër “ndjekës” i Spartakut, e ka përcaktuar ate si një prej futbollistëve më të ditur dhe më të edukuar prej të gjithë futbollistëve të mëdhenj të epokës, krejtësisht i imunizuar nga interesat e ngushta që shpesh pushtonin sportistët e nivelit të lartë…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora