E enjte, 28.03.2024, 12:33 PM (GMT)

Editorial

Sabile Keçmezi-Basha: Llogaridhënia

E diele, 29.11.2009, 07:57 PM


Llogaridhënia

Nga Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

Një ditë, derisa lexoja për biografin e Barak Obamës kryetarit të porsazgjedhur të SHBA-ve, më la mbresa të jashtëzakonshme deklarata e tij, që kishte dhënë për gjyshen e sëmurë. Obama duke e falënderuar atë, në mes tjerash shkruante: “Falënderoj atë-gjyshen time, se vetëm me ndihmën e saj jam ky që jam sot, dhe se falë asaj gruaje të mrekullueshme, u mësova ta dua vendin tim, të afërmit e mi, të dua punën, por, mbi të gjitha, më mësoi që edhe të jap llogaridhënie. U befasova këndshëm, se kandidati i propozuar, veç privilegjeve që do të gëzonte, ai ishte i gatshëm që të jepte edhe llogaridhënie. Ndoshta mu kjo, ishte ajo, që e bëri të lartësohej edhe më shumë në sytë e votuesve. Një botë tjetër nga kjo e jona!!!
Llogaridhënia po mendoj se nuk është vetëm term sociologjik, psikologjik, por kohëve të fundit, si në botën e qytetëruar, poashtu edhe tek ne, ka filluar në mënyrë marramendëse të futet dhe të marrë edhe më tepër konotacione politike, dhe me vetëdije apo pa të, është futur në fjalorin e çdo kujt, herëherë nevojë e pa nevojë, me të drejtë e pa të drejtë t’i drejtohej dikujt...
Është e mirë dhe shumë e përshtatshme, por edhe praktike që të fillonim dhe të mësohemi me termin llogaridhënie dhe të fillonim fillimisht nga vetvetja që të japim llogaridhënie. Jam e bindur dhe thellë besoj, se shumë gjëra nuk do të kishin këtë kuptim dhe nuk do të merrnin këto kahe.
Në të shumtën e rasteve, kuptimi i termit llogaridhënie, keqkuptohet dhe thënë ndryshe edhe keqinterpretohet, ose ashtu padiktueshëm bëhet pronë vetëm e një individi, grupi, komuniteti dhe në mënyrë të privilegjuar, e përvetësojnë dhe marrin guximin që nga të tjerët të kërkojnë llogaridhënie..
Sot, jo rrallë, ndodh kur shumica e njerëzve mendojnë se llogaridhënia ka të bëjë vazhdimisht me palën tjetër, se duhet dhënë llogari, por asnjëri nga ne nuk është në gjendje, të marrë guximin dhe të thotë: “Epo mirë, unë duhet të jap llogaridhënie për këtë e këtë...”. Ta zëmë, (pasi se tani edhe është bërë si modë, që të flasim për politikanët), politikanët duhet të japin llogaridhënie para elektoratit, poqëse diçka nuk shkon ashtu siç iu është premtuar atyre etj., etj.
Shpesh ndodh, në debate të ndryshme televizive, por edhe në gazetat tona të shumta, të lexojmë se: akëcili, ose iks politikani, iks ministri, iks drejtori e iks profesori duhet të japin llogari për dështime në një fushë, sektor, apo dikaster të caktuar. Porse, në të shumtën e rasteve harrojmë se edhe  kritikuesit më të zëshëm, nuk fillojnë nga vetja e tyre dhe të bëjnë ndonjë llogaridhënie, ngase nuk duhet harruar se të gjithë ne jemi pjesë e këtij kolektiviteti, dhe nuk ka njeri e perëndi që na shpëton nga llogaridhënia e secilit prej nesh.
Sa të zëshëm e trimoshë jemi, kur flitet e akuzohen të tjerët, por sa qyqarë tregohemi kur nuk jemi në gjendje të pranojmë as më të vogëlin faj, ama për asgjë! Një grupim vazhdimisht është i pafajshëm dhe i jep vetes të drejtë të fshikullojë të tjerët dhe, një grupim tjetër është vazhdimisht në shënjestër të goditjes, dhe çfarë ndodh, zakonisht harrojmë se medalja ka dy faqe, dhe se neve vazhdimisht na mungon guximi qytetar të pranojmë edhe anën tjetër të saj. Në ndërdijen tonë shpesh ndodh që me qëllim krijojmë mjegullnaja për të mos u kuptuar e vërteta...  
Në Antikën  greke logos-i dhe ethos-i (dija dhe virtyti), ishin e njëjta gjë, ishin dy faqet e së njëjtës medalje, kurse praxis-i e kishte pjesë të vetën, të pandarë, theorisis-in. Por, kjo ishte në Antikë, ndërsa sot në vokabularin politik ka edhe anë të tjera të medaljeve që vështirë i pranon njeriu i ynë. Nuk kemi faj ne, do të thoshin oportunët, se deri frik, ne me shumë lehtësi fajet ia venim dikujt tjetër... dhe llogaridhënia ishte term i panjohur.
Është koha për të menduar esull se ç’po ndodhë me ne? Pse fëmijët tanë janë të dobët në mësime, pse ndërmarrjet tona po mbyllen, pse në shkolla ka aq shumë huliganizëm, pse punëtorët janë të pakënaqur, pse ka korrupsion, pse të dhënat e mirëfillta shkencore mohohen, pse martesat janë shumë të vonuara, pse nënat ngurrojnë të lindin më shumë fëmijë, pse politikanët japin premtime pa mbulesë... e psehet radhiten deri në infinit dhe të gjitha këto mbesin pa asnjë përgjigje.
Më ka hyrë frika se, mos vallë do të shndërrohemi në një popull që di vetëm të kritikojë, apo në këtë mënyrë mbulojmë, fshehim dhe ruhemi nga mangësitë tona. Llogaridhënia është akt sublim, dhe që të gjithë duhet t’i nënshtrohemi, pranoi dikush apo nuk pranoi, se vetëm duke u mësuar me qenë vetëkritikë, mund të vlerësojmë edhe anën më të mirë të tjetrit. Nuk është turp të pranojmë fajin, por është tragjedi të përsërisim atë.
Dhe krejt në fund, do e mbyll duke e cituar zoti Mekejnin, me fjalën e tij falënderuese, duke iu drejtuar elektoratit të vet: “Ju nuk jeni fajtorë për humbjen time, unë jam ai që nuk ju ofrova atë çfarë kërkonte elektorati”, përfundim burrëror i një politikani, ama amerikan.


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora