E shtune, 20.04.2024, 12:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Lamtumirë Fankut, dishepullit të së bukurës

E hene, 01.10.2007, 07:01 PM


Alma Mile - Shekulli

U përcoll dje për në banesën e fundit Serafin Fanku. Artisti i Popullit do të kujtohet si një regjisor dhe aktor me kurajo dhe modern

Serafin Fanku
Aktor elegant, modern, regjisor serioz, plot fantazi. Për të mund të flasësh shumë. Për artistin, për njeriun… Në raste mortesh, kur ndodhemi përpara humbjes së një njeriu, më e pakta që mund të bësh është të flasësh mirë për jetën e tij në tokë dhe dëshirën që shpirti i tij të prehet në paqe. Nuk është çështje hipokrizie, por një ndjesi mungese që ndjen sakaq. Në rastin e Serafin Fankut, gjithçka thuhet është vërtetë. Me vdekjen e tij, artit skenik do t'i mungojë një tjetër pinjoll i së bukurës. Për rreth dy orë personalitetet më të larta të vendit, njerëz të artit dhe kulturës, apo thjesht dashamirës të artit të tij i dhanë dje paradite lamtumirën e fundit Serafin Fankut, aktorit dhe regjisorit të njohur, i cili ndërroi jetë të shtunën në mëngjes në Tiranë, në moshën 70- vjeçare. Një takim i fundit në hollin e Teatrit Kombëtar me mishëruesin e 120 karaktereve dhe regjisorin e 140 pjesëve dramatike. Tanimë që shpirtitij iu bashkua patriarkëve të skenës shqiptare, që një nga një u shuan gjatë viteve të fundit, të shumtë janë ata që duan të shkëpusin diçka nga kujtimet e tyre, apo thjesht nga karakteri i tij. Për aktorin e humorit Zef Deda, Fanku ishte "një aktor modern, me një estetikë të jashtëzakonshme, regjisor i fuqishëm dhe me diapazon".

Stefan Çapaliku, një nga dramaturgët me të cilin Serafin Fanku ka bashkëpunuar disa herë, përveç se e konsideron atë një njeri me dimensione humane e sociale, ia dedikon pikërisht atij suksesin e parë në fushën e dramaturgjisë. Kujton vitin 1995 kur bashkë më Fankun vuri në skenë dramën e tij të parë "Ftesë për darkë", një dramë enderuar në Festivalin e Teatrove në Vlorë për regjinë dhe tekstin më të mirë. Për Çapalikun, Fanku është "një ndër regjisorët më inovatorë të dramës shqipe, i cili dhe pse punoi në kushtet e një province, arriti t'i sjellë regjisë së dramës shqipe dimensione që do të vazhdojnë t'i qëndrojne mirë regjisë për shumë kohë". Në këtë kuadër ai përmenti "Hetimin", një dramë "a la Breht" e ngjitur në skenë në fund të viteve '80-të, "Gjeneralin e Ushtrisë së vdekur", një dramatizim i tij, "Makbethin", një pjesë e ngjiturme shumë sukses nga aktorët Tinka Kurti dhe Ndrekë Luca. Fadil Kraja ende i ka të freskëta kujtimet me ish- studentin, që mbrojti diplomën me "Fishekun në pajë" e më tej regjisorin, me të cilin ngjiti në skenë "Çështjen e Blertës". Në një ditë lamtumire edhe krerët e shtetit nuk ngurrojnë të japin mendimin e tyre për artistin dhe njeriun Fanku, që ata e njohën përmes skenës dhe ekranit. Teksa kujton dokumentarin e realizuar me rastin e 70-vjetorit të Serafin Fankut, Presidenti i republikës, Bamir Topi thotë se "humbja e tij mori përmasa kombëtare, sepse rolet e tij ishin të mrekullueshme, ishin me një karakter multidimensional. Ai nuk ishte thjesht një aktor, por një dramaturg dhe artist i vërtetë. Kjo është arsyeja pse ai ishte dhe do të mbetete artist i popullit shqiptar".

"Për artin skenik shqiptar dhe mbarë botën e kulturës është një dhimbje dhe humbje shumë e madhe ndarja nga jeta e njërit prej kollosëve të këtij arti, Serafin Fankut. Ai me talentin e tij, me rolet e përkryera që luajti, me dramat e shkëlqyera, autor i të cilave ishte, u bë një ndër artistët më të respektuar dhe më të dashur për shqiptarët",- u shpreh kryeministri Sali Berisha, pas homazheve në Teatrin Kombëtar.

Serafin Fanku lindi në Shkodër më 24 maj 1937. Qysh fëmijë mori një kulturë të gjerë artistike. Studioi për piano, më tej u mor me balet, me pikturë, për të përfunduar tek arti skenik. Kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve në Pragë, për t'i përfunduar në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Që kur ishte aktor në teatrin e Shkodrës pati sukses me rolet e tij të cilësuara si "të arrira mjeshtërisht". Filmi i tij i pare, ku interpretoi është "Fije që priten" me regjisor Muharem Fejzon në rolin e Klarkut. Të tjerë filma ku interpretoi janë "Shembja e idhujve", "Yje mbi Drin", "Emblema e dikurshme", "Qortimet e vjeshtës" "Pranvera s'erdhi vetëm". Ndër dramat më të suksesshme që ai ngjiti në skenën e Teatrit "Migjeni" në Shkodër, ku kaloi edhe pjesën më të madhe të karrierës së tij, apo edhe në Teatrin Kombëtar janë "Gjaku i Arbërit", "Baca i Gjetajve", "Çmurrosja", "Quo Vadis", "Këshilli i Ndrikullave", "Rozafa", " Pse?", "Çifi i Lumtur", etj. Dy vjet më pare, Fanku u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar me dramën "Babai" të Ruzhdi Pulahës. Një dramë me karakter social, realizimi i së cilës për Fankun ishte një detyrim ndaj shoqërisë. Bashkëpunoi me trupa të ndryshme teatrore në gjithë vendin, por edhe jashtë tij, si në Maqedoni, Mal të Zi e Turqi. Pjesët e vëna prej tij në skenë kanë fituar çmime kombëtare. Për angazhimin dhe kontributin e tij në artin skenik, Fanku mban titullin "Artist i Popullit".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora