E merkure, 30.09.2020, 10:10 AM (GMT+1)

Speciale » Namani

Qazim Namani & Enver Rexha: Gërmadhat e Gjytetit në Bellasicë

E shtune, 28.11.2009, 07:07 PM


Gërmadhat e Gjytetit në Bellasicë

Nga Qazim Namani & Enver Rexha

Më datën 06/09/2008 Qazim Namani dhe Enver Rexha të shoqëruar nga  Imer Fazliu (1935) dhe Bejtush Fazliu (1951), banorë vendës të regjionit në fjalë, bëmë një vizitë pune njëditore në lokalitetin e njohur Kështjella e Bellasicës, gërmadhat e së cilës ekzistojnë edhe sot në fshatin Bellasicë të komunës së Podujevës në rajonin e Llapit.

Itinerari për të shkuar në këtë lokalitet është: Podujevë, Obrançë, Peran, Bajçinë, Dobërdol, Zakut, Kërpimeh, Kralevc, Metehi (Metohi), Repë, Pollatë, Zhiti, Brecë, Murgullë, Bollosten, Marincë dhe Bellasicë apo (Bollosicë), si e quajnë vendorët.

Toponimet më karakteristike që mundëm t’i shënojmë gjatë vizitës së lokalitetit në fjalë, që gjenden përreth vendbanimit, janë: Kalaja  Brezovan në fsh. Sylevicë, Quka Kokravica dhe Quka e Lisacit, në perëndim të fshatit Pollatë në kufij të fsh. Rzhanë-Kaçanollë-Zhiti; Prroni i Pajtimitë në fsh. Pollatë; Maja e Mprehtë në kufi të fshatit Kaçanollë-Rzhanë; Merqezi i Tërnavicës në kufi me fshatin Murgullë- Bellasicë; Musinca në kufi me fsatin Murgullë-Bellasicë- Rzhanë; Quka e Brecës që quhet Cernaven e gjendet në jugperëndim të fshatit Brecë, Kisha e Brecës e cila gjendet në jug të fshatit, afërsisht 100 m në jug të Qukës (këtu shihen dhe gërmadhat e kishës); Mulliri Bineq në Brecë; Greda i ngjitur me Musincën; Fund Reka (Fund Lumi) kufizohet me  Cernavicën mes  fshatit Brecë-Murgullë këtu ekziston dhe një Shpellë; Kërshi i Aleks në kufi mes fsatin Marincë-Pollatë; Valavica dhe Mulliri i Adem Jasharit në fshatin Bollosten që ka fnksionuar deri në vitin 2004.

Në këtë trevë ka dhe Mullinj tjerë, si Mulliri i Mehmet Vocit në Marincë, Mulliri i Raçëve dhe ai i Sollovëve në Tërnavicë etj. Kemi dhe toponime të periudhës Osmane për qendra (merqeze) të kësaj ane si, Merqezi i Turkut në fshatin Bërzovan-Sylevicë dhe Merqezi në Tërnavicë.

Sipas Enver (Adem) Musliu (1965), banor i këtij fshati, toponimet më të rëndësishme në fshatin Bellasicë janë: Në  Lindje të fshatit, Quka e Rovinave, ku gjendet dhe një vrimë (gropë), Quka e Zahaqëve-ku gjenden dhe themelet e  një Kulle, Quka e Konaqeve; Në Veri, Quka e Gropave ku ekzistojnë themelet e një Kulle, Kulla e Lugut të Xhemajlit, Kulla Zharina, Prollutniku, vend ku gjendet vrima (gropa ) dhe zgjyrë të metaleve; Në Perëndim, Rrafshi i Vullës (lagja e Vullakëve), Shitarica – minierë e cila ka punuar deri  në fund të viteve të nëntëdhjeta të shekullit XX dhe është shfrytëzuar nga reparti i Minierës së Leposaviqit, Livadhi i Dedesisë në mes të Lugut të Xheemajlit dhe Zharinave që ndryshe quhet dhe Lugu i Kullës, Reka e Kullës ku gjenden themelet e Kullës të qytetit të Bellasicës. Mes tjerash përmenden dhe Vrella e Bellasicës ose Reka e Vogël. Në Rekën e Kullës janë gjetur nga banorët tuba (gypa) të vjetër të ujësjellësit të qeramikës. Kroni i Syve, që gjenden në Rekën e Kullës shfrytëzohej nga shumë banorë. Nga ky krua merrej uji për shërimin e syve. Prej themeleve të një pjese të Kullës ekzistuese (pjesa jugore e vendbanimit) e deri në krye të Rekës së Kullës kah veriperëndimi, ka një sipërfaqe të madhe. Bazuar në themelet – gërmadhat që shihen, mund të pohojmë  se vendbanimi Kështjella – Qyteti i Bellasicës duhet të ketë rreth dy hektar. Gërmadhat e vendbanimit nga banorë lokalë quhen “Themelet e Rimit” ose “Qyteti i Rimit”. Në kuadër të lokalitetit banorët pohojnë se, ekzistonte Kisha  dhe Varrezat e Vjetra.  

Në anën veriore Bollasica kufizohet me këto fshatrat tejkufirit të sotëm të Kosovës: me  fshatin Shtava, Merqi dhe Trebinja në verilindje (fshatra këto që gjendën në Serbi).   

Gërmadhat e Kështjellës – Qytetit të Bellasicës që sot shihen (gurë të shumtë dhe gjurmë të llaçit të murimit) janë të shumta. Gërmadhat prej gurëve kryesisht gjenden me nivelin e tokës, përveç një mur i cili i vetëm qëndron në pjesën  jugore të lokalitetit. Muri (i ndërtuar nga guri dhe llaçi)  i vetëm që mbeti e që  ekziston, është i një Kulle të Qytetit. Ky mur është i një lartësie prej 8-9 m, i gjerë 1.20- 1.30 cm dhe një gjatësie prej afro 8 m. Mund të konstatojmë me plotë të drejtë, që ky mur i vetëm i mbetur, është në gjendje shumë të rrezikuar nga vjetërsia dhe erozioni kohor dhe vlen që të ndërhyhet me pak mjete financiare nga institucionet për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, për ta restauruar dhe konservuar me qëllim të ruajtjes së tij.

Të dhënat historiografike për Kështjellën - Qytetin e Bellasicës

Pasqyra e begatisë së Kosovës për kah monumentet e kulturës nuk kishte për të qenë e plotë, sikur të mos përfshinim kështjellat antike dhe mesjetare. Asnjë prej këtyre kështjellave nuk është ruajtur në atë formë si kishin qenë fillimisht. Me dhjetëra sosh kanë mbetur në gërmadha, kurse disa prej tyre janë zhdukur tërësisht. Këtu duhet të dimë se, të dhënat tregojnë që shumica prej kështjellave kanë ekzistuar qysh nga kohët antike dhe jeta e tyre ka vazhduar edhe gjatë mesjetës.

Ndër Kështjellat - Qytetet më të rëndësishme të antikitetit të vonë dhe mesjetës,  hyn dhe Kështjella- Qyteti i Bellasicës. 

Në rajonin e Llapit, pikërisht atje ku buron lumi Llap, në malet e Albanikut (Kopaonikut) rreth 35-37 km në veriperëndim të qytetit Podujevë, në fshatin Bellasicë gjenden gërmadhat e Kështjellës së vjetër. Mendojmë se Kështjella duhet të jetë e vjetër dhe se kjo sipas emrit duhet të jetë pikërisht Fortesa e Belas apo Bella, Kështjella që përmenden nga autori Prokopi i Cesaresë në punimin e tij “Mbi ndërtimet” Lib. IV, që e shkroi rreth vitit 560 e.s., ku i përshkruan Fortesat e ndërtuara dhe të rindërtuara në Dardani në kohën e Perandorit Justinian.[1] 

Të dhënat tregojnë se, pjesa veriore e territorit (të Kosovës e sotme) gjatë mesjetës ishte vend shumë i pasur me miniera. Veçohen vendet për miniera si, burimi i Llapit, burimet e Kopaonikut (Albanikut) dhe Toplicës. Këto miniera që shtriheshin prej veriu në jug të territorit, përfshinin një gjatësi prej 60 km. Nga këto miniera më së shumti është nxjerrë argjend dhe hekur. Zgjyra e metaleve që gjendet në sipërfaqe është dëshmi e eksploatimit të xeheve në këto treva, qysh nga kohët e lashta (antike).[2]  Autori E. Çershkov thotë se, në malet e Kopaonikut (Albanikut) që nga shek. XIII e deri në shek. XVI është zhvilluar aktiviteti i dendur dhe intensiv i xehetarisë, punë e filluar (nisur) qysh nga antika.[3] Po ky autor na njofton se, në Bellasicë gjenden shumë gjurmë të themeleve të objekteve-shtëpive si dhe muret e një kulle (muret nga guri) e po ashtu dhe grumbuj zgjyrë të metaleve (gjurmë të Samakovës).[4] Për Bellasicën, tregohet se vendi  kishte qenë i pasur dhe aty kishin ekzistuar të ashtuquajturat “vrimat” apo “bazenet”  e minierave. [5]

Kuptohet se, autor të ndryshëm e mbështesin qëndrimin se, Kështjella – qyteti  Bellasica, që paraqitet në dokumente të kohës në shek. e XIV, qenka pasardhëse e vendit të quajtur Vërhllab (Majë Llapi), vend që përmendet në fillim të shek. XIII, e që më vonë nuk përmendet. Autori i mirënjohur, K. Jiriçek, e kërkon Vërhllabin (Majë Llapi)  në burimin e lumit Llap, në lindje të Bërvenikut, i cili qysh në shek. e XIII kishte koloni sase e dubrovnikase dhe cilësohej si vend me rëndësi tregëtar.[6] Po ky autor (K. Jiriçek) thekson se, në gërmadhat e objektit mesjetar Vërhllab (Majë Llapi) është ngritur Bellasica. Vërhllabi (Majë Llapi), përmendet për herë të parë në dokumente në vitin 1301 dhe 1302, rreth disa çështjeve mes Rashkës dhe Dubrovnikut.[7] Në fshatin (Bellasicë) sot gjenden gërmadhat e Vërhllabit (Majë Llapi) që përmendet edhe në vitin 1302 me rastin e nënshkrimit të një kontrate për paqe me Dubrovnikun.[8] Këtë konstatim e kishte pranuar dhe studiuesi E. Çershkov  dhe studiues tjerë në punimet e tyre si: S. Novakoviç, A. Popoviç dhe S. Stanojeviç.[9]

Në shkrimet e historiografike poashtu përmendet vendi Majë-Llapi (Vërhllab). Në këtë lokalitet është ruajtur muri lindor i një Kulle që ka gjatësinë 8-9 m dhe gjurmë të themeleve të objekteve në afërsi, të cilat dukën  në shikimin e parë. Ky vend përmendet në një kartë (diplomë) të vitit 1302. Theksohet se Kështjella dhe pallati brenda ka shërbyer, përveç  tjerash, edhe për sigurinë, pra mbrojtjen në rastet e sulmeve të papritura. Kështjella e fortifikuar ka mbrojtur dhe lokalitetin xehetar Bellasica, që përmendet gjatë gjithë shek. XIV-XV.[10]  Lokaliteti i vjetër xehetar Bellasica, gjendet në krye të lumit Llap, në verilindje të Trepçës, në mes Prishtinës dhe Kurshumlisë. Për zhvillimin e industrisë dhe xehetarisë (1423) në Bellasicë dëshmojnë mbeturinat e kulturës materiale, shlaka etj. Në të mirë të kësaj, flitet se atëherë ekzistonte dhe “Lumi i Xehtarisë”.[11] Edhepse burimet e shkruara janë më të vonshme, mendoj se nuk ka dyshim se përpunimi i metaleve në këtë lokalitet ka qenë i herëshëm, që nga periudha romake, e ndoshta edhe gjatë mbretërisë Dardane.


Qyteti xehetar Bellasica përmendet në vitin 1423 dhe gjendej afër burimit të lumit Llap, sot fshat i vogël në veriperëndim të qytetit Podujevë, në largësi prej rreth 35-37 km.[12] Gjatë mesjetës në këtë vend zhvillohej dhe tregtia, e që kuptohet se kishte një lidhje tregtare dhe me Dubrovnikun (Raguzën), ku kjo dëshmohet edhe me ekzistimin e konsullatës së përkohshme raguzane nga viti 1424[13]. Dëshmi për tregtinë e zhvilluar të vendit, afron dhe studiuesi K. Jiriçek, i cili flet rreth marrëdhënjeve asokohe të kolonistëve raguzanë që vepronin në Bellasicë, ankesave (1426) dhe kontesteve (1429) në mesin e  tregtarëve etj.[14] M. Diniç, duke bërë fjalë për librin e borxhlinjve të M. Lucharit, të shkruar në shek. XV, tregon dhe për një kontest gjygjësor të një tregtari raguzan që vepronte në Bellasicë (Bilasiza).[15] Në zhvillimin e xehetarisë së këtij rajoni, sigurisht se kanë ndikuar kolonët sasë, mjeshtër të kohës për xehetari.[16] Që Bellasica ishte minierë e rëndësishme tregon dhe fakti që ajo kishte dhe Ligjin e vet të vitit 1488. Ky Ligj (Kanunname) ndahej në 16 paragrafe dhe rregullonte të gjitha çështjet ekonomike, politike dhe shoqërore si: tregtia, taksat e ndryshme, shfrytëzimi i minierave etj.[17] Po ashtu, në Ligjin mbi xeheroret të vitit 1536 të Sulltan Sylejmanit Ligjvënës, Bellasica përfshihet në mes xeheroreve kryesore të Rumelisë.[18] Sipas udhëpërshkruesit, H. Kallfa (1650), tregohet se, banorët e Bellasicës janë kryesisht xehetarë.[19] Se ky vend kishte qenë minierë-qytet i zhvilluar, dëshmon defteri i viteve 1566-1574. Ky vend nga udhëpërshkruesit italianë të shek. 16 e 17, quhej “Montana dell’ argenta”.[20] Sipas studiuesve S. Pulaha dhe I. Rexha, vendi Bellasica ishte qendër administrative e nahijes gjatë shek. XVI, që përfshinte 32 katunde.[21]

Gjatë mesjetës Kështjella-Qyteti Bellasicë, lidhej me rrugët kryesore të kohës, që ekzistonin qysh më herët – nga antika. Përroi, vendburimi i lumit Llap qenka quajtur “Lumi i Minatorëve” dhe një rrugë në drejtim të jugut që shpinte për në Trepçë, qenka quajtur “Udha e Minatorëve” .[22] Për sigurimin e rrugëve asokohe ishin të ngritura një numër i madh i Kullave dhe i Kështjellave. Sipas burimeve  antike, rruga e vjetër romake çonte për në Dardani (territoret e Kosovës së sotme) që lidhte Naissi-n (Nishin) me Lissus-in (Lezhën) dhe Detin Adriatik. Kjo rrugë kalonte nëpër vendin Përpellac përgjatë luginës së lumit Llap dhe arrinte në Viciana (Prishtina e sotme), duke vazhduar në Qafën e Dulës, në Therandë, rrjedhës së limit Drini, deri në Lezhë. Stacione që njihen asokohe përgjatë kësaj rruge, ishin Herculemi (Në Prokupljen e sotme), pastaj Hammeum (Kurshumlija e sotëme).[23] Rruga e cila e lidhte Bellasicën me qendrat e tjera, ishte edhe ajo që vinte nga vendi i quajtur Shatoricë (gjindej mbi Bellasicë), e cila degëzohej në dy drejtime. Ishte kjo  rruga e quajtur “Rruga  Xehëtare”. Një drejtim i saj shkonte për në Bellasicë e që vazhdonte për në Bërvenik (është fjala për Bervenikun në rrjedhën e Ibrit). Kjo rrugë e vjetër, edhe paramesjetare, i mundësonte qytetarët-xehëtarët të bartnin xehet për përpunimin dhe shitjen.[24] Me rëndësi për trevën asokohe ishte edhe rruga që e lidhte vendin me Dubrovnikun (Raguzën). Rruga që vinte nga Kroacia për Bosnje e në trevën e Kosovës së sotme, hynte në Bajskë, Zveçan, Vuçitërn, Prishtinë, Kaçanik e vazhdonte deri në Shkup.[25] Rrugë tjetër me rëndësi ishte poashtu edhe rruga Nish – Shkup – Selanik, e cila lidhet me “Rrugën e Toplicës” (Via de Toplize), që kalonte nëpër Prokuplje, Kurshumli e lëshohej nëpër luginën e lumit Llap për në Prishtinë – Prizren e vazhdonte deri në Lezhë. Kjo ishte rruga e vjetër Naisus (Nishi) – Vendenae (Në Fushë të Kosovës) – Lissus (Lezha).[26]

Kështjella - Qyteti si lokalitet me industri xehëtare të zhvilluar, me popullsi xehëtare, sikurse dhe qytetet e tjera të trevës së Kosovës, kah fundi i shek. XVII, përjeton katastrofën e saj. Sigurisht bie sasia e nxjerrjes së mineraleve apo mundësive materiale për hulumtimet, të shfrytëzimit të minierave të reja, janë shkaku kryesor i rënies së vendbanimit. Për herë të fundit si vend minerar përmendet në vitin 1715, kur bëhet fjalë për fshatin Rzhanë të kazasë së Bellasicës, për përpjekjet e fundit rreth kërkimit për gjetje të ndonjë miniere të re, por kuptohet se kërkimet ishin pa rezultate.[27]

Nga e gjithë kjo që u tha më lart, vendbanimi sot pothuajse është i pabanuar.

  


[1] Ilirët dhe Iliria te Autorët Antikë, Burime të Zgjedhura për Historinë e Shqipërisë, V. I, Tiranë 1965,           

  f. 443.

[2] M. J. Nikollajeviq, Severna Stara Serbija, Vojno-Geografska Studija, Beograd 1892, f. 41.

[3] E. Çershkov, Belasica i Vrhlab, Glasnik Muzeja K. i M., I, Prishtinë 1956, f. 221.

[4] Po aty, f. 220.

[5] Zadužbine Kosova, Spomenici i Znamenja Srpskog naroda, Prizren-Beograd 1987, f. 396.

[6] K. Jiriçek, Trgovaçki drumovi i rudnici Srbije i Bosne u Srednjem veku, Sarajevo 1951, f. 88.

[7] K. Jiriçek, Spomenici srpski, Spomenik SKA, k. XI, Beograd 1892, f. 7; K. Jiriçek, Istorija Srba I,

  Beograd 1952, f. 195.

[8] Po aty.

[9] E. Çershkov, Belasica i Vrhlab, Glasnik Muzeja K. i M., I, Prishtinë 1956, f. 219.

[10] Kosova dikur e sot (Grup autorësh), Beograd 1973, f. 440.

[11] S. Rizaj, Kosova gjatë shek. XV, XVI dhe XVII, Tiranë 1987, f. 200.

[12] Kosova dikur…, f. 122-123.

[13] J. Drançolli, Raguzanët në Kosovë, Prishtinë 1986, f. 58.

[14] K. Jiriçek, Spomenici srpski, Spomenik SKA, k. XI, Beograd 1892, f. 76.

[15] M. Diniç, Iz Dubrovaçkog arhiva, t. I, SAN, Beograd 1957, f. 66.

[16] Spomenici srpski, Spomenik SKA, k. XI, Beograd 1892, f. 7.

[17] S. Rizaj, Rudarstvo Kosova…, f. 232-237.

[18] S. Rizaj, Kosova…, f. 201.

[19] S. Novakoviç, Haxhi Kallfa ili Çatib Çelebija, turski geograf XVII veka, Spomenik XVIII, SKA, Beograd , 1892, f. 55.

[20] K. Jiriçek, Trgovaçki drumovi i rudnici Srbije i Bosne u Srednjem veku, Sarajevo 1951, f. 256, 258.

[21]S.Gashi,www.trepca.net/2006/04/090404/_reth_emertimeve_kosova_metohia_dardania_sg.h…2/14/2007.

[22] C. Jiriçek, Staat und Gesellschaft im mittelterlichen…, Wien 1912, f. 45.

[23] M. J. Nikollajeviq, Severna Stara Serbija, Vojno-Geografska Studija, Beograd 1892, f. 60.

[24] E. Çershkov, Belasica i Vrhlab, Buletini i K. M., I, Prishtinë 1956, f. 204-205.

[25] K. Jiriçek, Trgovaçki putevi i rudnici Srbije i Bosne u srednjem veku, Zbornik K. Jiriçeka, I, Beograd

   1959, f. 300.

[26] P. Matkoviç, Putovanje po Balkanskom poluostrvu  u XVI veku, II, RAD – LVI, JAZU, Zagreb 1881,      

   f. 180.

[27] Kosova dikur…, f. 122-123.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora