| E premte, 27.11.2009, 09:00 PM |
Krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë
Nga Baki Ymeri (Bukuresht)
Çdokush që i rikthehet Vlorës kreshnike të 28 Nëntorit,
rilindasve tanë, betejave të lavdishme të Skënderbeut, lashtësisë enigmatike
shqiptare, do të konstatojë se historinë tonë e
fisnikërojnë shembuj të shkëlqyer të shqiptarizmit. Familja, flamuri, gjuha e
kombi janë fenomene të shenjta. Hymni kombëtar dhe Flamuri Shqiptar janë sintagma që
ndërlidhen me atdheun dhe frymëzimet e atyre që dinë të ndjekin në jetë një
ideal të lartë. Atdhetarë të përkushtuar janë ata që dinë t’i frymëzojnë
gjeneratat e reja me atdhetari dhe qytetërim, me bashkim, unitet dhe
prosperitet, me vepra konkrete në shërbim të shqiptarizmit dhe respekt ndaj
simboleve të kombit. Janë ata që ia kujtojnë ushtarakut dhe çdo shqiptari,
detyrën e shenjtë për mbrojtjen e atdheut. Duke qenë ndër më të vjetrit dhe më
të bukurit në Evropë, flamuri ynë është dëshmi historike dhe vlerë e lartë,
simbol i shenjtë që duhet të duhet, të ruhet dhe mbrohet, me dashuri,
vigjilencë dhe trimëri.
Jemi bij të një kombi kreshnik, i gatshëm të të ngrejë
në qiell po qe se këtë ndjenjë të shenjtë të atdhedashurisë e dëshmon edhe me
fakte konkrete. “Jemi popull i mrekullueshëm, në të gjitha pikëshikimet”, thot
njëri nga studentët e panumërt të Shqipërisë në Rumani. Askund në botë, nuk mund të gjesh solidaritet më legjendar me rastin
e pjesmarrjes masive në varrimin e heronjve të kombit, se sa te shqiptarët e
Kosovës. Askush nuk mund ta harrojë heroinën e Prishtinës që hidhet nga
ballkoni mbi tankun e okupatorit serb, e mbështjellë me flamurin tonë të
shenjtë. “Populli shqiptar e ka çarë
rrugën e historisë me shpatë në dorë”, ka thënë Enveri që e donte Kosovën (pasi
e shiti), dhe e shkretëronte Shqipërinë si
sulltan Abdyl Hamiti. Historia
shqiptare është e shkruar me gjak. I panumërt është numri i atyre që ranë nën
hijen e flamurit, duke dhënë jetën për një ideal të shenjtë: për ritkthimin e
trojeve stërgjyshore në trungun natyror të Shqipërisë historike. Ngritja e
flamurit kombëtar në Vlorë para 97 vitesh ishte shprehja simbolike e Shpalljes
së Pavarësisë së Shqipërisë, krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë. Dha Zoti që
një ringritje të këtillë madhështore ta përjetojmë edhe me rastin e Shpalljes
së Pavarësisë së Kosovës kreshnike që dha mijëra martirë për çrobërimin e Saj.
Simbol i flijimit, qëndresës, bashkimit dhe ardhmërisë
Gazeta Drita e Tiranës (“Organ parimesh nacionaliste”), e
drejtuar nga Dr. Zoi Xoxa, konsiderohet si një tribunë e rrallë e atdhetarizmit
shqiptar. Duke shfletuar numrin 307 të saj (botuar më 28 Nëntor të vitit 1937),
konstatojmë se kemi të bëjmë me vlera të larta të publicistikës shqiptare. Tema
qëndrore e subjekteve të dinamizuara me fotografi të rralla historike, ka të
bëjë me Lidhjen e Prizrenit, veprimin patriotik të shqiptarëve të mërgimit,
Kosovën historike dhe 25 vjetorin e Pavarësisë. Në 20 faqet e saj defilon
shpirti shqiptar i botës shqiptare në kohën e Mbretërisë. Gazeta hapet me
artikullin-bazë “Flamuri dhe Mbreti”. Flamuri, sipas artikullshkruesit anonim,
simbolizon jetën e një populli. “Ranë trimat, vdiq Gjergj Kastrioti, Flamuri u
fsheh nëpër arkat e moçme të gruas shqiptare, e cila dijti t’i ruajë gjithmonë
me devotshmëri të thellë kujtimet e shtrenjta. Kush e din se sa herë, duke e
shikuar fshehtazi atë Flamur, nana shqiptare derdhi lot për djemtë që i kishin
ra therorë me atë në krye, kush e din se sa herë, duke e puthur dhe vu në
ballë, Virgjëreshat arbërore vajtuen të fejuemin, vëllanë, atin qi mbet në
fushë të nderit. Gjaku i dëshmorëve nuk shkoj kot: Flamuri i tyne, Flamuri që
që ndigjoi kangën “Ja vdekje, ja liri”, ka gjetë sot Shampionin e Math që po
ringjall krenaritë Skënderbegiane. Urojmë që populli Shqiptar të tregohet
gjithmonë i denjë për krenarinë e emblemit të vet”. Fragment nga shtypi shqiptar i Rumanisë
Poetët tanë i kanë kushtuar qindra vjersha këtij simboli
të bukur, që nga rilindësit tanë e deri te shkollarët e ditëve tona. Asdreni
i pavdekshëm, që kur e pa të qëndisur nga Spiridon Iloja në Bukuresht, e
konsideronte flamurin si “engjëll i lirisë”, “engjëll i shpëtimit”. Patrioti
korçar, Dhimitër Kristo Rëmbeci, qysh më 1934 i drejtohet kësaj vlere kombëtare
me këto fjalë: “O Flamuri i Shqipërisë/ me Shqiponjën e Lirisë/ Ku ke qenë do
të jesh/ Në Kosovë do të vesh/ Tjetër flamurë të rrëzosh/ Vetëm tinë të
valosh”. Ilia Dilo Sheperi, Gjergj Fishta, Agim Ramadani, Ahmet Krasniqi,
Ibrahim Rugova, Adem Jashari, Jusuf Gërvalla, Enver Hadri, Gëzim Marku, Xhever
Ymeri, Kozeta Zylo, Iljaz Kamberi, Alma Papamihali, Eduard Dilo, Sokol Demaku,
Ibrahim Guri, emra të njohur e të panjohur me bijtë e shqipes që shtohen si
lulet e pranverës, e parandjenin se do të vijë koha kur “Flamuri i Shqiptarit/
Do të valojë, edhe në majë të Sharrit”. Eseistët tanë kanë shkruar për kultin e
tij duke e konsideruar si “simbol i flijimit”, “simbol i qëndresës”, “simbol i
bashkimit”, “simbol i ardhmërisë”. Sivëllezërit tanë e kanë skalitur shqiponjën
e tij në banknota, emblema, ballina godinash, tagra automjetesh, pulla e
kartolina postare, ballina revistash, duke botuar madje edhe gazeta me emrin e
tij.
Fiamuri i Arbërit (La Bandiera dell’Albania), e përmuajshme që e drejtonte në
gjuhën shqipe Jeronim de Rada në Kozencë të Italisë (1883-1887); Flamuri
i Shqiperis (La Bandiera Albanese), e drejtuar prej prof. Gjusepe
Skiros në Napoli, më 1904; Flamuri, fletore e përjavshme, që e
drejtonte Faik Konica në Boston, më 1910, me moton “Vetqeverim për Shqipërinë”,
me Kryefjalën “Shqipëria për Shqipëtarët” dhe me Porosinë “Mos harroni
Skënderbenë, Bashkimin, Krujën, Flamurin!”. Flamuri’ i Shqipërisë
(1915), gazetë politike e shoqërore, organi shqiptarëve të Rumanisë që dilte në
Konstancë me moton: “Kudo që vete/ Kudo që të jesh/ Mëndjen për Shqipëri ta
kesh!”. Gazeta botohej me një mision të lartë patriotik, për mbrojtjen e
tërësisë tokësore të shtetit shqiptar, duke pasqyruar, paralelisht me këtë,
edhe veprimtarinë e atdhetarëve të mërgimit. Vijnë pas saj: Flamuri,
e përjavshme politike, ekonomike dhe letrare., e drejtuar në Tiranë, më 1922,
prej Kristo Luarasit; Flamuri, organ i organizatës nacionaliste
“Balli Kombëtar”, e përdyjavshme politike, Tiranë, 1944, dhjetra gazeta e
revista tjera me flamurin në ballinë si Besa e Stambollit, Shqiptari
i Bukureshtit, Kuq e Zi e Brukselit etj.
Patriotizmi nuk këndohet por dëshmohet. Të jesh patriot
don të thotë ti duash prindërit, familjen dhe atdheun. Jo vetëm ti duash, por
edhe ti ndihmosh, të punosh e të flijohesh për ta, po qe se paraqitet nevoja.
Rilindasit tanë, ndër të cilët edhe Qiriazët, krahas korçarëve, kërçovarëve, kosovarëve
dhe krejt shqiptarëve, digjeshin për Shqipërinë. Ata e hanin bukën me djersën e
ballin dhe nuk ia shtrinin dorën kujt. E donin Shqipërinë dhe flamurin kombëtar
me mish e me shpirt, duke e ruajtur gjuhën e shenjtë amtare, kudo që i hidhnin
dallgët e jetës.