E hene, 25.01.2021, 07:20 AM (GMT)

Kryeshkrim

Baki Ymeri: Krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë

E premte, 27.11.2009, 08:00 PM


Krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë


Nga Baki Ymeri (Bukuresht)


Çdokush që i rikthehet Vlorës kreshnike të 28 Nëntorit, rilindasve tanë, betejave të lavdishme të Skënderbeut, lashtësisë enigmatike shqiptare, do të konstatojë se historinë tonë e fisnikërojnë shembuj të shkëlqyer të shqiptarizmit. Familja, flamuri, gjuha e kombi janë fenomene të shenjta. Hymni kombëtar dhe Flamuri Shqiptar janë sintagma që ndërlidhen me atdheun dhe frymëzimet e atyre që  dinë të ndjekin në jetë një ideal të lartë. Atdhetarë të përkushtuar janë ata që dinë t’i frymëzojnë gjeneratat e reja me atdhetari dhe qytetërim, me bashkim, unitet dhe prosperitet, me vepra konkrete në shërbim të shqiptarizmit dhe respekt ndaj simboleve të kombit. Janë ata që ia kujtojnë ushtarakut dhe çdo shqiptari, detyrën e shenjtë për mbrojtjen e atdheut. Duke qenë ndër më të vjetrit dhe më të bukurit në Evropë, flamuri ynë është dëshmi historike dhe vlerë e lartë, simbol i shenjtë që duhet të duhet, të ruhet dhe mbrohet, me dashuri, vigjilencë dhe trimëri.

Jemi bij të një kombi kreshnik, i gatshëm të të ngrejë në qiell po qe se këtë ndjenjë të shenjtë të atdhedashurisë e dëshmon edhe me fakte konkrete. “Jemi popull i mrekullueshëm, në të gjitha pikëshikimet”, thot njëri nga studentët e panumërt të Shqipërisë në Rumani. Askund në botë, nuk mund të gjesh solidaritet më legjendar me rastin e pjesmarrjes masive në varrimin e heronjve të kombit, se sa te shqiptarët e Kosovës. Askush nuk mund ta harrojë heroinën e Prishtinës që hidhet nga ballkoni mbi tankun e okupatorit serb, e mbështjellë me flamurin tonë të shenjtë. “Populli shqiptar e ka çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë”, ka thënë Enveri që e donte Kosovën (pasi e shiti), dhe e shkretëronte Shqipërinë si sulltan Abdyl Hamiti. Historia shqiptare është e shkruar me gjak. I panumërt është numri i atyre që ranë nën hijen e flamurit, duke dhënë jetën për një ideal të shenjtë: për ritkthimin e trojeve stërgjyshore në trungun natyror të Shqipërisë historike. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë para 97 vitesh ishte shprehja simbolike e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, krenari kombëtare që nuk shuhet kurrë. Dha Zoti që një ringritje të këtillë madhështore ta përjetojmë edhe me rastin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës kreshnike që dha mijëra martirë për çrobërimin e Saj.

 

Simbol i flijimit, qëndresës, bashkimit dhe ardhmërisë

 

Fragment nga shtypi shqiptar i Rumanisë
Fragment nga shtypi shqiptar i Rumanisë
Gazeta Drita e Tiranës (“Organ parimesh nacionaliste”), e drejtuar nga Dr. Zoi Xoxa, konsiderohet si një tribunë e rrallë e atdhetarizmit shqiptar. Duke shfletuar numrin 307 të saj (botuar më 28 Nëntor të vitit 1937), konstatojmë se kemi të bëjmë me vlera të larta të publicistikës shqiptare. Tema qëndrore e subjekteve të dinamizuara me fotografi të rralla historike, ka të bëjë me Lidhjen e Prizrenit, veprimin patriotik të shqiptarëve të mërgimit, Kosovën historike dhe 25 vjetorin e Pavarësisë. Në 20 faqet e saj defilon shpirti shqiptar i botës shqiptare në kohën e Mbretërisë. Gazeta hapet me artikullin-bazë “Flamuri dhe Mbreti”. Flamuri, sipas artikullshkruesit anonim, simbolizon jetën e një populli. “Ranë trimat, vdiq Gjergj Kastrioti, Flamuri u fsheh nëpër arkat e moçme të gruas shqiptare, e cila dijti t’i ruajë gjithmonë me devotshmëri të thellë kujtimet e shtrenjta. Kush e din se sa herë, duke e shikuar fshehtazi atë Flamur, nana shqiptare derdhi lot për djemtë që i kishin ra therorë me atë në krye, kush e din se sa herë, duke e puthur dhe vu në ballë, Virgjëreshat arbërore vajtuen të fejuemin, vëllanë, atin qi mbet në fushë të nderit. Gjaku i dëshmorëve nuk shkoj kot: Flamuri i tyne, Flamuri që që ndigjoi kangën “Ja vdekje, ja liri”, ka gjetë sot Shampionin e Math që po ringjall krenaritë Skënderbegiane. Urojmë që populli Shqiptar të tregohet gjithmonë i denjë për krenarinë e emblemit të vet”.

Poetët tanë i kanë kushtuar qindra vjersha këtij simboli të bukur, që nga rilindësit tanë e deri te shkollarët e ditëve tona. Asdreni  i pavdekshëm, që kur e pa të qëndisur nga Spiridon Iloja në Bukuresht, e konsideronte flamurin si “engjëll i lirisë”, “engjëll i shpëtimit”. Patrioti korçar, Dhimitër Kristo Rëmbeci, qysh më 1934 i drejtohet kësaj vlere kombëtare me këto fjalë: “O Flamuri i Shqipërisë/ me Shqiponjën e Lirisë/ Ku ke qenë do të jesh/ Në Kosovë do të vesh/ Tjetër flamurë të rrëzosh/ Vetëm tinë të valosh”. Ilia Dilo Sheperi, Gjergj Fishta, Agim Ramadani, Ahmet Krasniqi, Ibrahim Rugova, Adem Jashari, Jusuf Gërvalla, Enver Hadri, Gëzim Marku, Xhever Ymeri, Kozeta Zylo, Iljaz Kamberi, Alma Papamihali, Eduard Dilo, Sokol Demaku, Ibrahim Guri, emra të njohur e të panjohur me bijtë e shqipes që shtohen si lulet e pranverës, e parandjenin se do të vijë koha kur “Flamuri i Shqiptarit/ Do të valojë, edhe në majë të Sharrit”. Eseistët tanë kanë shkruar për kultin e tij duke e konsideruar si “simbol i flijimit”, “simbol i qëndresës”, “simbol i bashkimit”, “simbol i ardhmërisë”. Sivëllezërit tanë e kanë skalitur shqiponjën e tij në banknota, emblema, ballina godinash, tagra automjetesh, pulla e kartolina postare, ballina revistash, duke botuar madje edhe gazeta me emrin e tij. Po i përmendim vetëm disa:

Fiamuri i Arbërit (La Bandiera dell’Albania), e përmuajshme që e drejtonte në gjuhën shqipe Jeronim de Rada në Kozencë të Italisë (1883-1887); Flamuri i Shqiperis (La Bandiera Albanese), e drejtuar prej prof. Gjusepe Skiros në Napoli, më 1904; Flamuri, fletore e përjavshme, që e drejtonte Faik Konica në Boston, më 1910, me moton “Vetqeverim për Shqipërinë”, me Kryefjalën “Shqipëria për Shqipëtarët” dhe me Porosinë “Mos harroni Skënderbenë, Bashkimin, Krujën, Flamurin!”. Flamuri’ i Shqipërisë (1915), gazetë politike e shoqërore, organi shqiptarëve të Rumanisë që dilte në Konstancë me moton: “Kudo që vete/ Kudo që të jesh/ Mëndjen për Shqipëri ta kesh!”. Gazeta botohej me një mision të lartë patriotik, për mbrojtjen e tërësisë tokësore të shtetit shqiptar, duke pasqyruar, paralelisht me këtë, edhe veprimtarinë e atdhetarëve të mërgimit. Vijnë pas saj: Flamuri, e përjavshme politike, ekonomike dhe letrare., e drejtuar në Tiranë, më 1922, prej Kristo Luarasit; Flamuri, organ i organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, e përdyjavshme politike, Tiranë, 1944, dhjetra gazeta e revista tjera me flamurin në ballinë si Besa e Stambollit, Shqiptari i Bukureshtit, Kuq e Zi e Brukselit etj.

Patriotizmi nuk këndohet por dëshmohet. Të jesh patriot don të thotë ti duash prindërit, familjen dhe atdheun. Jo vetëm ti duash, por edhe ti ndihmosh, të punosh e të flijohesh për ta, po qe se paraqitet nevoja. Rilindasit tanë, ndër të cilët edhe Qiriazët, krahas korçarëve, kërçovarëve, kosovarëve dhe krejt shqiptarëve, digjeshin për Shqipërinë. Ata e hanin bukën me djersën e ballin dhe nuk ia shtrinin dorën kujt. E donin Shqipërinë dhe flamurin kombëtar me mish e me shpirt, duke e ruajtur gjuhën e shenjtë amtare, kudo që i hidhnin dallgët e jetës. Para shtatë vitesh, në malet e Sharrit qëndronin perënditë e Shqipërisë, bijtë dhe bijat më të zgjedhura të popullit, që edhe sot i kemi atje, siç i kemi patur, që nga lashtësia. Në malet e Sharrit e të Karadakut, në Drenicë, Sllupçan e Shipkovicë, në Tanushë, Poroj e Radushë, dhe në qindra lokalitete tjera shqiptare, shpërtheu shqiptarizmi. Shpërtheu vrrulli i shqiponjave me flamur në dorë, dhe me trimëri në zemër. Askush nuk mund t’i harrojë ato ditë heroike, kur shqiptari diti t’i bëjë ballë botës barbare, kur vullneti i burrave, i shkulte malet. Zoti i mbronte ata që përkujdeseshin për shpirtin e kombit, në ato çaste të paharruara, kur parakalonin ushtarët e lirisë, duke patur në ballë flamurtarë të togës, flamurtarë të brigadës, flamurtarë të bataljonit, sokolat dhe sokoleshat e shqiptarizmit, ata që se bashku me ne, presin me padurim që një ditë, ta festojmë së bashku, të bashkuar nën flamurin e Shqipërisë Reale, 100 vjetorin  Pavarësisë.



(Vota: 22 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora