E premte, 29.03.2024, 08:24 AM (GMT)

Editorial

Valon Kurtishi: 28 nëntori - dita e shtetësisë shqiptare

E premte, 27.11.2009, 07:59 PM


28 nëntori - dita e shtetësisë shqiptare

Nga Valon Kurtishi

Historia e çdo kombi njeh sukseset e mëdha, pikat e veta kulmore njëjtë siç ka edhe humbjet apo tragjeditë e mëdha nacionale. Për kombin shqiptar kjo ditë është data kuptimplotë e 28 nëntorit 1912 kur shqiptarët panë njëkohësisht fitoren dhe humbjen e tyre të madhe. Fitorja u formalizua nga patriotët shqiptarë në Vlorën tonë të bukur. Humbja u realizua në praktikë nga aleatët ballkanikë sllavo-grekë të cilët e sulmuan Shqipërinë nga të katër anët. Qyteti i rëndësishëm shqiptar i Shkupit u pushtua nga ushtria sërbe më 26 tetor 1912 si rezultat i humbjes së betejës së Kumanovës. Më 19 dhjetor ushtria sërbe hyri në kryeqytetin kulturor të shqiptarëve – Manastir. Rënia e dy fortesave shqiptare Janinës më 6 mars dhe Shkodrës më 23 prill 1913 respektivisht, shënoi fundin e Shqipërisë në kufijtë e saj etno-kulturorë dhe natyrorë. Kjo tragjedi e përmasave të pabesueshme u zyrtarizua nga diplomacia ndërkombëtare një vit më vonë (1913), në Konferencën e “paqes” në Londër, ku më 30 maj u nënshkrua Traktati i Londrës i cili e ndau Ballkanin administrativisht në të njëjtat vija ndarëse që përgjithësisht funksionojnë edhe sot.

Territori shqiptar, ose territori i banuar me shumicë shqiptare shtrihej në vitin 1912 në reth 110.000 mijë km2. Territori në të cilin Shqipëria u pranua zyrtarisht nga fuqitë e mëdha si shtet i pavarur dhe sovran, përfshinte vetëm një pjesë të vogël të trevave të banuara me shqiptarë etnikë, vetëm 28,748 km2. Nga katër kryeqytetet e provincave shqiptare të Epirit, Maqedonisë dhe Kosovës, tre prej tyre, Janina, Manastiri dhe Shkupi përkatësisht, mbetën nën pushtimin grek dhe sërb. Vetëm qyteti i Shkodrës nën trysninë e fuqishme austro-hungareze pas tërheqjes së ushtrive sërbomalazeze u la i lirë dhe pjesë përbërëse e shtetit të dobët shqiptar.
 
Me këtë u zyrtarizua krimi i madh i copëtimit dhe ndëshkimit të padrejtë e të pamerituar të njërit ndër kombet më të lashtë të kontinentit të vjetër- kombit shqiptar. Reth 70%  e popullsisë shqiptare mbeti nën pushtimin e monarkive të ndryshme shoviniste ballkanike. Përveç gjenocidit të menjëhershëm që ndodhi me hyrjen e ushtrive pushtuese në qytetet e fshatrat shqiptare, kalvari i vuajtjeve vazhdoi edhe më vonë. Janë të shumta shënimet e gazetarëve, konsujve, klerikëve të huaj e vendorë për situatën apokaliptike që mbretëronte me kombin tonë në atë periudhë historike. Mes tjerëve, intelektuali, publicisti dhe socialisti i njohur austriak Leo Freundlich, madje përpiloi edhe një memo që e titulloi frikshëm “Golgota shqiptare - Akuzë kundër shfarosësve të popullit shqiptar”. Gjenocidi apo tentim-shfarosja e gjithë popullsisë shqiptare në vrullin e luftës së viteve 1912 - 1918 ishte në një mënyrë pararendësja e gjenocideve që më vonë do të ndodhnin në pjesë tjera të Europës. Në jug ndodhën masakrat e njëjta kundër shqiptarëve në gjithë trekëndëshin etnik shqiptar të Follorinë-Artë-Janinës. Shqiptarët e këtyre zonave që mbetën nën sundimin  e huaj kanë përjetuar një tmer të pandalshëm i cili ka vazhduar dhe në disa zona vazhdon akoma në ditët tona. Masakrat dhe humbjet territoriale ishin ana tragjike, ana e zezë e nëntorit të vitit 1912.
Megjithatë, ky është edhe një vit i bardhë dhe plot dritë për kombin tonë. Më 28 nëntor 1912 Shqipëria doli shtet më vete. Për këtë, 28 nëntori është dita më e shenjtë në jetën e kombit shqiptar, në jetën e çdo shqiptari. 28 nëntori është dita e shtetformimit shqiptar. 28 nëntori 1912 trashëgoi një 28 nëntor tjetër po aq të rëndësishëm sa ky i dyti: atë të vitit 1444 të Besëlidhjes së Lezhës. 28 nëntori 1444 ishte shtetformimi i parë dhe më i dokumentuar i racës tonë. Edhe para saj, ka pasur nëntorë të tjerë e shtetformime të tjera që neve na vijnë të turbullt nga historia, si shtetformimet e Lekës së Madh, Teutës, Pirros, Progonëve, Balshajve, Shpatajve etj. Nëntori i fundit, ai i vitit 1912 nxorri një shtet i cili u njoh nga fuqitë e mëdha dhe u mbijetoi edhe furtunave të luftës së parë botërore. Më 17 dhjetor 1920 Shqipëria pranohet në Lidhjen e Kombeve, me çka del si subjekt i pranuar ndërkombëtarisht në politikën botërore. Më vonë ajo pranohet edhe në pasardhësen e Lidhjes së Kombeve, në OKB. Megjithë rëmujat e shkaktuara nga të mëdhenjtë e politikës botërore, si lufta e parë dhe e dytë botërore me gjithë implikimet e rrezikshme që këto turbullira mund të kenë për shtetet më të vegjël, shteti ynë amë, Republika e Shqipërisë, ruajti kontinuitetin dhe subjektivitetin politiko-juridik në skenën ndërkombëtare. Ajo ka qenë, është dhe do të mbetet, garant i vazhdimësisë etnike dhe kulturore të kombit shqiptar. Ne jemi me fat që kemi një shtet të pavarur dhe sovran, subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe i pranuar ndërkombëtarisht në periudhën 1912/1920.

Nga ana tjetër, këtë vit të mbarë për Shqipërinë ndodhën dy ngjarje të mëdha që do të hyjnë në analet e historisë sonë kombëtare. Ajo e para dhe më kryesorja, më 4 prill vendi u anëtarësua me të drejta të plota në NATO. Anëtarësimi në Aleancën veriatlantike ka qenë një objektiv i artikuluar qartë dhe me shumë forcë nga të gjitha qeveritë shqiptare të pas vitit 1992. Pas kësaj kërkese të qartë dhe permanente ka qëndruar vullneti i fuqishëm proatlantik i shumicës dërmuese të popullit shqiptar. Kjo u arrit më 4 prill 2009. Me këtë, Shqipëria bëhet pjesë e Aleancës më të fuqishme ushtarakisht dhe më demokratike politikisht që ka njohur historia e njerëzimit. Kjo sjell përfitimet e veta të padiskutueshme si në garantimin e pavarësisë politike dhe tërësisë tokësore ashtu edhe në një varg fushash tjera të lidhura zinxhirë që ngadalë por sigurtë do ta çojnë vendin drejt një fuqizimi gjithnjë e më të shprehur. Kjo nga ana tjetër rit peshën dhe kreditet e politikës shqiptare në arenën ndërkombëtare. Procesi i njohjeve të reja të shtetit të Kosovës i pavarësuar më 17 shkurt 2008, zgjerohet në proporcion të drejtë me forcimin e rolit dhe afirmimit të Shqipërisë në skenën politike të botës. Një anëtar aktiv i NATO-s dhe Bashkimit Europian ka mundësi shumë më të mëdha ndikuese dhe manovruese në kanalet diplomatikë se një shtet jashtë këtyre organizatave demokratike.

Anëtarësimi në bashkësinë e kombeve të lira e të barabarta europiane ka qenë objektivi i dytë madhor i çdo qeverie shqiptare të periudhës së demokracisë. Sot, Republika e Shqipërisë si shtet amë i gjithë shqiptarëve në botë dhe kombi shqiptar gjenden para një sfide të madhe historike - integrimit të plotë në Bashkimin Europian. Kjo po bëhet një realitet gjithnjë e më i prekshëm dhe realist. Kjo domosdoshmëri e kohës e cila përputhet plotësisht me interesat nacionale të shtetit shqiptar do të realizohet shumë shpejt. Në këtë drejtim, një sukses tjetër i madh ishte data 16 nëntor 2009, kur qeveria shqiptare mori dritë jeshile nga Këshilli i Bashkimit Europian për të ecur para në procesin e anëtarësimit të vendit në BE. Planifikohet që në një afat prej gjashtë muajsh të hiqet regjimi i vizave për qytetarët shqiptarë kurse pas reth një viti, Shqipëria të fitojë statusin e vendit kandidat dhe të fillojë negociatat për anëtarësim të plotë. Qeveria, opozita, administrata, gjithë populli ynë fisnik duhet të punojnë në maksimumin e mundshëm që sa më shpejt të arihet kjo. Çdo ditë vonese në këtë kuadër është një humbje e madhe drejt faktorizimit përfundimtar të racës shqiptare në raportet ballkanike të forcës që dinë të jenë edhe të egra në momente të caktuara. Pikërisht për këtë, le të shërbejë 28 nëntori - dita e shtetformimit shqiptar, si ditë feste dhe mobilizimi njëkohësisht, për gjithë ne që të shkojmë para drejt realizimit të interesave madhore të shtetit dhe kombit tonë.


(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora