E hene, 18.01.2021, 07:22 AM (GMT)

Kryeshkrim

Eshref Ymeri: Daullet e shpuara të Kremlinit

E hene, 23.11.2009, 05:55 PM


Daullet e shpuara të Kremlinit

Nga Prof. Eshref Ymeri

Gjatë vizitës së tij në Beograd, më 20 tetor 2009, presidenti rus Dimitër Medvedjev, deklaroi: “Rusia do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në çështjen e Kosovës, për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Kjo mbështetje bazohet në ligjin ndërkombëtar” (Gazeta “Albania”, 21 tetor 2009).
       Madje Medvedjevi, para nisjes për në Beograd, gazetës ruse “Moskovskije Novosti” i pati deklaruar: “Asnjë nuk ka të drejtë të zgjidhë çështjen e pavarësisë së Kosovës, pa lejen e Serbisë”. Dhe më poshtë vazhdoi: “Pa fjalën e fundit të Serbisë, askush nuk mund të vërtetojë se çështja e Kosovës është zgjidhur”.
       Menduam se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Kremlinit, ca nga ca, do të fillonin t’i vinin mendtë, do të fillonte të bëhej më i arsyeshëm, më realist në vlerësimin e çështjes së popullit shqiptar të Kosovë, i cili më 17 shkurt 2008, përmes përfaqësuesve të vet, të mandatuar në parlament, e përcaktoi përfundimisht rrugën e zhvillimit të vet me shpalljen e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Por, fatkeqësisht, politika ruse nuk ka ndryshuar pothuajse fare nga mendësia e politikës shoviniste cariste dhe sovjetike në qëndrimin ndaj popujve të vegjël. Rusia mbart mbi vete mëkate shumë të rënda në qëndrimin e egër, armiqësor që ka mbajtur ndaj kombit shqiptar, qëndrim ky që ka një traditë gati treshekullore. Për t’i bindur lexuesit e respektuar për tradicionalizmin e politikës armiqësore të shovinizmit rusomadh ndaj kombit shqiptar, po mjaftohem vetëm me një fakt nga shek. XIX.
       Historiania ruse, Irina Senkjeviç, shkruan: “Në materialet e Kancelarisë Diplomatike, pranë Kryekomandantit të ushtrisë ruse në luftën ruso-turke të viteve 1877-1878, ndodhet një dokument interesant, në të cilin parashtrohet biseda e Kryekomandantit të ushtrisë ruse, gjeneralit E.I. Totleben, me një përfaqësues të Lidhjes Shqiptare (është fjala për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit -E.Y.) Dokumentet që kemi zbuluar në fondet e Arkivit të Politikës së Jashtme të Rusisë… përmbajnë të dhëna me vlerë dhe interesante, të panjohura deri tani për… qëndrimin e diplomacisë ruse ndaj Lidhjes Shqiptare. Në bisedë me E.I. Totlebenin, përfaqësuesi shqiptar ka sqaruar shkaqet e shpërthimit të lëvizjes shqiptare pas luftës ruso-turke. Sipas mendimit të udhëheqësve shqiptarë, krijimi në kufijtë e Shqipërisë i shteteve të fuqishme - Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë - dhe dobësimi i Turqisë, dëshmojnë për faktin se “kombin e tyre po e kërcënon gllabërimi i plotë nga ana e fqinjve të fuqizuar, në qoftë se ata nuk do të marrin masa që tani kundër një gjëje të tillë”. Ndaj pyetjes që iu drejtua për qëllimet e lëvizjes shqiptare, përfaqësuesi i Lidhjes ka dhënë përgjigjen e mëposhtme: “Shqiptarët dëshirojnë për vetveten jo më shumë se po atë që qe realizuar për kombet e tjera të Gadishullit Ballkanik: njohjen e pavarësisë së tyre dhe të së drejtës për të krijuar brenda territoreve etnike një principatë më vete”. Dokumenti dëshmon për faktin se në korrik-gusht të vitit 1878, për në Adrianopol, ku asokohe ndodhej shtabi i Kryekomandantit të ushtrisë ruse, me një mision të posaçëm, nga Prizreni, qe dërguar një përfaqësues i Lidhjes, me qëllim që të mësonte se cili ishte qëndrimi i qeverisë ruse ndaj Lidhjes Shqiptare, ose, siç është thënë gjatë hedhjes në letër të bisedës, që të sqaronte se çfarë mund të prisnin ata (shqiptarët - I. S.) nga ana e Evropës dhe se çfarë mund të shpresonin ata nga Rusia. Mund të hamendësohet se për ardhjen e të dërguarit të Lidhjes në Adrianopol, pati ndihmuar M.A. Hitrovo, i cili asokohe ishte përgjegjës i Kancelarisë Diplomatike… Deklaratën për qëllimet çlirimtare të Lidhjes Shqiptare, E.I. Totlebeni dhe M.A. Hitrovo e pritën me simpati dhe përfaqësuesi shqiptar, me sa duket, mori premtime, në mos për përkrahje të drejtpërdrejtë, të paktën, për një qëndrim dashamirës. Një gjë të tillë e dëshmon përgjigjja e mëposhtme e gjeneralit Totleben, të cilën M. Hitrovo e ka hedhur në letër në një kopje të papastër: “Për Rusinë, krijimi i një Shqipërie të pavarur do të ishte i dëshirueshëm… Evropa nuk do t’i kundërvihej një gjëje të tillë”. Në kopjen e pastër të kësaj bisede, që është hedhur në letër për N.K. Girs-in, i cili në atë kohë ishte Ministër i Punëve të Jashtme të Rusisë, dhe për ambasadorin rus në Turqi, princin A.B. Llobanov-Rostovskin, të gjitha formulimet janë zbutur dhe përgjigjja e E.I. Totlebenit është parashtruar me shprehje më të kujdesshme: “Rusia mban një qëndrim dashamirës ndaj të gjitha kombësive dhe ndaj aspiratave të tyre të ligjshme dhe të drejta… Ajo, gjithashtu, do të mbajë një qëndrim dashamirës edhe ndaj shqiptarëve, në qoftë se ata, me sjelljen e tyre, do të arrijnë t’i justifikojnë këto simpati, domethënë nëse do të lidhin marrëdhënie miqësore, fqinjësie me malazeztë, me serbët, me bullgarët dhe me grekët, duke u lëshuar atyre ato zona, për të cilat në Kongresin e Berlinit qe vendosur që t’u aneksohen shteteve fqinje me Shqipërinë”” (I.G. Senkjeviç. Shqipëria në periudhën e krizës lindore. Lidhja shqiptare dhe diplomacia ruse në vitin 1878. Shtëpia Botuese “NAUKA”. Kryeredaksia e letërsisë lindore. Moskë 1965, botim në gjuhën ruse, f. 116-118).
       Pra, që asokohe kur në historinë e kombit shqiptar filloi një periudhë kthese vendimtare për fatet e tij, politika ruse u radhit kundër tij në mënyrën më të egër. Historiania Irina Senkjeviç, në veprën në fjalë, nuk citon asnjë dokument nga arkivat ruse për rolin përcaktues që luajti Rusia kundër kombit shqiptar në Kongresin e Berlinit, për të mos lejuar bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një shtet autonom, në kuadrin e Perandorisë Otomane, siç dëshironin dhe propozonin Fuqitë e tjera evropiane, çka del qartë në veprën e prof. Arben Putos me titull: “Çështja shqiptare në aktet ndërkombëtare të periudhës së imperializmit”, Vëll. I - 1867-1912. Shtëpia Botuese “8 nëntori”. Tiranë, 1984, f. 34).
       Qëndrimi i tanishëm i politikës ruse ndaj pavarësisë së Kosovës është i ngarkuar me nota vërtet tragjikomike. Deklarata e presidentit Medvedev, sipas të cilit “pa fjalën e fundit të Serbisë, askush nuk mund të vërtetojë se çështja e Kosovës është zgjidhur”, përbën një material boll interesant për skeçet humoristike të emisionit të “Portokallisë” në kanalin TV Top Channel,  për aktorin e talentuar Agron Llakaj, si edhe për Saimirin dhe Doktorin e emisionit “Fiks Fare”. Është sa e çuditshme, aq edhe qesharake që presidenti i një supershteti, siç është Rusia, pa i bërë fare përshtypje, merr përsipër rolin e një politikani karagjoz në sytë e opinionit ndërkombëtar. Rolin prej karagjozi të këtij farë presidenti e zbulon fare shkoqur analisti i Radios Evropa e Lirë në shërbimin në gjuhën ruse, zoti Andrea Shari, i cili deklaron: “Loja e shahut rreth Kosovës ka mbaruar, i pëlqen dikujt ose jo. Kosova është shtet i pavarur dhe këtë fakt nuk mund ta ndryshojë askush dhe as Rusia. Të tjerat janë retorikë verbale” (Gazetë “Tema”, 21 nëntor 2009).
       Politika ruse iu kundërvu me tërë egërsinë e vet vendimit të NATO-s për bombardimin e Serbisë dhe shpëtimin e popullit shqiptar të Kosovës nga shtazëria e makinës ushtarake serbe. Me të njëjtën egërsi reagoi ajo kundër popullit shqiptar të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar në tërësi edhe në periudhën para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke iu kundërvënë pjesës dërrmuese të mbarë opinionit ndërkombëtar. Egërsinë e kësaj politike e ka pasqyruar në mënyrën më shembullore ish-ambasadori ynë në Moskë, zoti Shaqir Vukaj, në librin e tij të shkëlqyer me titull “Rusia dhe Kosova (Shënime të një diplomati)”, Tiranë 2007.
       Me sa duket, politikanët  rusë nuk heqin dot dorë nga roli i tyre prej karagjozësh për t’u rënë pa pushim daulleve të shpuara të Kremlinit, për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, demek, pa lejën e Serbisë! Prandaj edhe presidenti Medvedjev në Beograd, mori përsipër rolin e modelistit të luajtur nga fiqiri që  kërkon të presë dhe të qepë një kostum për një të vdekur që Moska kërkuaka ta ngjallë nga varri me domosdo dhe ta veshë allafrënga. Kësisoj, presidenti Medvedjev vazhdon traditën e marrëzisë së politikës ruse në qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës, duke  nxjerrë edhe më në pah karnavalet e Kremlinit. Për t’i bërë edhe më të besueshme këto karnavale të Kremlinit, për respektin e lexuesve, këtu poshtë po ndalemi në dy fakte konkrete.
       Së pari, Moska e kundërshtoi dhe vazhdon ta kundërshtojë në mënyrën më të egër dhe më paradoksale pavarësinë e Kosovës, duke u druajtur se shembullin e Kosovës mund ta ndjekin edhe etnitë joruse brenda Federatës Ruse. Me këtë rast, gjatë “një bisede telefonike për problemin e Kosovës, ish-ministri i jashtëm Igor Ivanov, i ka thënë Sekretares së Shtetit të SHBA Madlen Ollbrajt: “Madlen, si nuk e kuptoni ju se sa Kosova të tilla ka në Rusi?”” (Shaqir Vukaj. “Rusia dhe Kosova (Shënime të një diplomati)”, Tiranë 2007, f. 189).
       Duke bërë një analogji të tillë mes Kosovës dhe etnive joruse brenda Federatës Ruse, zoti Ivanov zbulon (besoj se pa dashje) një të vërtetë tragjike rreth marrëdhënieve të Kremlinit me etnitë në fjalë. Nuk e di nëse pas asaj bisede telefonike me zonjën Ollbrajt, zoti Ivanov e ka kuptuar apo jo se ai ka bërë një deklaratë tejmase vetëdemaskuese.  Me sa duket, edhe Kremlini ato etni i trajtuaka po në atë mënyrë, siç e ka pas trajtuar Kosovën edhe Beogradi, deri në mëngjesin e 12 qershorit të vitit 1999. Marrëzia dhe karagjozllëku i deklaratës së Ivanovit, i zbulon fare lakuriq karnavalet e Kremlinit. Prandaj Kremlini shkëputjen e Kosovës nga Serbia e konsideruaka si fillimin e shkallmimit të strukturës së Federatës Ruse. Derisa etnitë joruse apo republikat autonome brenda asaj federate, sipas fjalëve të zotit Ivanov, përfaqësuakan, secila, një Kosovë më vete, kjo do të thotë se, me kalimin e kohës, vetë Kremlini do t’u bëka shkaktari kryesor i shkallmimit të themeleve të Federatës Ruse. Në qoftë se Kremlini nuk e paska të qartë që themelet e perandorisë sovjetike i shkallmoi vetë shovinizmi rusomadh me politikën që ndoqi për rusifikimin e ish-republikave sovjetike, atëherë atij nuk ia ka kush fajin për dritshkurtësinë e asaj politike që praktikoi për gati 70-vjet. Në qoftë se Kremlini nuk e paska të qartë që themelet e mikroperandorisë jugosllave i shkallmoi vetë shovinizmi serbomadh me politikën që ndoqi për serbizimin e ish-republikave dhe ish-krahinave autonome jugosllave, atëherë atij (shovinizmit serbomadh) nuk ia ka kush fajin për dritëshkurtësinë e asaj politike që praktikoi gjatë viteve ’90 të shekullit që kaloi për mbajtjen domosdo më këmbë të ngrehinës së kalbur me emrin “Federatë Jugosllave”.
       Së dyti, në një intervistë që ish-presidenti rus, Vladimir Putin, u tha gazetarëve të mjeteve të informimit masiv të vendeve anëtare të “Grupit të Tetëshes” në Gjermani, më 4 qershor 2007, një analist i gazetës “Figaro”, i drejtoi atij një pyetje asgjësuese: “Unë do të dëshiroja të reagoja lidhur me atë që u tha për punën e Kosovës. Unë nuk po shikoj ndonjë mundësi për kompromis. Më jepni një ide se ç’lloj kompromisi na qenka i mundur në këtë mes. Vendi ose është i pavarur, ose është i varur. S’po e marr vesh se çfarë kompromisi qenka i mundur këtu? Ku e shikuakeni Ju mundësinë e kompromisit”? Dhe Putini jep një përgjigje, tipike për karnavalet e Kremlinit, që e bëri atë qesharak në sytë e gazetarëve të pranishëm: “Po ta dija, do ta kisha propozuar me kohë. Duhet kërkuar. Kjo është një punë e rëndë dhe e ndërlikuar. Nuk e di. Tani për tani, nuk e di”. Medet! Presidenti i një supërshteti që ka marrë përsipër mbrojtjen e një “kauze të madhe”, siç “ishte” moslejimi i pavarësimit të Kosovës, nuk di të përgjigjet, nuk është në gjendje të sqarojë se cilat janë rrugët e vënies në jetë të asaj “kauze” të famshme.
       Pikërisht kjo deklaratë qesharake e presidentit Medvedjev, bashkë me dy episodet e mësipërme me ish-ministrin e jashtëm Igor Ivanov dhe ish-presidentin Putin, më kujtuan përmbajtjen e një komedie amerikane që ndoqa këto ditë, me titull “Dumb and dumber” (Budallai dhe më budallai), në të cilën luajnë dy aktorët e talentuar Jim Carrey dhe Jeff Daniels. Deklaratat e tyre, si një dukuri e zakonshme e karnavaleve të Kremlinit, duhet të përbëjë një objekt humori boll interesant për humoristët tanë të pakrahasueshëm, si Gëzim Kruja, Zef Deda, Muarrem Hoxha, Agron Llakaj, parodistët fantastikë të Vlorës etj.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora