E premte, 29.03.2024, 05:14 AM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani & Arzije Zeneli: Vlerat kulturore të kullës së Xhemajl Haxhisë...

E hene, 23.11.2009, 02:23 PM


VLERAT KULTURORE DHE HISTORIKE TË KULLËS SË XHEMAJL HAXHISË NË FSHATIN HERTICË TË GALLAPIT

Nga Qazim Namani & Arzije Zeneli

Kulla është ndërtuar mbi lagjen e fshatit, në një kodrinë me pjerrtësi të vogël, me pamje të bukur dhe me lartësi mbidetare rreth 1000m. Oborri i kullës ishte mjaft i madh dhe i rrethuar me mure, poashtu nga guri i punuar me teknikë të lartë. Në anën jugore ishte hyrja e oborrit, ku ekzistonte edhe dera e vogël tradicionale për hyrjedalje të banoreve, dhe në të djathtë të saj ishin dyert e mëdha që shërbenin për qerre dhe bagëti. Brenda kompleksit të oborrit, kishte edhe objektet tjera ndihmëse përcjellëse të kullës, si: oda, shtëpi ndihmëse me dhoma për fjetje, qilari, ahuri, pojata, hambari, koshi, koteci, plemja, bunari, nyja e jashtme sanitare, punëtoria, kopshti etj.
Sipas rrëfimeve të Xhemajl Haxhiut (1938), kjo kullë është e vjetër rreth 200 vjet.
Bazuar në një shkrim të gjetur në një dërrasë, kuptojmë se shkrimi është shkruar në vitin 1875. Shkrimi në këtë dërrasë është në gjuhën turke dhe me alfabet turk. Nehat Krasniqi e bëri deshifrimin dhe sipas tij në këtë dërrasë shkruan: Ejani me qëllim (nijet të mirë), viti i shkrimit 1875, dhe në dërrasë ishte skalitur ylli i Davidit. Motivet astrale, siç janë: dielli, hëna dhe yjet na paraqiten në arkitekturën popullore të kësaj ane, që tregojnë lidhje të ngushtë  në të gjitha trevat shqiptare dhe ballkanike në përgjithësi.

Pamja nga hyrja kryesore në Kullë
Pamja nga hyrja kryesore në Kullë
Pronari i kullës, duke u bazuar në kujtesën e të parëve të tij, pohon se kulla është më e vjetër se ky mbishkrim. Ai pohon se këtë kullë, dhe disa kulla tjera në këto anë, i ndërtuan mjeshtërit dibranë, dhe ndërtimi i kësaj kulle ka zgjatur 3 vjet. Nga kjo e dhënë kuptojmë se shkolla dibrane e ndërtimit të shtëpive dhe kullave shqiptare, ka qenë e njohur dhe e përhapur në të gjitha trevat shqiptare.

Vlerat historike të kësaj kulle janë të mëdha. Kjo kullë kishte shërbyer për të strehuar shumë shqiptarë që kishin arritur të kalonin të gjallë në këto anë, gjatë viteve të vështira, kur u masakruan dhe u dëbuan shqiptarët nga sanxhaku i Nishit, gjatë viteve 1878/79. Poashtu në të gjitha luftërat që u zhvilluan në këto anë, gjatë shekullit XX, kjo kullë ka shërbyer si shtab lufte. Kjo kullë ka shërbyer edhe si fortifikatë mbrojtëse për banorët e fshatit gjatë kohës së granatimit të fshatit dhe okupimit bullgar. Gjatë kësaj kohe, në katin përdhesë të kësaj kulle, natën bluhej drithi me mokër dore për banorët e fshatit, sepse bullgarët e kishin caktuar si taksë 1/3 e miellit të bluar në mullinj. Gjatë luftës që u zhvillua në këto anë kundër ushtrisë bullgaro-ruse, në fund të luftës së dytë botërore, 3 granata topi kanë rënë në oborrin e kësaj kulle, por, për fat të mirë, kulla ka shpëtuar. Pronari pohon se njërën nga granatat e kanë marrë ekspertët e Muzeut të Kosovës për ta ruajtur dhe ekspozuar.
Vlerat arkitektonike- të kullës së Xhemajl Haxhiut janë shumë të larta, kur kemi parasysh kohën e ndërtimit të saj. Kjo kullë është 2 katëshe, me dimensione 12.60 x 8.70 m’. Muret e jashtme janë të punuara me gurë dhe kanë trashësinë prej 80 cm, të lidhura me llaç balte dhe me breza druri në lartësi të caktuara, ndërsa muret ndarëse të katit të lartë janë të punuara prej konstruksionit të drurit, e të cilat janë të mbushura poashtu me llaç balte.
Gurët e punuar vërehen në katër qoshet e kullës. Kulla kishte qenë e mbuluar me tjegulla tradicionale të kohës së ndërtimit, por që më vonë ishin zëvendësuar me tjegulla tjera. Në katin e sipërm janë 4 dhoma me një hajat në mes,  përmes të cilit shfrytëzohet çardaku në pjesën e përparme kah hyrja e kullës dhe nyja sanitare në anën e kundërt të çardakut me dalje jashtë mureve, perimetrave në pjesën e prapme të kullës, që ky stil i ndërtimit haset në të gjitha trevat e Kosovës.
Për dallim nga tipologjia e ndërtimit të disa kullave, ku kati përdhese është përdorur për bagëtinë, te kjo kullë vërehet se prej fillimit të ndërtimit ky kat ka shërbyer si shtëpi e zjarrit dhe për ambient qëndrimi ditor për familjarë. Siç shihet, ky tip i kullës paraqet fazën e hershme të zhvillimit të shtëpisë në kat. Në katin përdhese, pjesa  e katit që i përfshinin shkallët për në katin e sipërm, ishte e murosur me gurë, por planimetria e kësaj hapësire bënte të kuptohej se nga ana e majtë kishte ndërlidhje të kateve me shkallë të brendshme, e që më vonë kjo lidhje ishte murosur. Sipas rrëfimit të pronarëve, një lidhje me katin e sipërm ka ekzistuar edhe përmes çardakut me shkallë që lëshoheshin në anën e djathtë të kullës, dhe ishin pranë hyrjes nga jashtë në katin përdhese nga ana jug-lindore. Muret ndarëse të katit të sipërm peshonin në sistemin e mbajtësve të trarëve të drurit, me 3 shtylla vertikale në katin përdhese.

Dërrasë e shkruar në vitin 1875, të cilën e ruan familja e Xhemajl Haxhiut në Herticë
Dërrasë e shkruar në vitin 1875, të cilën e ruan familja e Xhemajl Haxhiut në Herticë
Në katin përdhese ishte shtëpia e zjarrit, e pajisur me oxhak, dhe kjo hapësirë shërbente për përgatitje të ushqimit dhe qëndrim ditor të familjarëve. Oxhaku tani ishte shkatërruar, por në bazë të disa detajeve që kishin mbetur nga gurët e skalitur, kuptojmë se kishte qenë i punuar me gurë të butë të gdhendur dhe me dekorime që pasqyronin një stil të lartë të vlerave kulturore. Ndërtimi i oxhakut në katin përdhese dhe mbajtja jashtë e bagëtisë nga objektet e banimit, tregon se sistemi çifligar në rajonin e Gallapit është më i hershëm se në trevat tjera.

Tavani dhe dyshemeja ishin të punuara prej dërrasave. Lartësia e katit ishte 2.30 cm, dhe në dysheme u  vërejtën dhe shtroja tradicionale të punuara në vek.  
Dritaret e kullës poashtu ishin të punuara me gurë të gdhendur, të cilët ishin të shpuar në pjesën e sipërme dhe në bazament në të cilat vrima kishin qenë të vendosura shufrat e metalit, me qëllim për t’u mbrojtur nga jashtë. Në kthinat ku ishte hapësira e madhe dhe kërkohej më shumë ndriçim, ishin punuar dy dritare ngjitur njëratjetrës. Në katin  e sipërm vërehej se ishin bërë ndryshime dhe, për fat të keq, këto dritare ishin zëvendësuar me dritare tjera.
Në katin e sipër, nga të gjitha, anët në kënde kishte pasur edhe frenxhi për t’u mbrojtur nga sulmet eventuale të kullës.
Vend me rëndësi në kompozimin planimetrik të kësaj kulle, zë “shtëpia” si quhet nga pronorët. Kjo kullë është  me çardak në ballë kah hyrja kryesore. Çardaku është i tipit të mbyllur, ku nga ana veriperëndimore, kah shkonte rruga e fshatit, është i mbyllur me tulla tradicionale dhe me dy dritare të punuara në formë qemeri, ndërsa anët tjera të çardakut, janë të mbyllura me skelet druri të veshur më dërrasa dhe me dy dritare në anën ballore.
Studimi i kullave dhe shtëpive ne trevën e Gallapit, që i mbijetuan kohës, janë me interes, sepse dëshmojnë të arritura të larta arkitektonike dhe të pasura me punime dekorative që janë shembujt më të mirë për të dëshmuar kulturën e lartë të banimit dikur në këto treva të njohura minerare. Elementet që hasen te shtëpitë dhe kullat e shekullit XIX të kësaj ane, hedhin dritë mbi karakterin e marrëdhënieve ekonomike dhe shoqërore të popullatës shqiptare. Në Herticë ishin të njohura edhe disa kulla tjera e që fatkeqësisht u shkatërruan gjatë viteve ‘70 dhe ‘80 të shekullit XX.


(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora