Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Neli Aloçi (Stambolliu): Notarja e madhe dhe njeriu i përkryer

| E diele, 30.09.2007, 01:51 PM |


Nga Irfan Rama

Neli Aloçi
Ajo tashmë ka mbyllur sytë për ngahera, porse shumë brezni të hershme do ta mbajnë në projeksionin trunor të kujtesës mirazhin e bukur të notares së talentuar e të madhe të ekipit të Butrintit të Sarandës e të ekipit përfaqësues të Shqipërisë të viteve 60-70 të njëqindvjeçarit të kaluar e cila theu me dhjetra rekorde kombëtare ne stilin zonjushar të bretkosës dhe në stafetat 4x100 metra, e duke dhënë një kontribut të madh në shpalljen kampion për 7 vjet rrjesht ekipin e Butrintit të Sarandës. Neli Aloçi (Stambolliu) do të kujtohet gjatë nga sportëdshësit sarandiot, durrsak, vlonjatë etj për teknikën e lartë në stilin e bretkosës ku rrëshqitja në ujë ka qenë e papërsëritshme e “ziliçare” jo vetëm për vajzat por edhe për djemtë të cilët e kundronin me admirim stilin e saj lozonjar, për karakterin e sedrën e madhe, për mentalitetin e fituesit, disiplinën në stërvitje e kohëshmërinë intensive në ujë, komunikimin e shkëlqyer me shoqet, shokët, trajnerët, sportëdashësit e njerzit e thjeshtë të cilëve i artkulonte vetëm fjalë të ngrohta. Ajo do të mbahet mend gjatë nga bashkëshorti i saj i mirë e human Niko Stambolliu me profesion farmacist dhe dy vajzat e saj të shkolluara në perendim. Neli e filloi karrierën e saj në sportin e bukur dhe gjithëzhvillues të notit në muajin prill të vitit 1965 kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe, me një trupt të vogël e të imët. Babai i saj, Ganiu, një dashamirës i sportit të notit por edhe i sporteve të tjera, kish shkuar një ditë tek trajneri i njohur i ekipit të notit të Butrintit të Sarandës dhe i ekipit përfaqësues Spiro Koça dhe i kish thënë që ta merrte bijën e tij të brishtë për tu zhvilluar dhe ai rrëmbimthi e kish tërhequr në ekipin vajzëror duke konturuar në mendjen e tij nxitimthi bretkocisten terribël të së ardhmes. Dhe aspak nuk kishte gabuar pasi Neli vetëm pas katërqind ditësh kish arritur të renditej e para për të rejat e në moshën trembëdhjetë vjeçare kapërcen me lehtësi pragun e të rriturave. “Që në garën e parë – kujtonte kohë më parë Neli – me ekipin e Butrintit unë zura vendin e parë kur isha vetëm 12 vjeçe. Kam qenë  11 vjeçe kur më futi babai me notin sepse në trup isha shumë e imët në krahasim me bashkëmoshataret e mia. Ai dëshironte që unë të rritesha e të zhvillohesha. Trajneri Spiro Koça një trajner i shkëlqyer sapo më pamë afroi me ekipin e Butrintit. Fillimisht me të rejat e më pas sapo kaloi një vit më drejtoi tek të rriturat”. Ajo e brishta e fillimit tashmë e zhvilluar furishëm nga noti nuk lejon më askënd që t’i dalë para saj. Ajo stërvitej pa pushim me 4-5 orë në ditë që nga marsi jo fort i ngrohtë e deri në muajin tetor me një intensitet të “llahtarshëm” duke sfiduar kushtet e detit të hapur (pasi në atë kohë nuk ekzistonin pishinat apo palestrat moderne të sotme) dhe shkonte në shtëpi e entusiazmuar për arritjet ditore. Dhe rekordet e titujt e kampionit tashmë bëhen një ritual i zakonshëm vjetor. Madje ajojep një kontribut të madh në shpalljen e ekipit të Butrintit kampion në stafetën 4x100 metra duke kontribuar në fitoren e garës ekipore. “Kur bëhesh gara e stafetës 4x100 metra unë e merrja stafetën nga ekipi im e fundit dhe me stilin tim bretkosë Butrinti dilte në vendin e parë pasi rrëshqitja shumë shpejt nga stili të cilin e kisha të përsosur. Arbitrat tanë nganjëherë diskutonin se stili im ishte faull gjatë notimit. Ndërsa kur shkuam në Kinë me ekipin përfaqësues, vumë re se ai stil ishte në përparësi edhe në ekipin kombëtar kinez”. Në vitin 1969 ajo shpallet notarja më e mirë e kampionatit kombëtar duke ushpallur kampione kombëtare dhe rekordmene në garat 100 dhe 200 metra në stilin bretkosë si dhe duke fituar titullin kampion si ekip në stafetën 4x100 m. Ekipi sarandiot shpallet kampion, E Neli me atë trupin e saj të bukur e me ëngjëllsinë e moshës 16-vjeçare ngjitet në podiumin e nderit dhe merr diplomën e notares më të mirë të kampionatit kombëtar të notit përmes entusiazmit të një publiku të madh që ndiqte me kërshër evenimentin më të rëndësishëm të notit në Shqipëri. Në vitin 1971 sarandiotja ekskluzive grumbullohet me ekipin kombëtar shqiptar nga trajnerët Petrit Caslli dhe Spiro Koça për të shkuar në Kinën e largët dhe të miqësishme për Shqipërinë e kohës komuniste. Në Kinë ajo zhvillon gara shumë të bukura në qytetet –shtete të Pekinit, Shangait, Çanshasë, Uhan, Futachin etj. Ajo thyen në një garë kampionen e Kinës dhe thyen rekordin kombëtar të 100 metërshit në bretkosë me kohën shumë të mirë 1’36’’e 3/10 duke u nderuar edhe me diplomën e nderit nga përfaqësuesit e lartë të sporti kinez. Ajo bashkë me shoqet e shokët e ekipit shqiptar e kinez kalojnë lumen e verdhë Jance të Kinës me një gjerësi 7 km të cilin e kishte kaluar pak kohë më parë edhe udhëheqësi kinez 70-vjeçar Mao-Ce-Dun. Muri kinez, muzetë e shumë vende historike e kulturore kineze që shqiptarët kishin vizituar i kishin lënë mbresa Melit që shpesh i kujtonte më vonë. “Në Kinë na pritën shumë mirë, vizituam Murin e madh kinez dhe gdhëndëm emrat aty.Bëmë fotografi në shtëpinë e Mao-Ce-Dunit. Për herë të parë pamë dhe notuam më pishina me ujë të ngrohtë ndërsa ne bënim stërvitje në det të hapur e shpesh në ujë të ftohtë. Pallati i sportit ishte i mbushur plot për të pritur përfaqësuesen e Shqipërisë dhe ne na inkurajuan shumë. Në një garë të bukur zura vendin e parë ndaj kampones së Kinës dhe thyva rekordin kombëtar”- tregonte notarja e talentuar. Në vitin 1972 Neli sërish zhvillon një garë spektakolare me kamionen e Kinës në pishinën e Zallherrit në Tiranë dhe kinezja për të dhjetat e sekondës prek finishin. Por ajo që të bën përshtypje tek Neli është se ajo në një moshë fare të re rreth 16 vjeçe bëhet trajnere e ekipit të vajzave të vogla të Sarandës dhe i shpall kampione të vendit në një kohë që stërvitej intensivisht edhe për veten e saj. Në shtator të vitit 1972 Neli vjen në Tiranë për studime në degën e farmacisë e ndonëse kërkohet me ngulm nga ekipet e kyeqytetit pasi ishte vetëm 19 vjeçe ajo nuk pranon t’i bashkohet asnjë ekipi për t’iu përkushtuar studimeve të larta. Sidoqoftë mjeshtrja e sportit (titulli Mjeshtre e merituar nuk i’u dha nga zyrtarët e at’hershëm ndonëse rezultatet e saj ishin të përafërta me ato të shteteve ballkanike ndaj ajo e pati një merak…) u mor me aktivitete sportive në universitet e sidomos me volejbollin ku kishte mjaft talent. Për dhjetë vjet rekordet e saj nuk u thyen nga pasardhëset . Ajo ishte shoqe e bashkëkohëse me notaret e talentuara të stileve të ndryshme si Natasha Sami, Pranvera Rrapushi (Butrinti), Kudrete Kozmai (Vllaznia, mbesa e mjeshtrit të bretkosës Enver Muriqi), motrat Berkedhuli (Lokomotiva e Durrësit) etj me të cilat shkonte shumë mirë. Emin Lishi ish-rekordmen i Shqipërisë në stilin shpinë në 100 dhe 200 metra në vitet 1958-1970 dhe trajner i ekipit kombëtar të femrave të Shqipërisë e portetizon kështu Nelin: “Neli Aloçi është një nga notaret më të mëdha që ka nxjerrë vendi ynë deri në ditët e sotme. Ajo nuk ka qënë vetëm një nitare e shkëlqyer por edhe një njeri i përkryer. Gjatë kohës që ajo ka notuar të gjithë notarët e Shqipërisë meshkuj e femra kanë patur një zili të veçantë për stilin bretkosë pasi ajo kishte një stil jashtëzakonisht të mirë dhe një fizik të bukur. Me një fjalë ajo kishte lindur për stilin bretkosë. Ajo ka qënë notarja më e mirë e bretkosës në vitet ‘70-’80. Më kujtohet viti 1972, kohë në të cilën unë usha trajner i ekipit kombëtar të meshkujve dhe femrave në një aktivitet që zhvilluam me ekipet kombëtare të Kinës. Neli ka zhvilluar një garë të jashtëzakonshme me kampionen e Kinës në pishinën e Zallherrit, ku është ndarë vendi i parë me të dhjetat e sekondës. Neli ka qënë një notare jashtëzakonisht e kompletuar ndaj jam shumë i pikëlluar për humbjen e saj por ajo ka lënë një emër shumë të madh për sportin e notit. Federata e notit duhet të organizojë një kupë për nder të saj. Po ashtu edhe qyteti i lindjes, Saranda duhet të kujtohet për të nderuar këtë emër që i ka dhënë aq shumë atij qyteti.”

Skeda sportive e Neli Aloçit

Ditëlindja: 01.08.1953
Vendlidja: Sarandë
Gjatësia: 170 cm
Pesha: 60 kg

Klubi garues: Butrinti i Sarandës 1965-1972 (anëtare e ekipit përfaqësueses së Shqipërisë)

Takime ndërkombëtare: 14

Trofetë: 6 vjet rekordmene dhe kampione e Shqipërisë në 100 dhe200 metranëstil bretkosë, 6 herëkampion kombëtar si ekip me Butrintin, notarja më e mirë e kampionatit kombëtar të notit në vitin 1969, fituese e garës së 100 metrave stil bretkosë me kampionen e Kinës (Pekin 1971)

Tituj: Mjeshtre e Sportit 1995