E shtune, 25.09.2021, 08:09 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Shevki Sh. Voca: Murat Toptani, figurë poliedrike e rilindjes kombëtare (I)

E hene, 23.11.2009, 06:54 PM


MURAT TOPTANI, FIGURË  POLIEDRIKE E RILINDJES KOMBËTARE

<Jetën time ia kam falur Shqipërisë dhe vëllezërve shqiptarë. Sa të kem edhe një pikë gjak do ta derdhë për mëmëdheun e dashur, kudo që të jem, si do që të jetë> - MURAT  TOPTANI

Nga Shevki Sh. VOCA

Toptanët ishin familje e madhe çifligare me tituj bejlerë dhe, si të tillë ata në zonën e Tiranës dhe në Shqipërinë qendrore ishin me influencë. Nga gjiri i kësaj familjeje dolën figura të dalluar, të cilët ani pse ishin me tendenca të ndryshme ata historisë tonë kombëtare i dhanë figura shumë të rëndësishëm.
           Rreth familjes Toptanaj ekziston në literaturë një legjendë, të cilën e ka përhapur i pari, me sa dihet, konsulli frëng A. Degrand. Këtë legjendë, konsulli frëng e kishte dëgjuar në Tiranë nga goja e Fuad Bej Toptanit, (kushëriri i parë i Murat Toptanit) tek i cili kishte bujte me rastin e vizitës në këtë qytet në vitet e fundit të shek. XIX (1898). Në vijim e japim përmbajtjen e kësaj legjende që afërsisht tregohet kështu:
           “Më 1478, kur pas rrethimit të gjatë, turqit e pushtuan më në fund Krujën, dy jeniçerë, njëri nga Anadolli tjetri nga Rajca e Domosdovës, ndërsa po kontrollonin pallatin e Thopiajve ku kishte banuar edhe Skënderbeu, dëgjuan një zë foshnje në tavanin e njërës dhomë. Kur jeniçerët hipën mbi tavan, panë aty disa gra që qanin rreth një djepi. Ndërsa jeniçeri anadollak filloi të kontrollonte qoshet e servanisë me shpresë se mund të gjente ndonjë thesar të fshehur, jeniçeri shqiptar iu afrua djepit dhe ia rrëmbeu gruas që rrinte mbi foshnjën gjerdanin e artë, që ajo mbante në qafë. Kjo grua ishte, sipas tregimit, motra e Skënderbeut, Mamica, e shoqja e Tanush Muzak Thopisë, kurse foshnja, djali i tyre i tretë. Jeniçeri anadollak i inatosur pasi nuk gjeti asgjë në servani, iu vërsul Mamicës, të cilën e vrau aty për aty. Ai deshi ta vriste edhe foshnjën, por jeniçeri shqiptar, duke pas mëshirë për të, ndërhyri, i ndaloi dorën, i dhuroi si shpërblim gjerdanin dhe kështu e shpëtoi foshnjën, të cilin e mori me vete dhe e shpuri në Rajcë, ku e paraqiti si birin e vetë. Biri i Tanush Thopisë, u rrit në Rajcë, i kthyer në mysliman me emrin Ali. Kur u rrit u futë në radhët e jeniçerëve dhe pasi u shqua në luftë për trimëri e shkathtësi, fitoi titullin Bej, zuri poste të ndryshme derisa u bë qeveritar i Krujës. Këtu ai mësoi se nuk ishte, siç kishte kujtuar i biri i jeniçerit nga Rajca, por i Mamicës, motrës së Skënderbeut dhe i Tanush Thopisë (?), mbrojtësit heroik të Krujës. Si biri i tyre ai mori mbiemrin Toptan që është sipas autorëve të legjendës një turqizëm i mbiemrit Thopia. Ali beu iu lut disa here sulltanit që t’i kthente atij zotërimet e Thopiajve; meqenëse sulltani nuk ia plotësoi dëshirën, ai shpalli pavarësinë e vet. Tërë shqiptarët e Krujës, miqtë e të atit dhe familja e fuqishme e Dukagjinëve-vazhdon tregimi-u bashkuan me të, sepse urrejtja kundër turqve dhe shpirti për pavarësi ishin shumë të gjallë në popullsinë e këtyre anëve. I shqetësuar nga kjo lëvizje sulltani u detyrua t’ia plotësonte dëshirën, me kusht që të mos hiqte dorë nga feja myslimane. Ai i dërgoi një ferman, me të cilin e njihte si sundimtar duke i dhënë në zotërim Krujën dhe tokat që i kishin pasur gjyshërit në Krujë derisa vdiq.”1
Sipas historianit nga Shqipëria, Kristo Frashri, ky tregim ka një kundërvënie historike. Ja pse, “E motra e Skënderbeut, Mamica ishte martuar me Muzak Thopinë dhe jo me Tanush Thopinë. Veç kësaj, i shoqi i Mamicës, Muzak Thopia u vra në betejën e Beratit më 26 korrik të vitit 1455, kurse vetë Mamica vdiq më 1461. Si rrjedhim, kur turqit pushtuan Krujën, djali i Mamicës do të ishte jo foshnjë, siç thuhet në legjendë, por mbi 22 vjeç.”2
         Në lidhje me origjinën e familjes Toptani, me këtë rast do ta japim edhe një versionin tjetër dhe mjaft të ngjashëm me at para saj por, që tregohet më shkurtimisht, e cila është botuar në vitin 1898 në revistën “La Nazione Albanese”, që përgatitej në Puheriu, Kalabri dhe botohej në Kozenca nga arbëreshi Anselmo Lorekjo. Këtu sipas gojëdhënës të cilën  e kishte dhënë vetë Murat Toptani, shkruan: “Kur u pushtua Kruja pas vdekjes së Skënderbeut, shpëton nga masakrat një pasardhës i Topiasve, të cilin e birëson një jeniçer shqiptar nga rrethinat e Ohrit. Kur djali Topias që tashmë ishte bërë mysliman me emrin Ali, bëhet 18 vjeç vret një njeri  për të nxjerr gjakun e një shoku dhe detyrohet të arratiset dhe hynë në ushtrinë osmane. Si rezultat i shkathtësisë dhe zgjuarsisë arrin postin e sanxhakbeut të Krujës.”3 Kjo ishte përmbajtja e kësaj gojëdhëne të ruajtur në traditën  gojore të derës Toptani.
          Në vitin 1614 në Tiranë sundonte Sylejman Pasha, që u quajt më vonë Sylejman Pashë Bargjini. Pas tij sundimtarë të Tiranës u bënë i biri, i nipi, e stërnipi i Sylejman Pashës, deri te sundimtari i fundit Bargjinas i Tiranës, Amet Pasha. Por në dhjetëvjeçarin e parë të shek. XIX për herë të parë në historinë e këtij qyteti, sundimtar i saj u bë një toptanas nga Kruja e pikërisht ishte ky Abdurahman Toptani.4
           Përpara se ta merrte sundimin e Tiranës Abdurahman Beu-Toptanasit e Krujës ishin në luftë të ashpër me Bargjinasit, luftë kjo që vazhdoi për gjashtëdhjetë vjet, bile edhe pasi Abdurahman beu u bë sundimtar i saj. Kjo ishte një luftë e cila bëhej për fitime pasurish se kush t’i merrte frenat e qytetit në dorë. Ajo herë acarohej e herë ndërpritej. Këto luftëra që u zhvilluan me intervale deri në vitin 1830, tërhoqën pas edhe popullsinë qytetare, e cila i pagoi shtrenjtë ato grindje me jetën dhe pasurinë e saj. Duke i përshkruar këto pasoja, një i huaj shkruante, më 1838 “Qyteti i Tiranës ka 8000 banorë, por para vuajtjeve të luftës civile të vitit 1830, ai kishte 13.000 banorë. Kjo duket edhe nga numri i shtëpive (1000) dhe i dyqaneve(727), shumica e të cilave kanë mbetur tani gati të zbrazura. Qyteti i madh, i cili ka një pamje të trishtuar, ka mbetur tani pa tregti e zejtari”5
      Puna e parë që bëri Abdurahman Toptani ishte të ndalonte luftën njëherë e përgjithmonë e të bëhej pajtimi midis Bargjinasve dhe Toptanasve. Por ajo, siç thamë vazhdoi edhe gjatë shumë vjetëve të sundimit të tij, duke shkaktuar mjaft armiqësi, dhimbje dhe shkatërrime. Në sajë të punës këmbëngulëse të sundimtarit të qytetit, mjegulla e luftës vinte duke rënë. Abdurahman Toptani ishte një njeri i mençur dhe i urtë. Bashkëshortja e tij ishte e bija e Ahmet pashë Bargjinit, ndërsa atij nuk i vinte mirë, që midis këtyre dy familjeve të kishte armiqësi. Në vitet e fundit të sundimit të tij u arrit që kundërshtarët e tij të kthehen në qytetin e tyre dhe të jetonin në miqësi të plotë me Abdurahman Toptanin.
       Abdurahman Toptani vdiq më 1837. Ai i kishte katër djem, Ahmetin , Said Sermedinin (baba i Murat Toptanit), Hysniun, dhe Jusufin.6 Ka të dhëna ku Sermedini është i shenuar si vëllau i tretë ndërsa Jusufi si më i madhi.7 Sundimin e Tiranës, pas vdekjes së tij e mori i biri Ahmet Toptani. Kurse prej tyre, vetëm Said Sermedini ndoqi shkollë të lartë. 8        
        Meqenëse, në këtë shkrim nuk është objekt trajtimi historia e qytetit të Tiranës dhe të dinastisë së sundimtarëve të saj, atëherë nuk dot vazhdojmë më tutje, por duke u ndërlidhur me temë, me këtë rast do ti hedhim disa fjalë  për jetën dhe veprimtarinë e Said Sermadin Toptanit, të atit të Muratit.
         Saidi lindi në Tiranë më 1823. Pas mbarimit të mejtepit u regjistrua në një medrese të Stambollit. Në këtë medrese kishin kryer studime edhe shumë shqiptarë që vinin nga troje të ndryshme si Tahir Efendi Gjakova, Rexhep Voka, Daut Boriçi, etj.9 Për fillimet e jetës së tij kemi të dhëna të pakta, por të sigurta mbasi janë nxjerrë nga një autobiografi e tij, e shkruar aty nga gjysma e dytë e viteve 50, të shek. XIX. në të cilën ai për vete thotë:          
         “Unë njoftoj me modesti se në fëmijëri kam mësuar në mënyrë të rregullt arabishten dhe persishten, pastaj studiova në qytetin e Venedikut shkencat e gjeometrisë, matematikës, gjeografisë, fizikës si dhe shkenca të tjera të dobishme. Në këtë mënyrë ia vura vetes si qëllim të kisha nderin të hyja në shërbim të Këshillit të Lartë Perandorak. Kështu në vitin 1260,h (1849) erdha në Stamboll. Këtu mora pjesë në konkurs për të shërbyer në Sekretariatin e Divanit Perandorak dhe si rezultat i provimit që dhashë, u pranova të punoja pranë atij sekretariati,” nga letra autobiografike e Mehmet Seid Toptanit, (emri i plotë i tij ishte Mehmet Sermedin Seit) shkruar në turqishte dhe e fotokopjuar së bashku me përkthim shqip pranë arkivit të Institutit të Historisë, Tiranë.10
Ndërsa, në disa burime  tjera thuhet se Saidi pas mbarimit të medresesë në Stamboll, kishte shkuar për studime në Parisë, por nuk kemi të dhëna nëse kishte përfunduar studimet në këtë vend.
   Saidi bashkëpunoi me rilindësit dhe u përfshi në lëvizjen Kombëtare. Si rilindës i shquar ai punoi pa u lodhur për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, të arsimit dhe të kulturës kombëtare shqiptare. Saidi bashkë me Pashko Vason, Kristoforidhin, Ibrahim Starovën (Bërzheshta), Jani Vreton, dhe Ismail Qemalin të tubuar rreth Hoxha Hasan Tahsinit, ishin të grupit iniciator që shtruan kërkesa gojore dhe me shkrim Kryeministrit të Turqisë, Ali Pashajt, që t’u epet leja për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare, e    cila do të merrej me fiksimin e alfabetit kombëtar shqiptar dhe për kultivimin e literaturës në gjuhën shqipe.11  Për shkak aktiviteteve të tija politiko-patriotike, Saidi burgoset në kështjellën e Akës, por pasi e lejojnë si të internuar në atë qytet ai u njoh dhe u miqësua përveç të tjerëve edhe me familjen e çerkezit, Ahmet Pashë Kurtesi, i cili bashkë me familje, dhe me shumë çerkez të tjerë si të internuar jetonin në këtë qytet. Sa për informim të themi se aso kohe në perandorinë Osmane njiheshin dy lloje të internimeve: “Njëra, ishte një lloj i largimit të padëshiruar, që i bëhej dikujt, bile duke e emëruar me funksione të ndryshme (guvernator qyteti etj.) shumë larg nga Stambolli apo ndonjë qyteti tjetër të rëndësishëm, ndërsa tjetra ishte, dërgimi i dikujt, që kishte bërë faje të rënda, në një qytet të largët, për aq kohë sa ishte caktuar dënimi. I internuari duhej ta paguante vetë qiranë e ndërtesës ku e dërgonin për të banuar, dhe kishte lirin e qarkullimit në qytet, bile të shkonte edhe në qytete tjera më të afërta.” Ahmet Pasha e donte dhe e respektonte Saidin për inteligjencën dhe horizontin kulturor që kishte, për  luftën që bënte për lirinë e Shqipërisë etj. Kështu Ahmet Pasha, me kërkesën e Saidit, ia dha vajzën Hanifen për grua, të cilin me zemërgjerësi të madhe e pranoi për dhëndër. Me Hanifen, Saidi me sa dihet pati tre fëmijë, nga ata dy ishin meshkuj-Murati dhe Refiku, dhe një vajzë me emrin Vesime. Se a kishte vajza të tjera ne nuk e dimë.12           
    Said Sermedin Toptani, pa dyshim se ishte njëri prej personaliteteve të shquara të rilindjes, i cili me veprimtarinë dhe aktivitetin e tij nuk e kurseu veten në asnjë aspekt qoftë në fushën politike dhe ekonomike, qoftë në atë fetare dhe fizike (burgosjet, ndjekjet etj), vetëm për një qëllim, që të shoh se atdheu dhe kombi i tij po ecën përpara. Kështu në vitin 1958 (shtator) në një letër të drejtuar Mexhlisit (Ministrisë) të Arsimit, Saidi kërkon hapjen e një shkolle plotore laike (Ruzhdije) në Tiranë. Dhe fill pas kësaj, pasi që ministria  e miratoi atë, ia përcoll pallatit e cila më 4 tetor 1958 e dha pëlqimin e vet ashtu si kishte propozuar kryeministria, që të hapet një shkollë e tillë. Kjo shkollë u ndërtua falë angazhimit politik, dhe jo vetëm politik por edhe financiar të vetë Saidit.13 Shkolla Ruzhdije e Tiranës, ishte një shkollë laike pa drejtim fetar, që nuk mbulohej dhe varej nga kleri Mysliman. Nga lëndët që mbaheshin në këtë shkollë ishin: Letërsia, Retorika, Sintaksa, Matematika, Gjeografia, Astronomia, Fizika etj. Si gjuhë e huaj në këtë shkollë mësohej frëngjishtja.14 Saidi, po ashtu, një kontribut të madh financiar dha për ndërtimin e linjës telegrafike Edrene-Shkodër, e cila linjë do të kalonte edhe nëpër vendlindjen e tij-Tiranë.
        Në vitin 1863, në Tiranë, Said Toptani bie në kontakt me albanologun e njohur gjerman Johan Georg von Hahn (1811-1869), i cili ka dhënë kontribut të shquar për studimet shqiptare, dhe ka hyrë në historinë e albanologjisë si gjuhëtar, historian, etnograf, folklorist, gjeograf, onomast, dhe psikolog i popullit shqiptar, por dhe në  shumë disiplina tjera.15 Hahni gjatë ditëve që qëndroi në Tiranë, (ishte vizita e dytë e tij në Shqipëri, ndërsa vizitat e para të tija në Shqipëri dhe Tiranë ndodhën në vitin 1852),
interesohej të dijë se nga rridhte lumi i Erzenit, dhe se në cilat fshatra të Tiranës ndodheshin shtresa dheu me fosile. I vetmi që e ndihmoi Hanin për këtë çështje ishte Said Sermedin Toptani, i cili siç duket gjatë shkollimit në Venedik ishte aftësuar edhe në shkencën e korografisë ( shkenca gjeografike që merret me përshkrimin e hapësirës, krahinave dhe vendeve).16 Hanit i bëri përshtypje personaliteti i Saidit, horizonti i gjerë kulturor si dhe njohurit që ai kishte për fosilet. Shkencëtari gjerman, Said Beun na paraqet si vëllanë më të vogël të sundimtarit të Tiranës Ahmet Toptanit, dhe duke shkruar shkurtimisht për Said Beun, ai thotë: “Pata rastin të shoh tek ai një djalosh shumë të kulturuar, i cili ishte një filolog i gjuhëve persiane dhe arabe, por që kishte jetuar shumë vite në Parisë dhe për këtë arsye e fliste në mënyrë të rrjedhshme frëngjishten.”17
        Saidi luajti një rol mjaft aktiv edhe në ngjarjet e periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Me këtë rast cekim poetin e madh shqiptar Gjergj Fishta, i cili në veprën e tij monumentale “Lahuta e Malcisë” , Saidin e radhit me burra të dalluar të udhëheqjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,18 me ç’rast në këngën e nëntë me titull Lidhja e Prizrenit shkruan:
                                “... Atëhere vjen në rend Toptani,
                                     qi edhe këtij larg  i voj’t zani,
                                     për shka mirë e zi qi bani...”19       

       Said Sermedin Toptani, siç thonë historianët i përket atyre patriotëve, që nuk dinte ç’është frika dhe nënshtrimi ndaj pushtueseve kush do qofshin ata. Për shkak guximit, trimërisë dhe vendosmërisë së aktiviteteve politike dhe patriotike ai gjatë jetës së tij u arrestua tri here. Said Bej Toptani, vdiq në internim, në Bey-Bazar të Azisë së vogël, në vitin 1882.20
                                                                 
      MURAT TOPTANI (korrik1867-shkurt1918).  Patriot, atdhetar, ushtarak, poet, publicist, piktor dhe skulptor, i shkathët në gjimnastikë, kalërues i mrekullueshëm në kali, shenjëtar shumë  preciz, mësues shëtitës që punoi shumë për futjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe nëpër shkollat turke, zotërues i disa gjuhëve të huaja, si turqisht, frëngjisht, arabisht, persisht, gjermanisht dhe italisht, 21  lindi në Aka, (Kaukaz) në kohën e internimit të babait-Saidit. Mësimet i filloi në shkollën “Madam Fyrer” të Stambollit, ndërsa  studimet e larta i vazhdoi në “Gallata Saraj” po ashtu në Stamboll. Gjatë vijimit të mësimeve në “Madam Fyres”, me që babai i tij ishte miku i familjes Frashëri, ai banoi në shtëpinë e tyre. Në këtë shkollë ku Murati i vijonte mësimet, ndiqte studimet edhe Asija, e bija e Sherif Frashërit, (1843-1874) vëlla i dytë i Abdylit. Mbasi që Sherifi kishte vdekur i ri në moshën tridhjetë e njëvjeçare, Asijën e bijë soj (adoptoi) Naimi i cili tregoi kujdes prej prindi për të. Në një ambient të tillë Murati pati rastin të njihet me Asijen. Kjo njohje motivoi në lindjen e një dashurie të sinqertë në mes Muratit dhe Asijes, ndërsa që më vonë me pëlqimin e gjithë vëllezërve Frashëri këta dy të rinj u fejuan e më pas edhe u martuan.22  Më vonë lidhjet në mes familjes Toptani dhe Frashëri u forcuan edhe më shumë kur Vesimeja, motra e Murat dhe Refik Toptanit, u martua me më tëvoglin e vëllezërve Frashëri, me Mehmet Frashërin.         
 Asija bashkëshortja e Murat Toptanit, ishte një grua me kulturë të rrallë për atë kohë, e arsimuar në shkollat më të përparuara të Janinës dhe Stambollit, njohëse e mirë e tri gjuhëve të huaja, frëngjishtes, turqishtes dhe greqishtes. Zonja Asije si nënë e nëntë fëmijëve ishte e përkushtuar me tërë qenien e saj rreth gjirit familjar, e cila shumë shpesh gjendej pa të shoqin pranë. Ajo kishte përballuar vështirësitë e mëdha që Tirana e veçanërisht familja e saj përjetonin nga trazirat e shkaktuara prej sejmenëve esadistë (Esat Pash Toptani e kishte djegur  shtëpinë e Murat dhe Refik Toptanit, me bibliotekë të pasur, dokumentacione të ndryshme, korrespodenca dhe antikuarët23, ndërsa një version tjetër shkruan se shtëpinë e Muratit e kishte djegur Haxhi Qamili)24, bandave xhonturke dhe ushtrive serbe. Nga një letër që Murati ia drejton Asijes nga Vjena, (përmbajtjen e së cilës do ta paraqesim më vonë), kuptojmë se ajo duke e qortuar të shoqin i cili vazhdonte të qëndrojë larg familjes, e informon për vuajtjet, mundimet dhe për hjeket e saja.  Murat Toptani nga i ati trashëgoi atdhedashurinë dhe patriotizmin e thjesht dhe entuziast, ndërsa që këto tipare tek ai u nguliten edhe më thellë gjatë shkollimit në Stamboll, e veçanërisht bisedat që në fillim i zhvillonte me Abdyl Frashërin në shtëpinë e tij25, dhe më pas me Naimin dhe Samiun të cilët me të vërtet lozën një rol të madh në qëndrimet e tija burrërore dhe në edukimin e tij në përgjithësi. Kështu Murati, për të cilin një kujdes të veçantë tregoi Naim Frashëri, u bë një nga nxënësit më të zellshëm të tij, i cili pati rastin të lexoi në dorëshkrim krijimtaritë e poetit tonë të madh-Naimit, nëpërmes të cilit Murati u njoh me Hasan Tahsinin, Shahinë Kolonjën dhe intelektualë të tjerë.
        Me të përfunduar studimet e larta në “Gallta Saraj” më 1894, dhe pas martesës me Asijen në vitin 1895, Murati bashkë me të shoqen vendoset në Tiranë, ku i përkushtohet tërësisht çështjes kombëtare.                                      
       Duhet theksuar se në atë kohë situata politike në Tiranë ishte mjaftë e trazuar, ku banorët e saj ishin të ndarë në dy grupe. Në njërën anë në krye qëndronin udhëheqësit e administratës shtetërore me ithtarët e tyre shqiptarë, të cilët mbronin pushtetin aktual të kohës, ndërsa në anën tjetër ishin kundërshtarët e tyre, të cilët mezi prisnin të çliroheshin nga një absolutizëm shekullor.Sipas njoftimeve të raportit që i jep nënkonsulli i Austro-Hungarisë në Durrës, dy djemtë e Seidit-Murat dhe Refik Toptani qëndronin në krye të grupit të dytë dot thotë në taborin  kundërshtar, të cilët gëzonin respektin e të gjitha shtresave të popullsisë, prandaj nuk shikoheshin me sy të mirë nga qeveria. Me ta ishin rreshtuar dhe tre kushërinjtë e tyre-vëllezërit Abdi, Masar (diku shkruan Mazhar Sh. V.) dhe Hamit Toptani.26 Këta tre ishin djemtë e Adem Toptanit.


(Vota: 3 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora