E enjte, 28.03.2024, 12:35 PM (GMT)

Kulturë

Alfred Beka: Kadare për letërsinë dhe jetën

E shtune, 21.11.2009, 08:50 PM


Kadare për letërsinë dhe jetën

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, në një intervistë për gazetën franceze L’Express, ka folur për letërsinë dhe jetën, për leximet e tij të para, për ndikimin që ka pasur Shakespeare në të, studimet e tij në Institutin Gorky, për takimin me Enver Hoxhën, për dhuratën që lideri komunist ia kishte dhënë atij, si dhe për shumë çështje tjera.

Nga Alfred Beka 

“Letërsia dhe jeta janë dy botë të ndryshme, dy botë që e luftojnë njëra tjetrën. Thonë se letërsia është e frymëzuar nga jeta, unë nuk e pranoj këtë ide. Letërsia është një çështje tjetër. Është një botë paralele, është një gjuhë që në vetvete është në konflikt me jetën. Është e panjohur. I vetmi ndryshim është se letërsia kurrë nuk mund t’ia zë frymën jetës. Përkundrazi, jeta nganjëherë e ka vrarë letërsinë”, kështu është shprehur shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, në një intervistë për gazetën franceze L’Express.

Në këtë intervistë Kadare ka folur për fëmijërinë e tij në Gjirokastër, ka treguar se cilat kanë qenë veprat e para që i ka lexuar, duke e veçuar tragjedinë “Macbeth” të dramaturgut anglez Shakespeare. “Më tërhiqnin fantazmat”, ka thënë ai, duke treguar se pse i kishte pëlqyer kjo tragjedi. “Macbeth” ndoshta nuk ka qenë vepra e parë që kam lexuar. Sidoqoftë, kjo vepër më ka lenë përshtypje më së shumti. Magjistarët, shtrigat, fantazmat ...”. Ai po ashtu ka treguar se si e ka botuar poemën e parë kur i kishte pasur vetëm njëmbëdhjetë vjet.

Tutje, Kadare ka folur për leximet e tij në kohën e fëmijërisë, duke i veçuar autorët si Shakespeare, romantikët gjermanë, përfshirë edhe Goethe, pastaj Stevenson, Gorky, Gogol etj.

Duke folur për jetën në Gjirokastër, Kadare ka thënë se ky qytet ka pasur të gjitha të metat e një qyteti provincial, me diçka unike: një çmenduri të çuditshme, një dimension donkishotesk.

Duke folur për arsyen pse letërsisë i kishte hyrë duke shkruar poezi dhe poema, Kadare ka thënë se gjatë komunizmit ishte ekzagjeruar roli i poezisë ‘sublime’. Duke folur për studimet në Institutin Gorky, Kadare është shprehur se ky institut ka qenë një lloj miti në kampin socialist, që donte të bëhej shkolla e vetme dhe më e mira në botë. Megjithatë, ajo që ka qenë me rëndësi për të është se aty është studiuar ‘letërsia dekadente’. Këtu për herë të parë Kadare ka lexuar shkrimtarë si Kafka, Joyce, etj. pas kthimit në Shqipëri, Kadare ka thënë se ka pasur një nostalgji të tmerrshme. “Në Moskë je jashtë, je student, je i lirë, nuk e njeh askënd dhe mund të bësh çfarë të duash. E kam ndierë veten tërësisht të lirë në një qytet me tetë milionë banorë. Derisa në qytetin e vogël të Tiranës, ku gjithkush e spiunon gjithkënd, situata ishte pak më ndryshe”, ka thënë Kadare. Ai më tutje ka treguar për takimin që ka pasur me Enver Hoxhën, liderin e atëhershëm të Shqipërisë komuniste: “E kam parë në vitet gjashtëdhjetë me rastin e festimit të ditëlindjes së tij me shoqatën e shkrimtarëve. Ishin rreth tridhjetë apo dyzetë njerëz. Pastaj një ditë në vitin 1970 apo ’71, më duhej të shkoja në sektorin e dokumentimit në Arkivin e shtetit. Gruaja e Enver Hoxhës ishte drejtoreshë e Arkivit. Ajo më kishte kërkuar të shkoja në shtëpi. Shkova me gruan time. Pimë kafe. Për herën e parë dhe të fundit”. Ai po ashtu ka treguar se në vitin 1983 apo ’84 autoritetet kishin kërkuar prej atyre që e kishin takuar Enver Hoxhën të bënin portretin e tij dhe Kadare e kishte portretizuar në mënyrë natyrale.

“Të gjithë thoshin se ishte i mirë. Në të vërtetë, ishte i gjatë, i pashëm, elegant, një aktor i vërtetë që dinte si të të pëlqente. Gjatë takimit, ne diskutuam për Gjirokastrën e për gjëra të ndryshme. Në ora dy e gjysmë, ndoshta tre, me duhej të flisja dy apo tre minuta. Ai tha gjëra të mëdha. Ai dëshironte të më bindte se ishte një intelektual i madh...”, ka thënë Kadare për Enver Hoxhën, duke shtuar më tutje se “Gjëja më e pabesueshme është dhurata që ma ka dhënë: veprat e plota të Balzakut”.

Ai ka folur edhe për përkthimet e para të veprave të tij nga Jusuf Vrioni dhe ka mohuar zërat që thonë se shteti e ka financuar përkthimin e tyre. “Nganjëherë thuhet se shteti shqiptar ka organizuar përkthimin e veprave të mia. Është një shpifje idiote. Jusuf Vrioni, i cili ka qenë në burg, ka përkthyer veprat e mia të para me plot entuziazëm. Ai ka vdekur në vitin 2001. Tani, përkthehem nga Tedi Papavrami, violinist”. Kadare ka folur edhe për peripecitë që i ka pasur kur ka shkuar në Francë, pastaj ka folur edhe për romanin e tij të fundit të përkthyer në frëngjisht “Darka e gabuar” dhe ndikimin që ka pasur Shakespeare në të. “Kur u shpërbleva me çmimin Man Booker International Prize në vitin 2005, shkova në Angli. Menjëherë mendova: epo, do ta shoh Cawdor-in, kështjellën e Macbeth-it, shtëpinë e parë që më ka frymëzuar në letërsi. E dija çfarë të prisja. Nuk u ndava i zhgënjyer. Është një ndërtesë e bukur, e bukur në vizionin tim. Shakespeare më ka zhvilluar për jetën, që nga fëmijëria. Isha i kënaqur që nuk kishte ndryshuar”. Kadare ka thënë se kemi nevojë për letërsinë për shkak se nuk kemi nevojë të jemi të qartë deri në fund. “Ne dëshirojmë të qëndrojmë në mjegull. Ne për vete e kemi zgjedhë mjegullën sepse është një botë e pasur. Është diçka tjetër në jetën e përditshme, si për shembull në politikë që kërkohet transparenca. Por në letërsi është diçka tjetër. Për shkak se intimiteti nuk është pa mjegull...”

Kadare po ashtu ka shtuar se prej klisheve që e xhindosin më shumë është ajo më e pavërteta sipas së cilës Shqipëria është një vend pa kulturë.


(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora