Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Praron legjenda Serafin Fanko

| E shtune, 29.09.2007, 10:34 PM |


Nga Albert Vataj

Serafin Fanko
Ikën për të mos u kthyer më, ai që gjithë jetën e tij ia kushtoi artit, mrekullimit të shpirtrave tanë të ndjeshëm, emotiv dhe të kulmuar në vullnete për madhështoren. Zemra e Serafin Fanko pushoi së rrahuri, por kurrë nuk do të pushojnë së dashuruari artëdashësit rolet dhe gjithë veprimtarinë e tij voluminoze. Ai mbylli sytë për të mbetur në përjetësinë e dimensionit të artit shqiptar, i papërsëritshëm, dinamik dhe bashkëkohor. Arti shqiptar humbi bashkë me Serafin Fankon edhe një legjendë të pavdekshme të shumëdimensionit të tij përfaqësues. Pikëllimi që la pas kjo humbje do të lëndojë bashkëudhëtarët e rrugës së gjatë dhe të vështirë që bëri ai. Fanko e kishte të vështirë t'i ndash kinemanë, teatrin e dramën nga njëra-tjetra, por kënaqësinë më të madhe ma ka dhënë mundësia dhe fati që pata të punoj me një kolektiv të mrekullueshëm aktorësh, të cilët nuk do të mundem t'i harroj kurrë, është cituar në një prononcim për mediat. I madhi Serafin Fanko, “Artist i Popullit”, aktor dhe regjisor i njohur, ndërroi jetë në Tiranë në moshën 70-vjeçare. Dhimbja për humbjen e tij ka përfshirë jo vetëm aktorët dhe regjisorët, të cilët kanë pasur fatin të bashkëpunojnë me të në lëmin artistik, por gjithë publiku shqiptar, i cili prej dekadash e ka pasur një personazh të dashur dhe të adhuruar. I spikatur edhe si shkrues i njohur dramës shqipe, Fanko numëron rreth 150 role në teatër dhe kinematografinë shqiptare. Ai është dalluar në karrierën  e tij artistike, si një aktor karakteri dhe tepër potent në aktrimin e tij. Janë të shumta dramat që Serafin Fanko ka vënë si regjisor në skenën shqiptare, disa prej të cilave edhe të nderuara me çmime. Veprimtarinë kryesore artistike të jetës së tij e ka pasur në Shkodër. Megjithëse ai mbylli sytë në Tiranë, asnjëherë nuk u nda nga vendlindja e tij, nga qyteti që e priti, e ndoqi dhe e percolli kudo ku talenti tij, dimensioni i tij artistik u shpalos si në teatër ashtu dhe në kinema.
Por ky kolos i artit shqiptar nuk e kishte dhe aq të lehtë rrugën për të mbërritur tek përjetësia që përqafon sot emri dhe shpirti i tij. Ai hoqi, si dhe bashkëkohësit e tij. Për këtë vetë Fanku është shprehur:”Para se të filloja Liceun Artistik, kam punuar në gjashtë profesione. Kam qenë ndihmës -magazinier, shkruajtës në Uzinën e Fermentimit të Duhanit në Shkodër, instruktor valleje në Shtëpinë e Oficerëve, valltar i Ansamblit të Shkodrës, instruktor valleje në Klubin e Rinisë, ku drejtor në atë kohë ishte Fadil Kraja. Gjatë kësaj kohe unë kam frekuentuar kursin e pikturës me piktor mjaft të talentuar dhe të dëgjuar të Shkodrës dhe për gjashtë vjet kam studiuar piano. Këto nuk më kanë bërë muzikant, por më kanë bërë të njoh muzikën dhe muzikantët e mëdhenj. Kurset që kam ndjekur më kanë ndihmuar duke e mbështetur me shumë baza punën time si regjisor. Më pas, erdha në Tiranë dhe fillova të ndiqja studimet në Liceun Artistik. Pas mbarimit të shkollës së mesme fitova bursën e UNESCO-s për regji të filmit në Akademinë e Arteve ne Çeki. Nuk arrita t’i përfundoj tërësisht, për shkak se u prishën marrëdhëniet tona më Çekinë. U ktheva sërish në Shqipëri dhe në Tiranë ndoqa Institutin e Lartë të Arteve në degën e aktrimit. Në këtë institut mbarova dhe vitin e katërt. Pasi përfundova studimet, më emëruan në Tiranë, e ishte Shkodra ajo që këmbënguli që unë të shkoja atje. Kam punuar aty si aktor. Më tej u specializova për regjisurë të teatrit. Teatri ka qenë regjisori dhe pedagogu im. Kam mësuar shumë nga pedagogu Kujtim Spahivogli, i cili jepte mësim për degën e regjisurës. Ndërkohë që kam qenë aktor, kam dhënë mësim në Institutin e Arteve. Njëkohësisht, këtu kam qenë udhëheqës artistik në kursin e parë dhe pedagog në kursin e katërt. Në kursin tim kam patur student si Pavlina Manin, Mirush Kabashin, Bujar Lakon, Ahmet Pashën e mjaft të tjerë, që për momentin emrat e disave mund të mos më kujtohen. Ne kemi mbështetur njëri-tjetrin gjatë gjithë kohës. Kam ndjerë sadisfaksion dhe kënaqësi të veçantë. Origjina ime është Përmeti, por unë kam lindur dhe jam rritur në Shkodër. Nga Shkodra kam marrë edukatën dhe kulturën. Qyteti i Shkodrës ka pasur njerëz që i kanë dhënë shumë artit shqiptar si Tonin Arapi, Çesk Zadeja, Tish Daia, Simon Gjoni, Ndrek Luca, Marie Logoreci, Pjetër Gjoka, që fatkeqësisht sot nuk janë më pranë nesh. Unë jam krenar që jam qytetar i një qyteti siç është Shkodra.
Në larminë e veprimtarisë së tij artistike Serafin Fanku është një barometër vlerësimesh dhe konstatimesh, ai ishte dhe mbetet një përcaktues i së vërtetës në gjithë ato dilema, me të cilat po përballet arti shqiptar në përgjithësi, teatri në veçanti. Ai ishte i mendimit se: “Çdo komb mburret me vlerat e tij. Për mua kjo është më e rëndësishmja. Nuk është e nevojshme që të bëhemi skllav të vlerave të huaja. Unë nuk mund të mohoj Shekspirin, Molierin, Pirandelon e mjaft të tjerë, ata ekzistojnë dhe kanë vlera botërore. Për një teatër që i vendos në skenë këto vepra është nder, por çdo komb duhet të mburret me vlerat e tij. Me këtë rast unë i bëj thirrje Ministrisë së Kulturës dhe gjithë atyre instancave që vijnë pas saj për tu kujdesur, ushqyer dramaturgët për të prodhuar vepra kombëtare me sa më shumë vlera, që ne të ngrihemi në nivelet e kombeve të tjera të zhvilluara. Ne e meritojmë të jemi në nivelin e tyre, sepse kombi ynë ka artistë dhe shkrimtarë të mrekullueshëm. Kjo kërkesë e brendshme e imja ka qenë e vazhdueshme, jo vetëm tani në këtë moshë, por edhe më përpara. Unë kam punuar me autorë të rinj dhe kam vënë në skenë dramat e para të tyre. Këtu mund të përmend dramën e parë të Fadil Krajës “ Fisheku në pajë”, komedinë “Këshilli i ndrikullave”, veprat e Albi Brahushajt, Stefan Çapalikut e mjaft të tjerëve. Këto drama janë vënë në skenë me përkrahje të plotë. Këtë e kam bërë vetëm për të përkrahur dramën kombëtare dhe për t’i stimuluar autorët e rinj të shkruajnë për të pasur sa më tepër drama të tilla. Ne nuk kemi mangësi të dramave si vepra të shkruara, por kemi mangësi në trajtimin e krijuesve të dramës. Ato duhen trajtuar në atë mënyrë siç trajtohen pjesë të tjera të artit duke u stimuluar dhe zhvilluar nëpërmjet konkurseve, siç vlerësohet romani, novela apo poezitë. Në këtë mënyrë duhet vlerësuar edhe drama. Për arsye pune unë kam udhëtuar shumë dhe bota që është jashtë kufijve tanë e trajtojnë dhe vlerësojnë dramën. Skena është leximi masiv i një vepre letrare që trajton problemet. Ajo është tribuna e hedhjes së mendimeve filozofike e morale. Dhe në fakt, kështu duhet të jetë dhe jo një vend ku njerëzit vetëm të qeshin. Vendet e tjera ashtu sikurse kanë veprat filozofike, poetike në të njëjtën mënyrë kanë edhe dramën. Pra ata bëjnë një vlerësim të njëjtë dhe paralel. Drama është një lexim masiv dhe kolektiv. Në një teatër, ajo mund të trajtohet në njëqind mënyra. Dhe ky trajtim është pjesë e regjisorit në bazë të pikëvështrimit që ai ka. Çdo pjesë përbërëse e dramës varet prej të gjithë komponentëve që e realizojnë, por gjithmonë dhe në fund të çdo drame mbetet vetëm mendimi që ka dashur të thotë autori. Ndaj themi se teatri është tribuna e hedhjes së mendimeve, e propagandës së ideve morale, etike, filozofike, të cilat nuk japin vetëm fizionominë e një kohës, por ai specifikon komponentët përbërës të një kohe të kaluar, madje dhe atë ç’ka do të sjellë perspektiva.
Fonko ishte dhe vijoj të mbette dinamik, i ri, vital dhe përcaktues në të gjitha etapat ku kaloi teatri në veçanti, ai mbeti dhe më i fuqishëm, atëherë kur shumë të tjerë u zbehën me ndryshimet e mëdha politike në Shqipëri. Duke diagnostikuar ndryshimet në teatër ai shton se: Teatri pas viteve ’90 është çliruar nga konjukturat dhe trysnia politike, por kjo për teatrin nuk është gjithçka. Ai me organizimin zyrtar kaloi në disa kushte që janë të varura nga kushtet ekonomike të aktorëve. Nga shfaqjet e vëna në skenë u tha se 90% e të ardhurave u takojnë atyre. Atëherë aktorët vrapuan pas dramave që mbledhin spektatorin. Këto drama nuk janë aq të mira sa ta bëjnë teatrin skenë të edukimit filozofik dhe të mendimit. Spektatori vjen për të parë shfaqjen, për të qenë i qartë dhe të mësojë nga shfaqja duke e analizuar në parim të disa mesazheve dhe ideve që ajo na përcjell. Për mendimin tim ka pasur shumë shkarje në drejtim të teatrit. Nuk ka rëndësi sesa njerëz janë në sallë dhjetë apo njëqind, rëndësi ka që mesazhi të godasë në mendjen dhe në zemrat e njerëzve. Teatri nuk duhet të dëfrejë njerëzit me banalitete apo me komedi të kota, të pavlera. Teatri Kombëtar nuk duhet të jetë i tillë. Ai është përfaqësues i artit dhe kulturës tonë. Ne kemi artistë të mrekullueshëm dhe unë jam krenar që kam punuar me atë trupë të teatrit dhe jam munduar të krijoj me të familjen time të vogël të përkohshme. Kjo është një mënyrë e mirë që dramën ta sjellim në skenë me ato vlera që ka. Repertori i huaj ka edhe drama të mira, por edhe drama me vlera të kufizuara. Nuk duhet të vëmë në skenë çdo lloj drame, mjafton që ajo të nxisë spektatorin në bazë të disa ngacmimeve ordinere. Ne nga dramat e huaja duhet të marrim vlerat e tyre që janë të denja për tu vënë në skenën e teatrit tonë, por nuk duhet të harrojmë apo mënjanojmë dramën shqiptare. Është e mundur që kufizimet financiare ta çojnë regjisorin drejt zgjedhjes së një vepre me dy, tre apo katër personazhe, por problemi është se për çfarë i shërben ajo njerëzve, çfarë problemi ngre tek shoqëria? Kur vepra nuk ka një filozofi të plotë për mua është e kotë dhe nuk ndihmon në asgjë. Puna e tij është vlerësuar dhe ai vetëm se ka kuptuar prej tyre përgjegjësinë e rritjes. Për të  qenë i matur me përshtypjet që do të kishte për çmimet ai nuk luan atë modestin e shtirur. Ai
Është vlerësuar me 21 çmime e tituj, por asnjëherë nuk është ndjerë i ngopur me vlerësimet që i kanë bërë. Në karrierën time, thoshte ai, jam nderuar me çmimet: “Artist i Popullit” dhe “Artist i Merituar”. Kam marrë 5 çmime radhazi “Aleksandër Moisiu”. Mbaj titullin “Simbol i Vlerave Humane”, i cili më është dhënë nga UÇK-ja dhe ky për mua është një vlerësim i veçantë, pa harruar “Çmimi i Mirënjohjes”. Në një karrierë kaq të gjatë sa kjo e imja, çmimet të shoqërojnë gjatë gjithë kohës. Ato janë një vlerësim për punën dhe një stimul për të ecur përpara me guxim më të madh tek vetvetja. Por çmimi më i madh janë duartrokitjet e dashamirëve të teatrit. Një sallë e mbushur plot, do të thotë respekt dhe vlerësim prej zemre, përfundon ai.
Ai sot nuk është më por ende do të na kumbojë në dëgjimin tonë se paradigma, “Nëse ke zgjedhur Serafin Fankun si regjisor i një pjese të cilën do të realizosh në skenën e teatrit, je i sigurt drejt portës së suksesit. sepse ke zgjedhur përvojën e pasur të një profesionisti, ke zgjedhur qytetarinë e një shkodrani, ke zgjedhur pasionin që u përcillet brezave pa egoizëm, ke zgjedhur patriotin që vlerëson mesazhin edukativ të një pjese para mediokritetit dhe vulgaritetit të shpëlarë”. Ai nuk është më fizikisht, por përgjithnjë do të mbetet me permendoren e tij artistike, me kolosin e emrit të tij të madh, me madhështinë e shprtit të tij prej njeriu të mirë, të dashur.