Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Laureta Mema: Të mëdhenjtë dhe fati ynë!

| E shtune, 29.09.2007, 10:20 PM |


Nga Laureta Mema

Laureta Mema
Në artikujt e shumtë në shtypin shqiptar në lidhje me zgjedhjet, OSBE dhe ODIHR gjithmonë kanë fjalën e fundit duke u shfaqur si Zoti atje lart. Unë nuk dua këtu të përgënjeshtroj aspak punën e vëzhguesve të huaj apo të minimizoj sadopak pushtetin që kanë por mendova se mund të jetë interesante dhe mbase edhe me vlerë të ndaj me ju, të dashur miq, eksperiencën time si përkthyese në vitin 2001 për dy vëzhguesit e ODIHR-it, përgjegjës për Tiranën për proçesin e zhjedhjeve, pra afërsisht për dy muaj.Kjo ide me erdhi krejt papritur kur po lexoja “Katër Përkthyesit” nga Ismail Kadare.

Njëri nga vëzhguesit, Kazi vinte nga Ambasada Greke ndërsa Maria vinte nga Zvicra. Unë isha përkthyesja dhe Diu ishte shoferi, një profesor i moshuar letërsie por që bënte punën e shoferit në atë kohë sepse siç thoshte Diu rroga ishte fantastike. Që nga ora 8-të kur fillonim e deri natën vonë kur mbaronin sherret në komisionet e zgjedhjeve unë jepja e merrja duke përkthyer të gjitha çfarë kishte lidhje me komisionet. Në fillim të javes së dytë, të hënën po përktheja disa raporte ankesash në vilën tre-katëshe të Marisë, që ia kishte marrë me qera një muzikanti shqiptar aty te Medreseja. Kazi hyri i tërbuar dhe se ç’po llomotiste me Marinë me duar e këmbë. S’vonoi shume dhe u kuptoa pse-ja: se ku kishte zbuluar një fletushkë ku flitej që së shpejti do bëhej Shqipëria e Madhe dhe sipas tij ku thuhej gjithashtu se Shqiptarët do rrezikonin Greqinë duke e sulmuar. Përderisa unë dhe Diu nuk shfaqëm ndonjë reagim të paparë dhe nuk dhamë asnjë koment, Kazi u acarua dhe më shumë dhe pa aspak lidhje më ndërpreu në përkthimin që po bëja në kompjutër duke më flakur ca fletushka edhe provokuar: “Ti e di mirë që Skënderbeu është Grek!”. Me qetësi ju përgjigja: “Ç’lidhje kishte kjo me zgjedhjet?” dhe vazhdova punën. Aty filluan provokimet nga ana e tij gjithë javës për çdo gjë që kishte të bënte me krenarinë shqiptare dhe për çmendurinë e atij unë dhe Diu ja kthenim fare shkurt. Në fakt, ne filluam t’i ankoheshim njëri-tjetrit sepse kishim firmosur kontratë dhe në kontratën që kishim firmosur nuk thuhej askund që shoferi të rrinte deri në dy të natës duke pritur Kazin jashtë para ambasadës Greke apo para bareve në cepet e kryeqytetit ku çdo mbrëmje vëzhguesit tanë kalonin qejfe-qejfe kohën e lirë. Gjithashtu nuk kishim firmosur askund në kontratë se do bridhnim gjithë fundjavën nëpër fshatrat e Durrësit duke kërkuar ca dreq statujash që Kazi i donte me kaq ngulm dhe ishte i sigurtë që një ditë do t’i gjente. E të tjera si këto. Kulmi arriti kur Kazi ja la të gjithë punën Marisë dhe mua sepse shkoi të kalonte ca ditë me të dashurën në Greqi (gjë që ishte krejtësisht kundër kontratës së tyre) dhe na këshilloi neve të gënjenim se ishte në qendrën e informacionit tërë kohës, aty ku përpiloheshin listat e ai ishte përgjegjës për të vërtetuar korrektësinë. Pasi i diskutuam këto sjellje të çuditshme, Diu duke mbaruar kafen psherëtiu : “Ja ç’ti bësh. Kështu na trajtojnë se kemi nevojë për atë punë! Hajde shkojmë se erdhi ora! Po nëse na detyrojnë të bëjmë të njëjtën gjë këtë fundjavë, për të kërkuar statuja, unë nuk do pranoj, më ka ardhur në majë të hundës!”

U ngjitëm te hotel Tirana Internacional, në katin e gjashtë, aty ku ishin zyrat, të takoheshim me  vëzhguesit tanë kur u përballëm me shefen franceze qe duke na parë ftohtësisht dhe me një lloj shprehje në fytyrë ‘ç’më hapët punë tani, të paaftë!’,  na lajmëroi vendimin: “Jeni të pushuar të dy! Kaq! Arësye nuk ka, është vendim i vëzhguesve tuaj!”.

Zbritëm ashensorin, të çuditur dhe sapo hapej dera kaloi Kazi duke na dhënë një shikim përbuzës e tallës që dukej troç që thoshte: “Mua deshët të më bënit ju numra!”. Aty më kërceu delli i shqiptarit të stërlodhur nga padrejtësitë dhe i thashë Diut: “Prit! Nuk do ikim! Të paktën të marrim vesh arësyet përse na përzunë!”. Edhe Diu që ndihej aq i fyer dhe inatosur pohoi. U futëm në zyrën e shefes së ODIHR-it dhe tëk-e-tëk ja thamë të gjitha: -“Kemi firmosur kontratë dhe ne kontratën që firmosëm nuk e kemi shkelur aspak ndërsa vëzhguesit tuaj të ODIHR-it kanë në mendjen e tyre një kontratë tjetër: provokime, mashtrime, gënjeshtra, shfrytëzime…. dhe tani do dalim për deklaratë për shtyp”. Shefja thirri Marinë që ishte në zyrën tjetër e cila kokulur i pohoi të gjitha. Ajo na kërkoi të falur në emër të ODIHR-it e OSBE-së duke u justifikuar që Kazi varej nga Ambasada Greke e na u lut të prisnim vetëm një minut. Në vend u punësuam për delegacionin e Frankofonëve, i cili sapo kishte mbërritur, i përbërë nga tetë veta, dhe do të vëzhgonte nga afvr zgjedhjet për dy javë. Greku u shkarkua nga ODIHR-i por do vazhdonte ‘punët e tij’ po në lidhje me zgjedhjet, i punësuar ‘si gjithmonë’ nga ambasada e tij…

Por surprizat nuk mbarojnë…

Francezët që erdhën, kishin rrëmujë të madhe, shpenzime të mëdhaja… Por prapëseprapë nuk kënaqeshin dot… Preokupimi i tyre më i madh kishte të bënte jo me zgjedhjet por me fërkimet egoiste me ato të ODIHR-it, të cilët sipas frankofonëve kushedi çfarë u dukej vetja dhe impononin autoritetin e tyre kudo. Prandaj në vend që të vëzhgonim zgjedhjet ne u mbyllëm te Rogneri duke përpiluar një raport, nga ato anonimet faqezeza, që e bënte ODIHR-in skëterrë. Pjesën tjetër e kalonim në disa takime me përfaqësues të politikës shqiptare për tu siguruar për prezencën e tyre në zyrat e shtetit shqiptar. Kishte dhe keqkuptime të shumta, pasi delegacionit shpesh i dukej sikur politikanët shqiptarë nuk dinin aspak ta respektonin si duhet delegacionin e ‘fuqishëm’ francez. Por keqkuptime kishte dhe nga pala shqiptare, ose prishaqejfe. Për shembull, kur njëra përfaqësuese Afrikane i tha kryetarit të Gjykatës para se të ndaheshim: “Jemi kaq të impresionuar që ju e paskeni idenë… domethënë ditkeni të përgjigjeni”, kryetari i Gjykatës, i prerë në fytyrë e me sy të egërsuar ua ktheu: “Perkthe! Prandaj jam ulur në këtë karrige zotërinj!” dhe shqip shtoi duke më bërë me shenjë se s’kishte nevojë më për përkthim: “Pse ç’kujton zonja… Ç’na sjellin dhe në Shqipëri fundin e kazanit!”.

Kur raporti u bë gati, pas tërë atyre sherresh, morën në telefon atë të lartin e tyre në Francë i cili u dha urdhër të prerë: “Keni lojtur! Zhdukini ato raporte menjëherë!” Ashtu bënë dhe delegacioni francez u mjaftua me: “Mbështesim plotësisht vendimet e ODIHR-it”.

M’u kujtua shprehja e një plaku në një komision qëndror ku s’kishte asnjëherë asnjë vërejtje apo ankesë për shkelje të rregullave: “Pse çfarë kujtojnë këta! Se do vrasim njëri-tjetrin apo do kemi nevojë për arbiter? Rregullat janë të shkruara, i respektojmë, s’kemi nevojë për tragjedira që shuajne etjen apo lojën e këtyre”. Mesazhi im me këto më sipër është: Të mëdhenjtë atje lart zvogëlohen sa më shumë ne këtu poshtë e marrim fatin tonë në dorë!