E premte, 19.04.2024, 09:05 PM (GMT+1)

Editorial

Valon Kurtishi: Vëllezër, fqinj apo një komb i njëjtë?

E premte, 20.11.2009, 08:59 PM


Vëllezër, fqinj apo një komb i njëjtë?

Nga Valon Kurtishi

Vizita e fundit e kryeministrit aktual të IRJM Nikolla Gruevski në Bullgarinë fqinje, shpalosi edhe njëherë para opinionit të brendshëm dhe atij të jashtëm çështjen e identitetit të dyzuar kombëtar të sllavëve të këtij nënqielli.  Ekziston për një kohë të gjatë një kontest në mes të disa shteteve ballkanike në lidhje me territorin e ish-provincës otomane të Maqedonisë. Ky kontest etno-territorial në periudha të caktuara historike ka marë përmasa të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Përderisa pushteti okupues otoman ishte i fuqishëm dhe stabil, kontradiktat mes etnive të ndryshme mbaheshin nën kontrollin  e organeve qëndrore. Fillimi i rënies dhe i largimit të ngadalshëm të otomanëve nga Ballkani, me paqen e Karlovcit të vitit 1699 dhe fillimi i ndërhyrjes së fuqishme ruse pas vitit 1820 me pavarësimin e Greqisë, e bashkuar kjo edhe me dëshirën  e natyrshme të popujve ballkanikë për liri, sollën deri te tërmete të mëdha në Europën juglindore. Në këtë kuadër, si rezultat i luftës ruso-turke të vitit 1877/78, dhe disfatës së tmershme të armatave otomane, Rusia ia diktoi Turqisë termat e paqes së Shën Stefanit (Jeshilkojit) nga 3 marsi 1878. Në bazë të kësaj marëveshjeje, Bullgaria fitoi autonominë dhe u zgjerua shumë në dëm të vendeve fqinje duke fituar Vranjën, Pirotin, Trakën etj. Implikime të mëdha solli sidomos zgjerimi në perëndim duke përfshirë gati gjithë territorin e Maqedonisë otomane. Kundër këtij forcimi të madh të ndikimit rus në jug reaguan fuqitë e mëdha duke organizuar Kongresin e Berlinit (13 qershor-13 korrik, 1878), me të cilin Bullgarisë iu reduktuan ndjeshëm kufijtë e propozuar nga Rusia në Shën Stefan. Prej kësaj kohe politika bullgare në drejtim të Maqedonisë mer formë më të sofistikuar duke folur gjithmonë për një Maqedoni autonome, kuptohet si një fazë e ndërmjetme kjo drejt bashkimit me Bullgarinë.
Në vijim të aktiviteteve revolucionare të kontrolluara nga Sofja, më 1893, në Selanik, formohet “Organizata revolucionare e brendshme maqedonase-odrinase”, e cila më vonë do të ndryshojë disa herë emrin por jo edhe qëllimin e deklaruar: Çlirimin e Maqedonisë nga okupatori turk dhe bashkimin e natyrshëm të popullit bullgar me shtetin amë Bullgarinë. Themeluesit e saj si Kristo Batanxhiev, Dame Gruev, Kristo Tatarçev etj, e ndjenin veten të gjithë për bullgarë etnikë dhe asnjëherë nuk e vinin në dyshim këtë. Madje vetë Dr.Kristo Tatarçev, e shpreh qartë në memoaret e tij idenë mbizotëruese në bazë të së cilës u formua organizata kur thotë se, citojmë: “E kishim në mendje se një Maqedoni autonome do ta kishte më lehtë të bashkohej me Bullgarinë më vonë”. Ky është vetëm një nga qindra e mijëra dokumente në të cilat pasqyrohet qartë karakteri etnik bullgar i popullsisë slavishtfolëse të Maqedonisë së asaj kohe. Në luftën ballkanike të vitit 1912 dhe në regullimet pasuese të Bukureshtit dhe të Londrës si humbës më i madh doli populli shqiptar territori i shtetit-komb të të cilit u reduktua në vetëm 30% të territorit të banuar nga shqiptarë etnikë në Ballkan. Paqja e Bukureshtit nga 10 gushti i vitit 1912 megjithëse i dhuroi Bullgarisë një territor prej gati 26.000 km2, përsëri nuk kënaqi aspiratën e natyrshme popullore për tu bashkuar me bullgarët e Maqedonisë, pasi kjo pjesë e tokave bullgaro-shqiptare në masë të madhe u nda nga fitimtarët e luftës ballkanike, Sërbisë dhe Greqisë. Që nga kjo kohë sllavët bullgarishtfolës të Maqedonisë jetuan nën çatinë sërbe respektivisht greke të cilët e mohonin kombësinë bullgare të tyre. Edhe në mesin e intelegjencisë sllavishtfolëse nga Maqedonia ka pasur elementë si p.sh Kërste Petkov Misirkov që në periudha të caktuara historike e kanë pasur të turbullt dhe me dyzime përkatësinë  e tyre kombëtare duke u shpallur herë si bullgarë, herë si bullgaro- maqedonas e herë si maqedonas. Elemente bullgare nga Maqedonia të shkolluara para L2B me fondet e Mbretërisë sërbe në Beograd, pas ndryshimeve të vitit 1945 fitojnë përparësi dhe në kuadër të politikave titoiste fillojnë me një punë serioze për krijimin përfundimtar të një kombi të ri: atij maqedonas. Federata komuniste e Jugosllavisë për herë të parë njeh zyrtarisht një kombësi të veçantë sllave-jugore, atë maqedonase me të gjithë elementët e veçantësisë kulturore që e dallojnë një komb, në radhë të parë gjuha. Në një periudhë kohore 50 vjeçare, dhe në reth 18 vite pavarësi nga ish-federata jugosllave në këtë vend bëhet përpjekeje që të etablohet dhe përforcohet elementi etnik maqedonas si i ndryshëm nga ai bullgar. Në këtë drejtim Bullgaria dhe Maqedonia paradoksalisht pretendojnë njëkohësisht në përkatësi etnike bullgare respektivisht maqedonase për heronjtë e njëjtë kombëtarë, shkrimtarët e njëjtë nga e kaluara, shenjtorët e kishës ortodokse, gjuhën e folur e cila është gati identike, kulturën popullore e deri tek mitet popullore. Kjo në radhë të parë ka të bëjë me gjuhën gati identike, por shumë më tepër me figurat e mëdha historike nga e kaluara të cilët janë njëkohësisht edhe bullgare edhe maqedonase!. Që nga Shën Kirili, Shën Metodi, Shën Naumi e Car Samuili, Krali Marko e Karposhi, e deri tek Goce Dellçev, Nikolla Karev e Kristo Tatarçev, për të numëruar disa shembuj të paktë, gjithë këto figura historike janë për bullgarët bullgarë, kurse për një pjesë sllavishfolëse të qytetarëve të IRJM që e mban veten për maqedonase në aspekt etnik, këta janë maqedonas. Një numër i ngjarjeve të mëdha historike nga e kaluara si Mbretëria e Samulit, beteja e Maricës, kryengritja e  Karposhit, kryengritja e Kresnës, Kryengritja e Razlovit, kryengritja e Ilindenit, etj merren si ngjarje madhore si në historinë bullgare ashtu edhe në historinë “maqedonase”.
Qëndrimi zyrtar i shtetit bullgar ka qenë në vazhdimësi mohues ndaj ekzistencës së popullit të veçantë maqedonas si i ndryshëm nga populli bullgar. Bullgaria me të drejtë vë pikëpyetje të mëdha tek shumë figura e ngjarje historike nga e kaluara të cilat e demaskojnë seriozisht “maqedonizmin” si identitet të veçantë brenda sllav.
Qeveritë e ndryshme maqedonase të periudhës së pavarësisë kanë bërë përpjekje për imponimit e qëndrimit të tyre zyrtar për ekzistencën e një kombi të veçantë maqedonas krejtësisht origjinal dhe të ndryshëm nga ai bullgar. Në këtë drejtim më konsistente dhe këmbëngulëse kanë qenë rymat e majta të cilat gjeografikisht, etnikisht dhe shpirtërsht ndihen më afër Beogradit. Rymat djathtiste nga ana tjetër janë më të vagullta dhe të mjegullta në drejtim të refuzimit kategorik të opcionit bullgar. Kjo shihet qartë edhe gjatë dy tri viteve të fundit kur në qeveri janë elementet e VMRO/DPMNE-se. Edhepse kryeministri aktual z.Gruevski në një mënyrë të çuditshme përpiqet që në forma të ndryshme të potencojë veçantësinë kombëtare të popullit maqedonas duke zbuluar madje edhe teori qesharake për prejardhjen e sllavëve të sotëm nga maqedonasit antikë, përsëri nuk shihet një këmbëngulje e veçantë refuzimi ndaj tendencave pro-bullgare në vend. Kjo u pa edhe gjatë vizitës të paradokohshme të Gruevskit në Sofje. Bullgaria zyrtare edhepse në varësi të rethanave politike herë e shpall hapur e herë me më pak forcë këtë, asnjëherë nuk e mohon vijën historike të mohimit konstant të popullit të veçantë maqedonas. Këtë e bëri mëse të qartë kryeministri bullgar Bojko Borisov kur i tha kryeministrit të Shkupit Nikolla Gruevski në sallën kryeministrore në Sofje se, “Maqedonia dhe Bullgaria përpos që janë fqinj, janë edhe vëllezër”. Kjo është një ndjenjë e veçantë historike e cila mbizotëron tek populli bullgar dhe nuk mund të fshihet lehtë. Nga ana tjetër, përgjigja diplomatike e Gruevskit se “vendet tona janë fqinjë, kurse çështjet e lidhura me historinë duhet tu lihen historianëve”, reflekton më së miri situatën kaotike dhe ndjenjën shumë të turbullt të sllavëve të sotëm në IRJM reth identitetit të tyre kombëtar. Situata bëhet akoma më e komplikuar kur të kihen parasysh përpjekjet 20 vjeçare greke për të ndryshuar emrin e Maqedonisë. Ndryshimi i emrit të vendit implikon edhe shumë pikëpyetje tjera në lidhje me identitetin kombëtar të banorëve të vendit që ndryshon emrin. Në këtë pikë çështja bëhet shekspiriane për qytetarët sllavishtfolës këtu. Janë ata maqedonas antikë të sllavizuar më vonë? Janë fis i veçantë sllav i cili u vendos në Ballkan në shekujt VI-IX bashkë me fiset tjera sllave? Apo janë bullgarë të shkëputur me dhunë nga gjiri i shtetit amë që duhet ti rikthehen atij? Apo mos janë bullgarë etnikë që me kalimin e kohës nën ndikimin e propagandave jugosllave dhe komuniste kanë evoluar në një kombësi të re të quajtur maqedonase? Teoritë më të reja në lidhje me kombformimet njohin edhe mundësi të formimit (“zbulimit” i quan Andersoni) të tyre nga lart poshtë, pra nën kontrollin politik dhe ndikimin e elitave të caktuara pushtetare. Elita maqedonase projugosllave e kohës së Titos dhe kjo e këtyre 20 vjetëve pavarësi, siç duket ka pasur sukses në injektimin artificial të një identiteti të ri kombëtar – atij maqedonas. Një identitet i tillë i bazuar krejtësisht në një ndjenjë përkatësie krahinore dhe në dialektet lindore të bullgarishtes sot është ngritur në komb dhe gjuhë të veçantë maqedonase. Ky identitet jo vetëm që del si i ndryshëm nga ai bullgar, por është në kontradiktë të drejtpërdrejtë me të, pasi pretendon në vlerat e njëjta në të cilat bazohet historikisht edhe identiteti kombëtar bullgar. Shikuar në tërësi, çështja e identitetit kombëtar të maqedonasve të sotëm të IRJM është e paqartë dhe e komplikuar, pikërisht ashtu siç thanë edhe vetë liderët e sotëm të “dy popujve” në fjalë, atij maqedonas dhe atij bullgar: fqinjë, vëllezër apo një komb i ndarë në dy shtete?


(Vota: 4 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora