E enjte, 25.04.2024, 08:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Sami Repishti: Sot emrat e Kadaresë, Nanës Tereza, nobelistit Ferid Murad, janë dekorata për parzmin e çdo shqiptari

E hene, 16.11.2009, 07:44 PM


SOT EMRAT E KADARESË, NANËS TEREZA, NOBELIST FERID MURAD, JANË DEKORATA PËR PARZMIN E ÇDO SHQIPTARI, ME TË CILËT NE KRENOHEMI

Letër e Prof. Sami Repishtit drejtuar Z. dhe Znj.  Andrea

Nga Prof. Sami Repishti, Nju Jork, 2 korrik 2008

Të dashtun kolegë,

Kam marrë librin tuej të çmueshëm “Penat të arta franceze për shqiptarët” dhe ju kam premtue se do të përgjigjem ma vonë, tue shprehë disa mendime të mia për këtë punë që do të çmohet shumë nga të gjithë ata që kanë për zemër kulturën franceze dhe historinë e Shqipërisë. Fatkeqësisht në lidhje me botimin e tij në nji tirazh ma të madh - ashtu siç e meriton - ju përballoheni me dilemën e shumë të tjerëve - si ju dhe si unë - : “ata që dinë, nuk kanë; ata që kanë, nuk dinë”. Mungesa e nji kombinacioni fatlum ka mungue, dhe ka sjellë mjaft dam në fushën e krijimtarisë, sidomos në diasporë, hélas! [fatkeqësisht].
Libri i juaj ashtë nji thesar i vërtetë! (Disa vite ma parë, kam marrë nji kopje të librit të Prof. Ymer Jaka (U. i Prishtinës) “Skënderbeu në historiografinë frënge” (2001). Nuk kam vëllimin e parë “Skënderbeu në letërsinë frënge” (1990).
Interesimi i botës perëndimore (Europës) zbehet mbas dështimit të ekspeditës austriake në fund të shekullit 17 (Gjeneral Piccolomini) dhe fillimit të proçesit të islamizimit në masë në tokat e banueme nga shqiptarët. Mbas thyemjes së turqve në Vjenë (1683), rreziku i invazionit turk të Europës u pakësue, dhe interesimi i Perëndimit për “heroj” që të pengojshin avancimin turk në Europë nuk ishte përsëri nji nevojë “urgjente”. Edhe Papati pushoi organizimin e “kryqëzatave” dhe “ekspeditave” ushtarake. Fuqitë perëndimore u forcuen mjaft, aq sa të kundërsulmonin perandorinë otomane deri në shkatërrimin e saj (1912-1913, dhe në 1919-21) përfundimisht. Mbas kësaj periudhe “heroike”, Shqipëria dhe shqiptarët janë objekte eksplorimesh ekzotike, përshkrimesh gjeografike, dhe shënimesh historike, e ma në fund, që nga viti 1878, subjekt i organizimit politik të Ballkanit. Nji evoluim i këtillë shihet edhe në librin tuej të pasun.
Natyrisht, pjesët ma interesante për mue janë “Shkrimet rreth veprës së Ismail Kadaresë” dhe “Shkrimet rreth jetës dhe veprës së Jusuf Vrionit”, bashkëvuejtës i imi (1951-56).
Kadare ashtë vue në piedestalin e shkrimtarit me përmasa botënore, por i njohun mirë sidomos në Europë. Tani, edhe bota anglo-saksone po shijon – dhe çmon – frytet e këtij gjeniu letrar. Sot emnat e I.Kadaresë, Nanës Tereza, nobelist Ferid Murad, janë dekorata për parzmin e çdo shqiptari, me të cilët ne krenohemi.
Për Jusufin, do të flas ma gjatë.
Shprehja e Eric Faye “...vura re shumë shpejt se isha në prani të një njeriu dhe të një fati jashtë të zakonshmes”, më pëlqeu shumë. Ky ka qenë edhe mendimi im kur u njoha me Jusufin (dhe Azizin, kushëririn e tij) në kampet e Myzeqesë (?), ku punojshim në hapjen e kanaleve kulluese dhe tharjen e moçaleve. I fortë fizikisht, i qeshun, fjalë-pakët, dhe shumë i shoqnueshëm (me ata që zgjidhte vetë), Jusufi gjeti një “vesh” të mirë tek unë, që ndigjonte me dëshirë e kureshtje fjalët e tij. Megjithë natyrën e tij “très lancé dans la vie” [shumë i shkathët në jetë], nuk më tregoi aventurat sentimentale, “eskapadat” e nji të riu, etj. Bisedat tona ishin mjaft serioze, dhe pjesë të jetës së tij merrshin karakterin e nji narrative ndërtuese: përpjekjet e nji të riu me u përgatitë sa ma mirë për jetën dhe për rolin që pritej nga ai të luante – e për të cilin ai ishte mjaft koshient. Unë flitsha pak; i burgosun në moshën 21 vjeçare, e kaluemja ime ishte “e shkurtër”, “e dhimbëshme” (humba babën dhe kushërinin gjatdë luftës) dhe pothuese krejt e zakonshme për ato kohë të jashtëzakonshme...! Unë pyetsha, ai përgjigjej, natyrisht me kujdesin e madh që të mos dekonspirohej biseda e jonë, dekonspirim që do të na dërgonte të dyve në burgun e Burrelit. Për vite të gjata!
E ardhmja e vendit, dhe kahët e zhvillimit të shoqënisë shqiptare “mbas ramjes [vendosjes] së komunizmit”, që për ne ishte “nji e dhanun”, zejshin vendin kryesor. Nga ai mora nji kopje të vjetrueme të librit “The Grammar of Politics” (?) të sindikalistit të majtë britanik Harold Lasky. (Ndoshta ishte edhe arsyeja që ky libër lejohej në burg). Aty unë gjeta nji sofër të shtrueme plot ushqime mendore, nji horizont të gjanë e të ri që u hap si për magji para syve të mij dhe mendjes sime, sidomos mbi rolin themelor e konstruktiv të “sindikatave” në nji vend demokratik. Diçka e çuditshme për ne, të burgosun nga nji sistem diktatorial që pretendonte me përfaqësue “klasën punëtore” dhe me veprue në emën të saj...
Duhet të ketë qenë gjatë këtyne ditëve që unë e pyeta Jusufin çfarë mendonte ai për “lëvizjet politike anti-komuniste në Shqipëri?” Ai përgjegji : “Samiko (i pëlqente ky emën), si Vrioni, unë duhet të radhitem me monarkistët, dhe të siguroj marrjen e pasurive të trashëguara. Por, shtoi ai, si Jusuf, nuk mund ta pranoj... nuk mund të pranoj kthimin mbrapa të një regjimi e të një shoqërie që nuk e kam dashur asnjëherë... Unë do të mbetem Jusufi që jam..., pa harruar traditën time familjare...” Mbasi u mendue pak, ai tha: “Më vjen keq që breznia e re po edukohet të përbuzë gjithçka të së kaluarës... sepse, edhe “bejlerët”, megjithë të metat e tyne, kanë kontribuar shumë për çështjen shqiptare...”. E tue qeshë me nji gaz të ndërpremë, që ishte veçori e Jusufit, më pyeti : “E si mendon ti?”
Unë i spjegova në përgjithësi se nuk mund të pranojsha nji kthim të së kaluemes, por isha në favor të reformave të thella shtetnore, dhe sidomos të shoqënisë së shtratëzueme shqiptare; se isha kundër çdo privilegji, por isha gjithashtu kundër çdo mohimi të së drejtave të ish-klasave sunduese. Mandej, më kujtohet të kem thanë, me naivitetin e nji të riu në formim e sipër: “Jusuf, ose ne do të hyjmë në Europë, ose Europa do të vij në Shqipëni. Unë jam pro-europian pa rezerva”. Ai buzëqeshi e u përgjegj : “Unë jam super-amerikan!”
Jacques Lang ka të drejtë që e quen : “Flamurtari i frankofonisë shqiptare...”, “simbol i pajtimit kombëtar”. U takuem përsëri në gusht 1992, mbas kthimit tim të parë në Shqipëninë që kisha lanë, me rrezikun e kokës, në gusht 1959. U përqafuem ngrohtësisht.
Nuk folëm shumë se ishin të tjerë në dhomë. M’u duk i dobët me shëndet, por me atë dispozicionin e tij optimist të patundun.
- Çfarë ban? - e pyeta.
- Punoj në Komitetin shqiptar për të Drejtat e Njeriut”, - më tha, “...por, do të largohem...nuk mund të punoj me disa elementë aty...”. Më tha se ishte “shumë i kënaqun që isha kthye pa urrejtje e dëshira për hakmarrje, dhe se ishte krenar për deklaratën time: “Vij në Shqipëri me dashuri për të gjithë, dhe urrejtje për asnjeri!” (thanie e kopjueme nga A. Linkoln). E vërteta ashtë se nuk mund të ushqehesha me urrejtje e dëshira për hakmarrje, dhe në mbrendinë time, unë “kisha falë xhelatin” që më torturoi egërsisht për 14 muej me radhë. Ajo që nuk mund të pranojsha ishte Heshtja dhe Harresa. E para ashtë nji padrejtësi e madhe kundrejt viktimës, e dyta, ashtë vdekje e dytë e viktimës. Prandaj, nuk kam pushue asnjiherë denoncimin e diktaturës komuniste.
Ju shkrova pak gjatë, sepse kohët e fundit, kam humbë shumë shokë bashkëvuejtës. Çdo vdekje sikur merr me vete edhe nji pjesë timen. Dalë nga dalë, “pakësohem”, dhe duket sikur “mbyllem” në guaskën që e quejmë “turp”...
Herën e fundit, kam folë në telefon me Jusufin pesë ditë para se të vdiste. U përpoqa t’i jap kurajo. E pyeta nëse punon, e ai u përgjegj me nji za që dridhej : “Samiko, ma main me trahit!” [Samiko, dora më tradhton!]. Pa pasë mundësi me folë ma gjatë, ai shtoi: “Jam realist... ka ardhur fundi, i dashur Sami...E kuptoj!”
Unë heshta. Jusufi, “penda e hijes” (V. Hugueux) u shue...! Por pati kënaqësinë të shohë “...përmbytjen e një komunizmi sa kryeneç, aq edhe autist” (V.H.). Unë besoj se edhe sot nga varri Jusufi pyet, bashkë me J.-F. Bouthors : “... kur më në fund, bashkëpatriotët e tij do të guxojnë të ballafaqojnë të kaluarën e tyre?... Ai “që u largua nga Shqipëria gjatë trazirave të vitit 1995, duke mos duruar dot aleancën e mafiave, të ish kuadrove komunistë, dhe të drejtuesve të rinj shpesh miopë në parime... ai e përvuante këtë mërgim, si dhe faktin që pak rëndësi i kushtohej, konkretisht në Europë, viktimave të regjimeve komuniste... (Le Monde, 5.04.2001). “Jusuf Fisniku”, “Jusuf Shqiptari”, “Jusuf Francezi!...” siç e quente Yves Mabin, romancieri që shprehu ma së miri edhe ndjenjën time për Jusufin: “Ne ishim vëllezër, Jusuf, dhe vëllezërit dinë, në të gjallë, të rinjihen. Por edhe të vdekur, kur rigjejnë sho-shoqin!... (Dorëshkrim, 5 qershor 2001. Familja Vrioni).
[Shkrimi] “Në vend të pasthënies” nga Fotaq Andrea, më pëlqeu shumë, dhe më erdhi si nji fllad freskues mbas leximeve me rastin e vdekjes së tij. “Mirëdita!” tingëlloi si nji thirrje për ringjallje, si nji dëshirë e thellë me u pa, me u ndigjue, me vazhdue... nji jetë të këputun që ka lanë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë, me atë që kishte “...mbi të gjitha rini e gjallëri në zemër”, që ishte “me botë të pasur shpirtërore, sekreti dhe çelësi i artë” i përsonalitetit të tij, me atë që e bënte mjedisin shoqënor  “...tërësisht rinor e të këndshëm”, me Profesorin që “e shijonte të bukurën kudo, në gjithçka, si pasurinë më të madhe të njeriut. Sepse jeta në vetvete, siç thoshte, është e bukur!” (Ju kujtohet rima: Dites-moi, pourquoi la vie est belle?) [Më thoni: Përse jeta është kaq e bukur?] “Prandaj dhe nuk u epe kurrë, as në orët më të errta të jetës tënde, viktimizuar me vite nga diktatura, vite që asnjëherë nuk doje të na i përmendje, vite që ... ishin për ty një ëndërr e keqe, një vdekje për së gjalli, dhe kaq...”.

Kur mora librin e tij Mondes Effacés, e pyeta në telefon pse mungojshin disa elemente për të cilat kishim bisedue gjatë në burg. Ai mu përgjegj: “Botuesi e ka shkurtuar përgjysëm...Është tepër i gjatë”, më tha.  Mëkat! Sepse Jusufi që njoha unë ka qenë ma i madh se ai që paraqet libri. Unë do të thosha se libri ashtë ana sipërfaqësore e Jusuf Vrionit. Jusufi i mendjes dhe i zemrës ashtë pothuejse absent [i munguar] në libër.
Nuk pata guximin me ia shprehë haptas këtë mendim. Ishte i lodhun, i sëmurë, në pragun e rrugës pa kthim... Jeta ka qenë e ashpër për Jusufin, fati i padrejtë. Vdekja, kam frikë se do të pluhunojë shkëlqimin e thesarit të tij. Ngushëllohem me mendimin se në mendjet e zemrat tona kujtimi i tij do të jetë i përhershëm. Ashtu si dhe paqa!

Me urimet ma të mira,

Sami Repishti (firmë)
 


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora