E premte, 19.04.2024, 05:59 PM (GMT+1)

Sport » Futbolli Shqiptar

Kombëtarja dhe futbolli i Republikës së Shqipërisë

E hene, 24.09.2007, 10:19 PM


Nga Besnik Dizdari

Në gjendje qetësie sepse tash kanë kaluar gjashtë ditë nga mbrëmbja disi marramendëse e Shqipëri – Holandë. Mendja ta do se të gjithë pasionet, atdhetare dhe pseudoatdhetare, kombëtare apo mbeturina të nacionalkomunizmit, sportive apo futbollistike, të sinqerta apo të një snobizmi tribunash “aristokratike”, ndonëse në Shqipëri nuk besojmë se ka qoftë edhe një aristokrat të vetëm, euforike apo skeptike, zhurmëmëdha apo të një buje për të personalizuar ate që u quajt “festë”, duhet të kenë rënë tashmâ.

Kemi titulluar “Kombëtarja dhe futbolli i Republikës së Shqipërisë”, ngaqë, të paktën në dukje të jashtme, janë një dyshe unike, por që në të vërtetë, kështu siç kanë shkuar punët, kemi përshtypjen se megjithate janë dy gjëra edhe të ndryshme, madje shpesh edhe të largëta me njëra tjetrën. Për këte mjafton fakti më i parë: Në fletën e protokollit të ndeshjes së 12 shtatorit, nga 19 lojtarë, plot 6 (Beqaj, Curri, Dallku, Vangjeli, Cana, Rustemi) nuk i ka lindur, rritur, formuar futbolli që luhet mbrënda mureve të Republikës së Shqipërisë. Kjo nënkupton se Shqipëria është absolutisht i vetmi shtet në Evropë midis të 50-tëve që marrin pjesë në EURO 2008, e cila një të tretën e lojtarëve të saj nuk i ka krijuar vetë, pra futbolli i saj. Pa harruar mandej edhe emrat e Hasit, Kastratit e Berishës, që janë pjesë e 25 futbollistëve që ka aktivizuar Otto Baric për EURO 2008, të cilët provojnë se edhe në përbërjen e gjërë të skuadrës së tij, përsëri pjesa e një të tretës “joautoktone” të Kombëtares, nuk prishet. Që natyrisht janë të gjithë të racës e të kombësisë shqiptare, fakt që na i qetëson zemrat ngaqë nuk kemi rrëmbyer futbollistë të popujve të tjerë. Problemi është tek ajo, që futbolli i Republikës së Shqipërisë rrezikon “të ndahet” nga futbolli i Kombëtares së Shqipërisë.

X X X

Ky qe prologu i emblemës së shkrimit tonë.

Kjo është Kombëtarja mbarëkombëtare përsa i përket nocionit komb, por edhe e Republikës së Shqipërisë përsa i përket nocionit shtet.

Dhe 0-1 me Holandën në një prej ndeshjeve më të qëndrueshme, burrërore, taktike, gjakuese (pasionante), spektakolare në historine ë Kombëtares së Shqipërisë. Do të mundohemi të përimtojmë (analizojmë) gjithnjë duke i qëndruar besnik emblemës së temës sonë: “Kombëtarja dhe futbolli i Republikës së Shqipërisë”. Dhe kryekreje nuk jemi të mendimit se duhet “të qajmë” mbi një gol të mospranuar prej gjyqtarit në mënyrë të rrufeshme dhe madje të pamëshirë, gol (në të vërtetë vetgol i Melchiott të Holandës) dhe as për padrejtësitë që mund t’iu bëkan Shqipërisë “përgjithmonë”, ngaqë është “e vogël”. Edhe për ne sa herë që rishohim këte vetgol, gjithnjë e më fort bindemi për pastërtinë dhe vërtetësinë e tij. Mirëpo deri më sot, prej kësisoj golash apo vetgolash të mospranuar prej gjyqtarëve, ka me mijëra, madje deri me ndikime të pamshirshme titujsh e mostitujsh botërorë dhe evropianë. Ndaj të vegjëlve dhe ndaj të mëdhenjve, në ndeshje të vogla e të mëdha, të rëndësishme dhe të parëndësishme, përcaktuese dhe jo, vendimtare dhe jo.

Nuk besojmë se Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë protestë UEFA-s për këte gol. Qofshim të gabuar, por nëse kjo ka ndodhë, atëherë gjithçka ngjason me një stil kinez të llojit të dikurshëm, jo të Kinës së sotme. UEFA ka pasë në Tiranë vëzhguesit e saj. Organizmi ynë i futbollit me siguri do të informohet nëse do të bëjë raport vëzhguesi i UEFA-s edhe për episodin e padrejtësisë së qartë të gjyqtarit anglez Mike Riley, e mandej mund të veprojë edhe ajo në qëndrimin e saj për te UEFA, natyrisht thjesht për t’i luftuar këto gabime të rënda, kur dihet se shpesh një gol i vetëm përcakton fate të mëdha futbolli (a nuk fitoi Holanda vetëm 1-0?) që cënojnë kështu të vërtetën mbi futbollin e sotëm në kontinent.

Ajo që na duket më e rëndësishme, është se teksa e përfshijmë ndeshjen me Holandën ndër më të mirat e futbollit shqiptar, për mbrojtjen e shkëlqyeshme, për harmoninë e veprimeve mbrojtje – sulm, për burrërinë e qëndresës futbollistike, për bashkësinë e një 11-shi jopak të ndryshuar në krahasim me një edicion më parë, të bindemi se ndryshimi i bukur i futbollit të Kombëtares në këto vite ‘2000, kërkon të reflektohet te një ndryshim po kaq i dukshëm në rritjen e pozicionit të Kombëtares Shqiptare në grupet e saj, në mesataren e pikëve të fituara për ndeshje, në shtimin e ngjarjeve të bukura, në aftësinë për t’u matur gjithnjë e më tepër si i afërt, qoftë edhe me më të mëdhenjtë, për të guxuar ndonjëherë madje edhe për një mëtim më tepër se deri më sot në këte histori gati 45 vjeçare të pjesëmarrjes sonë në Evropë.

Duke i parë renditjet e EURO 2008, Shqipëria bie fjala, nuk do të bënte keq të ndalonte te rastet e Bosnje- Hercegovinës me 13 pikë të fituara deri tani, por sidomos të Izraelit me 17 pikët e bujshme të tij. Prej këtu me siguri do t’i lindë pyetja: Si është e mundur që me gjithë këte rritje cilësore të lojërave të saj, Shqipëria ka vetëm 9 pikë? E atëherë, ajo do të bindet se kjo nuk ka ardhur vetëm për shkak të një vetgoli të pamiratuar prej gjyqtarit anglez Riley në ndeshjen e së mërkurës që shkoi me Holandën, dhe se ndoshta më tepër ka ardhur për shkak të një prerje të këtij gjyqtari, në tanësi gjatë krejt përmbajtjes së ecurisë së ndeshjes në dëm të Shqipërisë, së cilës kështu i ka ndodhur edhe ndonjëherë tjetër përballë një të madhi.

Cana e ka merituar përjashtimin nga ndeshja, por e pakta tre kartona të verdhë, iu duheshin dhënë në atë çast tre lojtarëve holandezë, e ndoshta edhe një i kuq. Mungesa e të gjykuarit po me të njëjtin metër matës i të gjithë ecurisë së 90 minutave të ndeshjes të së mërkurës së 12 shtatorit prej gjyqtarit, na duket si një stil dhe dënim gjykimi që rëndon edhe më fort se vetë mospranimi i vetgolit, çka për fat e shohim të ngjasë ende në dhjetra e dhjetra ndeshje të futbollit të sotëm. Dikush këte e quan pushteti i të mëdhenjve ndaj të vegjëlve. Mundet. Nuk e kemi në dorë për ta rregulluar ne këte, qoftë edhe me prostesta të llojit të sipërpërmendur.

Ajo ëshë çështje e gjithë bashkësisë së futbollit evropian e botëror. Ne kemi për detyrë që në gjithë këte rritje të Kombëtares së Shqipërisë në këto vite ‘2000, të përimtojmë për të gjetur shkaqet përse, jo në një, por që qysh nga viti 2001, e pakta në plot 8 ndeshje tejet përcaktuese, Shqipëria dorëzohet në fund, deri në mënyrën më naïve, ndonëse në 11-sh mbi 80 përqind të lojtarëve i ka që vijnë prej kampionateve profesioniste të Evropës. Historia është vërtet dramatike. Vështroni:

24.03.2001: Gjermania– Shqipëri 2-1 (gol i Klose në të 88’)!

01.09.2001: Finlanda– Shqipëria 2-0 (vetgol i Çipit në të 93’)!

05.09.2001: Anglia– Shqipëria 2-0 (gol i Fowler në të 88’)!

07.06.2003: Irlanda– Shqipëria 2-1 (vetgol i Aliajt në të 92’)!

08.09.2004: Gjeorgjia– Shqipëria 2-0 (gol i Demetradze në të 89’)!

04.06.2005: Gjeorgjia– Shqipëria 3-2 (gol i Kobyashvili në të 94’)

08.10.2005: Ukraina– Shqipëria 2-2 (gol i i Rotan në të 86’)!

12.09.2007: Shqipëria– Holanda 0-1 (gol i Van Nisltelroy në të 91’)!

Gola që thuajse kanë vulosë fatin e ndeshjes. Përse pra, përsërisim shpesh si në vitet ‘70-‘80’ kësisoj rastesh, kur kemi skuadrën më profesioniste që kemi patur ndonjëherë në histori? Ende mungesë e përgatitjes fizike? Ende lodhje e shqiptarëve që nuk janë ushqyer mirë qysh në fëmijëri? Ende paaftësi me mbajtë emocionet e fundit? Prap ne me këto përkufizime, kur pamë se një e treta e skuadrës nuk ka ardhur nga prodhimi i brishtë i Republikës së Shqipërisë e kur mbi 80 përqind e skuadrës vjen nga kampionatet e fortë të shteteve të Evropës?

Nuk besojmë në këto. Shkaqet duhet të jenë të tjera, që ne nuk jemi në gjendje t’i gjejmë. Kjo është detyrë vetëm e drejtimit teknik të Kombëtares, sot me në krye trajnerin Otto Baric, kur as Hans Peter Briegel nuk ia arriti t’i shkoqiste.

Përshembull, për ndeshjen e së mërkurës, mendja ta do të thuash se po të mos kishte dalë jashtë organizatori i madh psikologjik, por dhe taktiko- teknik i mbrojtjes Lorik Cana, vështirë që në rastin e golit, Van Nistelroy do të kishte vallëzuar asisoji, siç i desht qejfi, midis një tufe mbrojtësish shqiptarë. E pra, si ndodhi që kapiteni i O. Marseille, një nga 15 lojtarët më të mirë të stinës franceze të futbollit 2006-07, ra në gabimin e madh që e çoi në dënimin e vetes dhe të skuadrës? Ose: si ndodhi që mbas daljes së tij, Holanda u lëshua në turr si demi i toreadorit që del nga porta e arenës, dhe qëndrimi i dhjetë lojtarëve shqiptarë të binte deri në shkallën e një apatie të plotë?

Kjo retorikë e jona natyrisht që është e përciptë. I takon drejtimit teknik të peshojë.

Në një studim që ka bërë UEFA rezulton se nga 604 golat e shënuar deri tani në EURO 2008, 92 prej tyre janë shënuar në periudhën kohore të ndeshjeve që shkon nga minuta 75 deri te e 90-ta, çka do të thotë se 15 përqind e golave shënohen në fund të lojës. Ndërkaq, 22 prej këtyre golave janë madje në minutat shtesë që gjyqtari jep mbas mbarimit të 90 minutëshit të rregullt! Kësisoji, gola të fraksionit të fundit nuk i ndodh të pësojë vetëm Shqipëria, por në ndeshje me të mëdhenjtë, për fat ajo i zotëron minutat e fundit të lojës më me vështirësi se shumë skuadra të nivelit të saj në Evropë.

X X X

Ka dy shifra kuptimplote që dalin nga ndeshja e 12 shtatorit: Mesatarja e moshës së 14-shes shqiptare ishte 28.35 vjeç, ndërsa ajo e 14-shes holandeze ishte 27.57 vjeç. Duket e papërfillshme, po këto shifra na thonë me kthjellësi se Shqipëria e cila është përtërirë, çka duket se është e vërtetë, çuditërisht prap ka mbetur “e vjetër”, madje më e vjetër se edhe vetë Holanda, këmbët e së cilës njihen për të hekurta, jo thjesht për nivelin e lartë të mirërritjes që vjen prej jetesës së nivelit të lartë në atë vend, por edhe prej forcës së marë prej rrëshqitjes me patina mbi akull, me të cilat thuajse rritet çdo fëmi dhe i ri holandez, siç thotë një studjues.

Edhe ky fakt, natyrisht që nuk është gjithçka. Por që Shqipëria të dalë në fushën e lojës me 7 lojtarë mbi 30-vjeçarë (Beqaj 32 vjeç, Dede 32, Muka 31, Lala 32, Haxhi 32, Bogdani 30, Bushi 34) dhe Holanda e fuqishme me vetëm 5 të këtillë, mbas kësaj të dhëne natyrisht që na takon të pranojmë se vetvetiu përfshihemi në një meditim tjetër… Nuk besojmë ndërkaq, se ndonjë mendim “cinik” i qarqeve tona të drejtimit të futbollit, mund të na akuzojë se po kërkojmë t’i heqim këta lojtarë nga Kombëtarja. Jo, kurrsesi. Ne vetëm sa nënvizojmë çështjen e raportit të moshës së Kombëtares së Shqipërisë.

Pa dashur të mbivlerësojmë historinë, që na tregon se rezultatet më të mëdha të Kombëtares së Shqipërisë janë arritur me formacione më rinore:

Shqipëria– Kampione Ballkanit 1946 (7 lojtarë nën 24 vjeç)!

Jugosllavi– Shqipëria 0-0 më 1948 (7 lojtarë nën 25 vjeç)!

Rumania– Shqipëria 0-1 më 1948 (7 lojtarë nën 25 vjeç)!

Shqipëria– I. Veriut 1-1 më 1965 (9 lojtarë nën 24 vjeç)!

Shqipëria– Gjermania 0-0 më 1967 (8 lojtarë nën 25 vjeç)!

Shqipëri– Turqia 3-0 më 1971 (11 lojtarë nën 25 vjeç)!

Polonia– Shqipëria 2-2 më 1984 (7 lojtarë nën 25 vjeç)!

Shqipëria- Belgjika 2-0 më 1984 (9 lojtarë nën 25 vjeç)!

Norvegjia– Shqipëria 2-2 më 1998 (5 lojtarë nën 25 vjeç)!

Shqipëria– Greqia 2-0 më 2000 (6 lojtarë nën 24 vjeç)!

Pa përfshirë këtu tri ndeshje të tjera si Shqipëria– Rusia 3-1 më 2003 apo Shqipëria– Greqia 2-1 më 2004 ku ndonëse nuk jemi në përmasat e moshës rinore të të mësipërmeve, prap se prap edhe këto ndeshje në vetvete përmbajnë një baraspeshë moshore që anon dukshëm kah rinia. Ndërkohë që në shumicën e këtyre ndeshjeve që kanë bërë historinë më të bukur të Kombëtares Shqiptare, kanë vendosur fate deri të rinj 19-20-21 vjeçarë si Mirashi, Parapani, Andoni, Zhega, R.Ragami, Dinella, Bizi, Pernaska, Demollari, Josa, Zmijani, Cana. Dhe e kemi fjalën për role të dorës së parë të interpretuara me një forcë e pjekuri të rrallë prej këtyre protagonistëve të rinj.

Edhe këte argument nuk kemi të drejtë ta fetishizojmë, vetëm sa e nënvizojmë, sepse sidoqoftë, na duket se diçka të rendësishme tregon.. Më e pakta tregon se baraspesha e moshës, e tre brezave në një skuadër, sidomos shqiptare, për shumë shkaqe, shpesh është përcaktuese.

X X X

Kemi pesë vjet e pakta që pranojmë një ndryshim të dukshëm në futbollin që paraqet Kombëtarja e Shqipërisë. Ndeshje më ritmike, futboll taktik, pjekuri më e madhe loje, më shpesh se asnjëherë një futboll kërcënues edhe për më të mëdhenjtë. Dhe mbi të gjitha, një numër shumë më i madh ndeshjesh me vlera evropiane mu ndaj të mëdhenjve. Pavarësisht nga rezultati i arritur duhet pranuar se gjatë këtyre edicioneve me trajnerë të huaj, Shqipëria ka zhvilluar e pakta 10 ndeshje të nivelit të lartë evropian:

2002: Shqipëria– Zvicra 1-1

2003: Shqipëria- Rusia 3-1

2003: Shqipëria– Irlanda 0-0

2003: Irlanda– Shqipëria 2-1

2003: Zvicra– Shqipëria 3-2

2004: Shqipëria– Greqia 2-1

2005: Ukraina– Shqipëria 2-2

2006: Holanda– Shqipëria 2-1

2007: Bullgaria– Shqipëria 0-0

2007: Shqipëria– Holanda 0-1

Bilanci i këtyre ndeshjeve është 2 fitore, 4 barazime, 4 humbje, golat 12-13.

Eshtë vërtet për t’u përimtuar. Asnjëherë në historinë e pjesëmarrjeve të Shqipërisë në Kampionate Evropiane dhe Botërore, nuk ka ndodhur që mbrenda një kohe relativisht të shkurtër, mbrenda pesë vjetëve, Shqipëria të zhvillojë 10 ndeshje të këtij niveli të lartë evropian, prej të cilave të humbasë vetëm 4, të barazojë 4 dhe të fitojë 2, me golaverazhin e ngushtë 12-13. Eshtë krejt e pazakontë! I vë vulën rritjes edhe kjo e dhënë përimtuese.

Ajo që “stonon” është numri i pakët i fitoreve, vetëm 2, kur e kuptojmë se prej 8 ndeshjeve të tjera, Shqipëria përshembull, mund t’i kishte fituar edhe ato Shqipëria– Irlanda 0-0 apo Shqipëria– Zvicra 1-1, e pse jo, ashtu si rrodhën ngjarjet, ndoshta edhe atë Bullgari– Shqipëri 0-0. Ashtu siç mund të mënjanoheshin dy humbjet Irlanda– Shqipëria 2-1 (gol në të 92’) apo Shqipëria– Holanda 0-1 (gol në të 91’). Mirëpo ky lloj arsyetimi nuk ecën në futboll, sport i topit të rrumbullakët, për të cilin një studjues ka thënë se përderisa ai luhet me këmbë, që është pjesa më pak e përpunuar e organizmit të njeriut, gjithçka mund të ndodhë… . Vërtet çka mund të ndodhë?

Do të vazhdojmë të përimtojmë në rubrikën tonë të së martës së ardhshme. Dhe gjithnjë duke i qëndruar besnik temës “Kampionati dhe futbolli i Republikës së Shqipërisë”…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora