E enjte, 28.03.2024, 05:10 PM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Xhelal Ademi

E hene, 16.11.2009, 07:13 PM


Xhelal Ademi lindi në vitin 1964 në Zajaz të Kërçovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Kërçovë. Studimet e larta, Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Prishtinë dhe Tetovë. Autori deri më tani botoi këta libra: Ende kemi rrugë, poezi (1995), Mëkat nate, poezi (1995), Diell në Skëterrë, roman (1997), Rrugë detrash, roman (2005) etj.

PËR TY DHE JETËN

E kotë më qe udha në këtë botë të zhveshur
Mbi sfond të vetvetes qesh shtrirë sikur hije
Shpejt u tret magjia, hapi Yt i  ngjeshur
Ndër copëza kujtimesh kur shkoje dhe vije

Ndaj udhët e korbëta heqin zvarrë këtë terr
Mbi themele kotjesh një ndjejnë më rri varë
Përse daulle t’huaja përreth ndjellin ferr
E më fikin diellin që kurrë s’e kam parë

Ah jetë që kalërohesh dehur si  fërshëllimë
Je ëndërr që këputesh ndër qiell të pa anë
Herë hapesh herë mbyllesh, mjegull e vetëtimë
Ndaj pak të lëvduan, shumkushi të shanë

KOHË E DIMËROSUR

A e vëren moj Mike tërë këtë natë të zezë
Që ngryset mbi ne turbullonjëse shumë
Asnjë copë shkëndijze s’ka më për t’u ndezë
Ne jemi largas n’mes ka hyrë ai lumë

Ah sa kemi ikur skajshmërishtë në gjumë
Dhe fjetja ngashëren botën përmbi ne
E trendur ik ëndrra që kurrë nuk e zumë
Fill pasi është endur gjithësishtë përmbi dhe
Kjo shkretirë e madhe dimrosur ç’ka rënë
A e vëren moj Mike a vëren këtë trishtim
Ne s’ia dalim dot në kurthë jemi zënë
Ndaj mëkotë derdh lot përbri Ferrit tim...

POQESE NJË DITË

Poqese një ditë më gjen të hutuar
Mos më ikë me ngut zhduku më ngadalë
Por jo rrugës sime mbase është trazuar
Nga një mal kujtimesh e një lumë gjithë valë

Zhduku tamam hije siç zhduket n’mugëtirë
Unë s’të vërej më as të ndjek ndër hapa
Ndaç puthe puhizën me atë sharm të mirë
Ndaç pështyje natën po të ecën mbrapa

Poqë atë ditë të çmendur më gjen
Ashtu rraskapitur të lënë fillikat
Besom ju përulem malli Yt më bren
Ndaj falëm buzqeshje ndryshe bënë mëkat…

PËRTEJ PASMESNATËS

Të përcolla përtej lumit ndër do hapa të trazuar
Gjëmëllimë qielli rreth për rreth tej një ëndërr e shëmtuar
Ah ç’rrugoje rrugën Tënde pa ma falur atë shikim
Tek sodisja vrragë fundjete seç më merrte një trishtim

Auuu, kjo pritje ç’kotmkot seç m’gjymtoj një mall i ri
Mbase Ti s’ma falje dot një shikim me sytë e zi
Atëherë brita i hutuar nëpër terrin që verbonte
Tek udhkryqi i marrëzisë një enigmë ç’më turbullonte
Hapa udhën e vdeksisë nëpër shiun gjith rrëmbim
Përmes flakës që u shua fal nxehtësisë së lotit tim.

Njëmijë herë ç’ma pate kyqur njëmijë herë të vetmen derë
Çka t’u desht e gjitha kjo pse t’pëlqeu një botë e nderë
Vallë të ikësh në paudhë kënd e fund një qiell zymtak
Vallë të fikësh ëndrrën time e t’më zhdukësh pak nga pak.

Oh ! Atbotë fare s’kuptoje ikje rendas nëpër natë
Pas të ndiqte zëri im s’ish i kobshëm as shtërngatë
Por një zë që mëkatonte gjithë atë gjamë në pakëthim
Fal ndjesisë së zemrës sime qe bërë zë i mallit tim…

VARGJE

Nuk di tani si foshnje në qan
Kur rrallë e më rrallë në ëndërr më vjen
Vitet seç shkuan ikën e na lanë
Kjo borë mëngjesi mbi kokë ç’na bjen

Ne zbardhemi ndaj ikim si çudirë
Nëpër kotsinë e kohës së shkuar
Lotët na takohen dikund në hapsirë
Dhe marrin teposhtzës zjarrin për të shuar

Mëpas humbasim dhe atë grimë shpresë
Që përmbanë qiellit ec kotmëkot
Ndaj kur do vijë vjeshta gjithë vesë
Ne kemi ikur nuk rrojmë më dot…

MË THOTË NJË ZË

Kur të reshën shi kujtohu në mua
Mbase nuk pik qielli oh vërtetë nuk pik
I heshturi mallë që kurrë nuk u shua
Të vjen në dritare dhe  troket or mik

Hape këndefund atë kanatë të shkretë
E lerëm të hyjë me gjithë këto lot
Mjaft humbata kohën më vajti kjo jetë
Jashta zemrës Tënde nuk duroj më dot

Ndaj  hape dritaren kur të reshën shi
Se jam  ajo vashëza që më doje tepër
Ato s’jan gurëzeza pos  lotëve të mi
Janë dëshprimi im, është e jotja vepër

Falëm po të ndrojta mbase pata mallë
T’t hy ndër ndijime e t’t vras vetminë
E nëse s’më gjen nesër ndër të gjallë
Turru drejt varrezash atje kam Shtëpinë...

LARGOHU

Seç hyre behtas në jetën time
Por ja që s’doje të mbesësh gjatë
Ndaj ikë e merrmi këto kujtime
Se përmes ditës më solle natë
Dhe në më vrefsh dikund në botë
Të lutem ikë, hiç mos u ndal
Unë nuk të ndjej është gjithë e kotë
As sy tinzarë s’kam të të fal
    
Ndaj ikë e lerëm mbase është vonë
se muzg i brisht më merr ngadalë
Kjo rrugë më s’është takimi jonë
Ai det harrese e fshiu ndër valë

Pra ik sakaq në më vrefsh kund
ndaq më sodit veç gjë mos m’thuaj
Se hap pas hapi mbërrimë në Fund
Unë s’jam më ai, jam bërë i huaj...

TEJ E MBANË

dhe në shkofsha përtej varrit dhe në iksha tej e tej
kot do qajsh gjithë lemeri jo atë mallë s’ke si e shuan
kam kaluar në harresë aq sa gjamën nuk ta ndjej
ndaj kursei ato lot mëkot çmendesh mëkot vuan

madje shkundi ca kujtime mbase ende nuk është vonë
ndofta ëndrra nuk ka fikur ballaballas Ty të pret
por në hap që hedhë papritur mos mallko Dashurinë tonë
se do ngjallish  lemerinë dhe një botë që keq të vret

mbase fshihem nga sytë Tu e gjëkundi rash të flej
është një botë ca e hutuar nuk më gjen e as të gjej
dhe në iksha diku thellë e në vafsha tej e mbanë
i ka shprishur mall i shkretë katër udhtë që na ndanë…

MËKATI

Qytetin sa mjegull e ndrydhte atëherë
Unë e shuaja mallin që ndizej ngapak
Duke barit udhët nëpër çap të mjerë
Me sy mëkatarësh por vështrim dhelpërak

Dhe ja që të gjeta mes udhës së shkretë
Ndaj sosa në qiellë bërtimën e mekur
Pastaj hoqa zvarrë vetveten në jetë
Ndërsa Ti belbëzoje me shpirtin e prekur

S’di  në reshte borë apo pikte shi
Veç hapëm në ngutë një të heshtur derë
Mbaj mend njëfarë gote tjetër gjë nuk di
Mbase zbrazëm lëngun e të kuqes verë

Mëpas krejt të dehur nga lëng i uruar
Morrëm drejt Parajsës me kokat lëvarë
Mike ç’kënaqësi pa qenë të hutuar
Na përbiu Parajsa si dy mëkatarë

IKË

Më s`jam ai që isha ndaj të lutem ikë
Mes heshtjes verbake ka kohë jam hutuar
Dhe kur të jesh zhdukur quam ndaq armik
Apo ndaq kalorës ndër hap të rënduar

Merre këtë tufë ëndrrash dhe huqe në erë
Sepse s`gjeje dot dry qe t’i mbyll dhe ruaj
Jam mbytur i tëri në këtë gotë me verë
Sipëri ç`më rëndon ky qytet i huaj

Ndjen vallë, jam tepruar se të themi ikë
Se toku me ditët e plakura n`këtë qytet
Qemë një kokërr shiu që nga qielli pik
Dhe që jeton çastet gjersa shkel mbi det

KËTHIMI I VONUAR

Kur motet t’kenë ikur ashtu me pahirë
Dhe bari pullazit rrënjët t’i ketë futur
Do brofish nga vetja gjithë fytyrë të nxirë
Për të bërë udhëtimin ndër hapin e ngutur

Do ecësh ditëzezën drejt mallit të stisur
Që të ka rënë zemrës e s’të shqitet dot
Por sakaq mban udhë një pasqyrë e grisur
Do ngjall lemerinë dhe ofshama plot

Mbase përtej sajë je kafshzë e plagosur
Me kokën thinjake, shkelur nga lëngata
Dhe ja një buzëqeshje mes sharmit të sosur
Sërish do ngjall hapin për këtkohë përmbrapa.

TË KËRKOVA

Të kërkova hap pas hapi tek çdo cep e tek çdo dhe
Shkunda erërat dhe furtunat gjer në netët vetmitare
Ah! S’ta zura dot buzëqeshjen ku e humbe ku e le!
Ndaj më vjen një tis i verbër vetë marrëzia shkatrrimtare

Vallë është bota kaq mizore apo unë qënkam hutuar
Mbase hijet shurdhmemece  seç më ndjekin gjithë trishtim
Po s’të gjeta dhe në ëndrra mes një ndjenje të trazuar
Njëmijë vjet do më largohesh njëmijë vjet ndër këtë rrugëtim

Sepse larg më ikin ditët ikin zhduken në shkreti
Ngutem marr një udhë tinzare që mjerisht nuk di ku çon
E gris hënën ajo m’qeshet përmbi kokë si kumt i zi
Sakaq ndjej një akull zemre e një mallë që ndezur rron

Atëherë dal bri cep të lumit e sakaq i vë një pritë
Ai rrebel unë i hutuar që të dy në rrugë pa këthim
Teksa terret bota rreth azgjëkund nuk vrej një dritë
T’na ndrijë udhët e të ikim ai në det unë n’varrin tim…



(Vota: 54 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora