E enjte, 28.03.2024, 09:03 PM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Alma Papamihali, shoqëruar me video

E diele, 15.11.2009, 07:58 PM


Alma Papamihali

Ti grua

Më mirë pasqyrës mos u shih,
kur ditës ndonjëherë
të mbushen sytë me lot,
ti grua...
që shpesh,
i thua "jo" mëshirës,
dhe përflet me vete,
mbylljen e një dite kot...

E të nesermen
kur zgjohesh përsëri,
një grusht qiell rrëmben,
e fytyrës ia vesh shkujdesur,
si vetë koha,
kur humbet shenjat gri,
dhe vrenjtësirën e saj,
fsheh duke qeshur...

Shpesh buzë-gjakur,
por formë-tjetërsuar
ndaj e çrregullta hënë
tënden gjini ka marrë,
nga të tuat duar,
pelerinën pret nata,
qëndisur ëndërryjesh,
apo ëndërr-vrarë...

E mbyllet gjithçka,
dhe nis përsëri,
ashtu si vetë udhëtimet
rezervuar më parë,
por ti ndonjëherë,
pasqyrës mos u shih,
nuk je e vetmja grua,
që një ditë ka qarë.

Lutjet e mia

Nuk lutem për vete,
por për ty,
që dashuria të mungon...
Ti, që shpesh s´kupton
se ç´ngjet me botën,
e shurdhër je,
dhe nëse dëgjon...

Lutem për atë,
që dhimbjen e lindjes,
se provoi kurrë...
e në zot s´u shnderrua,
për t´i treguar botës,
që qielli është grua
dhe aspak burrë...

Lutem për ty,
që ëndrrash zilish fle
dhe jo i qetë si të tjerë...
Sa e padrejtë
të duket jeta,
ndaj per ty lutem,
mos ndihesh mjerë...

Për ty lutem,
që prej vitesh
lotët të janë shteruar...
Nëse dikur sytë
të bukur qenë,
sot gjurmë-zhdukur përrenj,
tokës harruar...

Nuk lutem për vete...
Jo!
Unë,
Dashuroj,
Lind,
Qaj,
S´kam zili,
por dashurohem përsëri...
Për ty dua të lutem,
që para se të kesh vdekur,
të kesh kuptuar
artin e të qënit njeri!


Puthja e nates

...dhe e putha natën mbi krye,
ashtu si dikur,
kisha dhënë puthjen e parë.
Je kaq e bukur o natë,
sa keq që prej teje,
duhet të jem e ndarë...

Por kur të largohem unë,
ti nuk do të jesh
më flakë e ndezur,
thjesht do të sillen
ca yje vërdallë,
por të pafjalë,
pothuajse të heshtur...

E unë me kokën pas
veç duke parë
do mbetem,
si shuhet një natë...
Por ti qënke ndryshe,
fare ndryshe,
përjetësi, quajtur e gjatë...




(Vota: 9 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora