E marte, 23.04.2024, 07:33 AM (GMT+1)

Mendime

Kosova...

E enjte, 27.09.2007, 09:32 PM


Nga Ibrahim D. Hoxha
(Veteran, historian e folklorist)

Millosheviçianët serbë që prej 8 vjetësh vazhdojnë të shurdhojnë, të mërzisin dhe të gajasin botën me marrëzi të pandërprera: Kosova është pjesë e Serbisë(!), Kosovën nuk e japim(!), Kosovën do ta rimarrim(!), Shqiptarët po përzënë serbët nga Kosova për të ngritur Shqipërinë e Madhe(!), Kosova është djepi sllavo-serb, e brocckulla të tjera të shumtë, paraqitje këto secila më qesharake se tjetra. Po, si mundet që Kosova të jetë pjesë e Serbisë, kur ajo që prej mijëvjeçarësh banohet gati tërësisht prej shqiptarësh, prej një race kryekëput e ndryshme nga e serbëve, popullsi pa kurrfarë lidhjeje a ngjashmërie me serbët!?! Ju shkelët në Kosovë dhe mbi zverkun e kosovarëve vutë zgjedhën tuaj nëpërmjet bajonetave të armatave cariste, të pajisura deri në dhëmbë nga Putillovi dhe Krupi dhe kur baba cari i ndërseu ato kundër shqiptarëve dhe vendit të tyre; kjo ndodhi në një kohë që shqiptarët- të cilët edhe pse kishin mbajtur vazhdimisht armët ngritur, mjerisht, të pakurrfarë përkrahjeje, nuk kishin mundur ende të ngrehnin shtetin e vet, fortesën e domosdoshme për mbrojtjen e atdheut dhe të vetes së tyre nga kuçedrat fqinje. Pra, ju në Kosovë u ngulët me zjarr e hekur, me kamë e me kosë1 dhe për gjatë gati 100 vjet sundimi shtazërisht tretët mëse gjysmën e kosovarëve: disa i vratë, siç pohoi paturpësisht në shenjë mburrjeje kreu juaj, Milosheviçi. Mjerisht në të shkuarën u ndodhën të tërëfuqishëm që gjakësitë dhe cubëritë tuaja.i pëlqyen, i miratuan e bekuan ato; rrjedhimisht ju që nga ajo kohë keni lundruar në gjakun dhe mjerimet e atyre shqiptarëve, vatrat amtare të të cilëve i shndërruat në parajsë për vete dhe xhehenem për vendësit. Mirëpo lumi nuk mund të vazhdonte të sillte përjetë kuçura për ju; ajo që u bë s’mund të kthehet më! Harrojeni baba car Nikollën, se atij me soj e sorollop ia tretën me acid edhe eshtrat. Tani ndodheni e ndodhemi para gjyqtarësh kryekëput të ndryshëm nga ata të kohës së Surit apo të Noes. Siç thashë, ju u dyndët në Kosovë dhe në dy krahina shqiptare fqinje me të me zjarr e hekur dhe sunduat atje si përbindsha. Po para 8 vjetësh papritmas ndodhi ajo që s’u kishte shkuar as në mendje: u vunë drrashkën dhe u sprapsën në pyjet tuaja shumadiane. Shkurt, Kosovën e kishit pushtuar me luftë e po me luftë iu përzunë. Rrjedhimisht tërëfuqishmëria juaj, kohët kur atje s’bëhej kurrgjë pa lejën e pëlqimin tuaj perëndoi e u hiçëzua, qysh kur u shtrënguat t’ia mbathnit kokëvarur, të mundur e të turpëruar. Është për të ardhur keq që gjenden aty-këtu edhe përfaqësues shtetesh që qëndrojnë me kokëfortësi përkrah gjakatarëve të lemeritshëm milosheviçianë të 1999-s, të cilët jashtë çdo arsyeje njerëzore, rëndë-rëndë herë e kurdo përsërisin se vendimi mbi pavarësinë e Kosovës s’mund të arrihet pa pëlqimin e Serbisë. Po kur ka ndodhur që skllavëruesi të miratojë kërkesat e skllavit? Si është e mundur që shtypësi të lirojë me dashje të shtypurin? Dokrra të tilla shpikin vetëm ata që s’duan të heqin dorë nga skllavëria dhe shtypja e sundimi i të tjerëve, përfaqësuesit e atyre shteteve që janë burg kombesh e kombësish. Po bota e lirë a do të pranojë robërinë dhe shtypjen, për më tepër në Evropë? Domosdo që s’ka si ta dojë dhe pranojë një gjë të tillë, përderisa e quan veten e lirë. Për të mbështetur mendimet e tyre shterpë përfaqësues shtetesh, pa kurrfarë përgjegjësie thonë se, po qe që Kosova fiton pavarësinë, pakicat –kryesisht ajo serbe- do të jenë nën trysninë e shqiptarëve. Gjykojnë kështu se kanë parasysh veten, ngaqë ashtu janë sjellë dhe vazhdojnë të sillen ndaj kombeve dhe kombësive që mjerisht janë dergjur dhe dergjen ende nën zgjedhën e tyre. Jo vetëm shqiptarët e Kosovës që po se po, po mbarë shqiptarët dihet se s’ kanë shtypur të tjerët, sepse edhe sikur të donin s’kishin mjetin me të cilin t’i shtypnin: shtetin. Por edhe ata shqiptarë që e kanë shtetin, janë shembull i pakrahasueshëm barazie ligjore me pjesëtarët e pakicave. Këtë të vërtetë aksiomë e dinë fare mirë edhe krerët e pakicës së kolonëve serbë në Kosovë. Ata bërtasin për shtypjen e tyre prej shqiptarëve jo se besojnë me të vërtetë në atë për të cilën paraankohen, por, ngaqë janë vendosur atje si sundimtarë dhe kanë jetuar si urdhërues të shqiptarëve; kështu që nuk duan ta shohin veten të barabartë me ta në shtetin e pavarur të Kosovës. Krerët serbë milosheviçianë e naçertanistë të tjerë, duke mos pranuar të heqin dorë nga sundimi i përjetshëm mbi kurrizin e kosovarëve, po bëjnë çmos që popullsisë serbe prej rreth 5-6 %, t’i jepet e drejta e lidhjeve dhe e marrëdhënieve të drejtpërdrejta me qeverinë e Serbisë; madje, si thelë mbi bisht, ngulmojnë që faltoret dhe hijeroret e tjera serbe në Kosovë të mbrohen dhe ruhen prej ushtarakësh serbë. Shkurt: atyre u ka marrë koka erë; kërkojnë qiqra në hell: një shtet serb brenda shtetit të Kosovës. Në kushte të tilla shteti i pavarur i Kosovës do të ishte vetëm fjalë në erë, vetëm një emër. Po qe se shteti i Kosovës bëhet shtet me të vërtetë i pavarur dhe sovran -si çdo shtet tjetër- ai do të ketë ligjet e veta, organizmat e ngjashme dhe organet e domosdoshme të rendit si edhe çdo shtet tjetër i pavarur. Kështu që ai ka tërë mjetet dhe përgjegjësinë për ruajtjen me fuqitë e veta të gjithçkaje që duhet mbrojtur brenda kufirit të tij shtetëror. Po në Serbi shqiptarët vendës -e jo ardhacakë si serbët në Kosovë- mbulojnë tri krahina ngjitur me njëra-tjetrën e jo laramane si serbët në Kosovë. A ju janë dhënë atyre të drejta si ato që pushtetmbajtësit serbë kërkojnë për pakicën serbe në Kosovë? A ju njihet atyre e drejta të drejtohen nga Prishtina? Edhe ata kanë faltore e hijerore të tjera; a u është dhënë atyre e drejta për mbrojtje nga ushtarakët e Kosovës? Pra, në se ju, pushtetarë të Serbisë doni qoftë edhe një fije drejtësie e barazie, i vini gishtin kokës dhe i thërrisni mendjes. Kërkoni që ndërmjet shqiptarëve shumicë dhe serbëve stërpakicë në Kosovë të vendosen marrëdhënie mirëkuptimi, bashkëpunimi të përzemërt e jo mërish dhe përplasjesh, sepse këto që kërkoni ju kanë shpënë dhe do të shpien në gjëma e mynxyra së pari për ata për të cilët ju çirreni e ngjireni gjoja për të mirën e tyre. Kjo e mirë për të gjithë hë për hë është vetëm e vetëm gjykimi i Ahtisarit, i pëlqyer si i tillë edhe nga tërë bota me të vërtetë liridashëse. Dëgjojeni zërin e një luftëtari, i cili për çlirimin edhe të serbëve disa herë ka derdhur edhe një pjesë të gjakut të tij; zërin e një njeriu që gjatë dy vjetëve me ta është mirëkuptuar dhe sjellë fare-fare miqësisht. Nuk mund të ketë zënka dhe përplasje ndërmjet popujve, po vetëm e vetëm ndërmjet atyre që gjithçka e bëjnë për mirakanden e vet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora