E enjte, 25.04.2024, 11:41 AM (GMT+1)

Kulturë

Dhurata Hamzai: “Heronjtë e Viagrës” së Bashkim Hoxhës, përmbysin muzeun e historisë

E diele, 15.11.2009, 08:38 PM


BOX :  

Duket e vërtetë se, që pas Luftës së Dytë Botërore, ekziston një luftë e tretë, e tjetërllojtë, pa humbës e pa të fituar, vra të vrasim, vdis të vdesim, urre të urrejmë. Kjo është lufta më e madhe, jemi pranë një tragjedie globale. Duke bërë kaq shumë luftëra e duke ëndërruar e propaganduar paqen, njeriu nuk jeton, por vetëm e imiton jetën

“Heronjtë e Viagrës” së Bashkim Hoxhës, përmbysin muzeun e historisë

Nga Dhurata Hamzai

Ti sapo ke në dorë librin më të fundit të shkrimtarit të njohur Bashkim Hoxha “Heronjtë e Viagrës” dhe që në faqet e para ndjen stilin që rrjedh në shtrat poetik, duke ndier fërgëllima emocionale të befasishme. Mënyra si lexohet ky libër nuk varet nga intriga ose efektet e jashtme të ngjarjeve në vepër, por varet katërcipërisht nga mënyra si shkruhet, kupto si lexohet. Ritmika e të lexuarit ndjek ritmikën emocionale, pothuaj gjatë gjithë kohës, ritmin e shpeshtuar të frymës. Një ritmikë që rrit adrenalinën, gjë që të ndodh rrallë në proces të leximit. Marrëdhëniet e personazheve të përvijuara në mënyrë të tejdukshme hedhin dritë në mënyrë shteruese në sferat e përfytyrimit të qashtër, ëndrrës dhe zhgjëndrës. Këtë efekt e bën vetëm dhuntia që ka autori për zbulimin e mjeteve shprehëse, figuracionit plot kolorit e humor, të cilin e ke prekur brenda një emfaze të ndezur kolektive dhe globale dhe do ta kemi përpara syve më poshtë. Tashmë ti sapo ke hyrë në shtratin e leximit poetik-këndellës dhe prezantohesh me heronjtë e këtij libri. Heronjtë prishin rregullin... Asnjë shenjë mbivendosje të realjes me përmasa historike, asnjë shenjë protagonizmi, apo vlerë muzeale nuk sheh tek ata që përfaqësojnë ambasadorët e të gjitha vendeve të botës në faqet e këtij romani. Të vërejturit me guxim përmes fshehtësive dhe intimitetit shpjegon gjasën. Autori na takon me të gjithë personazhet, duke i shpirtëzuar si në një skenë teatri. Jemi me ta bashkë, në unitet veprimi, në sallonin e një hoteli luksoz, ku çdo mëngjez rrotull mbijnë rrënoja, e çdo mbrëmje ushton muzika e paranojës. Janë atje si misionarë të paqes, “kandidatë për heronj”

Me simbolikën mungesës së madhe të shijes së jetës

Martini një ushtarak i lartë nga Shqipëria, i dërguar për paqen në Irak, është boshti i një dekori të skicuar retorikisht nga autori, në një hapësirë të pamatë, që shtrihet që nga atdheu ynë, ngrihet në qiej të tjerë me avionë dhe shënon një kufi së paku në gjirin e ndezur të luftës, një kufi së paku lëvizës e të paqartë, që ndan e bashkon pareshtur kulturat e Orientit me Perëndimin, shkërbyer ligsht me diplomacitë më ekstreme. Autori i ka vendosur personazhet si në një strukturë teatrore, me të cilin na ka përvijuar edhe shijimin e kësaj vepre si objekt teatral, që në të vërtetë nuk është gjë tjetër veçse një zbulim kompozicional i autorit, pa e tëhuajësuar regjistrin stilistik të një romani që ngrihet madhor, klasik dhe universal, titulluar, pra, “Heronjtë e viagrës”.
Historia në këtë roman, sipas Bashkim Hoxhës është e shfaqur si një mozaik, ku secili gur ka ngjyrën e vet, pavarësisht imazhit. Kështu romani ecën në të kundërt të ngjarjeve, i lë ato të duken krejt të rastësishme dhe të ngarkohen me simbolikën e mungesës së madhe të shijes së jetës. Kjo mungesë në shpirtin e çdo personazhi, nuk mund të bëjë askënd hero dhe aq më tepër protagonist të paqes në botë. Romani nis me një personazh që fillon të meditojë për jetën dhe ditën. E kupton ditën si ndjesi dhe shije të jetës. “Martini e kishte thjeshtuar këtë ndjesi, ai llogariste vetëm ditën kur vërtetë kishte jetuar diçka”. Pra, në këtë roman Martini është njeriu që së paku në fund të jetës do të donte të thoshte se unë kam jetuar 20 apo 28 ditë, vetëm për ato ngjarje që i mban gjatë e me ëndje kujtesa. Kjo lëvizje figurative e konceptit të ditës nga autori përmbys në një farë mënyre të gjitha parametrat metafizikë, me të cilën matet e lëvdohet sot historia, duke u zbukuruar në fund me një ngjarje pikante, ose me fantazma heronjsh. Lexuesit i qeshet me mënyrën si vdes një “hero”, që pothuaj përmbys të gjithë muzeun e historisë botërore. Është një shembje që ngre mbi gërmadhat e këtij muzeu një ëndërr të vërtetë për paqen e amëshuar në botë, ku nuk paragjykohen më vende e popuj. Njerëzit sapo nisin një marrëdhënie, ngjasin tepër me njëri tjetrin, dhe skaji kulminant i kësaj ngjashmërie është tragjizmi i jetës dhe loja sentimentale. Ashtu si autori shkruan: “dekori i këtij akti është një qytet provincial në Shqipëri. Edhe pse është një qytet tremijëvjeçar, nuk gjendet në asnjë hartë, edhe për faktin se në shumë harta Shqipëria nuk gjendet fare. Atdheu i Martinit është një vend i vogël. Aq i vogël sa përfaqësohet me një njollë të kuqe në hartën e Ballkanit, ku nuk ka hapësira për të shkruar emrin e plot të tij. E megjithatë muzeu i qytetit është plot e përplot me heronj….”. Ky rrëfim i autorit, është edhe pasqyra që ka në dorë një misionar ushtarak si Martini, për vendin e tij dhe botën, i cili duket se rastësisht në roman është shqiptar.  

Arratia e autorit

Për figurën e heroit qendror autori shprehet pikërisht kështu: ‘‘Personazhi i parë që flet në skenë nuk thotë ndonjë gjë interesante, shërben vetëm për të bërë që salla të ndjek shfaqjen dhe qëllimi i tij është të qetësojë zhurmat dhe të bëj publikun të vëmendshëm për të hyrë në temë’’. Megjithëse autori di të na udhëheq në rrugën e këtij leximi, ai fshihet pas të vërtetave të shkruara në libër, di t’i shkruaj ngjarjet pa qenë aty, duke u dhënë një liri të vetvetishme gjithë personazheve, sado rastësor që të jenë ata. Autori e bën të dukshëm me pak fjalë edhe një personazh të tillë si Ileana, shkruan : ‘‘një këngëtare e njohur në të gjithë botën për hitin e saj ‘‘Unë asnjëherë nuk them jo’’. Në këtë roman Ileana është një këngëtare e botës së shoubiznesit që përmes imazhit të saj fiton aq shumë madhështi dhe përdoret dendur për transfigurimin e simboleve të paqes (së munguar). Ileana është shpallur ambasadore e paqes, lëviz me avione VIP dhe nganjëherë kur s’e mban dot ndezur imazhin e saj, hap lajmin e rremë se e paskan marrë peng në Irak. Pastaj e përgënjeshtron lajmin. Është reklama më e mirë që mund t’i bëj vetes ajo në kurriz të luftës. Ajo di “të mbijetoj”, e di se do ta përdorin sërish në mision. Pastaj shfaqet Kristina që vjen nga një vend tjetër i botës, Danimarka, e cila dhe ajo si të tjerët niset me misionin në emër të paqes dhe në fakt ajo shënon ‘‘sukses’’ vetëm në luftën e saj me veten. Kristina ka dashuruar pak ose aspak dhe tashmë ajo kërkon të shoh nëse ka jetuar në jetën e saj. Përpjekja e vetme që bën ajo gjatë ditëve të misionit është lufta sentimentale me vetveten; t’i jepet apo mos t’i jepet në shtrat Martinit, pas një vetmie të gjatë që ia ka shkaktuar ndarja me të fejuarin dhe skepticizmi i saj për racën mashkullore. Kristina, tashmë në moshën 47 vjeçare, gjatë gjithë kohës udhëton e vetme. Ajo bën pjesë në një grup të krijuar nga Ministria e Irakut për të çelur kinemanë e pasluftës, që i bashkohet një shoqate vendore të shoqatës që ajo përfaqëson me një emër koti “Luledelet”. Shfaqet në këtë roman edhe Ahmedi, përkthyesi vendas, i cili ndërsa mundohet që të flirtoj me kineasten, nuk duket se paraqet kulturën e atij vendi, sikur prezantohet në mediat fanatizmi i botës myslimane që ai përfaqëson. Ahmedi reciton dhe nuk i heq nga goja rubairat me temë dashurie për t’i prishur mendjen Kristinës. Ndërsa e dëgjon me bezdi, Kristina nuk e di akoma se këtë herë ajo do të dorëzohet në shtratin e një ushtaraku të lartë, figurën e të cilit ajo si pacifiste e ka urryer gjithë jetën. Martini është nisur me nderime si hero lufte, në perspektivë, nga një vend i largët, Shqipëria, dhe atje lë vetëm vajzën e tij Suzanën. Ah, edhe ajo ka një jetë të pajetuar ende, megjithëse vitet po i ikin. Suzana më tepër studionte folklor e fjalë të urta, dhe as ajo nuk ia kishte gjetur dot gjuhën e gëzimit jetës, pavarësisht “ngushëllimeve” të herë pas hershme në krahët e ndonjë të dashuri. Suzana ishte në moshë madhore dhe e pamartuar, ndërsa Martinit, gruaja kishte vite që i kishte vdekur. Martini me risqe të shumta dhe sadopak ditë të shijuara në jetë, tashmë gjendet në një vend ku duken tela me gjemba, topa dhe tanke gjithandej. I gëzohet vetëm faktit që është akomoduar si person VIP në një hotel komod e me siguri të lartë. Është mbyllja e detyruar në atë mjedis, është hoteli me emër ekzaltues ‘‘Rubairat’’, edhe pse bri tij përvidhen flakët dhe zhurmat e lëndëve plasëse. Duket sikur historia e botës nis të shkruhet ndryshe në atë hotel edhe komod, edhe të rrethuar me tela me gjemba. I bashkohen kësaj historie edhe kontaktet e Kristinës me një realitet konkret, jo si të filmave që ajo bën, që sjellin natyrshëm gjithë intrigën e veprës, pa futur shkrimtarin në ngasje për të komentuar ngjarjet, duke e ruajtur njëkohshëm aftësinë e dukjes natyrale të bisedave dhe emocioneve. Ushtaraku shqiptar, Martini, sapo kontakton Kristinën është tepër i vendosur ta kalojë kohën në atë hotel të mërzitshëm me të. Për t’ia dalë mbanë kësaj ideje gjithë jetën e kanë ndihmuar përvojat e shumta. Duke u bërë interesant me bisedat e tij “kundër rrymës”, ai luan me ndjenjat dhe fantazitë njerëzore, me besimet e tyre, dhe ja Kristina kryelartë, ende i thotë atij: Jo!
“-Unë nuk kam nevojë të më shoqëroj asnjë ushtrak, unë jam pacifiste”.
“-Besoj se edhe vetë e dini që thatë një gjë të gabuar, -është njëra nga përgjigjet e Martinit. -Vërtetë besoni se kinemaja i takon paqes. Më shumë luftë ka në filma se në të vërtetë”.
Martini e huton Kristinën dhe kur ajo e pyet se nga vjen, ai nëpërmjet një humori të djallëzuar, pasi i tregon se është nga Shqipëria, i thotë:
“-Atëherë duhet ta dish se ne kemi vetëm dy shqiptarë që kanë marrë çmimin Nobel. Ata janë Nënë Tereza dhe Ferid Murat, që ka shpikur viagrën. Pra, dashuria në dy aspekte, të shpirtit dhe të trupit ky është atdheu im”.
Kristina është një grua që ka jetuar nostalgjinë e rinisë së zymtë, një grua që s’e përtyp dot këtë botë kaq drastike, edhe pse ka gjetur forcat të jetojë një vetmi të tejzgjatur, kapërcen një natë deri në kufirin e çmendurisë, fle me një oficer të huaj, aty ku ishin mbledhur nga e gjithë bota jo për gjë tjetër, por për misionin e paqes. Ajo tashmë i beson më shumë gjuhës së mëkatit, se sa misionit pacifist që ka bërë gjatë jetës së saj. Ndërsa Martini dhe Kristina ishin aq afër këtij misioni, misioni vetë niste dhe humbiste kuptimin. Ndodhitë shfaqen spontanisht përmes portreteve e autoportreteve të çdo personazhi, të përvijuara me një lloj derformimi psiqik sentimental, mjeti që në mënyrë inkoshiente i shërben Bashkim Hoxhës për ta tretur vizionin ireal të botës në ujin e jetës. Gjatë leximit të këtij romani e shohim autorin që e braktis thuajse në çast autobiografinë, pra historinë e rrëfyer nga vete ai. Autori e ka shpikur, duke u vendosur në rolin e një sufleri. Hoxha e ka kuptuar qysh herët se ajo që ka vlerë në një vepër letrare nuk është ajo që na ka thënë autori, por dimensionet e gjallimit të jetës. Jetësorja e përjashton vizionin dogmatik të botës. Si një skenë teatri ravijëzohet edhe një dekor, që shpreh kultin pluralist të ekzistencës së formave jetësore.

Paqja përgjaket çdo ditë e më shumë, dita vdes në qenien e secilit njeri

Duke ndjekur me kënaqësi intrigën, tashmë lexuesi ndjen se koncepti i luftës dhe paqes është përmbledhur në kokën e një ushtaraku që as do t’ia dijë në të vërtetë se ç’po bëhet në Irak, por mezi pret të nis aventurën e tij të radhës në një hotel ku janë mbledhur një kineaste pacifiste nga Danimarka, një kineast nga Italia, një regjizor nga Iraku, një specialist ligjesh nga Japonia, një grua që “s’di pse është atje” nga Britania, një poet zyrtar zgjedhjesh nga Portugalia dhe së fundi ai Martini që siç e cilëson në bisedën me të bijën vetveten, “një aventurier i veshur me rroba ushtarake nga Shqipëria”. Kjo pra, është platforma e romanit, ku në të vërtetë personazhet na shërbejnë aq shumë për ta ndjekur me ëndje atë që ka dashur të thotë autori, mesazhin që gjatë gjithë veprës nuk ngutet ta nxjerrë në sipërfaqe. Lexuesi sheh ndërmjet këtyre ngjarjeve si mes ujrash, ndaj dhe vepra duket e bukur dhe çfarë ka në mesin e këtyre ujrave e sheh të tranfiguruar në gjuhën e mesazheve. Këta njerëz të ardhur nga e gjithë bota, me misione në emër të paqes nuk kanë aftësi ta përmirësojnë megjithatë asnjë grimë paqen. Ata sikur nuk kanë edhe sadopak paqe në shpirtin e tyre. Paqja përgjaket çdo ditë e më shumë. Dita vdes në qenien e secilit njeri. Jeta është diçka e huaj që e ka lënë tashmë trupin e secilit personazh të zbrazët. Paradoksalisht “kandidatët për heronj” vetëm kanë ndryshuar pozicionin e qëndrimit dhe rreth tyre veprojnë vetëm ekspertë të sigurisë së jetës, sikur të ishin kandidatë për viktima të orëve të fundit. Flirtet, por edhe marrëdhëniet e dashurisë vinë natyrshëm si pjellë e rrethanave, si shtrëngesë e brendshme, në varësi të komplekseve me të cilën ata personazhe e kanë jetuar të gjithë jetën e tyre, ndërsa fundi, fati i heroit kthehet në një teatër të madh e demaskues politik. Martini pra, ishte me detyrën e një lideri të famshëm ushtarak në Irak dhe vdes në shtrat nga doza e tepërt e viagrës, duke bërë dashuri. Qeveria e vendit pas lajmit të vdekjes, nis të gjitha përgatitjet për t’iu bërë përcjellja e tij si hero, si simbol i paqes. Muzeu i Historisë bëhet gati të shtojë edhe një statujë, një hero. Një drejtor muzeu ka kohë që ka kuptuar se kemi arritur në një inflacion simbolesh, parandjen se jo vetëm Martini, por i gjithë fati i jetës së njerëzimit, më pak se çdo gjë ka lidhje me heroizmin. E gjithë jeta nuk ka ndonjë lidhje me heroizmat, as heroizmi vetë nuk ka lidhje me jetën.

Edhe nëse i përkasin një dite, historitë intime janë vendimtare në proceset historike

Heronjtë mbartin kompleksitetin më universal të njeriut të sotëm. Ata janë intelektualë që në mesin e jetës së tyre nisin të dështojnë, një lloj bjerjeje e brendshme u ka ndodhur prej dogmatizimit humanist. Libri ‘‘Heronjtë e viagrës’’ i Bashkim Hoxhës na kujton se këtë herë duhet të kujtojmë që personazhi Martin përfaqëson një veprimtar jo vetëm brenda kufijve të nacionalizmit, por në planin global. Në të njëjtin shtrat të hotelit, fare mirë mund të ishte edhe një ushtarak gjerman, ose amerikan. Shkrimtari nuk paragjykon racat dhe kombet. Ai pikturon njeriun e vendosur në situata paradoksale sociale dhe politike. Universalizimi i qenies humane bëhet njëkohësisht me rrëfimin e monologëve të secilit në këtë vepër. As më pak e as më shumë, ky është edhe një integritet intelektual i autorit, një pjekuri dhe qetësi e vështrimit, një guxim për të rrëfyer deri në fund intimitetet e heshtura, që në të vërtetë janë historia e brendshme e çdo qenieje njerëzore. Edhe nëse i përkasin një dite, historitë intime janë vendimtare në procesin e historisë. Janë ato përjetimet që mbart njeriu deri në fund të jetës, e ato janë që përmbysin muzeun e historisë. Duke lexuar librin e Bashkim Hoxhës “Heronjtë e Viagrës” rrekesh të gjesh si është zakon pak atdhe, pak histori, pak nga ajo Shqipëria e idealizuar, e menduar si qendra e botës, që i zbret shpeshherë përtokë ndonjë shkrimtari dimensionin e një letërsie universale, e që as që e lejon t’i qaset atij dimensioni. Prandaj mendon se kur je duke lexuar këtë libër, ndoshta vërtetë ne e kemi shteruar Historinë dhe në ditët tona vijon të jetuarit më përtej se kushtëzimet kohore, të vendit a të rrethanave sociale. Kjo përshtypje e parë është pothuaj një nga argumentet më të forta se shkrimtari Bashkim Hoxha po na sjell në mesin tonë një libër të përmasave universale. Hoxha është një shkrimtar i talentuar, mjeshtër i stilit e i fjalës, por sa herë në veprat e para të tij, më binte si në ndërtekst diçka e pakonsumuar, diçka që të jepte përshtypjen se artisti i fjalës po ngutet, nxiton me librin, po e shpërdoron pak talentin, nuk i shkruan të gjitha ato që ka për të shkruar deri në fund. Kjo përshtypje nuk është krijuar pse librat e Bashkim Hoxhës nuk janë të mirë, por përkundrazi ngaqë pritet që të ketë diçka të mrekullueshme, dhe tashmë me daljen në dritë të “Heronjve...”, kur mëson se ngutja e botimit të librave të parë ka ardhur për t’i lënë skeptrin, pikërisht këtij libri, pas atij leximi, duke t’u mbajtur fryma, plot lëng kureshtije, me një lloj ligjërimi që ndërhyn me vrull në imagjinatë, le të parashtrojmë ekskluzivitetin e botimit të këtij libri.

Dhe në fund: Stil!

Kësisoj, libri merr fund shpejt me një shikim të rrufeshëm mbi shekullin në të cilin jetojmë, por saktësisht siç duhej të vazhdonte dhe si ende vijon, është një pasqyrë e drejtëpërdrejtë e realitetit të ndërmjetësuar nga estetizmi, i ardhur nga koshienca kritike e shkrimtarit gjë që kapërcen përtej stuhive të kreativitetit. Mospërfillës ndaj botës, por që nuk e refuzojnë ecjen bashkë me të, këta personazhe sillen reflektues, kritik, ndikues, zhbirues. Hoxha e afron një realitet bashkë me legjendat e ngritura mbi të, me shpirtin e krijuesit, syrin e estetit, nuhatjen e mjeshtrit. Stili i tij këtë herë i ka kapërcyer sinoret e pakalueshme të shterrjes, duke e shpërngulur veprën nga autori tek lexuesi. Ka një tretje çliruese të personalitetit të autorit gjatë leximit. Dhe kjo distancë, kjo mungesë shtypjeje mbi lexuesin është krijuar për të përçuar efektet e një ideje që kërkon kurajo të thuhet, përmes një eksperimentimi të bukur letrar, duke zhvlerësuar inspirimin nga e jetuara për t’ia atribuar të thënës, rrëfenjës si model i mirëfilltë dhe tejet i saktë letrar. Me fjalë të tjera ai arrin që t’i zëvendësojë botës muzeun e vlerave. Këtu qëndron edhe forca më madhe e lojës së fjalës. Duket e vërtetë se, që pas Luftës së Dytë Botërore, ekziston një luftë e tretë, e tjetërllojtë, pa humbës e pa të fituar, vra të vrasim, vdis të vdesim, urre të urrejmë. Kjo është lufta më e madhe, jemi pranë një tragjedie globale. Duke bërë kaq shumë luftëra e duke ëndërruar e propaganduar paqen, njeriu nuk jeton, por vetëm e imiton jetën. Bashkim Hoxha, kqyr me kujdes shpërbërjen e vlerave të jetës, e në këtë shkulmë shpërbërjeje shpiken muzetë. Gati u përgatit një statujë dylli për Martinin, të vdekurin më të fundit që po e sillnin nga vatra e një lufte. E ky, paskej vdekur vërtetë në një natë ku plasnin bombat, por nuk bëri asgjë për ta shuar zjarrin e tyre, një tjetër zjarr shuante brenda në një dhomë hoteli i stimuluar nga doza të forta viagre. Nga ana tjetër, sapo merr jetë një e qeshur e fortë, një tragjikomedi nga ana tjetër e botës, nga Shqipëria ku pritej të varrosej me lavde heroi dhe ku vajtocat po i këndonin:
“Kështu si vdiqe ti
 vdekshin të gjithë trimat…”
Do të qeshim me këto skena, do të qeshim me vdekjen e një “kandiati për hero”, stilemë kjo e shpikur nga patetizmi i verbër i një politikani. Politikanët dhe ushtarakët, korrës të lavdive pa fund, e vrasin jetën dhe e katandisin në skema. Me mesazh të qartë paqeje, jo me frymë pacifiste, por si një thirrje për të jetuar jetën, romani bëhet sakaq përmbushës edhe në qëndrimin tonë ideo-emocional. Stili i Bashkim Hoxhës në këtë roman është arritur përmes një procesi delikat e misterioz të ngërthimit dhe absorbimit, i cili ka këmbyer kultin e individit me vizionin e botës. Është ende brenda kufijve, ta themi, të përmbajtjes. Me qëndrime prekëse prej krijesash të munduara, të shtypura, të dëshpëruara, të supevarura, kryepërulura, krahëlëshuara, tipa të strukur, ecje të mëdyshta, përqafime të dhimbshme e kështu me radhë, ndjen dashurinë e autorit për njeriun, si do që të ketë qenë ai. Romani tashmë ka një vatër të psikologjisë individuale. Në këtë vatër të ndezur me zjarre të bukura, shkrimtari luan me flakët, stilizon, simbolizon, kundron. Nganjëherë misionarët e paqes duken si endacakë të ngratë, që s’gjejnë rrugë tjetër dhe çdo ëndërr për paqen nis t’u thërmohet me ortekun e instiktit që i zë përsipër. Ja mesazhi, ja heronjtë. “Rroftë viagra e ditëve të sotme”! Por edhe viagra, pikërisht aty ku personazhet ëndërrojnë paqen, ose triumfin, ose sfidën, ose dashurinë, duke u shenjuar si një betejë moderne me rëndësi të veçantë, nuk sjell paqen. Nëse kërkon të harrosh një luftë që vret, edhe viagra, shpresa e fundit e dashurisë (pasi shpirti të është tharë), ndjell veç vdekje.


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora