E shtune, 20.04.2024, 01:36 AM (GMT+1)

Mendime

Fatos Lubonja: Liri e medias apo liri e shprehjes?

E premte, 13.11.2009, 08:17 PM


Liri e medias apo liri e shprehjes?

Nga Fatos Lubonja

Rasti i rrahjes së Mero Bazes nga biznesmeni Taçi ka rindezur edhe një herë debatin mbi lirinë e mediave. Së fundi ka pasur një debat të ashpër në emisionin "Opinion", i cili pati si jehonë dy peticione kundër njëri-tjetrit, të firmosur nga qindra gazetarë e një numër shkrimesh.
Po përpiqem të shpreh mendimin tim lidhur me çka është thënë në këto debate nëpërmjet këtij shkrimi, që e konsideroj si vazhdimësi të dy shkrimeve që kam botuar së fundi në gazetën "Korrieri", me titujt "Mbi mizerabilitetin e mediave" dhe "Fenomeni 'Taçi'"..
Gjykoj se ka një spekulim me termin "liria e mediave", kur kjo përdoret duke nënkuptuar lirinë e shprehjes. Janë dy gjëra të ndryshme, veçanërisht në Shqipëri. Mediat në Shqipëri nuk janë viktima, që kërkojnë të çlirohen, sikurse janë përpjekur shumë gazetarë (dhe jo vetëm), t'i paraqesin ato në këtë debat, duke identifikuar rrahjet e gazetarëve me rrahjen e mediave. Në Shqipëri, viktima e vërtetë është liria e shprehjes, kurse çështja e lirisë së mediave është diçka tjetër, më e komplikuar, madje me kundërthënie të forta. Sepse mediat te ne janë fatkeqësisht një nga shtyllat kryesore të sistemit të korrupsionit që është ngritur në Shqipëri, të cilin në shumë shkrime paraardhëse e kam quajtur "regjim mediatik", i cili, si çdo regjim, është shtypës edhe i lirisë së shprehjes.
Le ta shtjelloj çka dua të them, duke u nisur nga debati mbi televizionin "Klan" (e jo vetëm), që u lakuan pas "Opinionit", për shkak të deklaratave të Frangajt.
Çfarë është televizioni "Klani"? Sipas Bazes dhe mbrojtësve të tij, është një instrument i pushtetit të Berishës. Sipas asaj që tha Erion Veliaj në "Opinion", është një viktimë e pushtetit, si shumë media të tjera, sepse nuk mund të mbijetojë dot pa lidhjen apo pa i shërbyer atij. Sipas drejtorit Frangaj, zgjedhja e "Klanit" për të qenë me pushtetin është një zgjedhje editoriale, ashtu siç është një zgjedhje editoriale ajo e "Top Channel" apo e "Neës 24" për të mbështetur opozitën. Cila është e vërteta e gjithë këtyre televizioneve dhe e shumëve rreth tyre?
Sipas meje, këto tre argumente nuk e përjashtojnë krejtësisht njëri-tjetrin, por e vërteta e të vërtetave është ajo që e dimë të gjithë: këto media ose lindën si anekse të bizneseve të tjera të pronarëve të tyre, për t'i mbrojtur e zhvilluar ato duke shantazhuar politikën apo duke i shërbyer asaj, ose u bënë të tilla gjatë rrugës. Kurse të ashtuquajturën gazetari e "liri shprehjeje", si material me të cilin punon media, ato e kanë përdorur në mënyrë selektive e abuzive për të shantazhuar politikën apo për t'i shërbyer asaj. Ky është thelbi i së vërtetës së tyre, i zhveshur nga detaje dhe nga hipokrizia e shumë pronarëve e gazetarëve. Dhe mediat nuk mund të quhen kurrsesi viktima të pushteteve, siç tha Veliaj, sepse ato kanë pasur një rol aktiv në ngritjen e ruajtjen e këtij sistemi. Dhe jo vetëm televizioni "Klan". Televizioni "Top Channel" apo "Neës 24" e me radhë janë edhe ato instrumente pushteti, por të pushtetit të opozitës, e cila është ndërtuesja e këtij sistemi mediatik pas vitit 1997, me protagonistë kryesorë Metën dhe Ramën, në njërën anë, dhe një numër biznesmenësh nga më të njohurit në vend në anën tjetër. Ato nuk janë pra të lira, pasi ato janë të ndërvarura plotësisht me pushtetet, që ato normalisht, po të ishin të lira, do të duhet të kontrollonin. Mjafton të kesh parasysh se mediave, ashtu si dhe partive politike dhe bizneseve më të fuqishme, nuk u dihen burimet e të ardhurave për të nxjerrë konkluzionin se bash te kjo ndërvarësi e bashkëfajësi qëndron lidhja midis tyre.
Prandaj, kur bëhet fjalë për dhunim ose favorizim të mediave, këtë duhet ta kuptojmë në kontekstin e luftës për pushtet midis dy forcave politike ekonomike, instrumente të të cilave janë edhe mediat. E në këtë luftë, ai më i forti, që zakonisht është ai që ka pushtetin qendror, fillon e dhunon tjetrin.
Në këtë kontekst po zhvillohet edhe konflikti i fundit lidhur me rrahjen e Bazes. Edhe Baze vetë nuk është thjesht një gazetar. Ai është edhe një pronar, të cilit i janë prekur interesat nga pushteti politiko-ekonomik që ka në krye Berishën. Që të jemi deri në fund të vërtetë, duhet thënë se ai gëzoi disa privilegje në krye të herës, kur Berisha mori pushtetin dhe ia morën ato me forcë, kur filloi të kritikojë pushtetin. Shkaku i prishjes ende nuk është bërë i qartë as nga Baze, as nga Berisha. Kryeministri ka heshtur (vetëm tani, d.m.th., shumë vonë për një juriste, e bija e tij, ka deklaruar se prishja ka ardhur lidhur me shitblerjen e "Temës", ku Baze, sipas saj, i ka propozuar një skemë që mbante erë pastrim parash), kurse Baze ka pretenduar se prishja është bërë për të denoncuar mosmbajtjen e premtimeve nga kryeministri për të luftuar korrupsionin. As njëri e as tjetri argument nuk janë bindës. Dyshimi se prishja është shkaktuar për pazare të prishura është shumë i fortë dhe kjo flet shumë për çka po përpiqem të shtjelloj. Edhe Baze, pra, sipas meje, nuk ka arritur të bindë për principialitetin e kritikave të tij jo vetëm pse Berishës i ka mbështetur në të kaluarën bëma shumë më të rënda, por edhe sepse një luftë principiale kundër korrupsionit nënkupton goditjen e tij 360 gradë dhe jo përqendrimin në dy-tri shënjestra dhe lënien jashtë të shumicës, e veçanërisht të sistemit që e prodhon atë. Me këtë nuk dua të them se ai ka shpifur, siç akuzohet nga kundërshtarët e tij. Këtë mund ta provojë vetëm gjykata dhe vetë jam i prirur të besoj se më shumë se shpifja, e nervozon e vërteta. Por dua të them se ka goditur në mënyrë selektive, pra se ka përdorur të njëjtat metoda për të cilat akuzohet Berisha kur i thuhet se godet mediat në mënyrë selektive. Po kështu, këtë luftë Baze nuk do të mund ta bënte kurrsesi pa pasur një prapavijë politike dhe ekonomike, sepse thjesht si gazetar i pavarur, nuk do të mund ta mbante dot gazetën "Tema" as edhe një ditë të vetme. Dua të them pra, se në thelb të këtij konflikti nuk kemi të bëjmë me luftën midis medias si "qen roje" e interesit publik në njërën anë, dhe kërcënuesve të këtij interesi, cilëtdo qofshin ata, në anën tjetër, por me luftën midis dy pushteteve: pushtetit në rritje të Berishës dhe Metës e mediave pranë tij nga njëra anë, dhe atij të Ramës dhe mediave pranë tij, që synojnë ripërmbysjen e kësaj situate në anë tjetër. Nëse mund ta çoj pak më tej metaforën me "qenin roje", mediat tona, si të thuash, lehin për të ruajtur gardhin e pronarëve dhe politikanëve të lidhur me ta, çka do të thotë se lehin në mënyrë selektive, sepse hajdutë të tjerë i lënë ta kalojnë gardhin pa problem.
Në këtë lloj lehjeje ekziston edhe një kod heshtjeje që Baze së fundi e ka shkelur. Sipas këtij kodi, gazetarët kanë akuzuar politikanët e njëri-tjetrit, por jo pronarët e njëri-tjetrit. Sipas këtij kodi, Sali Berishën, Edi Ramën e Ilir Metën mund t'i akuzosh sa të duash, por jo biznesmenët dhe veçanërisht jo pronarët e mediave që mbështesin ata. Ata duhet të jenë të lirë të kalojnë gardhin. Kështu, teatri i gjoja demokracisë sonë funksionon në rregull: të parët bëjnë lojën e demokracisë në skenë, të dytët tërheqin fijet e lidhjeve korruptive në prapaskenë. Kurse në darkë, pas rënies së perdes, të dyja palët bëjnë hesapin se sa kanë fituar nga spektatorët.
Ajo çka bie në sy sot përtej elementit psikologjik të Bazes, i cili në këtë njëanshmëri është shquar edhe për përdorje të goditjeve nën bark, është se interesat e palëve në konflikt, ku janë përfshirë edhe gazetarët, po bëhen më të ashpra. Ndoshta për shkak të krizës ekonomike që ka varfëruar tryezën. Ndoshta për shkak të polarizimit të mëtejshëm të politikës shqiptare; (ekzistenca e LSI-së si një pol i tretë siguronte pak më shumë hapësira). Ndoshta për shkak se në krye të politikës kanë mbetur dy persona antropologjikisht të ngjashëm, që ëndërr finale kanë eliminimin e çdo kundërshtari. Ndoshta pse kjo është rruga e pashmangshme e një diçkaje të ngritur keq, që kështu është e dënuar të dështojë.
Dikush, në këtë pikë, do të më thotë nëse është e drejtë të përdoret fjala "dështim" për këtë sistem mediatik. Pse të mos themi se kjo dialektikë ndeshjeje e interesave të kundërta edhe për pushtet mund ta çojë përpara të vërtetën edhe lirinë e shprehjes? Në shkrimin paraardhës e kam pohuar edhe vetë, por duke shtuar dyshimin e fortë, se "përvoja që kemi me akuzat e ndërsjella e të dyja palëve, që "harrojnë" përgjegjësinë e tyre, nuk na ka çuar shumë përpara". Kam shkruar edhe për gazetari që "vret" të vërtetën nëpërmjet luftës së gjysmë të vërtetave. Për të kthjelluar këto dyshime, më erdhi në ndihmë një shkrim i gazetarit italian Marco Travaglio, ribotuar pikërisht në gazetën "Tema", mbi gazetarët me kurriz të drejtë dhe me kurriz të lakuar. Midis të tjerash, Travaglio, duke folur për gazetarinë që i shërben njërës palë kundër palës tjetër thotë: "Është shumë më e mirë mungesa totale e informacionit, sesa një shumicë e informacioneve gjysmake ose false". E më pas shton: "Duke bashkuar dy gjysmë të vërteta, nuk arrihet një e vërtetë. Arrihet një dopio gënjeshtër, e më keq akoma, duke bashkuar gënjeshtra të ndryshme, arrihet një gënjeshtër me fuqi të shumëfishuar". Për mua kjo gazetari e gjysmë të vërtetave, ashtu sikurse edhe politika e gjysmë të vërtetave që pasqyron ajo, janë një alibi e fuqishme edhe për sistemin gjyqësor që akuzohet sot pse nuk vepron. Një gazetari e së vërtetës të plotë do të ndihmonte edhe një sistem gjyqësor së pavarur, që do të ndëshkonte çdo krim kundër interesit publik dhe anasjelltas, një sistem gjyqësor i pavarur do të ndihmonte një gazetari të të vërtetave të plota.
Kjo historia e "gjysmë të vërtetave" ka filluar herët në mediat tona, shpejt pas lindjes së këtij sistemi mediatik që kemi sot. Një datë simbolike mund të ishte fushata e katarsisit të Nanos, i cili pati mbështetje të fortë mediatike. Rezultatet dihen: në vend të katarsisit patëm shtim të pisllëkut. Sot, pas dhjetë vjetësh, nuk di të them nëse prej asaj kohe e këtej shprehja e lirë, si nevojë për të vërtetën e plotë, ka ecur përpara apo prapa. Kur shikoj gazetarët e rinj që ka prodhuar ky sistem, që tashmë nuk merakosen fare të kenë një të vërtetë të tyren, por edhe shpinën gjithnjë e më të përkulur të të vjetërve, them me siguri që ka bërë prapa në favor të gazetarisë së gjysmë të vërtetave. Dhe një nga shkaqet, sipas meje, është se gjatë këtyre viteve ky sistem është konsoliduar në kuptimin se klasa e politikanëve, biznesmenëve dhe gazetarëve që e ka ndërtuar atë, është konsoliduar në pushtet. Me aq sa mund të flitet për konsolidim, sepse rasti "Baze" tregoi gjithashtu edhe brishtësinë dhe kalbëzimin e këtij sistemi.
Dikush do të më thotë: këto i dimë, i ke thënë edhe herë të tjetra, por puna është sesi ta ndryshojmë këtë gjendje. Personalisht, para katër vjetësh e kam paraqitur një projekt, të cilin ma hodhën poshtë me fjalë dhe me heshtje, me veprime dhe mosveprime, si mazhoranca e Berishës, ashtu edhe opozita e Edi Ramës dhe mediat e tyre. Sipas meje, kjo sepse ata ishin tashmë vetë sistemi i gjysmë të vërtetave apo i dopio gënjeshtrës që unë propozoja të prishej. Në ndonjë nga shkrimet pasardhës, duke ndjekur edhe debatin që po zhvillohet, do të përpiqem t'i artikuloj disi më mirë disa prej ideve të asaj kohe, që më duket se mbeten aktuale, por edhe më të vështira për t'u realizuar sesa katër vjet më parë.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora