E enjte, 28.03.2024, 07:43 PM (GMT)

Mendime

Kastriot Myftaraj: A do të kërkojë falje Presidenti ditën e përkujtimit të viktimave të terrorit komunist

E enjte, 12.11.2009, 06:36 PM


A do të kërkojë falje Presidenti Topi ditën e përkujtimit të viktimave të terrorit komunist të nëntorit 1944 në Tiranë      

Nga Kastriot MYFTARAJ

Presidenti Topi, për t’ i vendosur një “gjethe fiku” mbi lakuriqësinë e faktit që ai është vënë totalisht në shërbim të djemve të ish-bllokut të udhëheqjes komuniste, ditën e hënë, do të organizojë një ceremoni përkujtimore për viktimat e terrorit komunist në qytetin e Tiranës, në nëntor 1944, në kohën që forcat komuniste hynë në qytet. Në këtë ceremoni, që mbahet në 65-vjetorin e kësaj ngjarjeje, Presidenti Topi sigurisht që do të flasë me një patetikë false në nderim të këtyre viktimave. Por ajo që duan të dinë familjarët e viktimave dhe gjithë shqiptarët është e vërteta e kësaj ngjarjeje misterioze. Kjo ngjarje ka shumë aspekte enigmatike. Viktimat e terrorit komunist në Tiranë në nëntor 1944, shumica e të cilëve qenë intelektualë, me shkolla perëndimore, e dinin mirë se çfarë ishte komunizmi dhe terrori i tij, dhe e dinin se çfarë i priste kur komunistët të hynin në qytet. Komunistët e kishin treguar tashmë veten me terrorin që kishin ushtruar deri më atëherë.
Të gjithë ata që u vranë nga komunistët në Tiranë, në nëntor 1944 e kishin ndarë mendjen që të largoheshin nga Shqipëria. Dilema e tyre ishte vetëm mënyra se si do ta realizonin këtë gjë. Se në atë kohë një udhëtim i tillë kishte rreziqe të mëdha. Komunistët nuk donin që këta njerëz të largoheshin, se donin t’ i asgjësonin e t’ a mbyllnin llogarinë një herë e mirë me ta. Për këtë arsye komunistët sajuan një kurth. Në Tiranë u hap fjala se me t’ u larguar gjermanët nga qyteti, do të vinin disa aeroplanë të Kryqit të Kuq të cilët do të merrnin persona të përzgjedhur, sipas një liste që do të bëhej nga Kryqi i kuq Shqiptar. Për t’ i bërë gjërat të besueshme, një punonjës i Kryqit të Kuq Shqiptar, Myrteza Topi, babai i Bamir Topit, filloi të hartonte një listë me emra. Njerëzit e interesuar paguanin flori që emri i tyre të shënohej në atë listë. Myrteza Topi ishte njeriu i përshtatshëm për ta bërë këtë gjë. Në një intervistë që vëllai i presidentit, Flamur Topi dha në gazetën “Panorama”, në 23 korrik 2007, pra pak pas zgjedhjes së Bamir Topit president, thuhet:
“Dyqani “Flora”, ku Enver Hoxha kishte një nga bazat më të rëndësishme të luftës, ka qenë pronë e hershme e familjes tonë dhe për arsye ekonomike të parët e kanë shitur. Por vazhduan të kishin në pronësi disa dyqane të tjerë rrotull. Familjet tona e kanë ndihmuar disa herë Enverin… Familja jonë dhe të tjerë tregtarë rrotull e ruajtën me besnikëri Enver Hoxhën gjatë kohës së luftës, dhe për këtë shkak kur ai u largua nga Tirana, u dërgoi të gjithëve nga një foto të tijën, me uniformë ushtarake me dedikim në shenjë mirënjohjeje. Kjo foto deri vonë është mbajtur në familjen tonë, pastaj nuk e di nga humbi (ndoshta është në presidencë- K.Myftaraj). Për shkak të kësaj njohjeje dhe besnikërie që kishte treguar ndaj Hoxhës, im atë në vitet e para të çlirimit ka punuar si spiker i anglishtes në Radio-Tirana”. (Gazeta “Panorama”, 23 korrik 2007, f. 3)
Kur forcat komuniste po avanconin në qytetin e Tiranës, skuadrat partizane të terrorit, filluan të eliminojnë këta njerëz. Por edhe këtu ka një enigmë. Asnjë nga këta njerëz, kur patrullat partizane u shkuan tek dera e shtëpisë, apo tek Hotel “Bristol” në qendër të Tiranës, ku u bënë vrasje masive dhe kufomat u hodhën në bodrumet e tij, nuk u largua, edhe pse kishin mundësi të largoheshin, duke ikur nga dyert e pasme të shtëpive (apo avllitë) dhe hotelit. Kjo ndodhte se patrullat partizane shoqëroheshin nga Myrteza Topi, i cili me listën në dorë komunikonte me familjarët që hapnin derën e shtëpisë, apo me punonjësit e hotelit. Myrteza Topi u thoshte se kishin ardhur për personin që e kishte emrin në listën e atyre që do të udhëtonin me avionin e kryqit të kuq. Por shtonte, babai i presidentit të sotëm, personi duhet të lëshonte një deklaratë të cilën do t’ ua dorëzonte partizanëve të patrullës, se po ikte nga Shqipëria me dëshirën e tij, dhe jo i detyruar nga qeveria e re partizane. Sigurisht që të gjithë personat në fjalë qenë gati ta nënshkruanin këtë deklaratë, nëse ishte si kusht për t’ u larguar nga vendi. Por kur dilnin tek hyrja, patrulla partizane i çonte pak metra më tej dhe atje i pushkatonte.
Për këto shërbime speciale që bëri Myrteza Topi, emri i tij nuk do të figuronte në listën e tregtarëve të cilët u ngarkuan nga regjimi komunist me tatimin e jashtëzakonshëm mbi fitimet gjatë luftës. E pra, sipas pasurisë që thotë vëllai i presidentit se kishte familja e tij, duhej të ishte tatuar patjetër në këtë mënyrë. Arrestimi i babait të Bamir Topit, disa vite më vonë, në 1951, ka lidhje pikërisht me rolin e Myrteza Topit në terrorin e nëntorit 1944. Flamur Topi thotë më tutje në intervistën e vet:
“Kjo lloj miqësie (me Enver Hoxhën- K.Myftaraj) vazhdoi derisa u arrestua babai. Arrestimi i tij u bë nga sigurimi i shtetit, pasi e kapën duke thyer tri monedha floriri. Ishin vitet e para të çlirimit dhe familja jonë njëlloj si të tjerat kishim probleme ekonomike. Babait tonë iu desh të vuante 6 muaj burg nën tortura, derisa sigurimi i mori të gjithë floririn. Në fakt, ai tregon se ata i kërkonin më tepër flori sesa ai kishte realisht. Me siguri arrestimi i tim ati ka shkuar në vesh të Enver Hoxhës, i cili ka mbajtur qëndrim jo të keq. Kjo u duk në faktin se më pas ne nuk patëm më probleme, me përjashtim të ndonjë rasti të vogël. Ndërsa burgosja e tim ati u konsiderua si burgosje ordinere dhe nuk na u përmend asnjëherë, por pasoja patëm… Gjithsesi më vonë të gjitha u shpërblyen me dërgimin e Bamirit për specializim në Itali. Shteti komunist duhej të korrigjonte ato gabime që kishte bërë padrejtësisht te ne”. (Gazeta “Panorama”, 23 korrik 2007, f. 3)
Nga këto fjalë të Flamur Topit ngrihen disa enigma. Pse Sigurimi i Shtetit i kërkonte Myrteza Topit më tepër flori se ç’ kishte, siç thotë Flamur Topi më lart? Për cilin flori ishte fjala këtu? Sigurisht jo për floririn që kishte Myrteza Topi para nëntorit të vitit 1944, se atë regjimi komunist duhej t’ ia kishte marrë, në kohën që ua mori tregtarëve të tjerë, pra fill pas ardhjes së regjimit komunist në fuqi. Atëherë del se tashmë Sigurimi i Shtetit po i kërkonte Myrteza Topit floririn që kishte mbledhur nga viktimat e terrorit komunist të nëntorit 1944. Fjalët që pëshpëriteshin gjithmonë e më tepër se Myrteza Topi siguroi më shumë flori në nëntor 1944, se ç’ kishte pasur më parë familja e tij, e bënë Sigurimin e Shtetit që ta arrestonte dhe ta torturonte për t’ ia nxjerrë edhe këtë flori. Flamur Topi pohon se edhe këtë herë i ati shpëtoi falë ndërhyrjes së Enver Hoxhës. Kjo ndodhi për shkak të misionit special që Myrteza Topi kishte kryer në nëntor 1944.
Flamur Topi thotë në intervistën e vet: “Pak vite para ndryshimeve politike në ’90, Bamiri shkoi në Itali për specializim dyvjeçar. Mendoj se ky specializim i ka bërë mirë. Në fakt, shteti komunist na e kishte borxh këtë gjë”. (Gazeta “Panorama”, 23 korrik 2007, f. 2)
Regjimi komunist me të vërtetë i kishte një borxh të madh Myrteza Topit dhe ky borxh ishte aq i madh, sa Edi Rama, megjithëse deklaroi se nuk do ta pranonte zgjedhjen e Bamir Topit president për shkak se ai kishte blerë votat e deputetëve socialistë, pak më vonë e pranoi atë, duke e quajtur garant të Kushtetutës.
A do t’ u kërkojë falje Bamir Topi familjarëve të viktimave të terrorit komunist në Tiranë, në nëntor 1944, për rolin që pati atje babai i tij, Myrteza Topi? Nuk e besoj. Sigurisht që Bamir Topi do të gjejë ndonjë të vetëshpallur ish-të persekutuar politik, i cili ka krijuar një shoqatë me të cilën pretendon se përfaqëson dhe mbron interesat e kësaj shtrese, por që ende nuk ka paraqitur publikisht një vendim gjyqësor që të tregojë se ka qenë dënuar politikisht në kohën e diktaturës komuniste. Sigurisht që ky është lloji i pseudo-ish-të persekutuarve politikë që pëlqen ambasadori amerikan në Tiranë, i cili pritet të marrë pjesë në këtë ceremoni, se edhe ai ka nevojë për një “gjethe fiku”, si Presidenti Topi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora