E premte, 19.04.2024, 08:15 PM (GMT+1)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet jugosllave!

E enjte, 12.11.2009, 09:00 PM


Trajtimi i të burgosurve politikë shqiptarë në burgjet jugosllave!

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
sabile_basha@hotmail.com

Në krahasim me shkrimet që janë shkruar për të burgosurit politikë, gati pothuaj se fare pak ose aspak nuk është shkruar për trajtimin dhe torturat e tyre të cilët i kanë kaluar në hetuesi apo më vonë në vetë burgun, ku e kalonin pjesën e dënimit. Do të thosha se historia e burgjeve është pjesë përbërëse e historisë së një kombi në terësi. Burgjet janë një realitet që i përkasin çdo vendi, pavarësisht nga niveli ekonomik apo zhvillimi social politik i tij[1]. Në kuptimin fizik, burgu përbëhet nga ndërtesa të veçanta ku mbahen dhe jetojnë në kushte të veçanta të paraburgosurit e të burgosurit, në salla e qeli, sipas një regjimi të caktuar burgimi dhe që administrohet e që ruhet mbi bazë ligjesh e dispozitash të veçanta ligjore e nënligjore[2]. Ndërsa të burgosurit që vuajnë dënimin me burg, ndahen në disa kategori, siç janë: kriminelët e ndryshëm, të dënuarit ordinerë, të dënuarit e mitur dhe kategoria më e dhembshme dhe më e pa fat, ishin të burgosurit politikë dhe kategori të tjera që nuk do të ndalesha në këtë shkrim.

Përndjekjet politike ndaj të burgosurve politikë ndaheshin në dënime penale dhe dënime administrative. Në grupin e parë hynin dënimet, siç ishin: 1. Dënimi me vdekje; 2. burgim deri me 25 vjet burg; 3. internim (si një plotësim i dënimit). Ndërsa në grupin e dytë hynin dënimet, siç ishin: 1. Dëbimi/internimi, 2. Punë e detyruar, 3. Heqje e të drejtës për të ushtruar profesionin (përfshirë këtu artin dhe sportin), 4. Shkarkim nga postet drejtuese, 5. Transferim, 6. Presion për t’u shkurëzuar, 7. Përjashtim nga shkollat e larta, dhe 8. Heqje e të drejtës së pensionit[3]. Por sipas të dhënave që kemi, del se masat për t’u dënuar një person nuk u merrnin vetëm për veprimtari  kundër shtetit dhe partisë, por ato shqiptoheshin edhe për “shfaqje të ndikimeve ideo-politike të ndryshme”, apo edhe për ndonjë gjë tjetër që pushtetarëve nuk iu shkonte përqejfi. Është për t’u çuditur se dënimet me vdekje mund të shqiptoheshin edhe nga nenet e kushtetutës për agjitacion e propagandë, arratisje, sabotazh në art, kulturë[4] etj.  

Por, ajo që më shtyri të shkruaja për këtë temë gati-gati tabu shkencore, më nxiti kategoria e të burgosurve politikë, do të thosha që ndoshta edhe pa fije faji, e që në këtë rast nuk do të ndalesha të analizoja fajësinë apo pafajësinë e tyre që kaluan kohën më të mirë nëpër këto burgje e kampe të caktuara anë e kënd shtetit të ish-Jugosllavisë.

Të burgosurit politikë shqiptarë, si në çdo vend tjetër të kampit socialist, në shtetin e Jugosllavisë, shqiptarët e dënuar politikë, patën edhe “bonuse” shtesë, sa i përkiste torturës dhe keqtrajtimit nga ana e hetuesve dhe gardianëve të ndryshëm. Të dënuarit shqiptarë patën një trajtim të veçantë  dhe shumë karakteristikë në krahasim me rregullat dhe normat ligjore të shtetit jugosllav. Ata dënoheshin vetëm e vetëm pse ishin kundër një mendimi, një veprimi apo edhe të një mospajtimi me regjimin në pushtet. Duke gjykuar nga shifrat e ish të burgosurve politikë, nga numri i burgjeve dhe i kampeve, nga metodat dhe shantazhet që u përdorën në hetuesi, nga gjykimet dhe dënimet, nga kushtet e trajtimet dhe të jetës së të burgosurve, vijmë në përfundim se çfarë ishte ai regjim dhe si shkeleshin të drejtat elementare njerëzore të individit e të popullit shqiptar. Por, si zakonisht në sistemet totalitare nuk merrte fund vetëm me të dënuarin politik, por krahas tij e pësonte familja, fisi e farefisi, duke filluar që nga internimi e deri te veçimi i plotë i familjeve. Duke filluar nga diferencimet politike, deri te dëbimi me dhunë nga shtëpia e fshati ku jetonte, duke iu ndërprerë edhe shkollimin elementar të fëmijëve të familjarëve të afërm dhe duke u thelluar horizontalisht e vertikalisht në farefisni për të marrë dënimin e “merituar”, siç mendonin pushtetarët.

Menjëherë pas çlirimit dhe aneksimit të Kosovës nga Serbia e ish-Jugosllavia, shqiptarët gjithandej ku jetonin vetëm gjatë viteve 1945-1948, sipas të dhënave që na i ofrojnë statistikat, dënohen e likuidohen me qindra e mija veta, duke u arrestuar e likuiduar me arsyetim se ishin bashkëpunëtorë të okupatorit, anëtarë të Ballit kombëtarë, anëtarë të organizatave të njohura ilegale, të grupeve të ndryshme armiqësore, që donin të rrëzonin pushtetin komunist dhe shumë e më shumë të tjerë, që donin të shkëputnin Kosovën dhe viset tjera shqiptare, që kishin mbetur të okupuara nga Jugosllavia. Pushtetarët, duke e parë rrezikun nga një popullatë e tërë e e pakënaqur, që ndodhte shpesh ata- të pakënaqurit, ishin edhe komunistë, por që e ndjenin veten të tradhtuar, filluan të inskenonin procese të gjata gjyqësore, vetëm e vetëm për të arsyetuar qëllimin e tyre për eliminim të përgjithshëm të shqiptarëve.

Sidomos, ndaj të burgosurve politikë shqiptar, u përdorën metodat më shtazarake të dhunës, që për qëllim kishin që të shfytyronin në vetëm pak javë të dënuarit politikë, në pirgje mishi të pa shpresa, që me kohë fillonin të kullonin gjak, që ishte pasojë e torturave fizike e, në të njëjtën kohë, duke nëpërkëmbur dinjitetin e tyre njerëzor e duke asgjësuar të gjithë përmbajtjen e jetës së tyre. Ata pasi që arrestoheshin, rraheshin me shkopinj gome dhe kondak dyfekësh dhe thonjtë e gishtave pa pikë mëshire jua shkulnin, kripen i detyronin që ta lëpinin drejt e nga dyshemeja, pa ju lejuar që të pinin ujë, përplaseshin lakuriq në mes të ujit të akullt dhe mundoheshin gjatë me korrent elektrik, nuk lejoheshin që të flinin dhe të rrinin ulur, po mbylleshin në kafaze, ku vetëm në bisht mund të kruspulloheshin[5]. Do të duhej përmendur kërcënimin për të futur në burg gratë dhe fëmijët e tyre- po të mos i kishin arrestuar qysh më parë.

Dhe sipas të dhënave, del se torturat u kryenin në bazë të logjikës sa më i lartë të kishte qenë funksioni i tyre i mëparshëm në parti, ose autoriteti tek masat,  aq më barbarisht mundoheshin ata. Vetëm tek-tuk mund të vërtetohej ndonjë “avari” nëpër qelitë e hetimeve, shumë rrallë mund të ndodhte që tortura të shpinte gabimisht në vdekje apo në kufijtë e çmendurisë[6], për secilin prej tyre kishte urdhër të ruhej me çdo kusht aftësia për të luajtur rolin e caktuar për proceset e inskenuara.

Edhepse pas Luftës së Dytë Botërore shtetet Evropiane nxorën  mësime nga tabloja e tmerrshme që ishte krijuar në ato vite dhe u angazhuan për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Më 1948 në OKB u krijua seksioni për parandalimin e krimeve dhe trajtimin e shkelësve të ligjit. Në Kongresin e Gjenevës të OKB-së më 1955 kaluan “Rregullat minimum për trajtimin e të burgosurve”, të cilët hapën një epokë të re në korrektimin penal. “Rregullat...” vendosën standarde për trajtimin e të dënuarve dhe për trajtimin e personelit. Përveç kësaj Konventa Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive bazë, që u nënshkruan në Romë më 4 nëntor 1950, garantonte të drejtat bazë të të burgosurve[7]

Llojet e torturave dhe të keqtrajtimeve ndaj të burgosurve politikë shqiptarë

Në ish-Jugosllavinë socialiste, përdorimi i torturës në zyrat e hetuesisë dhe në burgje ishte i ndalur me ligj. Por, në të vërtetë, tortura si metodë për të nxjerrë një të “vërtetë”, përdorej qysh nga momenti i parë i arrestimit dhe vazhdonte deri te dalja nga burgu. Sipas mjekut danez, Jens Daugaard, i cili edhe bën përkufizimin e torturës, ndër të tjera thotë se tortura është “ndëshkimi i paramenduar, sistematik ose më shumë persona që veprojnë ose me urdhër të një autoriteti, për të detyruar një person tjetër të japë informacion, të rrëfehet për një arsye tjetër.”[8]  Për të burgosurin politik shqiptar tortura fillonte që nga momenti i arrestimit, i arrestuari i nënshtrohej torturës, si asaj fizike ashtu edhe asaj psikike. Sipas shumë dëshmive dhe shumë të dhënave, tortura ndaj shqiptarëve është përdorur edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa kulminacionin e ka arritur pas vitit 1945, sidomos ndaj të burgosurve politikë shqiptarë. Tortura, sipas shumë studiuesve, është forma më e egër e shtypjes që mund t’i bëhet një qenies njerëzore. Ata që përdorin torturën, e dinë se ajo mund të shkatërrojë mendjen pa dëmtuar trupin, pra mund të dëmtojë personalitetin e viktimës në mënyrë që pas torturës, si jeta e tij private, ashtu edhe ajo shoqërore, të mos jenë si më parë, por shpeshherë krejtësisht të patologjike.

Pushteti okupues ndaj të burgosurve politikë shqiptarë përdori torturën fizike si dhe atë psikike:

a) Tortura fizike

Më poshtë do të cekim vetëm disa metoda të torturës fizike që u zbatuan ndaj të dënuarave politik.

- Rrahja sistematike
- Tortura elektrike
- Djegia
- Tortura dentare
- Tortura e mbytjes
- Gjendja e ankthit
- Gjymtimet
- Tortura farmakologjike
- Tortura seksuale
- Varja Palestineze[9]

Rrahja sistematike ose falanga

Gjatë tërë kohës viktima rrahet me shkopinj, shufra ose tela në shputat e këmbëve. Një mënyrë tjetër e rrahjes sistematike, kur viktima rrehej përnjëherë në të dy veshët, në vendet e frakturave të mëparshme ose në bark. Kjo lloj rrahjeje është zbatuar sidomos te gratë shtatzëna, që sa më parë të provokohej aborti.

Tortura elektrike (pikana)

Ishte një nga llojet e torturave më të dhembshme dhe viktima shpeshherë kafshonte gjuhën, pjesët e brendshme të faqeve dhe buzët. Elektrodat vendoseshin në pjesët më të ndjeshme të trupit, si: në veshë, gjuhë, mish të dhëmbëve, mollëza të gishtërinjve, organet gjenitale etj.

Djegia

Bëhej me anë të cigares, apo me hekur të nxehtë. Ekzistonte edhe një lloj tjetër, që quhet “pjekja”, kur i burgosuri vishej me një skarë hekuri që me anë të rrymës elektrike fillonte nxehej gradualisht.

Tortura e mbytjes

Ndryshe njihej edhe si forma e nëndetëses. Koka e viktimës zhytej në ujë të ndotur me jashtëqitje, urinë dhe të tjera ndyrësira, derisa të fillonte mbytja, ose derisa reflekset fizike të shkaktonin thithjen e ujit të ndotur.

Gjymtimi

Si torturë mund të kishte disa forma. Të tilla ishin shkulja e flokëve ose e mjekrës, heqja e thonjve, prerja e pjesëve të ndryshme të trupit, si e veshëve ose e gjuhës.

Tortura dentare

Thyheshin dhëmbët me goditje ose dhëmbët e shëndoshë thyheshin ose hiqeshin duke përdorur në mënyrë jofunksionale instrumentet dentare.

Tortura farmakologjike

Torturuesi e detyronte viktimën të gëlltiste tableta ose i bënte asaj injeksione, shpeshherë psikotomimetike, por viktimës i thuhej se ishin medikamente të rrezikshme ose lëndë të panjohura.

Tortura seksuale

Është ushtrim i dhunës së drejtpërdrejtë në organet gjenitale, goditje ose tortura elektrike në këto organe.

Varja Palestineze

Ishte një formë torture kur viktima mbahej me krahët prapa për orë ose ditë të tëra. Shpeshherë ndodhte që kësaj torture t’i shtonin edhe torturën elektrike, në pjesët e ndjeshme të trupit.

b) Torturat psikologjike

Është vështirë të imagjinohet tmerri i metodave fizike të torturës, megjithatë tortura psikologjike ishte metodë që shkatërronte drejtpërsëdrejti personalitetin e të burgosurit. Gjatë torturës, sipas shumë deklaratave të të burgosurve, torturuesit kanë përdorur disa lloj metodash të torturës psikologjike.

- privimin ose rraskapitjen
- kërcënimin për torturim, gjymtim, vrarje, si dhe duke i kërcënuar pjesëtarët e familjes dhe miqtë.
- praninë e njerëzve të tjerë gjatë torturimit
- poshtërimin dhe torturën seksuale.

Privimi ose rraskapitja

Ishte njëra nga metodat e torturës psikologjike që në vështrim të parë, nuk dukej se ishte e vështirë, mirëpo pasojat që linte te i burgosuri, ishin shumë të mëdha. Gjatë kësaj metode që zbatohej viktima privohej nga shumë elemente të rëndësishme që janë për jetën psikike të njeriut. Viktima privohej nga gjumi, kontaktet me njerëz, nga drita, tingujt[10] etj.  Zakonisht ndaj të burgosurve politikë shqiptarë, kjo lloj torture përdorej shumë shpesh. Çdo i burgosur, ka kaluar së paku dy, tri e më tepër herë në izolim të plotë. (kuptohet, nuk ka pasur asnjë, kontakt me të tjerët, ndërsa ditët e izolimit i ka kaluar në qeli shumë të vogla, 1, 5 x 2 m, pa dritë fare ose me shumë dritë). Në shumë raste të burgosurit i mbulonin kokën dhe e ushqenin në kohë të  pacaktuar, vetëm e vetëm që tek ai të krijonin huti dhe t’ia humbnin orientimin në kohë. Nuk e linin të lahej apo të shkonte në tualet. Me ditë të tëra e linin pa gjumë. Sipas disa analizave që kanë bërë disa hulumtues amerikanë, kanë ardhur në përfundim se njeriu është më së paku i rezistueshëm ndaj gjumit. Pas kësaj torture i burgosuri është në gjendje të flasë e të pranojë edhe gjëra që kurrë nuk i ka bërë. Por, djelmoshat tanë të rinj i përballonin edhe këto tortura. Vlen të ceket rasti i Sokol Dobrunës, i cili 98 orë i kaloi në zyrat e hetuesisë, i ulur në një karrige, pa bërë asnjë sy gjumë. Ndërkaq, mungesa e kontaktit me të tjerë, sipas disa të dhënave, të burgosurin e bën të pashpresë, e dëshpëronte, e fut në depresion. Thuhet se ata të burgosur, shpesh kanë halucinacione. Kjo metodë me të madhe është përdorur në burgun e Goli Otokut, ku nuk kanë qenë të rralla as vetëvrasjet e të burgosurve.

Kërcënimi

Ishte metoda më e parapëlqyer nga hetuesit e ish-Jugosllavisë. Lirshëm mund të thuhet se gati nuk ka pasur të burgosur që nuk është kërcënuar. Mirëpo, nga kërcënimet nuk është kursyer as jashtë burgut popullata shqiptare. Kërcënimi si metodë ka qenë aq transparente dhe e futur në sistem, saqë është shprehur edhe nëpër mjet radios, shtypit dhe televizionit. Si lloj kërcënimi, me të madhe është zbatuar metoda e diferencimit të individit nga familja, e familjes nga fshati apo rrethi ku jetonte, nga shkolla, universiteti dhe nga shumë procese të tjera shoqërore[11].

Të burgosurit kërcënoheshin se do t’i torturonin, do t’i rrahin, do t’i keqtrajtonin, do t’ua kidnaponin familjen, do t’ua masakronin të afërmit. Shumë të burgosur nga burgjet kërkonin që të distancohej familja nga ata, ose nga gratë e tyre kërkonin që të shkurorëzoheshin, vetëm e vetëm që t’i kursenin ato nga torturat e mundshme (rasti i Adem Demaçit dhe i shumë të tjerëve).

Prania e të tjerëve gjatë torturimit

Ishte një metodë shumë nënçmuese, dhe fyese për personalitetin e të burgosurit. Gjatë hetuesisë e më vonë gjatë qëndrimit në burg, gardianët e burgjeve zbatonin shpeshherë  këtë lloj metode. Herë-herë zbatimi i saj bëhet në mënyrë kolektive, kur në një dhomë i futnin shumë të burgosur dhe i rrahin deri në alivanosje para të tjerëve. Ose shpesh ndodhte që, ashtu të rrahur i ekspozonin para të tjerëve, ose para anëtarëve të familjes (rasti me Hydajet Hysenin). Sipas shumë deklaratave që kanë dhënë ish-të izoluarit, shumica e tyre pohojnë se janë rrahur e janë keqtrajtuar para shokëve të vet. Qëllimi i torturuesit dihej, ta përkulte dhe t’ia thyente dinjitetin njerëzorë të burgosurit.

Poshtërimi dhe torturat seksuale

Të të burgosurve ishin pjesë e pandashme e ritualit torturues të tyre. Të burgosurit, fyheshin rëndë, i fyenin të dashurit e tyre. Ata i detyronin të flisnin gjëra poshtëruese për të dashurit e tyre etj.

Këtë shkrim që iu dedikoj të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë që ranë në burg vetëm e vetëm që kërkuan që Kosova të bashkohet me Shqipërinë dhe në këtë mënyrë shteti Shqiptar të ruaj tërësinë e saj territoriale dhe në trupin e saj t’i ketë të gjitha gjymtyrët. Do ta përmbyllja me një shkrim të Petro Markos kur për të burgosurit thotë se: “Të burgosurit nuk janë si njerëzit që shohin diellin, yjet. Kanë gjuhën e tyre, kanë nervat e tyre. Edhe në shtëpinë tënde të jesh, po të të mbyllin derën nga jashtë, të duket sikur s’ngopesh me frymë... pale në burg, në qeli! Dhe ngaqë trupi mbetet në vend brenda katër mureve dhe shpirti arratiset duke kërkuar gjurmët e djeshme të këmbëve, formohet në tru një mjegull e dendur si era e qelisë, si firoma e korridoreve të burgut”[12]


[1] Fehmi Sufaj, Historia e burgjeve të Shqipërisë gjatë shekullit XX, Tiranë 200o, f. 3

[2] Josif Zegal, Rrëfime nga burgu i diktaturës komuniste, Tiranë, 1999. f. 7

[3] Vlerësimi i nevojave dhe memorizimi (Rehabilitimi dhe riintegrimi i ish- të përndjekurve politikë në Shqipëri), Tiranë 2001, f. 16.

[4] Po aty, f. 17.

[5] Vlerësim i nevojave dhe memorizimi (Rehabilitimi dhe riintegrimi i ish- të përndjekurve politikë në Shqipëri), Tiranë 2001, f. 17-19. Lone Jacobsen, Peter Vesti, Ata që i mbijetojnë torturës, Tiranë 1992.

[6] Më gjerësisht në librin e Georges Herman Hodos, Inskenimet ( Proceset politike dhe spastrimet staliniste në Evropën  Lindore 1948-1956), Tiranë, 2000

[7] Patricia O’Brien, The Prison on continent, f. 195

[8] Merxhan Abdyli, Fjala e lire e njerëzve të mbyllur, fejton , Gazeta “Rilindja”, Tiranë 1993.

[9] Lone Jacobson, Peter Vest, Ata që i mbijetojnë tortures, Tiranë 1992

[10] E përjavshmja turke “Nokta”, 2 shkurt 1986

[11] SOS, Torture, OMCT, 37-39, rue de Vermont, ch. 1211. Geneva 20. Switzerland.

[12] Petro Marko, Nata e Ustikës, roman, f. 37.


(Vota: 23 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora