E premte, 29.03.2024, 02:57 PM (GMT)

Mendime

Agron Tufa: Zinxhirët e ndryshkur të Kohës sonë

E enjte, 12.11.2009, 06:31 PM


Zinxhirët e ndryshkur të Kohës sonë

Nga Agron TUFA

Zinxhirët tanë, zinxhirët që na mbajnë të lidhur me të shkuarën, nuk janë prej letre, siç mund të pandehë pegasi ynë optimist. Ajo që nuk e thonë librat e historisë, është pesha e këtyre prangave të ndryshkura në ndërgjegjen tonë kolektive. Por është e dukshme gjithpoaq, se ndjeshmëria e përjetimit të këtij ndryshku që kalb vetëdijen tonë, nuk rëndon njëlloj tek të gjithë. Sepse njeriun nuk mund ta shpjegojnë tekstet skematike të librave shkollorë apo kronikat e thata didaktike të kohërave dhe modave koniukturale. Prandaj habia, ndjeshmëria dhe dhimbja si kategori psiko-fizike e mendore kuptimësohen vetëm në të shkuarën, përmes membranës së ndjeshme të së tashmes. E ardhmja si pritje, si shpresë dhe utopi e projektimit të vetvetes nuk ka kurrfarë kuptimi pa të shkuarën dhe të tashmen, për faktin elementar, se rrënjët e së ardhmes janë vetëm e vetëm në të shkuarën. Truall tjetër, jashtë këtyre rrënjëve, koha e ardhme ka (e përthyer në kategoritë e pritjes, shpresës dhe utopisë) vetëm në kokat e të çmendurve dhe të sëmurëve mendorë, kur ajo shpërthen në vizione anormale, delire, skizofreni.
Ja pra ku kemi dalë pashmangshëm në një postulat, sipas të cilit, Koha si kategori historike dhe psikologjike është e përjetueshme vetëm në përmasën morale, përderisa njeriu, si “masë e të gjitha gjërave”, i jep asaj gjykimin e vet moral. Duket se këtë ka patur parasysh poeti anglo-amerikan T.S.Eliot në poemën “Katër kuartetet”, kur qysh në vargjet e para shkruan:

“Në fillimin tim është fundi im...
 Në fundin tim është fillimi im...”  

Por nëse e katandisim veten në mëshirën e historisë apo të demagogëve, atëherë “shfarosja e miliona njerëzve është thjesht statistikë e thatë”. Atëherë pa pikë keqardhjeje dhe pa e njohur keqardhjen, nuk do të rrekeshim t’i kuptimësonim asfare katastrofat njerëzore, nuk do të t’ia hynim punës së “bezdisshme” të të ndjerit, përjetimeve, përvujtnisë, analizës së plojave shoqërore, pasi përvojat tona të kaluara shpirtërore nuk paskëshin lidhje me ne, që i kemi hequr tatuazh në lëkurë; ato mund të kapërcehen me një kthim mekanik të kokës, që sugjerohet rëndom kësisoj: “e kaluara mbaroi, me të mirat dhe të këqijat e saj, tani duhet të shohim përpara!”. Pikërisht në këtë devizë e ka origjinën thelbi i neveritshëm i banalitetit dhe, rrjedhimisht fatalizmi ynë, që na ka ndëshkuar dhe nuk vonon të na ndëshkojë përgjatë gjithë historisë.
Epo, pas kaq argumentesh, e keni kuptuar tashmë qëndrimin tim të përkundër me shprehjen profane “Po të shikosh prapa, prapa do të shkosh!”.
Le ta shohim pak më drejtpërdrejt çështjen nën dritën e përvojës sonë. Le të çojmë nëpër mend katakombin tonë gjysmëshekullor, - ata qindra mijëra të pushkatuar, të burgosur e të internuar, kulakë e të deklasuar, të përjashtuar e të privuar, të vulosur në heshtje e të frikësuar në palcë, njerëz ishullorë e vetmitarë, të cilëve për shkaqe biografie nuk u shkelte në derë as mik, as shok, as farefis; njerëz që vdisnin ngadalë bashkë me energjitë krijuese, dhuntitë, talentin, mendimin dhe dëshirat; popull të interiorizuar, të depersonalizuar në servilë, xhelatë dhe viktima; masa të shndërruara në zombie me zinxhirin e shatit, kazmës dhe propagandës dhe psikozën e “kështjellës në rrethim”; me mish të munduar njerëzor, të rraskapitur ndër turne fabrikash, minierash e arash; ushtri hijesh të venitura, avitaminoze, të shpëlara nga mungesa e albuminave dhe proteinave, por gjithsesi, “vigjilentë”, me një ateizëm masiv paganist, që në vend të lutjes në Zot ka brez pas brezi në gojë këngët e paradigmës “Enver Hoxha tungjatjeta”. Dhe më në fund, ajo çka përbën shqetësimin tim dhe të bashkëmendimtarëve të mi, nuk është e kaluara, në të cilën unë, gjoja, jetokam, por trashëgimia e pashqitshme enveriste me të cilën ndeshesh në çdo hap jashtë pragut, në rrugë, në sheshet publike, në format recediviste të mendimit, arsyetimit dhe gjykimit, në tërësinë e literaturës shkollore, universitare, në art, kulturë, shkencë dhe politikë. Ne jemi të nginjur deri në vrimat e veshëve pikërisht me ajrin molepsës e të flligësht të komunizmës origjinale shqiptare. Jemi të rrethuar me përcjellësit e kësaj trashëgimie të rëndë, që merr të përpjetë në gjeste, akte e sjellje, - në konceptimin e të vërtetave tona, në sektet mediatike, në vetë dyfytyrësinë bizare, nënshtrimin dhe përshtatjen ndaj të fortit apo fitimtarit, në cilësinë e bashkëkohësit tim, në kriptograminë e padeshifrueshme të idealit të tij me disa standarde njëherësh. Dhe nëse vazhdojmë t’i numërojmë ato cilësi më të dukshme të natyrës së bashkëkohësit tonë, s’do fort mend ta shohësh të ardhmen në surrat, se çfarë ngërdheshjeje premtuese ka.
Sigurisht këto nuk i thonë librat e historisë me monopolin e vetëm të hartuesve të saj, të shkollës së Paskal Milos. Por mua, që më intereson të di jo vetëm faktin e rehabilitimit të të pushkatuarve, të cilëve ende nuk u dihet varri, mua që nuk kënaqem me faktin se familjes së X/Y ia sollën njeriun e tyre në trajtën e një qeske najloni me dy-tri eshtra, mua që nuk më ngushëllon një copë letre, e cila dëshmueka pafajësinë e tyre, - mua nuk më mjafton asnjë libër historie me fakte koprrace. Sepse mua më intereson të di çfarë u bë me njeriun, të cilit një mesdite të bukur a natën vonë, në shtrat me gruan dhe fëmijët në shtëpi, erdhën dhe e morën, për të mos e kthyer më kurrë; mua më duhet ta di mirë, çfarë u bë me njeriun, të cilin e arrestuan në mes të auditorit, në zyrë, në kafe mes miqsh; çfarë u bë me këtë njeri në të gjitha ditët e viteve të pasosura të burgut, derisa e kthyen si një thes kockash, në një mjedis armiqësor e të izoluar, me rini dhe energji të bjerrur nëpër kampburgje. Dhe për këtë ia vlen “të jetosh e mendosh” kokë e këmbë në të shkuarën, të pezullosh çdo lloj të ardhmeje të rreme, përderisa e shkuara nuk ka mbaruar. Ajo është me ne dhe, për më tepër, na pret. E shkuara jonë pret të shlyejmë llogaritë me të, në mënyrë që ajo të kthehet në Kohë morale të njeriut. Dhe nëse përballë kësaj bindjeje të ngulmët që kam, gjenden mijëra e miliona të tjerë që më kundërvihen me qindra miliona fakte, përballë tyre kam veç një përgjigje, në frymën e Hegelit: “Atëherë, aq më keq për faktet”!
Çështja e ndarjes me thikë të kohëve më ndërmend një perëndi pagane romake, Janus-in, perëndinë e zanafillës, përtëritjes dhe ndryshimeve, i cili paraqitej me dy fytyra: njëra, e plakur dhe e rrudhosur (nga tmerret që ka parë), që sheh e kthyer prapa, dhe tjetra, e re, pa asnjë rrudhë, që sheh para, me gjasë, në të ardhmen. Janusi ishte një ndërmjetës (negociator) në çdo punë a vepër njerëzore, pasi akti i çdo njeriu a shoqërie, vërtet zë fill në të shkuarën, por projektohet fuqimisht në të tashmen dhe në të ardhmen. Nëse do të ndiqnim këshillën e moskthimit të kokës prapa, për hir vetëm të fytyrës së re të Janusit, atëherë do të na duhej ta ndanim me një presë në dy gjysma këtë hyjni të lashtë, d.m.th., të ndërmerrnim një akt kriminal të vrasjes dhe shkatërrimit të Kohës dhe Historisë. Por po të na i tregonte sot kjo hyjni pagane, në përvojën tonë, të dyja fytyrat e tij, atëherë besoj se të dyja do të ishin eshkë e djegur prej rrudhash, - njëra me llahtaret që hoqëm, tjetra me brengën që nuk nxumë dot mend.  

* * *
Duke iu rikthyer zinxhirëve që na mbajnë të lidhur me të shkuarën, dua ta reduktoj çështjen në të tashmen tonë: a mund t’u shpëtojmë vallë zinxhirëve që na mbajnë lidhur me të shkuarën? Sigurisht, nëse njeriu e ka të dobët lidhjen me sociumin ku bën pjesë, kjo e shkuar injorohet. Për egoistin, që kujdeset vetëm për lëkurën e vet, jehona e së shkuarës nuk thotë asgjë. E njëjta gjë është dhe për mizantropin apo optimistin trularaskë, që ka vetëm një përmasë kohore: përpara drejt.... peshkut, që s’është as mish, as peshk. Megjithatë më brengos shmangia, ikja, rrëshqitja, mosdashja për ta lexuar drejt dhe për ta kuptimësuar përvojën e kaluar.
S’ka as një javë që pamjet rrëqethëse të dy vajzave të lidhura me zinxhirë shëtitën nëpër ekranet dhe gazetat tona. Të nxjerra nga bodrumet dhe bimsat e errëta ku kishin qëndruar për 22 vjet të lidhura, këto forma antropoide pikëllimi i shfaqen ndërgjegjes tonë si pamje të largëta, të zbehura, a thua është fjala për një rrëfenjë gotike, apo për episode filmash horror. U shua habia brenda pak ditësh, u vu në lëvizje mekanizmi i plogët e i ngathët i shtetit, ndërsa studiot tona televizive ku bun gjithmonë i njëjti klan çkoqitësish, vazhdoi të tjerrë lodhshëm e mërzitshëm racionin e pallavrave politike. U quajt monstër e pashpirt ati i atyre vajzave, një plakaruq i mbaruar 75-vjeçar. U ngrit padi nga gjykata e Dibrës, duke dhënë të kuptohet se këtu ka shtet e drejtësi. Por çupat dhe djemtë e devotshëm që raportuan ngjarjen lanë jashtë pikërisht esencën e asaj drame, nyjen e saj, mënyrën se si u lidh. Nga ana tjetër, asnjë analist a sociolog nuk u interesua të dijë për kushtet dhe rrethanat në të cilat u ngjizën e u lidh fryti i helmët i kësaj historie.
Mundohem ta rrok me mendjen time thelbin e përzishëm të tablosë mesjetare që pamë, me dy fatkeqet e lidhura në zinxhirë, - Fllanxa dhe Fidania, përkatësisht me moshë 47 dhe 38 vjeçe. U interesova për dramën e tyre. Komshinjtë e tyre, katundarët e Maqellarës, thonë, se fatkeqësia e tyre fillon me dënimin e dytë të babait të tyre me 20 vjet burg, në vitin 1982. Ditën kur u dha dënimi i të atit, në fillim u çmend motra e madhe, Fllanxa. Në krye të vitit dha shenja edhe e vogla, Fidania. Moshatarët e saj thonë se Fidania sapo pati mbaruar shkollën e mesme me rezultate shumë të mira. Kush ishte i ati i tyre, Dine Keshi?
“Babain e vajzave e kam pasë njohur në kampin e Spaçit, në vitet 1978-1982... Pas ca kohësh, Dinia me zgjuarsinë natyrale të fshatarit dhe me cinizëm e marifet tallej me regjimin e Enver Hoxhës dhe dënohet përsëri në kampin e Bulqizës për agjitacion dhe propagandë kundër Partisë së Punës dhe Enver Hoxhës me 20 vjet të tjera. Pastaj e sjellin në kampin e të burgosurve politikë në Spaç të Mirditës, ku punonte në minierë. Kam mësuar nga kontaktet me të, se fëmijët i kishte të vegjël në moshë, se gruan e kishte të sëmurë rëndë dhe se asnjëherë nuk ka ardhur për ta takuar në Spaç. Dine Keshi duhet të jetë liruar nga burgu nga viti 1991, me pak fjalë nuk ka pasur kohë të merrej me fëmijët e tij”, - shkruan një qytetar në faqet e gazetës “Shekulli” online.
Duke u nisur dhe nga pamja skandaloze e përtrollëzës së tij në foto, ne mund të restaurojmë një tablo të përditshmërisë së asaj familje, me ose pa babain, para ose pas vdekjes së parakohshme të nënës së vajzave. Në të gjitha versionet e lajmit mbi këtë ngjarje, është fshehur origjina dhe motivet e tragjedisë në kohën, kushtet dhe rrethanat që e ngjizën. E sjell shembullin e tyre në këtë shkrim për të theksuar pamundësinë tonë për t’iu shmangur përjetimit të së shkuarës. Sepse shkaqet e zinxhirit të fatkeqësisë së tyre nuk janë abstrakte dhe nuk lindën prej vetvetiut. Sigurisht, ne mund të bëjmë (dhe kemi bërë) sikur nuk i shohim; kemi vënë paftet e kalit përanash syve për të parë në delir vetëm drejt, përpara, por mu në kulmin e delirit ngazëllyes, futurologjik, shkundullohet së thelli nesh, ngre krye e kaluara e lidhur me zinxhirë në bodrumet tona (alegorike) dhe përballemi në dritë të diellit me monstrat që kemi strukur përposh vetes. Sepse nuk e bëmë kur duhej përballjen tonë, por pritëm për 22 vjet rresht që ta shohim, tashmë nga ekrani i televizorit brenda komfortit shtëpiak. Ka diçka që kërcet, që thyhet në brendësinë tonë – një qelqe vaji e pikëllimi të pangushëllimtë, diçka mashtrimtare me të cilën e kemi gënjyer veten... Por, nëse kemi guximin të shohim drejt, në zemrën e terrinës së tij, Bodrumi ynë gjallon monstra. Dhe herëdokur vjen dita që këto pamje të gjirizeve tona të trazohen, të kërkojnë të drejtën e ekzistencës së mbetur peng ndër kohëra, të na ndëshkojnë për shpërfilljen tonë, të na printohen nga “zemra e errësirës” drejt në fytyrë, para syve, në mes të retorikës hipokrite “europiane”. Pra ne s’i paskemi larë hesapet me të kaluarën tonë, sepse përveç mentalitetit, përveç të vdekurve, përveç gërmadhave njerëzore, përveç trashëgimisë që nuk jep shpirt, si krimineli i fundit, paskemi ushtrinë e viktimave të përçudnuara, që i mbajmë me zinxhirë... Jo ai plaku 75-vjeçar, që vetëm zinxhirë ka njohur në jetën e tij nga dita e dënimit, por jemi ne që s’duam të ndeshemi dhe t’i dërrmojmë tërë hallkat e atij zinxhiri të shkaqeve dhe pasojave. Jemi ne, që zhvillojmë në finesa nihiliste indiferencën, prirjen e arsyetimit, tipin e marrëdhënieve me të vërtetat tona. Po për ku nxitojmë vallë si të ndërkryer? Të kapim çfarë? Humanizmin e ri?! Edhe në Mars të fluturojmë, tringëllima e atij zinxhiri të ndryshkur në lagështinë e bodrumeve tona do të na rëndojë në ndërgjegje. Dhe atëherë do ta kthejmë kokën pas, të shohim ... veten tonë, në vetë të parë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora