E merkure, 20.11.2019, 11:08 PM (GMT)

Reportazh

Kepi i Rodonit, Atje ku nuk u ringrit Arberi

E marte, 27.03.2007, 08:26 PM


Shkruan : Ben Andoni

Skënderbeu “i Ri” duhet ta ketë kuptuar shpejt se entuziasmi i tij djaloshar dhe hija e gjyshit nuk mjaftonte për të ndërtuar ngrehinën e paraardhësit. Gjithsesi, “i çmenduri”, si po e thërrisnin shpesh e më shpesh venedikasit, donte ta shpërthente këtë korracë që e mbështillte. Ishte emri i gjyshit, që e mbante të trazitur keq, por dhe bëmat e tij, që e grishnin. Si për ironi të fatit, kishte zgjedhur vendin, që Skënderbeu, ai i vërteti, kishte kërkuar t’u shpëtonte në të gjallë otomanëve, bash në kulmin e egërsisë së tyre...Paqtimi i mjedisit, pylli i dëndur pranë, një kishë gati e rrënuar dhe një manastir, që e kishte ngritur halla e madhe Mamicë, sërish nuk mjaftonin...për bëmën e tij, një shekull më vonë, që do përfundonte ende pa nisur.

Në Shën Pjetër

Pak kilometra dhe shekuj më pas, në “kontinent”, në këtë fillim pranvere, gjërat janë më të realizuara. Në Kep nuk ka se kush të zbarkojë, ndërsa peshkatarët, larg tij në stere, luajnë me potere domino. Mbi të gjithë, shquhet trupi i drejtë i Mëhill Kacit. Flokëthinjur. Shumë simpatik dhe atlet. E ngre krahun dhe pastaj e përplas me uturimë duke përdorur dhe shpatullën. Burrat, që e ke vështirë tu përcaktosh moshën, janë të pazëshëm rreth tij. Një tavolinë e lerosur, bosh; një tjetër më e lerosur shtrihet andej tej; kurse tre njerëz të policisë pyjore ia kanë marrë shtruar me një ziafet që në mesditë. Një grua nuk na i ndan sytë. Askujt nuk i bën përshtypje ardhja e të huajve në fshatin e Shën Pjetrit, ndërsa dy peshkatarë më tutje, japin e marrin me një makinë të ardhur nga Durrësi për Pazarin e peshkut. Në fakt, të gjithë banorët merren me peshkimin në Shën Pjetër. Prodhimin u duhet t’ua shesin njerëzve, si ky, me një Mercedes të fillimviteve ‘90, që i torturojnë pafund në pazar. “Ejjj, e dini nga kam ardhur”, i pyet djali i ri durrsak. Ua di hallin shkretanëve. Ka një farë të drejte, sepse të shkosh deri aty duhet të stërlodhesh më shumë se rruga me gunga, që është vetëm 22 kilometra nga magjistrali kryesor i Shqipërisë, që lidh Tiranën me Durrësin. Jemi kthyer pak në Sukth, pastaj për të mbërritur në Shën Pjetër kemi kaluar Kullën 6 kilometra më tej. Pas saj Manzën. Një qendër bashkie, që e dëgjon vetëm kur ka zgjedhje. Pastaj në Shkallë. Edhe kjo dy kilometra, sërish në një rrugë pa rrugë. Më pas Tërmala dhe Shkathona...njësoj dy kilometra. Një stacion i fundit në një fshat të çuditshëm me emrin Rrotulla, që është më tutje tri kilometra, dhe pastaj direkt fshati. Një rrugë segmentare, që më kujton Akilin me breshkën. Në tavolinën tonë, gruaja vjen menjëherë. Duket e kënaqur me pazarin që kanë bërë peshkatarët. Por një shikim i të shoqit e step dhe vendin e merr një burrë i ri, që na shikon sikur po i kërkojmë të na heqi udhë në West. “Duhet me pagu me shku andej. Se për kët makinë që keni, nuk ka vlerë. Nuk shkoni, sikur të ngjallet dhe Skënderbeu. Më skaf vetëm...”. Sekseri barist na thotë se askush nga peshkatarët nuk luan nga tavolina nëse nuk i jep 4.000 lek të thata në dorë. Me pak fjalë, që të ikësh në një nga perlat e turizmit shqiptar, të duhet të paguash një skaf të vogël. Ndryshe, shikoje nga bregu- më thonë duke qesëndisur, për një pikë hipotetike në horizontin ujor, që nuk shihet për shkak të relievit dhe largësisë...
Mëhilli, 43 vjeçar, që ka dalë garant për rrugën, na shikon nga larg, por pa na dhënë aspak mbështetje për pazarin. Në fund të gjitha palët janë dakord. Mëhilli ngjitet mbi këmbët e forta dhe tash fytyra i ëmbëlsohet. Për fat nuk është llafazan. Nuk ka mbaruar ende, sepse që të shkojmë drejt motobarkës së tij, në një si tip vendgrumbullimi të peshkatarëve, na duhet edhe një 30 minutësh me këmbë, në një bregdet që nuk ka të sosur...Kënaqem me shushurimën e ujit dhe guackat, por edhe me konceptin e largësisë, që më tregon Mëhilli. Ajo nuk është asnjëherë e saktë. Ia fal, ngaqë peizazhi i Adriatikut, nën pushtetin e një ere që fryn nga toka, është i këndshëm dhe grishës...Pak minuta më vonë jemi në det, në një barkë pisërisht pisanjose. Në det, historia është më e thjeshtë. Jemi në dorë të Mëhillit, që më duket një çast si kapiteni Hateras. Pak gjëra i bëjnë çudi, por rrugës e tregon që është një qenie e shushatur. I duket çudi se pse na bën aq përshtypje ikja në këtë vend, mundimi...Udhës më tregon trashë për vendndodhjen e lumenjve. Nga Shëngjini, përballë Kepit të Rodonit, është një ultësirë që shtrihet nja 30 km, ku derdhen së bashku Drini, Mati dhe Ishmi.
Kepi i Rodonit, që mban emrin e një hyjnie ilire të ngjashme me Poseidonin helen dhe Neptunin romak, që njihen si perëndi të detit, është një nga pjesët më të bukura e strategjike të bregdetit shqiptar. Por, që kuptohet për guida, sepse shqiptarët e sodit, as nuk u duhet ndonjëherë të nxjerrin zorrët këtej. Ka qenë aq i rëndësishëm në kohë, saqë në shekullin e XIII-XIV, Topiasit kishin ndërtuar një kantier për ndërtimin dhe riparimin e anijeve. Por, në atë kohë, mendohej ndryshe dhe Rodoni ishte një qendër e njohur tregtare, jo të shushatur si të sotmit. Gati një orë më vonë në det shfaqet nga larg nën një diell të ndritshëm Gadishulli me gjatësi dy km. Ai të mrekullon me gjelbërimin dhe në majën e tij, pak kohë më vonë, na ofron pamjen e kështjellës së ndërtuar nga heroi ynë kombëtar Skënderbeu. Pranë saj është rindërtuar kisha e Shna Ndout, një prej dhjetra institucioneve françeskane, që u ruajtën gjatë gjithë mesjetës së vonë në këtë zonë. Por jemi ende larg. Ndërsa Mëhilli na tregon pak zonën mbushur me ujra dhe këneta të vogla, që ndërpriten nga kanale qorre dhe ku stereja më e qëndrueshme “është akoma e mbuluar me macchia dhe pyll, si një dëshmi e atij pylli të dendur bregdetar, që dikur përfaqësonte një pasuri për Shqipërinë”. Këtë e kam lexuar në një artikull shumë profesional të Ark. Shkrelit. Ky i fundit më ka grishur shpesh të shkoj ta shoh këtë mrekulli...
Më shkëput nga përsiatjet peshkatari, që më tregon për familjen. Monologon, por e shikoj pa dëgjuar. Për fat këtë ndihmë ma jep valëzimi i dallgëve. “Kam dy vajza dhe një çun dhe nusen”. Këtë të fundit e thotë sikur të jetë kafshë barre. “Jetojmë me peshkim, më shumë bujqësi. Peshkun e marrin këtu dhe të tjerët vijnë e e marrin më lirë”, tund kokën me hidhërim. “E mban dot familjen me atë?!”, e pyes. “Hajt sa me jetu. Merremi dhe pak me bujqësi. Shën Pjetri ka 420 banorë, por të gjithë kështu jetojnë”, më tregon. Pastaj shton befas: votojnë për PD-në. “Kanë premtuar shumë por asgjë s’kanë bërë dhe njëri dhe tjetri. Rrugë, ujë...Ujë nuk kemi”, më përsërit peshkatari. Kronikë shqiptare e shekullit të XXI. Bëjnë sikur punojnë. Ikin në emigracion. Dalin në qytet. Mbijetojnë...dhe pastaj ikin.
“Ka Zot. Ne besojmë në Zot se jemi të gjithë katolikë”, më thotë teksa zbresin në një bregdet krejtësisht të virgjër. Të duket vetja si diversant...Ndërsa Mëhilli vazhdon monologun dhe afron varkën në bregdet. E ndihmojmë. “E kemi festën lokale më 28 qershor...”, vazhdon monologun ai.

Në Kishën e manastirit së Shën Ndout në Kep...

E nxjerrim varkën në stere. Pak minuta më pas, sërish duhet t’u japim këmbëve. Buzë valës dhe pastaj drejt një monopati ranor. Nuk ka qendër të banuar. Shihen vetëm bunkerë dhe barishte. Rëra ka mbledhur pafund papastërtitë e detit dhe mbetjet e plastikës së njeriut të ri të konsumit. Pak nga pak, duke ecur zhytemi në vetminë e kepit, ndërsa repartet ushtarake, që kishin mbirë si kërpudhat, tashmë janë të katandisura si mos më keq. Nuk ka më ushtarë, por dikur ka pasur një dyzinë repartesh: Artileri, kundërajror, xhenio besoj...Një kalë ushqehet i vetëm, derisa pak nga pak, shquhet në horizont ajo, kisha. Eshtë e vetmja kishë që ruhet në gjëndje gjysmë të rrënuar nga tri manastire që përmenden në burimet historike në këtë zonë. Burimet tregojnë se e ndërtoi motra e Skënderbeut, Mamica, për murgeshat e Shën Klarës.
Veseli, 35 vjeçar dhe Ndue Gjin Plaku punojnë të patrazuar. Mbase bëjnë kinse, pasi na kanë parë. Por, nuk i rëndoj, kur shikoj punën. Nuk më lënë të afrohem. “Punoni Ju në këtë kishë...?”, i pyes. “Po...nuk lejohet”, më thonë prerë pa i pyetur.
Jemi të vetëm në këtë ishull (në fakt është kep) me dy burrat që nuk na lënë, por shqiptarët e kanë vështirë kuptueshmërinë, sidomos brënda llojit. Pas pak telefonatave në qendër jemi miq. Ndue zbret nga skela. Veseli, që drejton punët, bëhet miqësor. Punojnë në nefin e rrënuar. Veseli është më i ngeshëm, ndërsa Ndue barkmadh, gjithsesi, heton parreshtur. Na ftojnë për të na treguar, por gjithmonë hetueshëm: “Më 13 qershor vinë 5000-6000 banorë”, më thotë Veseli në nefin kryesor të Kishës. Ajo, tash, është rindërtuar, por ka humbur atë që duhet të ketë pasur kohë më parë. Afresket, dritaret (që janë përshtatur), dyert... “Shohin meshën, që jep prifti. Eshtë At Zefi. Vijnë seicili në familjen e vet dhe ikin në shtëpi”. Në Shetaj, ku jeton ai ka myslimanë, veç fisit të Ndues, që kanë qenë katolikë. Familja e tij është kujdesur për kishën prej qëmoti. Ma tregon me krenari. Katragjyshi, stërgjyshi, gjyshi, baba dhe unë. Ka ardhur dikur nga Fani i Mirditës...Por me myslimanët nuk kanë probleme. Ndërsa, fiset që janë Kaci, Mesiti, Brahimi mblidhen bashkë në ditët e festës. Vetëm se në kohën e Enverit nuk ishte kështu. Rodoni, pranë detit, ishte i mbjellë me repartet e artilerisë, këmbësorisë. “Kanë qenë 14 reparte dhe kishte shumë ushtarë. Kishte vend internimi dhe vinin nga e gjithë Shqipëria”. Një familje është larguar që këndej dhe përmes vijës bregdetare ka përfunduar në Jugosllavi. “Kanë dal me ca dru. Kanë ba trap dhe kanë ik familjarisht”, më shpjegon Mëhilli, që rri si i shushatur në kishë. “Pse është prishur kaq shumë?”, e pyes dhe sytë më mbesin tek shqiponja që është në absidë. Ndodhet edhe një lejlek, por nuk e kuptoj dot atë simbolikë. “ Ka qenë depo deri në vitin 1960. Pastaj kanë hy monumentet e Durrësit dhe kanë bërë ca restaurime të pjesshme, të cilat duken dhe nga jashtë. Këtu është shumë e theksuar çimento “. Në fakt ushtria e ka katandisur në këtë gjëndje, që është edhe sot.
“Kanë ardhur edhe antropologë dhe kanë marrë ca eshtra. Mendohet se ka qenë Jonima...
“Kanë ardhur edhe sarkofagët dhe tash është në studim...
Këto janë dritaret origjinale me dimensionet klasike dhe këto të tjerat janë ndërtuar pa u prishur me karakteristikat origjinale. Janë bërë me fugaturë të bardhë dhe pa çimento që i dallon restaurimi i institutit...”..flet nga pas veshit Veseli.

Mamica mendohet se ka vdekur dhe ka mbyllur jetën më këtë vend. “Kjo është forma origjinale me tulla në formë konike. Këto afresket kanë qenë të veçantë dhe kanë pasur shumë rëndësi kulturore. Të gjitha janë prishur dhe këto kanë qenë edhe dëmtimet më të mëdha nga ushtria, por edhe nga keqbërës të ndryshëm. Në vitet 1960, ka qenë pa çati dhe gjysmë rrënojë dhe më pas ka qenë dëmtuar shumë. Unë e mbaja veten se isha fëmijë dhe vinim...”, më shpjegon Veseli, që pak minuta më vonë më përcjell në manastir. Atje ka mbledhur forma basorelievi, që janë dëmtuar me kalimin e kohës. Për njërën pjesë pretendon që është Mamica si kalorëse, por edhe forma të tjera, që tash kanë mbetur aty. Manastiri i atribuohet Mamicës, që iu kushtua një sekti shumë të veçantë...
“Shenjti Shna Ndou! Lutu për ne...O i mrekullueshmi Shna Ndue, qielli dhe toka janë të nderuar, Në anderr këtu.. kena ra, po të lutena nder me na ba...”. E shkruar në këndin e majtë të nefit kryesor, ajo më tregon se banorët janë të ndjeshëm për këtë vend. “Të gjithë këtë pjesë të afreskut, ne përpiqemi ta mbajmë në këtë gjendje që është. Ky është narteksi i brendshëm. Ne kemi punuar në nefet anësore të majtë dhe të djathtë. Një nef është i mbuluar tjetri jo, ndërsa përmasat e kishës janë 4,70x13,50”.
“Ky është shenjti me dorën dhe këmbën, por është shumë i dëmtuar, më rrëfen punëtori pasi rikthehemi në kishë. E panë specialistët dhe mendojnë se është varr murgeshash. Ne kemi bërë ndonjë konsolidim, ndërsa dritaret janë pjesërisht tonat, por pa prishur konfiguracionin.” Këtu ka mbaruar monologu, por edhe përpjekja, që tash u është lënë njerëzve, si ai.
Veseli fillon e bëhet shumë më miqësor. Më tregon tashmë se ka bërë shkollën bujqësore, se ka punuar në ushtri dhe falë inxhinier Sulës (Sulë Dashi, është specialisti i vjetër i monumenteve) ka ardhur këtej.
Kjo kishë ishte një ndër kuvendet më të vjetra françeskane që iu dha misionit më 1599. Kisha përfaqëson një shembull me inters të gërshetimit të tipareve romaniko-gotike me ato bizantine, karakteristikë kjo për vendet ndërmjet dy rrymave të mëdha kulturore si ishte Shqipëria...Të paktën këtë nuk ka nevojë të na e tregojë. Ndahemi. Kisha mbetet përsëri e vetmuar nga pas, nën pushtetin e dy burrave, që janë më të pastër se ne. Fillojnë. Kinse punojnë.
Largohemi...Shumë fosile rrugës, guacka, dhe pak nga pak Kalaja, shfaqet njëzet minuta më vonë. Këtu mrekullia është kudo.

Kështjella

Një kullë e ndërtuar me një formë mrekullisht të harkuar ngroh barkun. Tutje një kullë prehet në ujë. Kjo, që dikur ka qenë një nga kështjellat më të rëndësishme në rrethinat e Durrësit, kishte emrin e Skënderbeut. Për herë të parë, Rodoni përmëndet në vitin 1324 si një qendër piratësh. Ky kuptim na ngroh dhe qesëndisim pak kalanë e fisme, që nuk i shkon ky përcaktim. Sepse jo shumë “larg”, gjatë shekullit të XIV në afërsi të kështjellës së sotme, që kulmon mbi ujë, ndodheshin tre manastire si edhe shtëpi të rralla, që tregojnë për fillimin e lindjes së një vendbanimi të mirëfilltë. Në këtë periudhë ky vend shërbente gjithashtu si një port i vogël për tregtimin e drithit, që vinte nga krahina e Ishmit. Por, ajo i ka shërbyer heroit kombëtar edhe si doganë. Në fakt, larg këtyre, kështjella, vetë, u ndërtua vetëm në kohën e Skënderbeut. Barleti rrëfen se Mehmeti i II, pas Rrethimit të tretë të Krujës erdhi në vendin e quajtur “Kepi i Rodonit”, ku Skënderbeu kishte ndërtuar një qytet dhe e prishi atë. Për ndërtimin e kësaj kështjelle nga Skënderbeu bëjnë fjalë një numër i madh dokumentash veneciane të viteve 1500-1501, si edhe disa kontrata që Skënderbeu kishte lidhur me mjeshtër ndërtimi nga Raguza në vitin 1463. Në të vërtetë, forma e saj nuk të lë shteg dyshimi.
Fortifikimi i Rodonit të sotëm përbëhet nga një mur barrierë, i cili përfundon me kulla në det, që ndajnë Kepin nga thellësia e tokës. Kështu krijohej një zonë e mbrojtur me gjatësi katërqind metra dhe gjerësi njëqind metra. Brenda murit barrierë ishte e ndërtuar një kullë gjysmërrethore, që venecianët e quajtën “Torion”, ndërsa një kullë e veçuar ishte ngritur në një pikë të bregut të detit, prej nga mund të shihej Kështjella e Krujës dhe të komunikohej me të, me anën e sinjaleve të tymit apo zjarrit. Para murit ndodhej një kanal i thellë që mbrohej nga frëngji topash. Ndërsa në sheshin kryesor të kalasë, një stemë e gdhendur në gur qëndron e patrazuar. Pak Mesjetë në shekullin e XXI. Mëhillit nuk i bën përshtypje asgjë. I tregoj sesi për rindërtimin e kësaj kështjellë u interesuan së tepërmi venecianët në vitin 1500, që ishte e lidhur me përgatitjen e tyre për një kryengritje të armatosur kundër turqve, që do të kryesohej nga nipi i Skënderbeut, Skënderbeu i Ri. Kalkulim i pastër. Në rast fitoreje, venecianët do të rifitonin kështjellat e humbura në bregdetin shqiptar. Nuk fituan. Ndaj sot është kështu e braktisur nga motet, njerëzit, turizmi...E ka braktisur historia. “Një stemë, e gdhendur në gur e një fisniku venecian, destinuar për portën e parë të hyrjes mban datën 1500, ndërsa stema tjetër për portën e brendshme kishte mbetur e papërfunduar. Pas tërheqjes së Skënderbeut të Ri, që kishte zbarkuar në Lezhë në mars të vitit 1501 dhe pushtimit po këtë vit të Durrësit nga turqit, venecianët e braktisën kështjellën, e cila nuk u përdor më kurrë...”, lexohet në kronika. Nuk ka më kohë. Ndërsa Mëhilli ngutet. Nuk ka marrë ende lekët. Dyshon. Eshtë i vetëm. Gjithsesi krenar.

Pak histori

I rrëfej pak për kalanë. Nga Ark. Shkreli, i apasionuar pas këtij objekti, kam mësuar shumë më tepër. E citoj:” Osmanët kishin mundur t’ia merrnin portin dhe kështjellën zotneshës Rudinë të Vlorës në vitin 1417, duke mbajtur nën kërcënim të drejtperdrejtë sovranitetin e njërës ndër mbretërive të forta të kohës, mbretërisë spanjolle të Napolit. Kështu pra, dalja në det ishte një domosdoshmëri për një principatë agresive si ajo e Kastriotëve që me luftën e saj “të paparë”, po hidhte bazat e një shteti kombëtar.
Terreni ishte i përgatitur. Qe shek. XIV, principata e Topiajve shtrihej edhe mbi Kepin e Rodonit me synime mbi gjiret detare deri në Durrës. Në këtë kohë Topiajt zotëronin në Kepin Melie, ose Kepin e Rodonit, edhe një flotë të përgatitur për mbrojtje nga flota venedikase, dhe kjo bazë ishte e lidhur me Krujën nëpërmjet lumit Ishëm.
Në Mesjetën e vonë, kryesisht në shek. XIV-XV, raguzianet trafikonin dëndur në zonë, kryesisht në Lezhë - porta nëpërmjet së cilës tregëtia veneciane depërtonte në brendësi, por dhe në derdhjen e Matit dhe të Ishmit e në radën e mbrojtur të Kepit të Rodonit. Edhe sot ankorimi në lindje të Kepit të Rodonit ofron një mbrojtje të mirë nga erërat e kuadrantit jugor. Megjithatë trafiku detar në këtë zonë ka qenë i rrallë. Ky trafik shqetësohej jo rrallë nga pirateria, që ushtrohej prej shqiptarëve të strehuar ndërmjet Kepit të Rodonit dhe Bishtit të Pallës, por dhe Gjirit te Drinit....
Ky pra ishte vendi i duhur. Me 1452, ndonëse i izoluar nga princat e Lidhjes, Skenderbeu siguron para nga Alfonsi i Napolit për të rindërtuar dy kështjella, atë të Modriçit pranë Sfetigradit që kontrollon ultësirën Maqedonë dhe atë të Rodonit, pranë Durrësit. Kjo i shkonte për zemër edhe sovranit spanjoll pasi dalja e Skëndërbeut në det do të ishte dhe një bazë e mirë për ta në këtë anë të Adriatikut. Punimet u bënë me shpejtësi, por Skenderbeu tani nuk kërkonte vetëm një fortesë ku të tërhiqej me familjen në rast nevoje, por një qytet të tërë, ndonëse në 1455 ai këshillohet prej raguzianëve që të mos shkonte më tej për zmadhimin e kështjellës së Rodonit. Barleti, në kapitullin e dhjetë të “Skënderbeut” tregon se ndërmjet një beteje dhe një tjetre shkonte për të pushuar dhe për gjueti në Bisht të Muzhlit.
Kështu në vitin 1467, ai ende diskutonte me venedikasit për projektin e vjetër të nji “instauratio loci Rhodonorum”. Fabianitz në librin e tij për “Historinë e franceskanëve në Dalmaci dhe Shqipëri” thotë se “sipas tregimeve e motra e Skënderbeut kishte blatuar në këtë vend një manastir për murgeshat e shën Klarës”. Tradita tregon që Mamica ka kaluar vjetët e fundit të jetës në kështjellën afër kishës.
Në vitin 1463, Skënderbeu rifillon ndërtimin e Kalasë së Rodonit me muratorë Raguzanë dhe më 1467 përfundojnë punimet e Skëndërbeut sipas teknikave më të përparuara. Zgjidhja e kështjellës ndër më të përparuarat e kohës, bërë për t’u rezistuar armëve të reja të zjarrit ishte teorizuar nga konstruktori i njohur i fortesave Mariano Jacobo.
Dhjetë vjet më pas më 1488, papa Inocentit VIII, ua jep Manastirin e Rodonit françeskanëve të Provincës Dalmate, dhe zona ka një frekuentim të rëndësishëm dhe lidhje të forta me detin pasi otomanët nuk mund ta kontrollonin këtë pjesë të Shqipërisë. Më 1500 Venediku ngarkon Andrea Michiel, proveditor në Shqipëri të mirëpresë “l’alleanza dei Redoni” e të shqyrtoje, me qëllim përfundimin eventual, të fortifikimeve të filluara nga Skëndërbeu. Venecianët kryejnë punime rindërtimi duke shtuar edhe elemente të reja fortifikimi. Pas largimit të Skënderbeut te Ri më 1501, kështjella nuk u përdor më.Venedikasit largohen nga Rodoni dhe turqit shkaterrojne përfundimisht kështjellën”.

Epilog
“Ej. Nuk kemi kohë”, më kthjellon Mëhilli. “Unë në det jam. Ti ke shumë. Ke det ke dhe tokë”. Ka të drejtë kur kujtoj udhëkthimin. Rikthehem duke shkelur kujdesshëm mbi fosile. Lemë pas kalanë dhe në një monopat befas shfaqet ogurzi një gjarpër. Ikën. Ikim. Pak minuta më vonë shtyjmë një barkë të keqe dhe jemi pjesë e detit, që na dhuron valë dhe largim. Jemi jashtë legjendës dhe harresës, që i kanë dhënë këtij vendi. Në fakt, hijen e Kastriotëve nuk e mbushin dot vdekëtarët e sotëm. Sot dhe mot. Eshtë ag i pranverës 2007.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT