E marte, 17.09.2019, 06:09 AM (GMT+1)

Reportazh

Kolonjë, në qytetin e shqipes së Rilindasve

E shtune, 27.01.2007, 09:23 PM


Shkruan : Ben Andoni

I plandosur në shtrat me sytë e perënduar në boshësi, Petro Nini, kishte marrë rrugën e tij drejt të pasosurës. Edhe pak, dhe nuk do të kthehej dot më kurrë nga andej. Ata pak njerëz që e rrethonin, e shikonin se burri, që i kishte strehuar shkronjat shqip, nuk mundej më. Ia kishin dalë ata, të këqinjtë...Përkohësisht, sepse ai vetë tashmë u kishte trasuar rrugën.
...Me sytë e fiksuar në atelienë e tij modeste, 70 vjet të shkuara, skulptori i njohur Odhise Paskali, kishte marrë një detyrë të vështirë, sesi t’i jepte jetë një memoriali kushtuar Heronjve të Rilindjes, që ai do t’i identifikonte me kolonjarët. Dhe, jo më kot. Në të gjithë vendin, emrat e kolonjarëve, kishin personifikuar Rilindjen. Ishin ata që nuk mund të turpëronin panteonin shqiptar, të tillët si Fan Noli, Jani Vreto, Shahin Kolonja, Petro Nini, Papa Kristo Negovani, Gjerasim, Gjergj, Parashqevi e Sevasti Qiriazi, Themistokli Gërmenji, Spiro Bellkameni, Sali e Gani Butka etj...

Në qytetin e rilindasve

Sot, Shqiponja e Paskalit, kushtuar heronjve të Kolonjës, rri e vetme në lulishten në mes të qytetit të gurtë. Eshtë pas Kolibes së vetme, që mban gazetat e qytetit, dhe që i qëndron kundruall Bashkisë veshur me gurë. Arjani 40 vjeçar, njeriu i tyre, një burrë i shkurtër dhe i qetë, të shpjegon thjeshtë se qyteti lexon dhe është shumë i interesuar, por ja (Ngre supet) që...leku po tkurret. Fjala e tij ikën dhe ai hedh vështrimin te një vogëlush që luan për qejfin e vet, i patrazuar nga hallet e të mëdhenjve. Retorikën e tij e presin panelet e gurta, që janë kudo në qytet. Në fakt, në Ersekë, gjithshka është me gur, ndërsa repartet e mjeshtrave kolonjarë, gdhendjen e gurit dhe drurit e përçuan kudo, deri në periferitë e vendit, ku u thirr dalta e tyre. Në muzeun etnografik gjen pak punë të tyre. Mbrojtur me shpirt, nga një punonjës shumë i kulturuar, modest, që të rrëfen me ngazëllim. Një moment më tregon me dhimbje, plumbin që ka përshkuar një pitos, që të pret sa hapet dera. Ehhhh...shfryn. “Talenti i kolonjarit është shtrirë kudo ku ka shkelur këmba e tij”, më thotë me vargje. Dhe, kolonjarët e kanë një rrënjë në vend, sepse kështu kanë bërë ata të mirët, atyre që u këndojnë në këtë vend. Kudo ku ishin lanë namin e vërtetë të vendasve si të kulturuar dhe të ndershëm. Drejtori, ky burrë që më shoqëron, shumë i dhënë pas kulturës, (Aleks më duket se quhet) është gati të tregojë duke recituar se kush ishin kolonjarët. Një moment e mbyt patetizmi... dhe të duket se Shqipëria ka vetëm kolonjarë...
...
Pas gati 1 ore e pak, pasi kalon dhe një pllajë, të del fshati i parë, që shtrihet afër qytetit. Eshtë i paqëm me njerëz të veshur pastër, por njësoj i varfër si në të gjithë Shqipërinë. Koha është ndalur frikshëm në këto vende, në arkitekturë dhe në dizenjimin e vendeve, sepse edhe parrullat e Partisë së Punës duket se nuk janë fshirë me ndonjë përpjekje të madhe. “Çdo populli e bën Partia dhe ç’thotë Partia e bën populli” është në kurrizin e një si fjetine, që të mirëpret në viset e kolonjarëve.

“Eshtë fat të jesh kolonjar”

Pak minuta më parë pasi kemi marrë rrugën në të dalë të Korçës dhe ti drejtoheshim Ersekës, gjërat ishin ndryshe. Ndërsa humbisnin shtëpitë,bokërrimat me ato që dikur kishin qenë pyje, janë shfaqur pak nga pak...
Dy tabela të vetme, janë shumë pak për të treguar se pas është një qytet...Dhe, një i tillë, me emër kaq patriotik. Makina ecën e ecën për të kapur atë kuotë të madhe mbi det, që ka qyteti me lartësinë më të madhe mbi nivelin e detit në Shqipëri. Edhe rruga paqtohet në drejtim të Ersekës. Një pranverë e bukur, që duket se këtej e sjell me një puhizë të këndshme dhe freskinë, që të kaplon nga Gramozi i tejet. Por të 225 kilometrat nga Tirana janë bash shumë që të mendosh nëse ia vlen të jesh kaq larg. Më tepër akoma, më afër është aeroporti i Selanikut në Greqi, rreth 194 kilometra. Eshtë i barazlarguar nga Kapshtica në veri me rreth 80 kilometra dhe nga tre urat më të afërta në Përmet, rreth 75 kilometra.
Tullat e bëra vishnje nga kalimi i kohës të stresojnë disi. 15 minuta më vonë qyteti shfaqet natyrshëm, por jo me ndonjë ndryshim të madh nga fshati karshi. Vetëm se pastërtia e varfërisë është e fisme. Në qytet mbretëron qetësia dhe boshësia. Shumë boshësi, por njerëz të veshur fisëm, ndjekin të qetë rrugën. Nuk vikasin dhe janë të qetë në punët e tyre. Të rinjtë, si kudo, plasen në Kafe-llotot. Më të rinjtë akoma kuturisin bashkë çapkënllëqet e moshës.
...
Eshtë vetëm një shesh, si qëmoti, ku Noli erdhi me Fordin e tij, më thotë drejtori atje ku e kemi ngarë bisedën në pavionet e Muzeut. Sigurisht nga ajo kohë ka ndërruar, por jo emrin. Dy-tri rrugë presin njëra-tjetrën dhe asgjë më shumë. E shikoj Arjanin, gazetashitës, mos më tregon ndonjë gjë tjetër. “Kjo është e gjitha”, më thotë me sy. Nuk e kuptoj më shprehjen “Eshtë fat të jesh kolonjar”, por në variante të ndryshme, të gjitha rrethet e Shqipërisë, e thonë një gjë të tillë. Si për ironi, kufiri real me Bashkimin Evropian është shumë afër dhe e ndan gjigandi Gramoz. Atë ditë, shtatë djem të nisur nga qyteti, falë një celulari, kanë dhënë sinjalet e tyre të mbijetesës dhe më pas dihet: Skuadrat e shpëtimit të dy vendeve i kanë shpëtuar në zgrip të fatkeqësisë. Kjo e ka turbulluar pak qetësinë e qytetit, por jo përditmërinë e tij. Djemtë, që i ngjiten Gramozit, janë gjithmonë e më të përditshëm në vitet e fundit. Brenda në qytet dhe në vitin 1997 gjërat kanë qenë qetë. Si zakonisht kanë trazuar pak të ardhurat, që në ato vjet lanë dhe viktimat e tyre. Pak makinat që e përshkojnë për ditë Korçën në drejtim të Ersekës dhe anasjelltas, duket se janë shumë pak për të më treguar ndonjë zhvillim të këtij vendi. Po atëhere për çfarë duhet të jenë krenarë? Një pyetje e beftë, por që ka një përgjigje të thatë brenda. Mbase, për atë arradhë mësuesish dhe luftëtarësh, që i kanë falur Shqipërisë...Kaq. Asgjë më shumë.

Në Ersekë

“Rrëmuja” më e madhe në qytet ka qenë në fushatën e zgjedhjeve, ku për të katërtin vit, fiton i njëjti njeri. Quhet Adriatik Braçe dhe të impresionon disi me sensin e vërtetë. Mund të votonin dhe për atë tjerin, më thotë për kundërshtarin e tij,- por nuk pati shanse, ngaqë ishte doktor. Në fakt, është treguar sërish i mençëm inxhinieri, kur ka thënë se Ersekës, i duhet një njeri që të qëndrojë në zyrë dhe jo një njeri që e koncepton këtë punë part-time...Në fund janë ndarë mirë, bash mirë. Do të mjaftojë biseda e tij që të marr vesh zyrtarisht se çfarë i duhet vendit, ndërsa heshtja e banorëve dhe ankesat e atyre pak që flasin, nuk më thonë shumë.
Ndërsa fjalosemi pak në një nga klubet e qytetit, shikoj që dalëngadalë aspiroj shumë më mirë ajër. Ndërsa Gramozi ka një gunë të bardhë, që e ka të shtrirë tejet. Ai është fati i qytetit. Vendi që i pret erërat, që i jep ujin, që e ndan me grekun dhe që i fal këtë ajër të mrekullueshëm. Me një lartësi prej 1050 metra mbi nivelin e detit, ky është qyteti më i lartë në Shqipëri dhe falë këtij pozicioni, qyteti është në lidhjet e kësaj treve me të gjithë aktivitetet e rajonit duke përfshirë zonat që lidhen me ekonominë, kulturën dhe arsimin...Ky zhvillim ka vijuar pa ndërpreje që në mesin e shekullit të XVIII, sipas burimeve historike. “Tani nuk ia vlen më për asgjë”, më thotë kokëolur Arjani.
“Si në verë, ashtu edhe në vakancat e 1899, përveç librave që kisha blerë unë në Kolonjë, vinin nga burime të tjera botime gjithfarësh në gjuhën kombëtare, të cilat qarkullonin dorë më dorë dhe lexoheshin me enthuziasmë më tepër prej mohamedanëve, që ishin në shumicë dërrmuese të sektit bektashian, më liberal dhe më pak të krishterëve, shumica e të cilëve ishin helmuar nga kisha në favor të ndjenjave greke”, kujtoj një nga deputetët e njohur të kësaj zone në vitet ’30, Sejfi Vllamasin, që më sjell aromën e dikurshme.
Një qytet bash i organizuar mirë, duket se është një vend i mirë për të paqtuar. 70% e të diplomuarve shkojnë në shkollën e lartë, ndërsa biblioteka e qytetit ka rreth 50.000 vëllime, shpjegon Aleksi, që nuk resht së treguari me vete episode, histori. Reciton dhe njëkohësisht flet. Nuk e kam ndjerë kurrë këtë sens. Vendasit, si ai, janë të shëndetshëm.N ë të gjithë rrethin operojnë rreth 100 infermierë dhe disa doktorë. Mes tyre është edhe politikani pa fat i bashkisë. Një shifër, e referuar nga Instituti Urba thotë se: “Erseka ka një ndër bashkitë më të mira në Shqipëri”. Një fletëpalosje e ka me të madhe këtë. Nuk i ka shpëtuar modestisë kryetari. Paradoksalisht, banorët kanë jetë kulturore dhe shoqërore të vobegtë, ndërsa qëndra kulturore me emrin e “Fan Nolit”, njeriut që ka pasur origjinën këndej, shfaq disa aktivitete artistike dhe kulturore. Teatri i saj me 400 vende shfaq performanca jo cilësore, që në ditët tona janë bërë gjithmonë e më të rralla. Aleksi ia arrin të më tregojë muzeun e qytetit, që ka një koleksion të mirë etnografik, përbërë me koleksione kostumesh tradicionale, librat origjinale të Petro Ninit dhe patriotëve të tjerë...Më duket se ka kohë që nuk e ka vizituar njeri këtë vend. Kurse, ekipi i futbollit, që mbledh qytetarët në fundjavë në stadium, duket se përbën edhe vendin ku shfryhet më shumë. Pak më parë, atje ka ndodhur një rrëmujë, që banorëve u vjen turp. “Po na e bëri me hile”, më thotë pa zë të lartë, por tepër i indinjuar një banor. Largohem, ndërsa në kokë kam imazhet, që dikur kam parë nga Erseka, grupin e këndshëm me këngën “As e vogël dhe as e madhe” dhe qashtërsinë e këtyre njerëzve. Një grua e vjetër më buzëqesh, ndërsa nuk i heq shtizat nga dora. Shkëmbejmë buzëqeshje...Jam sërish me Adriatikun, që mundohet të mos jetë për pak minuta kryetar. Arjanin e kam lënë pas. Ndërsa, intelektuali Aleks..vazhdon të recitojë, me veten.

Ekonomia

“Ah, sa gjëra duhen bërë”, më thotë kryetari. Por shpreson dhe e respektojnë. Qyteti ka pak shitore, ndërsa pemët frutorë, duket se kanë ardhur deri në qytet. Çmimet janë pak më lirë se në Korçë. Si herët, burimi i këtij vendi, mbetet blegtoria dhe cilësia e tij e lartë. Në statistikat thuhet se kanë rreth 5500 gjellë, 4200 lopë, 40.000 dele dhe 22.000 krerë dhi. Falë këtyre prodhimeve, ata marrin rreth 98.500 kv qumësht dhe 1451 ton mish. Blegtorët, vitet e fundit, kanë importuar gjedhin Tanrantez, që kishte për qëllim rritjen e prodhimit të qumështit. Por, Erseka ka një fabrikë për qumështin dhe djathin. Këto nuk mjaftojnë që t’u heqin namin e mjeshtrave të drurit dhe kuptohet gdhendjes në gur, kurse në Borovë thuhet se jeton ende një nga mjeshtrat më të njohur të drurit. Por, të 250 bizneset e rregjistruara, ku operojnë në rreth 6 firma ndërtimi me të ardhura vjetore rreth 200,000 USD dhe 16 firmat e transportit nuk e kanë ndryshuar shumë jetën e qytetit, që i mban sytë nga emigracioni.
Një banor më sqaron se gjendja është shumë e mirë. “E shikoj!”, i përgjigjem. Nga 133 ha për pemëtore, 119 ha janë të vendosura për fermat me mollë, të cilat prodhojnë deri 947 ton në vit, më sqaron dikush. Në vend janë dy fidanishte dhe falë fidanëve me cilësi të mirë, që janë marrë nga Greqia dhe Maqedonia, këtu ka filluar të shihet ndryshe gjithshka. Sa për drithërat, indiferenca vjen duke u rritur. Në vend prodhohen dhe 4550 ton drithëra ndër të cilat 2350 ton grurë dhe 2080 ton misër në vit. Kemi rreth 66.000 ton jonxhë dhe foragjere. Në vend ka dhe tre fabrika bloje për grurin duke përfshirë dhe pesë furra buke. Të gjitha nuk bëjnë që kolonjarët të qëndrojnë në vend. Si në të gjithë Shqipërinë..duan të ikin. Ku? Andej ku nuk kthehesh më, ose kthehesh me thinja...
Kronikë qytetëse e stërvjetër
Petro Nini Luarasi, ky idealist dhe trim i madh në atë kohë ka qenë flamurtari i përhapjes së ideve kombëtare, jo vetëm në Kolonjë, por si më thoshin dhe ndër shumë vise të tjera prej Korçe në Gjirokastër...Petroja ndiqej nga kisha dhe nga qeveria turke, madje më me rreptësi dhe nga Dajla bej Qafzezi, i cili ishte vegël e qeverisë dhe në marrëdhënie të këqia me përhapësit e gjuhës kombëtare. Por Petro Nini Luarasi, megjithë ka qenë vetë trim, dhe shëtiste me pushkë në krah, ka patur dhe miq të fuqishëm: Nasuf efendi Novoselën në atë kohë burrin më të fortë e më influent në Kolonjë ashtu edhe patriotin Salih Butkën. Nasuf Efendiu, në atë kohë, ka qenë gjykatë hetues në Kolonjë. Ky njeri tepër guximtar dhe autodidakt arriti të verë rend e rregull në Kolonjë dhe ta dominojë situatën. Ky më tepër ka qenë edhe shkaku i armiqësisë me Dajlan benë, i cili s’mund të duronte dominimin e Nasufit, duke qenë se ai vetë përfaqësonte shtëpinë me të vjetër të Kolonjës... Nasufi e ka kuptuar nevojën e përhapjes së gjuhës kombëtare dhe e përkrahte Petro Ninin. Kështu shkollat kombëtare në Kolonjë qëndronin më këmbë edhe me ndihmën e Nasufit, i cili me guximin, inteligjencën dhe dinakërinë e tij dinte të dilte në krye të kësaj pune.....Ai kishte taraf Salih Butkën. Por Nasufit për të arrirë të dominojë Kolonjën, përveç inteligjencës dhe guximit, i duhej edhe mjeti më i fuqishëm në botë të hollat: Ai mundi ti sigurojë edhe këto duke marrë rushfet prej atyre që kishin punë të ndërlikuara me qeverinë. Me këtë rast ai u bë pasaniku më i madh i Kolonjës..., shkruan Sejfi Vllamasi
...
Në ditët tona, banorët e Ersekës janë shumë krenarë për cilësitë e tyre dhe për traditat e tyre atdhetare, liridashëse dhe arsimdashëse dhe njihen shumë si njerëz punëtorë dhe me kulturë...Janë mikpritës, si në rrethe të tjera, por pa zhurmë. Banorët e kësaj treve, e kanë mësuar këtë gjë ndër kurbetet e shumta. Nga ana tjetër, ruajtën edhe traditat dhe më tepër akoma, ndikuan shumë në fushën e arsimit. Ndërsa, të parët e tyre, si të gjithë shqiptarët, ishin foklorikë por edhe shumë koshientë. “Hierarkia lëndësore nuk është respektuar me një saktësi të tillë të heshtur, por të ndërgjegjshme si te shqiptarët...Në tubimet seicili e dinte me saktësi vendin, që duhej të zinte dhe rradhën për të folur...”, shkruan Eqerem bej Vlora, duke na pasuar një shembull tipik me kolonjarë. Kjo është kronika e qytetit të heronjve të arsimit shqiptar, por edhe e luftëtarëve të mëdhenj. Nga këtu Bajo Topulli shkoi në Kolonjë te Qani bej Ypi, ku do të organizohej çeta e parë me Çerçizin. Konsulli amerikan i dërguar nga Presidenti Willson do të mbetej i mahnitur nga kultura e tyre në vitin 1919, aq sa në fund do t’i thoshte Tefik Mborjes në Ersekë se: “Pretendimet greke janë të kota”.
...
Në fund Paskali e kishte gjetur, monumenti i tij do të ishte një shqiponjë...Më 28 nëntor të vitit 1938, ajo do të vendosej para banorëve që e shikonin me admirim. Atyre të mbeturve, atyre, që nuk e kishin kaptuar Gramozin për pak jetë më të mirë. Petro Nini Luarasi i kishte mbyllur sytë. Eshtë pranverë e vitit 2007, ndërsa 80 kilometra më tutje, disa djem zbresin nga treni në Gurin e Kuq dhe u drejtohen furgonave për një jetë më të mirë... tutje Kolonës së Rilindasve në Ersekë.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT