Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Borova, ndanë një kujtimi te trishtë

| E premte, 27.04.2007, 08:41 PM |


Shkruan: Ben Andoni

Ata erdhën sërish një ditë. Këtë herë me uniforma të reja dhe jo me takëmet e dikurshme të Divizionit SS alpin. Një shqiptar, që përkthente, buzëqeshte me zor, ndërsa grupi i ushtarakëve gjermanë të strukturave të NATO-s, i kërkuan zyrtarëve vendas sesi mund t’i ndihmonin. Sesi vajti, ish-drejtori i Muzeut të Borovës, nuk mund të tregojë më. Shenjë vullneti të mirë, u shkruajt diku.

Më “tremb” me përkushtimin e tij, ky burrë, që tash menaxhon Muzeun e Ersekës. Me aq pak sa më tregon, Borovarët e sotëm e kanë humbur kujtesën. Ndërsa, fotot që i bëj memorialit të viktimave të katundit realizuar nga Arkitekti Vladimir Bregu, i ngjallin kureshtje vetëm një djali, 16 vjeçar. E kam gjetur me sytë e fiksuar mbi Memorialin e Borovarëve. Nuk e kuptoj, sesi mund të kalosh kohën e lirë këtu. E kam gjetur mbi memorial me shikimin e tretur. Mbase ka ndonjë vajzë, më vjen ndërmend. “Ç’bën?”-e pyes. Ngre supet. Eshtë simpatik dhe i veshur shumë pastër. Trishtimi i kësaj qënie kaq të re më grish. Edhe pse, poshtë këmbëve të tij, janë ngulur në formë rrethore gurrë-varret e paraardhësve të tij, që gjermanët i masakruan një ditë korriku të vitit 1943. Flasim pak me djalin. Di pak për historinë. Në shkollë i kanë thënë diçka. Patetizma boshe, që besoj nga një vesh i kanë hyrë dhe në tjetrën i kanë dalë shokëve të tij dhe atij vetë. Drejtori i muzeut, galant, më heq sërish udhë. “A do të gjej një plak, që ka qenë atëhere”, më pyet. “Ikim ne e gjejmë- i them. Duhet të jetë plak”. “Ehuuu. Vjen ai”, më thotë. Urdhëron djalin me sy dhe i thotë një emër plaku, që më duket se është i gjyshi i djalit. Pa mbaruar, ai është ulur poshtë kodrinës së memorialit dhe ka humbur drejt fshatit, që tash dremit në mesditën e vrenjtur të një dite pranvere. “Kështu janë këtu”, më thotë drejtori i kënaqur me autoritetin e tij. “Të bindur. Të mirë. Të edukuar”. Ka menaxhuar dikur muzeun, derisa një ditë është prishur. Aty kanë qenë të gjitha fotot e qyqarëve…

Shkaktari i katastrofës

“Eshtë e vërtetë”, e pyes Aleksin. Kështu më duket se quhet intelektuali, që më shoqëron në Ersekë dhe në Borovë. E pyes dhe i tregoj historinë e personazhit të Kadaresë. Jo fare, më gjegjet-por arsyeja e shkatërrimit të Borovës ishte gjithsesi, një keqkuptim. Mundohem t’i përshkruaj Fan Kolonjën e Kadaresë. “Ai është një i sëmurë në spitalin psikiatrík të Tiranës. Një qënie e pashërueshme dhe krejt e parrezikshme. Në jetën e tij rëndon kjo tragjedi e pashembullt. Në fundin e verës të vitit 1943, autokolona e parë gjermane, goditet nga partizanët në hyrjen e fshatit Borovë. Pas betejës, një gjerman ngul një tabelë me mbishkrimin gjermanisht:”Këtu na goditën. Bëni masakër!”. Një fshatar që i ndjell zemra keq, e shkul tabelën dhe e hedh në një ferrë. Mirëpo Fan Kolonja, që ka respekt për gjërat e shkruara, e ngul, atë përsëri, madje në një vend më të dukshëm. Gjermanët që vinë pas pak, bëjnë një masakër të paparë. Fani merr kështu në ndërgjegjen e tij të pafajshme përgjegjësinë e vrasjes së bashkëfshatarëve të vet. Por, ajo është e rëndë, tepër e rëndë; pëshpërima “unë”, “unë”, nuk e lehtëson aspak torturën shpirtërore që heq. Dy vjet më vonë ai çmëndet”.
“Po jo”,-thotë Aleksi, por këtë nuk e mbaj mënd. Vazhdoj: Një natë, ai kapet nga fshesaxhiu Rremë Huta, tek përpiqet të shkulë tabelën, që identifikon pemën e miqësisë shqiptaro-sovjetike, mbjellë nga Hrushovi. Me këtë veprim përfundon në polici, dhe, prej këtej, përsëri në spitalin psikiatrik.
Në fakt, historia është pak më “e këndshme” se kaq. Ish-mësuesi ma thotë thjesht por zyrtarisht: Gjermanët erdhën sipas itenerarit Manastir- Korçë- Ersekë me synimin që brenda ditës të ishin në Ersekë. Në grykën e Barmashit kishte partizanë dhe grupe vullnetare, që u kishin bërë pritë forcave italiane të freskëta, që mos t’i shkonin në ndihmë garnizonit të rrethuar Italian, që ishte në Përmet. Eshtë momenti, që italianët kanë marrë rrokupujën dhe në terren takimi i dy gjeneralëve italian dhe gjerman bëhej për të njohur më mirë realitetet e reja.
Në këtë ditë, banorët e paqëm të këtij fshati të thjeshtë në skaj të Shqipërisë po shikonin motoçikletat e pararojës, kamionët dhe makinat e vogla, me disa simbole që nuk i njihnin. Me paftat e mëdha rreth gjoksit, Divizioni i parë SS alpin, ecte me kujdes duke vështruar me dylbi. Një grup prej tyre u fut në lagjen Pashkallarë dhe filluan të pyesnin disa plaka…me fjalët “Partizan dhe Bandit”. Askush nuk i kuptonte. Njësoj të tjerë u futën dhe në lagje të tjera, por morrën sërish përgjigje negative. Ishte fillimi i lëvizjes së rreth 5 mijë trupave të gjermanëve të Divizionit të parë Malor, që po pushtonin Shqipërinë.

Banorët e djeshëm dhe të sotëm

Në këtë fshat deri më atëhere gjërat shkonin qetazi. I ndërtuar mbi kodrina të begata, atij i bënte hije kahmote Gramozi i madh. Njësoj si sot. Më të zotët e fshatit ishin kaptuar në mërgim; më punëtorët, me një trastë, ndaheshin me familjet që në shtator dhe trokisnin për punë duke gdhëndur gurin dhe drurin kudo në Shqipëri; më të saktët bënin ndonjë punë në ndonjë zeje; ndërsa qyqarët kullosnin bagëtinë dhe merreshin me bujqësinë e fshatit. Bimësia e harlisur, që fillonte që në pranverën e hershme, i jepte pak nga pak qetësi borës, që zbardhonte kohën më të gjatë të vitit faqet perëndimore të Gramozit. Në faqet e kodrinës, banorët e Borovës kishin ndërtuar shtëpitë e tyre rrethuar me oborre të vogla. Visheshin qytetarçe dhe të vegjlit shkolloheshin në fshat. Me klimën e mirë dhe mbrojtur nga erërat, ai edhe sot ka mundësi të kultivojë dhe t’i kënaqet natyrës, me atë që i ka falur. Fshati është i kufizuar me Stradokun, një fshat në këmbë të Gramozit që zbret deri afër Mësiçkës. Pjesa Perëndimore e ndan me Kagjinasin dhe Novoselën dhe në lindje ndahet me Prodanin dhe Gjonçin. Ndërsa në jug shtrihet Barmashi. Banorët, brez pas brezi e kishin përshtatur për nevojat e tyre. Me dorë Aleksi më bën një panoramim gjeografik. Ndalet. Dhe vendosim të ulemi, në murin e memorialit, që ka rrëshqitur disi nga veriu. Një lule ka mbirë dhe duket mes hekurave. Uji mbushte vijat dhe koritat e fshatarëve, por vinte në lëvizje edhe mullirin. Njësoj si atëhere, ata kishin kullota të pasura, por edhe ujë. Fshati ishte i lulëzuar dhe emigrantët, punëtorët dhe bujqit- i kishin dhënë shumë imazhit të jetës. Shpendët zbrisnin nëpër lugje dhe preheshin në tunele shkëmbore, ku kishin foletë e tyre më parë. Ajri, bash i pastër, dhe luzma të pafundme bletësh gumëzhinin. Në këtë mjedis, më thotë Aleksi, këta njerëz krijuan atë traditën e tyre të mirënjohur në blegtori, më pak në bujqësi, por një eksperiencë të mirë e kanë në zejtari. E njëjta kohë edhe sot, kur ata shquhen për standarte të mirë jete, pavarësisht kushteve jo të mira. Ata, që dinin të ndërtonin, i thërrisnin kudo si mjeshtëra. Njerëzit kishin sidomos cilësi të lartë në blegtori. Ndërkohë, vuhesh shumë mungesa e farërave për kulturat e ndryshme si gruri, misri, elbi dhe bimët e tjera. Shumë syresh kishin mundësi, që falë zejtarisë, të mbanin veten. Ishin gurgdhëndës, zdruthktarë, rrobaqepës, tregëtarë e nënpunës. Kurbeti ishte një nga burimet krysore në vend. Një pastërti shembullore ishte në fshat, kurse njësoj në ditët e sotme, banorët shquhen për traditat e tyre. Nga Borova ka qenë edhe Sotir Martini, ish-ministër i Oborrit dhe kujdestar i princeshave, më thotë Aleksi...Fshati ishte edhe një nga “gjashtë lulet e para” të përhapjes së shkollave shqip, menjëherë pas Pavarësisë. Aq të zhvilluar sa ishin, gruaja borovare dinte të punonte në makinën qepëse, kurse në fotot e viktimave, shfaqen gra me veshje dhe me fizionomi tepër të kultivuara. Pa ishin edhe fetarë të mirë dhe dora e zotit i ndiqte në lindjet dhe martesat, qoftë edhe në sëmundjet apo vdekjet. Në Luftën italo-greke, djemtë e fshatit dezertuan. Mirëkuptimi ishte me të gjithë. Kur Safet Butka bënte propogandë me ballistët, komunistët me Josif Pashkon i hapnin rrugë, ashtu si ndodhte në anën tjetër. Vitet e propogandës do t’i shuanin këto, për t’i lënë vend heroizmit të komunistëve.
Në ditët tona, njerëzit janë indiferentë, dhe dalëngadalë po i kthehen traditës së dikurshme. Më të rinjtë synojnë qytetin, ndërsa pleqtë mbesin në fshat për të pleqëruar fundin.

Kthim në luftë

I gjithë ky tregim bëhet në kodrinën, ku prehen shpirtrat dhe fizikisht viktimat e Borovës.
Ndërsa kalonin në Borovën gjermanët u gjendën para grykave të zjarrit, ku gjetën vdekjen. Ishin 300 partizanë, që i udhëhiqte Riza Kodheli me gjashtë mitralozë.
“Detashmenti i pararojës bëri përpjekjen e parë në zonën e Borovës”…Kolona e madhe ushtarake gjermane kishte filluar lëvizjen në ditët e para të korrikut të 1943, duke u nisur nga Serbia në Greqi dhe pastaj në Shqipëri. Trupat i komandante gjenerali von Stettner, që kishte lajmëruar se do të vinte “shumë herët në Korçë dhe do të takohej me komandantin e divizionit Italian ‘Arrezzo’, më thotë Aleksi sërish duke recituar. “Në fshatin Borovë…nuk gjetën se shumica po punonin, por ata martirizuar 64 gra dhe fëmijë dhe 43 burra...më shpjegon. E rëndësishme është të dihet se masakruan gjithshka të gjallë dhe deri fëmijë tre muajsh… Partizanët i ngatërruan me italianët. Ishte natë”. “Pse nuk i ndihmuan njerëzit pastaj”, i them. “Po tallesh!”,-më thotë.
Italianët kishin plan që të ndiqnin lëvizjen e kolonës gjermane në përputhje me planet operative-strategjike të Komandës së përgjithshme. Ja si raportohet “Divizioni Italian Arezzo” kishte premtuar ndihmë ndërmjet vëzhgimit ajror dhe dërgimit të dy batalioneve këmbësore një kompanie xhenjoje dhe një tankesh”. Kurse Von Stettner thotë se: “…prej datës 7.7.1943 batalioni i Barmashit qëndron në vend. Më datën 9.7 është i mundur bashkëpunimi i italianëve dhe nga drejtimi i jugut dhe i perëndimit...Armiku mbrohet në pozicione të ndërtuara për luftim, mban të mbyllur rrugën dhe kryen minimin e saj…”
Dialogu me Aleksin, që shpesh nuk ia ndaj dot patetizmin, punën e ciceronit, por mbi të gjitha mirësinë, kalon në shumë plane. Djali i ri, që është larguar për plakun ka humbur. “Ka shkuar të thërrasë Vangjelin, ai djali”, më shpjegon ish-drejtori, sikur ta njoh plakun.
Djali, që pak më parë ishte i dhënë shumë pas aparatit, vonon. Ndërsa burri, që duhet të jetë rreth 60 vjeç, gjen kohë të më shpjegojë më shumë për memorialin, basorelievët, dëmtimet, por edhe ish-eksponatet e Muzeut. Sot, ai nuk ekziston, veç Godinës, sepse një grup bastardësh e rrënuan…ngaqë dikur aty kishte qenë Enveri, më thotë trishtueshëm. “Më 1997 dhe këtu pati dëmtime të ansamblit dhe dëmtime pati në mauzole nga njerëz që nuk patën vetëdije dhe e shkatërruan, por banorët autoktonë u përpoqën dhe ansambli u ruajt. Së shpejti me fondet e kërkuara, mendojmë të bëjmë diçka sepse ende nuk ka mbaruar…”, më pëshpërit ai fjalët e Kryetarit të Bashkisë së Ersekës.
Gjej kohë që të shikoj mes varreve gurët e të vdekurve. Një zgjidhje origjinale, një memorial konfiguruar si shqiponjë, që lartësinë e gurrëve të varreve e ka zgjidhur sipas moshave të viktimave. Më të moçmit kanë gur më të lartë, më të vegjëlit…më pak. Një thirrje drejt qiellit për pak jetë…Shindleri, do ia kishte zili këtë zgjidhje shqiptarëve.

Plaku i mbijetuar

Ai vjen me një frymë. Eshtë mbi 80 vjeç dhe trishtohem që djali e ngjit. “Nuk përton”- më thotë me çapkënllëk. Me një setër të lerosur, me një fytyrë të zhubravitur dhe me një palë duar të forta dhe të papastra, plaku Vangjel Dhami, fillon të flasë ende pa ardhur. Sikur i ke hapur një rubinet, sepse pas kësaj, ai nuk di të ndalojë më. Ka shpëtuar paq, por kunata dhe njerëz të afërm, janë numërorët e asaj dite tmerri. Kanë shpëtuar banorët që nuk ishin në fshat, ndërsa ai dhe të tjerë, morën arratinë. Versioni i tij është i shkëputur, por direkt: “Doli gjenerali tek ura … Ata erdhën nga Erseka, ndërsa patën frikë se qëlluan. Dolën te ura. Atje, ishin ushtarët që qëllonin…Kaluam… Aty ishin mbledhur tridhjetë veta dhe gjermanët pastaj hynë atje dhe shikuan d.m.th…U vranë menjëherë gjashtë veta…Nuk vdiqa…Ata që ndejtën tek prifti u vranë falë një granate, të hedhur nga nazistët. Njerëzit qëndruan tre ditë të pavarrosur dhe pastaj erdhën njerëzit e tyre nga e gjithë Shqipëria: Korça, Erseka që t’i varrosnin…Ishin 50-60 familje…Unë dola nga shkolla dhe sa hynë ushtarët ika…Nga këtu dhe ikëm…Ikëm nga Gjonçajt…
Ndejtëm tre ditë në pyll ..Më kanë vrarë kushurinjtë dhe shpëtova…Më duket çudi që e kanë harruar, por tashmë nuk dihet asgjë…”, përfundon plaku.

Si jetojnë sot…

Plaku, sot, është një nga banorët e fshatit, që e ka kaluar ngjarjen e dikurshme. Më flet pak për fshatin, por ka mbetur pas. Nga pamja e ndërtimeve, por edhe mirëqënia e jashtme, tregohet se ata janë një gjindje që e dinë boll mirë jetën. “Kam tre djem dhe i kam këtu…Unë i ndih nga pak gjë. Kam dhe plakën”,-më thotë i moçmi. Në fakt, shumë shtëpi të mira të tregojnë pak, veç propogandës që duket me monumentin e një partizani dhe memorialit. Shumë indiferentë, duket se ngjarja e hidhur tash është koleksionuar në kujtesë. Por edhe jetesa e tyre. Me sa duket mbijetohet.

Edhe njëherë për masakrën

Autoritetet e asaj kohe mjaftohen me pak fjalë: Nga aksionet e kryera nga ushtria gjermane janë djegur katundet 1. Borova, 2.Barmashi,3. Kaminiku, 4. Gozhdarazhdan, 5.Sanjollasi, 6.Shalsi, 7.Radimjisht. Në katundin Borovë janë konstatuar 107 persona të vrarë e një pjesë të djegur, si edhe gjashtë të plagosur gra e fëmijë. Në Barmash ishin tetë të vrarë…
Ditën e martirizimit të 107 banorëve numëroheshin 97 familje dhe jetonin pak më shumë se 450 banorë. Madje, një numër banorësh, që jeton dhe sot, sipas Aleksit, ndryshe nga propaganda e komunizmit, që e shfarosi në kujtime të gjithë fshatin. “Pushtuesi të tëra shtëpitë i rrafshoi për tokë. Në 45 shtëpi të fshatit u vranë ose u dogjën 1-2 e më shumë pjesëtarë. Në pesë familje nuk mbeti asnjë banor…Sa ishin pushtuesit gjermanë në Shqipëri, Borova, mbeti pa borovarë: Ata u lejuan vetëm të varrosnin…”, lexoj fjalët e dy publicistëve, Pashko dhe Konini, që kanë përgatitur një monografi kushtuar kësaj masakre të paparë.

Varrimi

Në librin e tyre gjendet dhe një episod, sesi u varrosën trupat e fatkeqëve. Për tre ditë askush nuk afrohej. Partizanët ishin zhdukur. Banorët rrinin të llahtarisur në mal.
Thoma Papa, që rrëfen nga monografia, ishte njeriu në shtëpinë e të cilit ishte bërë masakra më e madhe. I ishte vrarë gruaja, të dy djemtë me moshë 9+8 vjeç dhe i ati, bashkë me nipërit dhe mbesat...”Ishim në mes të fshatit dhe me ne ishin disa gra të reja. Gjermanët na shikonin me armiqësi. Ecnim të ngjeshur sikur donim të mposhtnim dëshpërimin, që na shkaktoi gjithë kjo dramë e papritur dhe ngjethëse…U afruam. Një patrullë nazistësh na ndaloi në hyrje të kodrës në të hyrë të fshatit. Pa i përfilluar as xhandarët, që na shoqëronin, na morën dhe na rreshtuan në një ledh are. Dikush nga ne pëshpëriti: ‘Do të na vrasin dhe neve’. Por kjo nuk ngjau. Ata ishin të interesuar që të mbulohehsin të vrarët. U ndamë grup-grupe. Me duart që nuk na urdhëroheshin, rrëmuan nga një copë tokë në oborret e shtëpive, në kopshtet dhe anash rrugicave. Ngrinim trupat e të vdekurve dhe i fusnim në një gropë të zezë. Në shumë familje mungonin disa pjesëtarë njëherësh. I kërkonim, por nuk i gjenim dot. E ku nuk i kërkuam. Dihej se shumica kishin qëndruar në shtëpitë e tyre. U gjetën dhe të posavdekur, që kishin vdekur ngadalë…dy tri ditë më pas, kur ne punonim”.

Epilog

Aleksi jep shenja mërzitje. Gjen sërisht moment të më thotë dhe një episod të fundit.
Ditën e masakrimit, Vasil Kodra një murator plak, nuk ndodhej, por me çekan e mistri punonte mbi një çati në Novoselë. Atje, ku punonte, mori vesh për gjëmën mbi fshatin e tij dhe rendi të shikonte me sy qametin. Me vështirësi kishte mundur që të ndërtonte një shtëpi të thjeshtë majë një kodre, për të mbyllur me nder jetën. Rrugës e mori vesh të gjithë gjëmën, nga takimi me fshatarë. “Mos u fut në fshat se ç’kishte për ta bërë e bëri gjermani”, i tha një rrugëtar, si ai, që rendte të fshihej. “Do të shpëtoj ç’të mundem”,-tha. U fut në lagjet e fshatit, ndërsa gjermanët e ndiqnin me dylbi…dhe i pa vetë viktimat dhe kalljen. Njësoj edhe shtëpia e tij…Nuk kishte se ç’të bënte më…Qëndroi gjatë. Pastaj, mori një kusi të vjetër. Hoqi xhaketën dhe u fut në kopsht për të ujitur perimet…Një plumb snajperi i mori jetën. Ishte fundi i tij më 6 korrik të vitit 1943. Ai do të rregjistrohej si viktima me numrin 107 të fshatit.

Plaku Vangjel ikën dhe pak minuta më vonë e gjej të vetëm në një si magazinë, ku më duket se janë të pafshira gjurmët e një sllogani komunist. Me djalin e ri jam ndarë paq, dhe më ka treguar në pak minuta se në shkollë mërzitet shumë, por se është tifoz i Juventusit dhe se do të ikë sa të mbaroj shkollën. Kurse Gjermanët nuk kanë ardhur më. Aleksit, që shtriqet duke gogësitur në sedilen pas, më vjen t’i kujtoj rezistencën e komunitetit Hebre në Aushvic, për të mos ndërtuar një supermarket të madh gjermanët. Këtu nuk ka këtë vetëdijë. E kam sërish kot. Kam fuqi sa të ngre dorën dhe të përshëndes djalin, që më qesh çiltazi. Eshtë fillimpranverë 2007.