Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Pështjellaku i grave të Llapit dhe Gallapit

| E marte, 10.11.2009, 07:30 PM |


PËSHTJELLAKU I GRAVE TË LLAPIT DHE GALLAPIT

Nga Mr. Qazim Namani
Pështjellaku i grave të Llapit dhe Gallapit dallon nga rajonet tjera etnografike shqiptare për kah përbërja e ngjyrave të zgjedhura. Ky tip i pështjellakut shumë shpejt u përhap në rrafshin e Kosovës, Drenicë dhe rajone tjera shqiptare. Te kjo veshje mbizotëron ngjyra e kuqe (e njohur te popullata si ngjyrë gjaku), por është prezente edhe ngjyra e zezë. Për gra më të moshuara përdoreshin nuancat e ngjyrave më të mbyllta. Zakonisht në pështjellakun e kuq janë punuar vija të zeza vertikale dhe  distanca mes tyre sillet prej 5-10 cm. Pështjellaku në shumicën e rasteve në të dy anët përfundon me nga tri shoka të punuara me vija të zeza afër njëra tjetrës, e që mendojmë se e kanë domethënien e tyre simbolike. Sipas të dhënave nga terreni, kuptuam se pikërisht këto dy ngjyra të zgjedhura kanë një shpjegim jo shumë të largët te popullata shqiptare e brezit kufitar në anën verilindore të Kosovës së sotme.
Është e ditur se trashëgimia shpirtërore e një komuniteti lëviz varësisht nga rrethanat kulturore dhe historike që imponohen në një hapësirë kohore të caktuar. Për mua si hulumtues terreni në këtë rajon etnografik dhe kulturor ishte zgjuar kureshtja të kuptoj dallimin e ngjyrave te veshja e grave shqiptare brenda kufirit të Kosovës së sotme dhe popullatës shqiptare të Gallapit në komunën e Medvegjës dhe Bujanocit.
Gjatë bisedave të zhvilluara me shumë të vjetër të kësaj ane, më në fund, arrita të kuptoj më shumë për këtë dallim. Disa gra të moshuara  kishin ruajtur shumë rrëfime për pështjellakët e përgjakur të gjysheve të tyre. Nga këto të dhëna kuptuam se pikërisht pas shpërnguljes masive të popullatës shqiptare nga Sanxhaku i Nishit, ka ndodhur edhe kjo dukuri te veshja e grave të kësaj ane.
Pështjellaku i Xhezide Musës (1928), në Dabishec, Komuna e Prishtinës, familje e ardhur nga Siarina gjatë krizës lindore

Siç dihet, pikërisht në këtë kohë të vështirë, popullata shqiptare në Toplicë, Pusta Rekë, Gërdelicë, Jabllanicë dhe vende tjera, e cila  masakrohej dhe dëbohej nga shtëpitë e tyre, filloi të shpërngulet në Turqi, Bullgari, Greqi, Maqedonin e sotme, Kosovë, Shqipëri  dhe vende tjera. Shumë njerëz të shquar të popullit shqiptar të asaj kohe, ishin mobilizuar në këto anë për t’i ndihmuar të përndjekurit. Për gjendjen e vështirë të shqiptarëve që vinin nga ajo anë, thuhet se në disa fshatra ishin bërë edhe takime me veprimëtarë shqiptarë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të marrë vendime të ndryshme, që të përballohet gjendja e vështirë e popullatës,  me plagë në trup që arrinin nga ajo trevë shqiptare. Shqiptarët e shpërngulur u ndihmuan nga veprimtarët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si: Hysen Agë Gjilani, Hykë Kabashi nga Gjakova, Rrustem Gashi nga Prizreni. Veprimtarët shqiptarë të lidhjes, i kishin mbajtur disa tubime me shqiptarët e brezit kufitar në livadhet e Prapashticës, Merdare, Sfircë, Kitkë dhe pika tjera strategjike. Në këto tubime thuhet se u morën shumë masa për të përballuar gjendjen e krijuar, dhe një numër i madh i shqiptarëve të përndjekur u tërhoqën në qytete dhe fshatra tjera në thellësi të vendit. Veprimtarët e lidhjes e kundërshtonin dërgimin e shqiptarëve në shkretëtirat e Anadollit dhe kërkonin që të shpërngulurit të ktheheshin në Vilajetin e Kosovës.

Pjesa dërrmuese e grave që kishin arritur që ta kalojnë të gjalla kufirin, vinin me pështjellakë të përgjakur, duke bartur në prehër fëmijë, pleq dhe familjarë të plagosur. Njëri nga vendimet e grave të kësaj ane ishte edhe heqja e koloritit të ngjyrave në veshje dhe pështjellakun e tyre, për t’i lehtësuar dhimbjet e tyre shpirtërore dhe  solidarizuar me përjetimet dhe vuajtjet e popullatës së përgjakur.
Pështjellakë në fshatin Tupallë dhe në Siarinë
Pështjellakë në fshatin Tupallë dhe në Siarinë
Mund të pohojmë se pështjellaku i kësaj ane mori edhe dy ngjyrat e flamurit kombëtar, si duket nga ndikimi i veprimtarëve të L. SH. P.  dhe krerëve tjerë të ngritur të kombit tonë, që qëndruan në mesin e kësaj popullate. Tri shokat e zeza që përfundojnë në të dy anët e pështjellakut të kësaj ane, na shtyjnë të mendojmë për simbolikën e numrit tre si numër i flijimit dhe mbijetesës.

Elementet e përdorimit të flamurit kombëtar gjatë sundimit osman dhe serb te popullata shqiptare e Kosovës, janë shprehur edhe te përgatitja e qerres për marrjen e nuses. Qerret e nuseve zakonisht mbuloheshin me qylyma të kuq, që përmbanin elemente dekoruese që në një farë mënyre pasqyronin shqiponjën, dhe jo rastësisht për tërheqje të qerres, në shumicën e rasteve kërkohej një ka i kuq dhe një ka i zi.
Ndryshimet e tilla janë të lidhura ngushtë me emocionet shpirtërore që lindin dhe fillojnë me një ngjarje historike të një kohe të caktuar dhe kjo dëshmon për kodin etik të zhvilluar me ndjenja të pasura humane dhe shpirtërore të popullit tonë. Këto raste të ndryshimit të ngjyrave kur mbisundon ngjyra e kuqe, e cila në mitologji shpjegohet si ngjyrë me fuqi për të parandaluar dhe dëbuar të këqijat, tregon më së miri për vuajtjet dhe përjetimet e kësaj popullate në atë kohë. Është me rëndësi për t’u theksuar se të shqiptarët ngjyra e bardhë në veshje ka mbizotëruar më shumë se sa ngjyrat tjera. Këtë dukuri e kanë vërejtur edhe udhëpërshkruesit e huaj që kaluan nëpër këto treva. Hani e kishte vërejtur këtë dukuri edhe te shqiptarët dhe ka shkruar se: Te asnjë popull tjetër nuk shprehet në veshje ngjyra e bardhë dhe ajo e zezë si te shqiptarët. Ngjyra e bardhë te veshja e shqiptarëve shprehte pastërtinë, shkëlqimin, autoritetin shpirtëror dhe çdo gjëje tjetër që simbolizon veti pozitive. Përmes ngjyrës së zezë tregohej e kundërta. Këto treva shqiptare duke qenë më parë të pandara, kishin marrëdhënie reciproke në shumë pikëpamje me trevat tjera shqiptare, e sidomos tipare të përbashkëta kishin me trevën e Llapit e Gallapit. Veshja e shqiptarëve të Toplicës kishte pak ndryshime me veshjen e shqiptarëve në rrethinën e Vranjës.
Përparësja  apo Pështjellaku që bartej mbi këmisha-fustanella të gjata që punoheshin prej liri, dhe dimi që punoheshin prej leshi, e më vonë dhe pambuku, lidhej për beli me një tojë (ushkur). Është me rëndësi të dihet se dimitë prej pambuku në fshatrat shqiptare të kësaj ane kanë hyrë në përdorim diku kah fillimi i shekullit XX.
Pështjellaku i grave të Toplicës ishte i bardhë dhe kishte një shokë të zezë në mes, ndërsa ajo e rrethit të Vranjës kishte kolorit më të pasur të ngjyrave.
Sipas disa autorëve gjatë luftës serbo-turke të vitit 1877/78, Sahit Pasha oficer në ushtrinë osmane dhe shqiptar nga Llapashtica e Medvegjës, kaloi në anën e ushtrisë serbe. Përveç Sahit Pashës në anën serbe kishin kaluar edhe shqiptarë tjerë si p.sh. Halil Islami, i cili edhe u zgjodh si deputet i Serbisë në kohën e princ Milan Obrenoviqit. Këta shqiptarë i shërbyen Serbisë si dëshmitarë për të vendosur kufijtë në kongresin e Berlinit. Banorët e brezit kufitar tregojnë se vetë Sahit Pasha i ka paraprirë komisionit për përcaktimin e vijes së kufirit serbo- osmane. Në popull ruhet kujtesa se aty ku thoshte Sahit Pasha viheshin edhe gurët e kufirit. Si pasojë e kësaj ngjarje, një numër i madh i shqiptarëve  të cilët mbetën më thellë brenda kufijve të Serbisë, shumë shpejt u asimiluan duke ndërruar gjuhën dhe kulturën, e një numër i tyre edhe fenë.
Disa fshatra shqiptare në komunën e Medvegjës dhe Bujanocit arritën që të ruajnë identitetin e tyre fetar dhe kombëtar deri në ditët e sotme, por pjesa dërrmuese u detyruan  nga presioni t’i braktisin ato vise. Në rrugën e tyre jetësore këta shqiptarë brenda kufijve serbë, përjetuan lloj-lloj torturash dhe vuajtjesh të planifikuara sipas platformave politike serbe për spastrim etnik të asaj treve. Këta shqiptarë në shumë raste nuk ju shpëtuan as ofendimeve dhe nënçmimeve nga vetë shqiptarët e Kosovës së sotme, për shkak se ishin pajtuar me Sahit Pashën dhe shqiptarët tjerë që e përkrahën Serbinë në Kongresin e Berlinit.
Fshatrat shqiptare që mbetën brenda kufijve të Serbisë, pas përcaktimit të kufijve serbo-osmanë në kongresin e Berlinit, arritën të ruajnë koloritin e ngjyrave në pështjellakun e grave të asaj ane, që edhe sot haset te popullata shqiptare e komunës së Medvegjës. Me përcaktimin e kufijve dhe ndarjen e fshatrave përgjysmë, siç është p.sh. fshati Sfircë, u shprehën edhe tiparet dalluese te koloriti i ngjyrave të pështjellakut dhe veshjes së grave në përgjithësi.
Pushtetarët serbë në fillim  arritën që përmes propagandës të përhapin epitete nënçmuese në ato anë për shqiptarët brenda kufirit të P. Osmane në brezin kufitar me Serbinë. Nga kjo propagandë e zhvilluar serbe doli edhe thënia për shqiptarët që jetojnë në këto anë se ata jetojnë keq, ata janë “rrjepëca”, pra shqiptarët që kishin mbetur në Serbi i quanin “rrjepëca” vëllezërit e tyre që kishin mbetur në anën tjetër të kufirit dhe kjo ndodhte edhe për popullatën e një fshati siç ishte fshati Sfircë! Ndërsa shqiptarët që kishin mbetur brenda kufijve osmanë, të ndikuar nga propaganda fetare dhe politikat asimiluese, shpeshherë  i quanin vëllezërit e tyre andej kufirit me epitet nënçmues, se ata janë “shkie”- “Shkina”!
Këto epitete nënçmuese ndër shqiptarë të ndikuara nga pushtuesit e huaj, mendoj se janë mesazh për vetëdijësim kombëtar, për të mos u përsëritur ma kurrë te shqiptarët.