E merkure, 17.07.2019, 01:44 PM (GMT+1)

Reportazh

Berat, Prehje në qytetin e bardhë

E enjte, 05.04.2007, 08:38 PM


Shkruan: Ben Andoni

Po t'i ç'bën këtu", i drejtohem. Vallë ç'bën këtu kjo qënie? "Ja. Rrimë dhe bëjmë shëtitje". Qëndrojmë pak dekika pa folur poshtë Shën Triadhës në Kalanë e Beratit. Jemi tri veta. Një grua e bëshme që shet, Ai (që flet në shumës) dhe unë. "Këtu e gjete të shëtisësh!" - e pyes. "Ç't'i bësh. Nuk kemi punë, dalim këndej. Kam mamanë e sëmurë", më thotë. Buzëqeshja e Shvejkut nuk i bën punë këtij skamnori, që mban një palë këpucë me goma të trasha. Ka një tufë flokësh kaçurrelë dhe duhet të jetë plot rreth 40 vjeç. Eshtë gati të na çojë kudo. Më shikon në sy dhe më qesh pafundësisht, pafajësisht. Nuk i ndih dot. Në Berat, në kala, më tepër nuk ke nevojë për udhërrëfyes, të paktën për ata që shkojnë shpesh. Shvejku beratas më shikon ende me një palë sy të qashtër… Në kalanë e Beratit, në pjesën më të vjetër të qytetit, ka pak njerëz. Aq pak, saqë të duket se koha këtu është e ndalur. Vetëm pak minuta më vonë, ndërsa sorollatem në kala, një grua në moshën e thyer, mbathur me çorape leshi, më tregon se është vetëm, se ka martuar vajzat... dhe që komshiu do të shesë shtëpinë. Më duket pak si e lënë. Një tjetër më ndjek me sy, por është më e shëmtuar se vetë Olivja e Popay. Shullohet në diell dhe me bisht të syrit ndjek tezgën e saj varfnore. Ka ekzagoma të futura, dy sy kryeneçë që bashkë me një trup hollak qëndrojnë mbi dy shalë të stërgjatura, mbuluar me një palë tuta blu. Një kompast natyror, që do ia kishte zili mbase edhe Euklidi.
Por, gjithçka ndryshon. Befas duket një autobus me nxënës. Në atë moment, gjithçka ngjallet: Shitës ambulantë, me çikërrima shfaqen sa hap e mbyll sytë. Kompasti bëhet indiferent ndaj meje dhe buzëqeshja e braktis Shvejkun. Hamendësoj se mund të jetë homoseksual dhe në këtë vend bajagi ka pasur dylberë në kohët e shkuara.

Kthim në rrugë

Në Berat mund të shkohet lehtë nga Tirana. Të 122 kilometrat, që e ndajnë me kryeqytetin e vendit, mund të përshkruhen menjëherë. Por, që në përballjen e parë me qytetin, të kap një zhgënjim i thellë. Berati, i mbetur prej një toponimi sllav "Qytet i bardhë", dhe që osmanët pretendojnë se ai është thjesht "dekreti" i turqve, është një provincë mjerane. Si hajmali, emrat e ardhur që nga një antikitet prej 2400 vjetësh, nuk kanë mjaftuar shumë për qytetin. Ato thonë pak. Ani, skamja, tash është më e dukshme. Të gjithë sorollaten rrugëve. Ca burra me veshjen klasike të shqiptarit të Shqipërisë së Mesme të presin ndanë kafes me një gotëz raki, që në mëngjes. Më parë kishte gra. Bajagi gra. Sipas një politike të çuditshme, Enveri i mblodhi shumë femra këtu nga i gjithë vendi dhe familje të reja, që duhet të popullonin Kombinatin e Tekstileve. Si për dreq, kishte emrin e Mao Ce Dunit, njeriut, në kohën e të cilit qytetërimi i madh aziatik kaloi miliardin. Kaq. Kohë të reja dhe tabiate të reja. Sot shtegtimet e kanë kthyer në identitet vendin, ndërsa duket se përpjestimi demografik po i afrohet realiteteve normale. Vajzat kanë shtegtuar, syresh nëpër trotuare, por të tjera kudo për pak jetë më të mirë. Qyteti po mashkullohet pak nga pak.
...
Në fakt, atë për të cilën qyteti të mahnit, është pa asnjë dyshim, realizimi arkitektonik, që i është bërë Beratit në shekuj. Një pastërti e jashtëzakonshme urbane e banorëve, bën atë që ta meritojë edhe pas shekujsh atë epitet të bardhë, që i ka mbetur nga sllavët-bullgarë. Shtuar me duart e mjeshtërve vendas, këtu gjithçka fiton kuptim tjetër. Në një shtëpi të tillë në skaj të Mangalemit gjejmë të zonjën e epitropit, që mban kyçet e kishës së Shën Mëshillit. Përgatitet për një festë fetare. Eshtë një kapelë e vogël, jashtë kalasë, por rrëzë murit, që është ngjitur. Deri tek ajo, rrugica që të çon nga shtëpia e kujdestarit, është një model i pafund pastërtie. Nuk vjen, por më jep të birin. "Jemi njësoj", më thotë duke më dhënë një buzëqeshje edukate. Rrugica që të ngjit deri në rrëzë të Kalasë, ku ka bërë vend kisha, gjarpëron njësoj drejt shtëpive të rehata. Pastërti, gëlqere e bardhë, jo njerëz, dyer të thjeshta jo mirëqenie e dukshme.
Gruaja na ndjek gjatë nga poshtë me një vështrim admirimi për djalin, që ngjitet lehtazi, në një monopat që gjarpëron me pjerrësi gati 45%. Eshtë një fat që në Mangalem të shikosh kishën që gjendet rrëzë të kalasë. Një roje e kahmotshme, ajo ka treguar në shekuj respektin që Bizanti kishte për objektin dhe kultin. Kozma Korica, i ati i djalit, është epitropi i kishës dhe familja e tyre është marrë gjithë jetën që ata mbajnë mend me kishën. "Na ka sjellë mirë", më thotë djali. Kuptohet përveç kohës së dikurshme, kur askush nuk lejohej të afrohej në kishën që e administronte ushtria. Familja gjithsesi besonte. Dhe, e kanë mbrojtur. Djaloshi, që më thotë se është gjimnazist, është i sjellshëm dhe nën autoritetin e tij përfundojmë të bindur. Bën keq ciceronin, të transformuar më shumë në ato pak gjëra që ka dëgjuar. Rruga humbet kalldrëmin dhe në metrat e fundit ka mbetur në një tokë të thatë.
Kisha, që të duket e madhërishme nga poshtë Mangalemit dhe Osumit të vobegtë, që në pranverë rrjedh qetazi poshtë këmbëve të Urës së Goricës, është e thjeshtë. Ndërtuar me teknikën e klausonazhit dhe e pastër, ajo tregon dukshëm pretendimin e atyre që e kanë bërë. "E mbajmë, më thotë djali. Nëna, babai, unë dhe motra". Ikonat brenda dhe një formë e thjeshtë me një nef janë pak për të treguar madhështinë e saj. Por, ajo ngjan shumë me kishën me kupolë të Marmiroit. Ushtria e ka përshtatur sipas mënyrës së vet, ndërsa krahas gjendet një zgavër, ku dikur është shërbyer. Dikur dhe këtu thuhet se ka qenë e pikturuar. Pak vitet e demokracisë nuk kanë shërbyer që njerëzit të kthjellohen, sepse në vitin 1997 janë kthyer në origjinë, duke e vjedhur. Ardhacakët kanë rrëmbyer dy herë kambanën. "Jo vendas", më thotë sërish duke qeshur djali. "Ishin lushnjarë!" Në fakt, u është dashur ta ruajnë shumë kishën nga grabitësit, ndërsa ikonat i kanë strehuar në shtëpi. Duket se mallkimi i emrit të Enverit, që rrinte i sigluar në shkëmb, e ka ndjekur shumë qytetin. "Banorët e qytetit janë njerëz të urtë, të butë, të përvuajtur dhe të drejtë", kujtoj fjalët që treten në largësitë e shekullit të Çelebiut.

Vetë Kisha

Kisha është e rrethuar me një mur, në pjesën më të madhe të ulët, që luan rolin e parapetit dhe të murit mbajtës për të formuar sheshin e vogël të kishës. Megjithëse sot gjurmët janë të pakta, është për t'u pranuar ideja se edhe kjo pjesë e kodrës së kalasë do të ketë qenë rrethuar me mure. Në këtë mënyrë... mund të shpjegohet ekzistenca e kësaj. Në anën veriore kisha është ngjitur krejtësisht me shkëmbin. Pak më tutje në shkëmb është realizuar një paraklis, që ruan edhe sot gjurmë të pikturës murale. Ndërsa, nga perëndimi dhe lindja, ka sadopak vend qëndrimi dhe kalimi, në anën jugore ku shkëmbi bie thikë, kemi vetëm një rrugicë mjaft të ngushtë. Në këtë anë në fillim të viteve '50 është ngritur një këmbanore, shkruan Profesor Aleksandër Meksi në studimin e tij për këtë kishë. Eshtë e kuptueshme, që për vetë vendin ku është ndërtuar, kisha është një kapelë. Ajo është e tipit kryq i brendashkruar pa mbështetje të lira, me kupolë mbi tambur dhe me narteks në anën perëndimore. Gjatë shekullit tonë (XX) është shtuar pranë narteksit një hajat, që shërbente si mjedis ndihmës, nëpër të cilin kalohej për në oborrin në anën perëndimore. Në anën lindore, ngjitur kishës ishte ndërtuar një mur guri, i cili së bashku me një mur mbajtës të ulët, formonte një teracim më të lartë se oborri.
Në kishë hyhet direkt në naos nëpërmjet derës së anës jugore, ashtu edhe nga ana perëndimore, nëpërmjet narteksit. Narteksi është i ndërtuar me pllaka guri dhe i mbuluar me qemer cilindrik me formuese evri jug. Me një këmbëshkalë kalohet në naosin me përmasa të vogla që ka në plan formën e kryqit, duke patur ndërmjet krahëve të tij pilastrat në qoshe.
Muratura në anën e jashtme është me kluasonazh me dy tulla vertikale. Si në anën jugore, ashtu edhe në atë perëndimore, menjëherë mbi tokë, kemi disa rreshta të çrregullt me gurë e radhë gurësh, pranë saj një brez rrafshues me tulla dhe mbi të fillon kluaonazhi. Kur guri është në lartësi më të vogël se tullat vertikale, shikojmë të vihet horizontalisht mbi të një tullë apo fragment tulle, ose tjegulle.
Nuk ka afreske, por tregohet se dikur ka qenë e mbuluar me afreske. Kjo kishë është e shekullit të XIV. Këtu e kemi mbyllur. A mund të kalojmë këtu në kala. Eshtë pak vështirë, më thotë djali. "Më mirë bjeri rrugës".

Sërish në qytet

Nga Mangalemi duhet të zbresësh dhe me një makinë duhet të lësh pas pak minutash kombinatin për të gjarpëruar drejt rrugës, ku është hyrja kryesore e Kalasë së Beratit. Në fakt, ajo që njerëzit lidhnin dikur Beratin, ka qenë Kombinati, dhe të 9200 punëtorët e saj, që tashmë dergjen kafeve. "E di që nuk kanë lek për asgjë... Shisja kaq revista, tash shes vetëm një", më ka thënë një gazetashitës, që bën dhe tatimin e shijes së njerëzve. Eshtë ai që u thotë se çfarë duhet të marrin. Më shpalos një revistë me një femër të kolme përballë, që më "tremb" me përmasat e saj. "Edhe këtë nuk e blejnë", më thotë. Berati, pas lulëzimit të emigracionit tashmë ka filluar që të vegjetojë. Të rinjtë kanë ikur, ndërsa qyteti ka pasur në vitet pas '90 prej heterogjenitetit të vet, shumë rrëmuja. Kjo gjendje e ka bërë një pjesë të rinisë që të shpërngulen në të gjithë botën, në kërkim të një jete më të mirë. Ndërsa 65 mijë banorët e mbetur në qytet, duket sikur shtyjnë agoninë e tyre, që u ngjan si dy pika uji me të gjitha ato të qyteteve të tjera shqiptare.

Kalaja dhe objektet

Ka qenë dikur aq e begatë, saqë turqit ende pa e pushtuar komplet Ballkanin ngritën në Kala atë që do të ishte një nga objektet e tyre më të vjetra në Gadishull. Ajo mori emrin Xhamia e Kuqe, falë materialit të ndërtimit, që mjeshtrat bënë me tullat e kuqe. Eshtë xhamia e parë e ndërtuar në Shqipëri, që daton nga 1389-1402 dhe që mendohet se më vonë ka shërbyer edhe për garnizonin osman, që shërbente në kala.
Në 9.6 hektarë muret e saj janë të përforcuara me 24 kulla të formave dhe përmasave të ndryshme, të ndërtuara mjeshtërisht. Steria e ujit, në pjesën juglindore të Kalasë, është një krijesë gjigante, që të habit me ndërtimin dhe përmasat e saj të jashtëzakonshme edhe në ditët e sotme. Ndanë saj, një godinë e braktisur dhe hekura, shumë hekura, që tash i bëjnë shoqëri dhe antenat e telefonave celularë. Kalaja ende e banuar me një popullsi shumë autoktone ngrihet mbi një kodër 187 metra të lartë dhe nga një anë bie humnershëm mbi lumë. Pak banorët që kanë mbetur, menaxhojnë jetën e tyre dhe dikur fanatikët e traditës së tyre, tani janë më të paqëm. Këtu ishin dhe familjet më të vjetra të qytetit. Por nga të mbeturit, janë pak ata që kanë interesa dhe mund të mësosh diçka. Janë tmerrësisht indiferentë. I kërkoj dikujt që të shikojë një kapelëz të vogël, që është në një shtëpi. "Janë dy motra, që o Zot, mos rënç në dorë të tyre", ma kthen. I kënaqem orientimit të vetes... dhe tabelave, që kanë lënë strukturat e monumenteve.
Ende shikohen rrënojat e akropolit, ku ishte garnizoni ushtarak, sarajet e pashait dhe xhamia e bardhë, që i përket periudhës osmane. Kalaja është përshtatur në kohë të ndryshme, sepse vazhdimisht është luftuar për të. Banesat që janë brenda kalasë bashkuar me dy lagje karakteristike të Beratit, Gorica dhe Mangalemi përbëjnë tre elementë karakteristikë të qytetit, që i japin atij bukuri jo të zakonshme. Kaq të bukura janë ato, sa banorët janë të vetëdijshëm për një superioritet natyror në krahasim me vendet e tjera. Të paktën deri më tani. I veçantë është edhe ndërtimi osman në këtë vend, ku veç Xhamisë së Kuqe kemi edhe Xhaminë Mbret, e cila është ndërtuar në pjesën e poshtme të lagjes, kur qyteti e humbi rëndësinë dhe ajo ishte në sistemin e atëhershëm. Një administratë, e cila përbëhej nga xhamia, medreseja, ndërtesa e fjetores, teqeja, banjoja, çezma, tyrbja etj... Xhamia është realizuar në kohën e Sulltan Bajazitit dhe që atëherë është rikonstruktuar. Ahmed Kurd Pasha, qeveritari i sanxhakut të Vlorës me qendër këtu e kishte rregulluar, kurse Xhamia e Plumbit është e vetmja gjë e mbuluar me kupolë. Shtuar me një portik të mbuluar, ku duket një sistem kalotash sferike dhe minarja e plotë. Një dokument thotë se xhamia është ndërtuar më 1553-1554 nga Gazi Uskurliu...

Sa ka humbur gjithçka

Në kala ta tregojnë me shumë indiferencë. Ata pak njerëz që janë, mbeten më të interesuar për të bërë përshtypje me kishat, sesa me gjërat e tjera. Në fakt, e kanë një të drejtë, ngaqë sot, në mes të kalasë, ruhen afreske të familjes Onufri dhe mjeshtëritë e tejmëdha të Bizantit. Rrënojat e të cilëva ruhen sot.
Kishat dhe katedralja e Shën Marisë ngrohet në një pikë të lartë të lagjes kala në mes të strukturës. Këtu stërhallen më shumë të rinjtë, që vijnë nga qyteti. Ndërsa nga kompleksi i Mitropolisë sot ka mbetur vetëm kisha, e cila është e ndërtuar më 1797. Ajo është një kishë e plotë me tre nefe, që edhe pse nuk ka piktura murale, por punë të gdhendura në ar dhe një cilësi të lartë artistike. Por këtë serenitet e kanë prishur sakaq dy autobusë me nxënës, që sapo kanë ardhur dhe zëri i çjerrë i sa mësuesve. Gjimnazistët nuk mbahen, ndërsa mbjellin moltot dhe patatinat kudo. Kompasti, gruaja me tutat blu dhe me shalët e hapura frikshëm, i ndjek pa lëvizur me një shikim sfinksi. Duhet të jenë të painteresuar për asgjë. Janë me taka të stërlarta dhe vuajtjen në kalldrëm e konvertojnë me një gaz të shtirur. Edhe Shvejku, që e kam hasur më parë, është përzier me ta. Bën dhe ai një si punë ciceroni, por që nuk ia var askush. Më vjen keq, se teksa kalojnë para Onufrit, as nuk denjojnë t'ia hedhin sytë. Ca më shumë zyshat, që hargalisen dhe që nuk është çudi që ai t'u duket si Mbreti Arthur. E të mendosh se këtë mrekulli pas bizantine, Onufri ka meritën, që i dha jetë. Kisha e Shën Todrit, pak më tej, që askush nuk ndalon, përmban strukturat e punës së tij. Ikonostasi i kishës së Ungjillizimit kishte ikona të punuar nga Onufri, që sot janë në Korçë. Më mirë, mendoj që janë të painteresuar, se mbase kështu mund t'i shijosh gjërat këtu. Në Shën Marinë e Vllahernës, ku një djalë punon i vetëm, duke pastruar disa ulluqe, ka punuar Nikolla, i biri i Onufrit. Nga një numër tjetër ikonash kemi Onufër Qipriotin, autor i afreskeve të kishës së Shën Marisë së Vrahogoranxisë... Djali më tregon mjeshtërinë dhe skenat nga Ungjijt, që kanë fiksuar ikonografët shqiptarë. Ka qenë emigrant, tash ka përfunduar këtu. I duket mirë. Të paktën merrem me diçka, më thotë.
Por, më vjen keq, që në këtë zallamahi, që prodhojnë pak njerëzit që vinë, do zgjohet kujtimi i Kodikut të Purpurt, që ruhej në Kishën e Shën Gjergjit dhe që nuk i tregohej askujt. Një kodik i rrallë i periudhës post paleokristiane me pergamenë shkruar me të kuq. Besohet se është shkruar nga Shën Joan Gojëarti, një nga protagonistët e historisë së njerëzimit. E kujt t'ia thuash. Në një segment të kalasë, që është në krahun e majtë të hyrjes kryesore, një mjedis ka mbetur i rrënuar, pasi ka marrë flakë. Janë rrënuar tri shtëpi. "Burri im është i vjetër, më thotë një grua. Jemi nga më të vjetrit në këtë vend. Por, tash kanë filluar t'i shesin shtëpitë. Pse hahet shtëpia. Dikur e kishin për nder ata që banonin këtu, tash të gjithë kërkojnë diçka ndryshe. Iu dogj shtëpia, as nuk e çajnë kokën për ta rindërtuar", më sqaron.
Ky është rrëfimi për monumentin më të vjetër të qytetit, madhështinë e të cilit mund ta ndjesh edhe në elementë të veçantë të tij.

Berati sot

Poshtë këmbëve të kalasë nuk është kështu. Kalldrëmi, që tash është mbushur me shtëpi, që imitojnë shëmtuar bukur kalanë, ngjitet deri sipër. Pavarësisht autoritetit të Beratit, që vjen i plazmuar nga bukuria ndërtimore e brezave paraardhës. "Banorët e Beratit merren me të gjitha zejet e mjeshtëritë", thotë Çelebiu. Po, para 300 vjetësh, na bëhet t'i themi. Pasardhësit e tyre sot dergjen. Janë më shumë se 16.000 të papunë, shtuar me mbi 10.000 mijë të tjerë, të cilët drejtohen herë pas here pa sukses për punë, në institucionet përkatëse. Kur shikon numrin e madh të të rinjve, që baresin në klubet pafund të "qytetit të bardhë", atëherë duhet të hamendësosh shumë, se ku gjenden këto lekë. Në fakt, një alternativë e kemi: ata janë një kontigjent i përhershëm i kronikës së zezë së Republikës, ndërsa prostitucioni i këtij rrethi, dikur kishte kuotat më të larta në vend. Dhjetëra çështje penale në qytet, dy vjet më parë kanë vetëm si shkak prostitucionin. "Djelmuria shqiptare e këtij qyteti edhe në shëtitje qëndron e armatosur dhe, ruajna Zot, s'ke pse të ngatërrohesh me ta. Betimi i tyre është vetëm për shpatën që mbajnë", vazhdon Çelebiu. Në fakt, në kohën tonë kanë ndryshuar, por tashmë me arsenale armësh të fortësh dhe teoritë e tyre të besës. Për fat, qyteti është i pastër si dikur, të paktën në lagjet karakteristike. Por, jo më imazhin e vjetër që ka parë Çelebiu. "Berati ka 70 vende dëfrimi… Si vend malor që është, Berati ka klimë të shëndetshme, me ujë të mirë e ajër të pastër, prandaj edhe njerëzit, si meshkujt dhe femrat janë të shëndetshëm dhe të bukur… Banorët e Beratit ndahen në tre kategori: Intelektualët, punëtorët dhe artizanët, të cilët kanë në dorë tregtinë dhe të gjithë punët artizane… Ndër ta ka qëndistarë, opingarë, argjendarë, mestexhinj, remtarë e regjës lëkurësh". Edhe pse sot lëvizin makina, që do t'i kishin zili metropolet më të pasura, kjo nuk thotë as një gjë të mirë për qytetin, veç informalitetit. Por, njësoj si shkodranët, ata janë të tkurrur si iriqi me historitë e tyre në kurriz.
Ky është një udhëtim i shkurtër në Berat. Qëndroj në pjesën ku është një shesh i kohës së socializmit, dhe ku sërish njerëz të shumtë sorollaten kot, duke thashethemuar. Mes tyre jemi afruar për të kaluar pak kohë. E njëjta veshje dhe zdërhallje si në vende të tjera. Burri, që është si Shvejku, më në fund ka zbritur në qytet. E shoh diku, që rri ndryshe. Por nuk qesh. Tashmë, dalldia e qytetit, që zdërhallet e ka kthjelluar sikur të jetë amoniak. E shoh pranë banjove popullore, që në Tiranë janë zhdukur. Një cigan plak, me një pamje dinjitoze tribuje, nuk e lë të futet. Shvejku nuk i qesh. Çuditërisht e shikon me inat. Eshtë prilli i vitit 2007. Pranvera lodron e lodhur në fytyra beratasish të shekullit të XXI. Ben Andoni (fillim-prill 2007)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT